Tiparet kryesore të së majtës: egocentrizëm, arrogancë dhe racizëm

0
165

Çelo Hoxha

 

19_05_13_90622_Karikatura1

Marksi, themeluesi i doktrinës komuniste, ishte kokrra e dembelit dhe një njeri pa sensin e realitetit, gjithë jetën jetoi me paratë e të tjerëve. Dhe jetoi si komunist: në varfëri. Varfërinë e tij ai e projektoi si të keqe të gjithë botës, dhe, i mbushur me urrejtje çdo mëngjes që ulej e shkruante marrëzitë e tij, kujtonte se vetëm dhuna do t’i zgjidhte hallet e dynjasë. E gjithë doktrina e tij kishte bazë egocentrike dhe, siç është provuar tashmë, provoi njerëz të tipit të Marksit: varfanjakë.

Propaganda, të cilën e majta e përdor si mjetin kryesor të saj (dikur përdorte dhe armët), i shërben pikërisht si mburojë për të fshehur qëllimin e vërtetë përse e kërkon pushtetin: thjesht, për të sunduar të tjerët. Që nga fillimet e komunizmit e deri te majtat e sotme, të cilat s’e kanë shumë qejf të identifikohen me Marksin dhe teorinë e tij, evolucioni i të majtës ka pësuar ndryshime vetëm në formë. Thelbi vazhdon të mbetet i njëjtë.

Prezantimi i kryetarit të PS në Vlorë, ku folën për të gjithë familjarët e tij, është një hipokrizi e pastër, një truk propagandistik. Nuk dua të vë në dyshim asnjë mendimet e familjarëve tij për njeriun e tyre, por ata e vlerësojnë, dhe mirë bëjnë, si njeri me të cilin kanë lidhje gjaku. Zoti Rama, nga njëra anë angazhon gjithë familjen tij t’i vizatojnë një imazh pozitiv në publik, nga ana tjetër akuzon kundërshtarin dhe familjen e gjithë ditën. Dhe, për më tepër, në prezantimin publik të zotit Rama foli dhe deputeti Saimir Tahiri, i cili deklaroi “se ky është lideri që i duhet Shqipërisë”, kur ai është dënuar nga gjykata, disa herë, për shpifje. Njërin nga dënimet ai ka për shpifje ndaj fëmijëve të kryeministrit. Njerëz me integritet të dyshimtë është e vështirë të besohen edhe kur mund të thonë një të vërtetë.

Zoti Rama e shfaqi gjerësisht egocentrizimin e tij dhe në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, të shtunën. Në tre faqe intervistë, ai foli për shumë personazhe të politikës dhe për të gjithë me arrogancë. “Meqë e kemi kohën të limituar, disa përcaktime të shpejta,” i thotë gazetari. Dhe vazhdojnë përcaktimet. Për Sali Berishën, Edi Rama thotë: “I plakur”. Për Jozefina Topallin: “E lehtë”. Për Bamir Topin: “Tirons”. Për Kreshnik Spahiun: “Krra, krra, krra”. Për Fatos Nanon: “Kush është ky”.

Me këto përcaktime, ai e bën zero gjithë portretin e familjarit të mirë që i vizatuan familjarët e tij në Vlorë. Kësi përcaktimesh nuk janë të pranueshme as kur bëhen nga një humorist apo karikaturist, e jo më nga dikush që nesër mund të jetë kryeministër i vendit. Disa nga përcaktimet janë ngritur mbi paragjykime: mungesa e respektit për moshën, mungesa e respektit për një grua në politikë, mungesa e respektit për origjinën e tjetrit. Ato që thotë për Kreshnikun Spahiun dhe Fatos Nanon janë arrogancë e pastër. Zoti Spahiu është një politikan që e detyroi zotin Rama t’i kushtonte vëmendje AK, duke u trembur nga influenca e saj. Zoti Nano mund të jetë i mirë apo i keq, por jo një i panjohur për të. Përndryshe, vendin e kujt zuri zoti Rama në krye të PS? Ajo që ai thotë për Fatos Nanon është e ngjashme me atë që Enver Hoxha tha për Mehmet Shehun kur ai nuk i duhej më: “E kush është Mehmeti, një m… është”.

Kur dikush e shikon me përbuzje një njeri për moshën e tij, ai shikon me përbuzje gjithë moshatarët e tij. A mund të besohet se një njeri i tillë mund të kujdeset, nëse vjen në pushtet, për moshën e tretë?

Kur dikush flet me përçmim dhe fyerje për një zonjë, a mund të mendohet se do të tregojë respekt për gratë e tjera?

Kur një njeri e përçmon dikë si “tirons”, a mund të thuhet që ky njeri ka respekt për banorët e Tiranës? Kur nuk ka respekt për banorët e Tiranës, a mund të mendohet se respektojë banorët e tjerë të Shqipërisë?

Me formimin e tij, zoti Rama reflekton tiparet themelore të udhëheqësve komunistë. Ata u kujdesën vetëm për veten, përbuzën çdo qytetar tjetër që jetonte jashtë Bllokut, burrë apo grua, i trajtuan njerëzit si të ishin insekte, u munduan ta fshijnë historinë, por në fund ata dolën të humburit. Qytetarët ua hoqën monumentet zvarrë, kurse historia u zbuloi krimet. Shqiptarët e kanë në dorë të mendohen para se të votojnë, në duan të rijetojnë periudhën e poshtërimit, apo në duan të vazhdojnë të jenë njerëz me dinjitet. Gjithë të tjerat janë çështje të dorës së dytë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency