Standard.al

Bankat, një sektor që e ka të vështirë të kapë shkëlqimin e dikurshëm

Ervin Kaduku

 

bankaShoqata e Bankave ka publikuar dje të dhënat financiare të bankave tregtare për tremujorin e parë të vitit 2013, sipas të cilave sistemi bankar në Shqipëri ka një rënie të dukshme të aktivitetit, ndërkohë që kredia e keqe po rritet me shpejtësi.

 

Depozitat

Totali i depozitave është rritur me ritme më të ngadalta se një vit më parë gjatë këtij tremujori. Stoku i depozitave është rritur me vetëm 0.5 për qind krahasuar me 1.5 për qind që ishte kjo rritje në të njëjtin tremujor një vit më parë. Po kështu, depozitat e individëve u rritën me 0.7 për qind në krahasim me një rritje prej 3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012, ndërsa depozitat e bizneseve vazhdojnë të paraqiten në rënie. Ritmet më të ulëta të rritjes së depozitave kanë shoqëruar uljen e normave të interesave të depozitave të sistemit bankar, në përgjigje të transmetimit të sinjaleve të politikës monetare. Ndërkohë, ky ngadalësim vlerësohet të jetë në linjë me situatën financiare të konsumatorëve dhe krijimin më të pakët të parasë në ekonomi.

 

Kreditimi

Teprica e kredisë për sektorin privat ishte vetëm 0.35 për qind më e lartë në fund të muajit mars 2013 krahasuar me fundin e vitit 2012. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori në total shënoi 40,890 milionë lekë dhe përbëhet në pjesën më të madhe (rreth 78 për qind) nga kredia për biznese. 41 për qind e kredisë së re është disbursuar në lekë ndërsa pjesa tjetër në monedhë të huaj, kryesisht në euro. Kredia e re dhënë individëve është përdorur në mënyrë pothuajse të barabartë si për financimin e pronave të paluajtshme ashtu edhe të konsumit. Ndërkohë, kredia e re për bizneset është përdorur në pjesën më të madhe për financim likuiditeti afatshkurtër (rreth 66 për qind) dhe më pak për investime, si rrjedhim i kërkesës më të ulët për financim investimesh nga bizneset.

Kreditë me probleme vazhduan të rriten gjatë tremujorit të parë 2013 duke arritur në 23.7 për qind të totalit të kredive në fund të muajit mars.

 

Fitimet

Kjo rritje ka ndikuar në fitimin e sistemit bankar, i cili edhe pse paraqitet pozitiv në shumën prej 1.33 miliardë lekësh për tremujorin e parë të vitit 2013, është rreth 32 për qind më i ulët se fitimi i të njëjtit tremujor një vit më parë.

 

 

Vlorë, në sajë të investimit, Uji i Ftohtë pa ujra të zeza

Pak muaj pasi ka nisur puna për zbatimin e fazës së dytë të projektit të kanalizimeve të ujërave të zeza në qytetin e Vlorës, financuar me fonde të Bashkimit Evropian, zona e Ujit të Ftohtë është bërë pjesë e këtij rrjeti. Prej ditësh të gjitha objektet, publike dhe pallate e godina të tjera banimi, janë lidhur më sistemin e ri të kanalizimeve, çka do të thotë se ujërat e zeza nuk shkarkohen më, në det, por dërgohen në impiantin e përpunimit. Ky është edhe synimi i projektit të kanalizimeve të ujërave të zeza, që ka nisur disa vjet më parë, ndërkohë që pak muaj më parë nisi faza e dytë e tij.

