Konventa e Koalicionit “Shqipëria Evropiane” Rama: 23 qershori si 22 marsi, votë plebishitare për trenin e qytetarëve

0
141

Gëzim Saliu

rama ne konvente

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Meta: Ne një qeveri progresiste, bashkimi i së majtës një detyrim ndaj qytetarëve

 

Koalicioni i majtë do të fitojë me votë plebishitare në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, pasi këto zgjedhje, kanë të njëjtën rëndësi me ato të 22 marsit të vitit 1992. Kështu deklaroi dje kreu socialist Edi Rama në Konventën Kombëtare të koalicionit  “Shqipëria Evropiane”, ku së bashku me aleatët, dha mesazhin e votës për rrotacion dhe ndryshim. “Kemi vullneti të garantojmë ndryshimin më 23 qershor. Zgjedhjet do jenë po aq historike sa ato të 22 marsit 1992, populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësor në 1992, në 23 qershor populli shqiptar me një tjetër votë plebishitare do mbyllë kapitullin e rrënimit dhe do hapë kapitullin e shpresës dhe ëndrrave që do bëhen realitet me Shqipërinë Evropiane”, tha Rama. Kryesocialisti theksoi se pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, në Shqipëri do qeverisë shumica natyrale.  Sipas Ramës, shqiptarët duhet të zgjedhin për udhëtim një vagon në trenin që niset drejt Evropës dhe jo atë të rrënimit. “Qytetarët janë të lirë të zgjedhin vagonin që duan, e rëndësishme është që të mos e ngatërrojnë me trenin e mallrave që po shkon drejt humnerës dhe le të shkojë se drejt aty e ka nisur, por nuk ka pse të marrë me vete asnjë shqiptar të ndershëm dhe që do të jetojë me punë të ndershme. Kështu që më 23 qershor zgjedhja është e qartë me trenin e qytetarëve drejt Evropës, ose në trenin e mallrave drejt humnerës”, u shpreh ai, duke shprehur mirënjohjen për të gjithë aleatëve e koalicionit të majtë të cilët sipas tij së bashku me PS-së do të sjellin ndryshimin në vend.

 

Ilir Meta

Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare të koalicionit të majtë, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta shprehu sigurinë e fitores të së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit, duke theksuar se synimi kryesor mbetet ndërtimi i një Shqipërie, ku prioritetet e vendit dhe të qytetarëve janë edhe prioritetet e politikës. “Me të drejtë shqiptarët presin jo vetëm një ndryshim thelbësor të vizionit të qeverisjes por realizimin e një qeverisjeje ndryshe, të qeverisjes së progresistëve, të cilët nuk do ta përplasin më Shqipërinë me Perëndimin, as me Evropën dhe as me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por që do të ridimensionojë dhe forcojë gjithnjë e më shumë urat e bashkëpunimit dhe të partneritetit euroatlantik. Pas 23 qershorit, kur “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” do të fitojë në mënyrë plebishitare votëbesimin e qytetarëve shqiptarë, ne do të punojmë për të mbrojtur shtresat sociale në nevojë për të zgjeruar dhe fuqizuar klasën e mesme, për të nxitur investimet në sektorët potencialë të ekonomisë që kanë intensitetin më të lartë të punësimit si dhe për të krijuar hapësirat për një shoqëri civile aktive, e cila i imponohet klasës politike dhe rrit llogaridhënien në jetën publike”, theksoi Meta. Më tej, kreu i LSI-së bëri të ditur se bashkimi i së majtës, më shumë se çdo gjë,ishte një detyrim ndaj qytetarëve që donin ndryshimin. “Bashkimi i së majtës është një aksion politik për forca politike evropiane dhe për misionarë të së nesërmes evropiane të Shqipërisë. Bashkimi ynë është reflektim i përgjegjshëm dhe në koherencë të plotë me interesin publik të shoqërisë sonë dhe të çdo qytetari shqiptar. Ky koalicion nuk është një kalkulim numrash por është një detyrë dhe përmbushje e përgjegjësisë historike që buron prej dëshirës dhe vullnetit të shumicës dërrmuese të qytetarëve tanë, të cilët kërkojnë t’i japin fund tranzicionit por edhe që presin ndryshime thelbësore pikë së pari në jetën e tyre sociale dhe ekonomike. Nevoja e bashkëpunimit për të ardhmen evropiane të vendit, energjia dhe vizioni ynë i përbashkët për atë se çfarë do të jetë Shqipëria e pas 23 qershorit”, deklaroi Meta.

 

Mejdani: Qeveri solide që Shqipëria mos shndërrohet në një varrezë plehrash

Në pjesën e parë të Konventës Kombëtare, ku ishin të ftuar të gjithë aleatët e PS-së, mori fjalën edhe ish-presidenti Rexhep Mejdani, pjesë e Këshillit të të Urtëve në forcën më të madhe opozitare. Mejdani kërkoi rrotacion politik dhe ndryshim më 23 qershor, pasi sipas tij, pas 8 vitesh në pushtet, maxhoranca është konsumuar.“Kjo konventë le ti shërbejë objektivit të madh për rotacionin e qeverisë dhe ndryshimin e madh politik, që është më urgjente në këtë fazë të tranzicionit. Kërkohet një rinovim të energjisë pas një stërlodhje. Kërkohet një vendimmarrje e përbashkët politike për çështje kyçe, si punësimi, taksat, edukimi shëndetësia. Shqipëria ka nevojë për një politikë të tillë.  Bëhet më e domosdoshme vota e shqiptarëve për të realizuar këtë rotacion, dhe një bazë qeverisëse më solide, për të mos lejuar që ky vend të shndërrohet në një vend varrezë plehrash”, tha Mejdani.

Ngjela: Na jepni votën se nuk do ju zhgënjejmë

Kreu i PLD, Spartak Ngjela u shpreh i sigurt për ndryshimin e qeverisjes më 23 qershor, ndërsa tha se opozita e bashkuar do i japë fund errësirës. “Në këtë rrafsh 20- vjeçar keni ndërmarrë dy beteja të mëdha për të shpëtuar Shqipërinë, betejën 92- 96, dhe këtë të renë më të fundit, 2009- 2013. Dhëntë zoti që kjo të jetë beteja e fundit, për ta çliruar njëherë e mirë këtë vend, dhe nga marrëzia totalitare. Ne do ta shpëtojmë karrocën e shtetit nga një bandë hajdutësh. Na jepni votën se nuk do t’ju zhgënjejmë”, tha Ngjela.

Milo: Ekipi ynë do jetë i ndryshëm

Kreu i PDS-së Paskal Milo, gjatë fjalës së tij në konventën Kombëtare të PS-së theksoi se në këto zgjedhje e vetmja rrugë është ajo e fitores së koalicionit të majtë.  “T’i japim Shqipërisë ndryshim cilësor. Kjo konventë nuk është thjesht një manifestim zgjedhor që e bëjmë në prag të fushatës. Është përpjekje që ëndrrat dhe aspiratat e shqiptarëve të gjejnë realizim të plotë. Ekipi ynë do jetë i ndryshëm. Kjo konventë hap rrugën e suksesit tonë. Nuk ka rrugë tjetër vetëm, ajo e fitores së opozitës. Opozita do çlirojë Shqipërinë nga kthetrat e diktaturës”, tha Milo.

 

Gjinushi: Treni ynë shkon drejt së ardhmes

Kreu i Partisë Social-Demokrate Skënder Gjinushi deklaroi dje se koalicioni i majtë është koalicioni i cili do të çojë vendin drejt integrimit evropian.  “Treni ynë me 37 vagonë i kryesuar nga PS-ja konkurron me trenin me qymyr të Saliut i cili shkon drejt së shkuarës ndërsa treni ynë shkon drejt së ardhmes. Shqiptarët nuk duhet të ngatërrojnë trenat”, pohoi Gjinushi.

 

 

The Telegraph: Marrëveshja Rama-Blair mund të kushtojë miliona dollarë

Gazeta e përditshme britanike “The Telegraph”, nëpërmjet një artikulli të saj, i ka kushtuar vëmendje bashkëpunimit të shpallur pak kohë më parë nga lideri socialist, Edi Rama me ish kryeministrin britanik, Tony Blair. Në kohën kur kryesocialisti deklaroi se Blair ka rënë dakord për të këshilluar qeverinë e ardhshme të Shqipërisë, Telegraph shkruan se kjo i hap rrugën një marrëveshjeje që mund të mund të kushtojë miliona paundë. “Shqipëria, shpreson t’i bashkohet Bashkimit Evropian, dhe Blair pritet t’i këshillojë sesi mund të arrihet kjo  si dhe të implementojë reformat”, thuhej në artikullin e gazetës. Telegraph ka zbuluar se marrëveshja me kryesocialistin Edi Rama është negociuar që në shkurt, kur në Shqipëri ishte ish drejtori i Komunikimit ne qeverisjen e Blair, Alastair Campbell, për të promovuar librin e tij. Ai i ka ofruar këshilla strategjike Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas gazetës, një zëdhënës i partisë ka refuzuar të deklarojë se sa do të paguhet Toni Blair, edhe pse shifra, sipas Telegraph ka të ngjarë të jetë disa milionë paundë. Blair ka ngritur “Këshillimin Praktik i Qeverive” menjeherë pas la Doëning Street në vitin 2007, duke mobilizuar Jonathan Poëell, ish shef stafi, dhe Alastair Campbell, ish drejtori i tij i komunikimit. Telegraph shkruan se paratë e fituara nga organizata “Këshillimi Praktik i Qeverive”, e cila punëson disa konsulentë, janë administruar nëpërmjet një kompanie të quajtur, Windrush Ventures. Të ardhurat e fundit të Ëindrush tregojnë  shifra me më shumë se 16.000.000 stërlina për vitin që përfundoi me 31 mars 2012, me një fitim 3.6 milionë sterlina. Në artikullin e saj, Telegraph po ashtu citon edhe një prej njerëzve më të afërt të Ramës, Këshilltarin e Medias ne PS, Endri Fuga, i cili ka thënë se, “Campbell është një mik me të cilin shkëmbyem këshilla. Campbell e bën këtë sepse ai e beson të majtën”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency