Posti i Kryeministrit pas 23 qershorit Meta në krye të qeverisë?! Rama: Eufori fushate, e vendos Kushtetuta dhe populli

0
123

Gëzim Saliu

rama-metaKreu i PS-së: KQZ-ja, si organizatë politike, do të marrë me vete përgjegjësinë para popullit

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, hedh poshtë ekzistencën e një gare brenda koalicionit të majtë për postin e Kryeministrit pas 23 qershorit, duke theksuar se këtë çështje e zgjidh Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Në një bashkëbisedim me gazetarët para nisjes së punimeve të konventës zgjedhore të PS-së, Rama iu përgjigj interesit të tyre në lidhje me deklaratën e bërë dy ditë më parë nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, në qytetin e Beratit, i cili tha se pas zgjedhjeve të 23 qershorit, në krye të qeverisë do të jetë Ilir Meta. “Të jeni të sigurt se asnjë lloj diversioni mbi fjalime apo fjali të thëna mes entuziazmit të fushatës elektorale nuk funksionon. Aleanca është kompakte, PS është në sintoni dhe sinkronizim me LSI-në dhe aleatët e tjerë dhe mos kini merakun më të vogël se kush do jetë Kryeministri pas fitores është gjëja më e thjeshtë dhe më e shpejtë për t’u zgjidhur, bazuar në çfarë thotë Kushtetuta dhe vullneti i popullit. Në këtë pikë më vjen keq, por nuk keni çfarë peshkoni se Saliu ka mbetur pas ngjalave dhe i duhet të peshkojë, por fatkeqësisht po peshkon në tokë të thatë”, – tha Rama.

 

KQZ-ja

I mbetur si një ngërç mes palëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duket se do të vazhdojë të zhvillojë punimet e tij në formatin aktual, edhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të 23 qershorit. I pyetur nga gazetarët lidhur me situatën në institucionin më të lartë zgjedhor, kryesocialisti Rama deklaroi se KQZ aktuale është si një organizatë politike që nuk garanton asnjë standard të zgjedhjeve. “Nëse duan ta mbajnë KQZ-në si organizatë partie, le ta mbajnë, aty e kanë. Ta mbajnë bashkë me përgjegjësinë që do të mbajnë para popullit nëse KQZ do të sillet si organizatë partie në zgjedhje. Nuk mund të ketë zgjedhje normale me Saliun, ne këtë e dimë”, – deklaroi ai. Në te njëjtën linjë, sekretari zgjedhor në PS, Damian Gjiknuri, deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë sinjal për negociata me forcë më të madhe politike në vend. “Nuk ka pasur asnjë sinjal. Përpjekje e di që ka, por unë nuk mund t’i komentoj këtu, edhe nga faktori ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje. E mira është që një zgjidhje të gjendet sa më shpejt. Në çdo moment Kuvendi mund të thirret dhe t’i japë zgjidhje një problemi, që për mua është një problem shumë i rëndësishëm për të pasur zgjedhje me standarde”, – tha Gjiknuri për “Top Channel”. Nga ana tjetër, ai nuk ngurroi të bënte të ditur se PS është e përgatitur edhe për zgjedhje me katër anëtarë në KQZ. Nëse mazhoranca nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj duke ofruar një zgjidhje për KQZ-në, sipas Gjiknurit, procesi do të menaxhohet nga vetë PS-ja, populli dhe faktori ndërkombëtar. “Ne e kemi deklaruar qartë, nëse ai kërkon kontrollin e plotë të KQZ-së le ta mbajë. Ne do të përgatitemi për zgjedhje në çdo nivel, deri në Komisionet Zonale Zgjedhore, vende ku përfundimisht mbyllet numërimi i votave dhe del rezultati zgjedhor. Nëse KQZ-ja do të hyjë në proces në mënyrë të paligjshme, patjetër në mënyrë të paligjshme do të përballet me një presion të shtuar, presion popullor dhe ndërkombëtar pasi do të shkelë haptazi ligjet dhe përgjegjësia është e këtyre katër njerëzve”, – tha sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri.

 

 

Konsulenca e Blair-it, Rama: Vullneti i tij për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim

Kreu socialist, Edi Rama, i është përgjigjur dje edhe pyetjes në lidhje me një artikull të publikuar nga gazeta britanike “The Telegraph” se ish-kryeministri britanik Tony Blair do t’i japë konsulencë me vlerë miliona dollarë PS-së në qeverinë e ardhshme shqiptare. “Mos bëni krahasime as në pikëpamje të shpenzimeve, sepse të jeni të sigurt që vullneti i Tony Blair-it për të ndihmuar qeverinë e re të Shqipërisë nuk ka çmim për të mirat që do të sjellë. Ne do të realizojmë një kontratë që nuk do të rëndojë në buxhetin e shtetit. Për momentin kemi një marrëveshje të bazuar në dëshirën e palëve për të bashkëpunuar për të mirën e shqiptarëve”, – tha Rama.

 

Deklarata e Naços

Milo: Jo pozitive, mund të rikthejë djajtë e së kaluarës mes së majtës

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, aleat i PS-së dhe anëtar i koalicionit “Shqipëria Evropiane”, e ka cilësuar si joefikase deklaratën e deputetit të LSI-së Nasip Naço në Berat. “Deklarata të tilla në opinion nuk krijojnë për atë ç’ka nevojë tani aleanca jonë, frymën e homogjenitetit dhe kohezionit, sepse ndryshe mund të ngrihen gjatë fushatës edhe djajtë e së kaluarës në marrëdhëniet mes aktorëve kryesorë të së majtës”, – tha Milo.

 

Deklarata e Naços

Meta: Dëshirë personale, objektivi primar, fitorja e aleancës së majtës

Në një konferencë për shtyp, me pyetje përgjigje me gazetarët, kreu i LSI-së, Ilir Meta, arsyetoi gjatë lidhur me deklaratën e deputeti të forcës që ai drejton,Nasip Naço, të dhënë dy ditë më parë në hapjen e fushatës në Berat. Duke e cilësuar si një deklaratë personale dhe se termat e qeverisjen do vendosen mbi bazën e rregullave të demokracisë, Meta tha se objektivi kryesor mbetet fitorja e koalicionit të majtë. “Pa asnjë diskutim që objektivi kryesor i LSI-së dhe i imi si kryetar i saj është fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane më 23 qershor dhe sigurisht arritja e një rezultati historik, dhe i tillë do të jetë, për LSI-në. Lidhur me deklarata të caktuara mendoj se ato nuk na shmangin nga objektivat kryesore që ne kemi dhe njëkohësisht sikurse u konfirmua edhe në Konventën e organizuar nga PS-ja koalicioni është në një sintoni të plotë dhe me një rritje të jashtëzakonshme të frymës së bashkëpunimit gjë që thellon çdo ditë fitoren e 23 qershorit. Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë është fitorja e opozitës së bashkuar dhe kjo është një ngjarje plotësisht e sigurt dhe diferenca do të jetë e jashtëzakonshme, mbi 200 mijë vota. Çështjet e tjera janë në përputhje me të gjitha normat dhe rregullat e demokracisë”, – tha Meta. Më tej i pyetur nga gazetarët nëse koalicioni i majtë ka dy kandidatë për kryeministër, kreu i LSI-së pohoi: “Koalicioni i majtë ka një objektiv të vetëm që është fitorja plebishitare dhe është në një sintoni të plotë. Të tjerat janë deklarata dhe dëshira të individëve të caktuar ashtu sikurse edhe z. Berisha ka ëndrrat e tij dhe vazhdon të shohë ëndrra me sy hapur për sa i takon datës 23 qershor dhe 24 qershorit”.

 

Reagimi

Malaj, Ramës: Nuk kam punuar për karrige si ti, je i vetmi kryetar opozite që sulmon kolegët

Kandidati i pavarur për deputet në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, u kundërpërgjigjet akuzave të kreut socialist ndaj tij, duke theksuar se ai është i vetmi kryetar opozite që sulmon kolegët e tij. Në një reagim në rrjetin social, Malaj u shpreh se shpeshherë Rama është bashkuar me Kryeministrin Berisha kundër interesave të socialistëve. “Ndryshe nga ju, nuk ka punuar kurrë për një karrige. U angazhova si ministër i Financave, atëherë kur gjithçka ishte shkatërruar dhe bashkë me të gjithë kolegët e tjerë rindërtuam ekonominë dhe rikthyem shpresën. Për asnjë karrige qeveritare nuk do ta tradhtoja kurrë Vlorën, dhe kjo është më se e qartë në kontributet e vlerësuara publikisht. Është në të mirë të fitores së PS-së dhe shqiptarëve që t’u largoheni instinkteve të hakmarrjes primitive, të cilat dëmtojnë jo vetëm fitoren e domosdoshme të opozitës, por vrasin edhe shpresën për të ardhmen”, – tha Malaj. Më tej ai kërkoi nga kryesocialisti që të reflektojë thellë, duke mos e sjellë sherrin edhe në qarkun e Vlorës. “Jeni i vetmi kryetar opozite në botë që e përdorni kohën tuaj të fushatës elektorale kundër kolegëve. E di që jeni frikësuar nga mbështetja publike për kandidimin tim, por ndryshe nga ju, unë i dua dhe i respektoj njerëzit e vendit tim dhe kurrë nuk i trajtoj si statistika elektorale. Unë do të vazhdoj të jem i përkushtuar për të merituar një mandat në Vlorë, të cilin nuk do ta këmbej kurrë me asnjë karrige qeveritare, por ashtu siç vlerësojnë edhe analistët shqiptarë, do të krijojmë së bashku me të rinjtë modelin e ri në politikën shqiptare, ku mandati vjen nga puna e përkushtimi i përhershëm, dhe jo nga pushteti abuziv i një kryetari partie”, – pohoi Malaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency