Vrasja e biznesmenit Kotorri, dyshime se e njihte autorin

0
240

kotorrHetimi, konfirmohen nga policia kërcënimet ndaj 43-vjeçarit para vrasjes. Disa elementë të hetimit zbulojnë takimin mes viktimës dhe autorit para vrasjes

Tiranë

Biznesmeni Hikmet Kotorri e ka njohur autorin e vrasjes. Ka disa elementë të rëndësishëm të dalë nga hetimi që nxjerrin në këtë përfundim grupin hetimor, ndërsa vijon të mbetet i vështirë identifikimi i autorit. Nëse vërtetohet se biznesmeni i ndërtimit e ka njohur autorin, atëherë bie pista e vrasjes me pagesë të 43-vjeçarit, duke shtuar edhe më tepër hetimet për të zbuluar personat apo personin me të cilin 43-vjeçari Kotorri ka pasur konflikte. Përveç faktit që viktima e ka njohur autorin e krimit, burime policore bëjnë me dije se biznesmeni ka pasur një konflikt përderisa provohet se përgjatë gjithë muajit para se të vritej ka pasur kërcënime, të cilat arritën deri në vënien e tritolit në makinë mikut të tij Leonard Picari pranë Kopshtit Zoologjik. Por, këto momente janë shumë pak për grupin hetimor për të arritur në një emër personi me të cilin viktima të kishte konflikte, porsa kohë edhe nga marrja në pyetje e familjarëve nuk jepet ndonjë detaj mbi konflikte apo probleme që mund të ketë pasur 43-vjeçari me ndonjë person. Ndërkohë, të njëjtat burime bëjnë me dije se është duke u hetuar jo vetëm e tashmja por edhe e kaluara e biznesmenit, për të zbuluar ndonjë konflikt që mund të jetë mbartur në kohë, për shkak të aktivitetit të 43-vjeçarit. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e këtij krimi të rëndë, ndërsa vijon të merren në pyetje herë pas herë shokë, miq, kolegë apo dhe familjarë të Kotorrit, dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e krimit.

Ngjarja

Hikmet Kotorri është qëlluar me katër plumba pistolete, duke mbetur i vdekur në vend, për shkak se njëri e ka prekur në kokë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:20 të mbrëmjes së të dielës së datës 5 maj, kur Kotorri sapo kishte ardhur nga qyteti i tij i lindjes, Përmeti, dhe po ecte në rrugë për të ngjitur shkallët e pallatit të tij për t’iu bashkuar familjes. Nga dinamika paraprake e hetimit, policia pohon se një person ka qëndruar në distancë nga hyrja e pallatit, ku edhe ka njoftuar me telefon apo me mjete të tjera bashkëpunëtorët e tij se në drejtim të tyre po shkonte objektivi. Nga hetimet ka rezultuar se ndërsa shkonte drejt hyrjes së pallatit, 43-vjeçari është takuar me autorin, ndërsa mësohet se është qëlluar me pistoletë sapo i ka kthyer krahët. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e lagjes, të cilët kanë dalë me shpejtësi jashtë, por nuk kanë mundur të shohin asnjë person në rrugë. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë biznesmenit, por pa mundur t’i shpëtojnë atij jetën.