4 milionë euro është vlera financiare që ka akorduar BE-ja për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dytësore të Vlorës, që do realizojë vënien në funksion të të gjithë sistemit të ndërtuar pak vjet më parë me fonde evropiane. Projekti i linjave dytësore ka nisur pak muaj më parë dhe po realizohet gradualisht nga pjesët periferike, drejt hapësirës së qendrës. Ky është një investim mjaft i rëndësishëm, sepse realizon vënien në funksion të sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza, përmes lidhjes së objekteve të banimit dhe atyre publike, me linjën kryesore dhe impiantin modern të përpunimit të ujërave të zeza.
Aktualisht po punohet në sektorin e unazës së qytetit, ku po shtrohen linjat dhe bashkimi i tyre me sistemin kryesor. Ndërkohë, më parë, përmes një fondi prej rreth 1 milion euro të qeverisë shqiptare, ishte realizuar një pjesë e rëndësishme e kësaj faze. Përfundimi i punimeve, që pritet të realizohet për një periudhë rreth 1-vjeçare, do të mundësojë përfshirjen në sistemin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, të rreth 50 për qind të hapësirës urbane të qytetit, si dhe do të parandalojë plotësisht derdhjen e këtyre ujërave në det.
Ky investim është pjesë e projektit madhor të ndërtimit të sistemit të ujërave të zeza, që përfundoi pak vjet më parë me një fond prej rreth 9.7 milionë euro të BE-së. Pjesë e këtij projekti është edhe impianti i përpunimit të ujërave të zeza, një nga projektet më të rëndësishme të qytetit të Vlorës, që ka përfunduar rreth 4 vjet më parë me financim nga BE-ja me një vlerë prej 2.69 milionë euro. Impianti përbën në vetvete një depozitë të madhe, të hapur, ku do të realizohet përpunimi dhe pastrimi i ujërave të zeza të qytetit, përmes një teknologjie të përparuar bashkëkohore.
Në brendësi të tij është instaluar sistemi përkatës, që do të mundësojë pastrimin e ujërave të zeza. Ky objekt, në pikëpamjen skematike shënon edhe fundin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza që kanë përfunduar më parë, mbi bazën e një investimi të BE-së me një vlerë prej 9.7 milionë euro. Po kështu, nga ana teknologjike impianti përbën fazën finale të grumbullimit të ujërave të zeza dhe pastrimin e plotë të tyre, duke i shndërruar ato në ujëra të zakonshme, pa asnjë pasojë ndotjeje për mjedisin detar.
Burimet zyrtare të Bashkisë sqarojnë se në tërësi ky projekt do të zgjidhë një nga problemet më madhore të qytetit të Vlorës, trajtimin e ujërave të zeza dhe do të realizojë përmirësimin dhe ruajtjen e potencialit turistik të këtij qyteti. Ky sistem do të trajtojë 16 derdhje të pakontrolluara përgjatë bregdetit, që aktualisht shkojnë në det.

 

 

 

AIDA dhe Maqedonia nënshkruajnë memorandum për investimet

Gjatë vizitës së delegacionit maqedonas në Tiranë dje u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet AIDA (Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve) dhe Invest Macedonia (Agjencia për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë).

Përfaqësues të delegacionit maqedonas ishin Visar Fida, Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Investimet e Huaja dhe Promovimin e Eksportit të Republikës së Maqedonisë dhe Jordan Trajkov, drejtor Ekzekutiv i Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit të Republikës së Maqedonisë. Pala shqiptare u përfaqësua nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Florjon Mima, Eneida Guria, drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Turizmit si dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Ky Memorandum konsiderohet si një hap shumë i rëndësishëm për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike ndërmjet dy vendeve, duke bërë të mundur krijimin e kushteve të favorshme për një rritje të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky bashkëpunimin midis Invest Macedonia dhe AIDA, do të synojë gjithashtu në rritjen e investimeve ndërmjet dy vendeve.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve, Eneida Guria ulja e shkëmbimeve tregtare me Greqinë, për shkak të krizës po krijon hapësira që mund të shfrytëzohen nga bizneset maqedonase. “Në shifra totale, ne përsëri jemi të lidhur tradicionalisht me fqinjët tanë, siç është Italia dhe Greqia, e cila së fundmi po lë hapësirë boshe në shkëmbimet tregtare dhe për këtë arsye ka mundësi që bizneset e dy vendeve tona të kontribuojnë në rritjen e volumeve të shkëmbimeve tregtare mes nesh”, – thotë Guria. “Në vitin 2012 volumi tregtar me Maqedoninë arriti në 90 milionë euro dhe shënoi një rritje mesatare prej 17 për qind krahasuar me vitin 2007. Realisht rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona ka qenë e vazhdueshme, por besoj se duhet të vazhdojmë të punojmë akoma për të intensifikuar bashkëpunimin për të patur rritje edhe më të larta se sa kjo”, – tha Pranvera Kastrati, drejtore e Politikave të Integrimit Tregtar në METE.

Duke u ndalur tek turizmi, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve ftoi bizneset maqedonase të shohin mundësinë e investimit si biznese pritëse. “Duke pasur parasysh shifrat në rritje të vizitorëve në Shqipëri shohim dhe një nevojë në rritje të ofrimit të shërbimeve në atë nivel që do të duhet të ofrohej dhe për këtë arsye sektori i turizmit ofron mundësi për të investuar qoftë në infrastrukturë pritëse apo edhe në shërbimet që i duhen ofruar vizitorëve në vendin tonë”,- theksoi Guria.

Investimet maqedonase në Shqipëri në vitin 2009-2010 llogariten 22 milionë lekë, ndërsa në vitin 2011 ato shkuan në 16 milionë lekë që përbëjnë edhe 1% të totalit të volumit të investimeve të huaja në vendin tonë. Në vitin 2012, sipas INSTAT-it, volumi tregtar arriti në 90 milionë euro. Po sipas statistikave zyrtare, në vitin 2011 në Shqipëri ishin 141 kompani maqedonase, që përbëjnë 4% të totalit të kompanive të huaja që operojnë në vendin tonë.
Prej dy ditësh në Tiranë zhvillohen forume të bizneseve me vendet e rajonit me qëllim thellimin e bashkëpunimit në biznes dhe investime.

 

Comments are closed.