Atentati ndaj ortakut

Hikmet Kotorri kishte krijuar një kompani të suksesshme në fushën e ndërtimit të pallateve, ku më tepër aktivitetin e tij e kryente në zonën e Dajtit. Nëpërmjet kompanisë “Kotorri-SL”, 43-vjeçari kishte mundur të ngrinte dhjetëra pallate në këtë zonë. Suksesi duket se u zbeh pikërisht në muajin mars, kur ortakut të tij, shtetasit Leonard Picari, i është vendosur një sasi e konsiderueshme tritoli në prapakolpin e makinës së tij tip “Mercedes-Benz”, me targa AA 303 DK. Në këtë atentat mafioz mbeti i plagosur shtetasi 27-vjeçar Leonard Picari. Pikërisht për këtë ngjarje kriminale të një muaji më parë, viktima 43-vjeçar Hikmet Kotorri është thirrur nga ana e policisë së Tiranës për të dhënë sqarime rreth konflikteve që kanë pasur dy ortakët gjatë kohës së ushtrimit të aktivitetit të ndërtimit. Nisur nga kjo situatë, 43-vjeçari ka dhënë deklarimet e tij ku ka treguar “fërkimet” që ka pasur me persona të ndryshëm, por që nuk ka dhënë detaje që do të provonte se ata mund të ishin personat që kishin vendosur sasinë e eksplozivit në makinën e ortakut të tij.

 

Kukës

Prangosen 2 vëllezër, tentuan vjedhjen e kosovarit

Dy vëllezër tentuan të grabisin një udhëtar në segmentin rrugor Breg Lumë- Morinë, pjesë e autostradës Kukës- Morinë. Sipas burime zyrtar policore, ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, por që shtetasi kosovar mundi të shpëtonte falë një patrulle policore që po kalonte në vendngjarje në atë moment. Ndërkaq kanë rënë në pranga Jetlind Matmuja, 24 vjeç, dhe Lirim Matmuja,19 vjeç, nga fshati Përbreg i Kukësit. Nga hetimet e para rezulton se grabitja ishte e planifikuar nga dy vëllezërit Matmuja. Nga të dhënat e sigluara prej policisë së qytetit verior, mësohet se kjo nuk është hera e parë që persona të ndryshëm tentojnë të grabisin udhëtarët kosovarë, kryesisht në sezonin turistik.

 

Tiranë

U përplas nga mjeti në Baldushk, humb jetën në spital 9-vjeçari

Nuk i përballoi dot plagët e marra gjatë aksidentit të dy ditëve më parë një 9-vjeçar, duke humbur jetën dje në Spital Ushtarak. Sipas burimeve, Klejdi I, ka ndërruar jetë duke mos u rezistuar dot plagëve të marra gjatë aksidentit të dy ditëve më parë, ku u përplas dje nga një mjet në Baldushk teksa tentonte të kalonte rrugën. Menjëherë pas ngjarjes efektivët e Komisariatit Nr.1 në kryeqytet arrestuan drejtuesin e mjetit, 39-vjeçarin Ymer Lleshi. Tashmë, 39-vjeçarit do t’i duhet të përgjigjet për akuzën e “aksidentit me pasojë vdekjen”, ndërsa fëmija do të përcillet për në banesën e fundit duke shtuar edhe një viktimë në statistikat e të vdekurve nga aksidentet.

 

Shkodër

Përplasen dy motoçikleta, humb jetën i moshuari

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shkodër. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, si pasojë e përplasjes së dy motoçikletave. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, viktimë e aksidentit ka mbetur shtetasi Kolec Molla, 69 vjeç dhe i plagosur ka mbetur Eduard Gjeka. Policia bën me dije, gjithashtu, se të dy personat e përfshirë në aksident ishin nga fshati Rrjoll i komunës Velipojë. Ndërkaq, blutë e Shkodrës kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti.

Kukës

Kërkohej për vjedhje, arrestohet në doganë 26-vjeçari Hajdari

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar paraditen e djeshme në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit, në Kukës. Gjatë kryerjes së procedurave në dalje, nga Shqipëria për në Kosovë, është bërë i mundur ndalimi i shtetasit Fuad Hajdari, 26 vjeç, lindur e banues në Gjakovë të Kosovës. Nga verifikimet e bëra ka rezultuar se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga policia shqiptare si autor i dyshuar për kryerjen e veprës veprën penale të “vjedhjes me mashtrim”. Tashmë ai ndodhet në dhomat e paraburgimit, të komisariatit të policisë së Kukësit, dhe pritet të dalë para gjykatës.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency