“Tradhti” dhe “tradhtarë”

0
132

Gavrosh Levonja

raportiNë takimet e tij të ditëve të fundit me elektoratin në kuadër të fushatës zgjedhore, kreu I PS-së, Edi Rama, nuk e pati aspak të vështirë t’i “damkoste” si tradhtarë ata që zgjodhën të sfidonin duke kaluar në kampin kundërshtar të tij pas përjashtimit që ky u bëri nga listat e deputetëve. Kur bëhet fjalë për tradhti e tradhtarë, pa u lodhur për të hulumtuar në rrethanat që sollën deri tek akti i tradhtisë, duhet sqaruar se cili është i tradhtuari. Kuptohet që për Ramën, përderisa akuzat në adresë të ish-deputetëve të tij i bëri në takime me zgjedhësit, e tradhtuara do të ishte masa e madhe e elektoratit socialist. Është afërmendsh që më këtë ai synon të minimizojë dëmet nga kalimi i tyre djathtas. Mënyra se si Rama po i trajton ata para elektoratit, mund të thuhet se ka shpallur një lloj “xhihadi” kundër tradhtarëve të tij më të fundit. Por, a është e vërtetë që deputetët në fjalë kanë tradhtuar elektoratin socialist? Përgjigjja në këtë rast është shumë e lehtë: jo. Kjo rrjedh menjëherë po të kihet parasysh stili dhe mënyra me të cilën drejtohet PS nga viti 2005 e këtej. Lidhur me këtë, Rama jo vetëm nuk solli asgjë të re në politikën shqiptare, siç pretendonte me të ashtuquajturën “politika e re”, por shkallmoi edhe ato standarde që vendosi lideri historik socialist Nano, falë të cilave, kjo parti jo vetëm u distancua nga krijesa e Enver Hoxhës, mbi trashëgiminë e së cilës ishte ndërtuar, por do të pranohej edhe në familjen e Internacionales Socialiste. Kështu, në jetën e PS-së do të riktheheshin terma të harruar, si përjashtimet, votimi “njëzëri”, “ushtarët besnikë të kryetarit” apo “grupet armiqësore”, ku futeshin ata të cilët kishin objeksionet e tyre ndaj “vijës” së kryetarit. Edhe në rastin në fjalë deputetët e përjashtuar nga lista “Rama” nuk dihet të kenë bërë ndonjë devijim nga programi i partisë, më të cilin, në fund të fundit, është e lidhur vota e elektoratit. Ashtu si dhe disa kolege të tjerë të tyre, tashmë jashtë listës për deputetë të PS-së, i vetmi “mëkat” që kanë bërë është kundërshtimi a moszbatimi i ndonjë vendimi personal të Ramës, të cilin e kanë konsideruar jo të përshtatshëm për të mos thënë të gabuar. Madje dhe koncepti i aneksimit të atyre që mendojnë ndryshe për të promovuar lakenjtë është i gabuar. Veç të tjerash, mbytja e zërave “ndryshe” në një parti demaskon dhe vetë kreun e kësaj partie si një politikan frikacak, që u trembet përplasjeve dhe diskutimeve me ata që nuk mendojnë si ai. Madje, në këtë aspekt Edi Rama është edhe nën nivelin e një lideri të vjetër komunist, konkretisht, Mao Ce Dunit, i cili që gjashtëdhjetë a shtatëdhjetë vjet më parë në drejtimin e partisë zbatonte idenë “njëqind lule, njëqind shkolla”.

Nëse do të flitej për “tradhti” e tradhtarë”, ai që ka kryer më shumë se kushdo akte “tradhtie” është vetë njeriu i cili aktualisht ka në duar timonin e PS-së. Ai ka tradhtuar paraardhësin e tij, Fatos Nano, i cili e mori nga Parisi duke e bërë ministër. “E mora nga Parisi ku s’kishte para për të prerë thonjtë dhe tani këta thonj m’i nxjerr mua”, – është shprehur Nano në një mjedis miqsh në vjeshtën e vitit 1999, kur ishte në duel për postin e kreut të PS-së me Majkon, atëherë kryeministër. Në këtë kohë, Edi Rama fliste poshtë e lart, nëpër përfaqësitë e huaja në Tiranë kundër Nanos, duke kërkuar qëndrime të tyre kundër këtij deri dhe largimin nga skena politike. Më pas do të përdorte “Mjaft”-in kundër qeverisë socialiste të kryesuar nga Nano dhe pasi të merrte postin e kryetarit të PS-së, (njëfarësoj edhe kjo një dhuratë e Nanos) do ta luftonte njeriun që e futi në familjen socialiste në mënyrën më të pamoralshme. Më e pakta, Fatos Nano për kontributin e tij në transformimin e PS-së duhej të ishte një kryetar nderi i saj. Në të kundërt ai do të sabotonte me të gjitha mjetet idenë e Nanos për t’u bërë president duke u bërë shkaktari i vetëm që në dy mandatet e fundit presidenti të jetë nga PD-ja.

I tradhtuari tjetër nga Rama është jo më pak se aleati kryesor aktual i tij, Ilir Meta. Në kohën që Meta rreth dhjetë vjet më parë u ngrit kundër formave të drejtimit që po përdorte Nano në atë kohë, jo vetëm nuk e mbështeti fare mikun e ngushtë, siç e kishte Metën në atë kohë, por do të rreshtohej me mbështetësit e kryetarit, Nano. Po të flitej për moral, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta Meta-Rama të filluara nga fundi i vitit 1999, kur Meta u bë kryeministër, ai jo vetëm duhej të kishte bërë kauzë të përbashkët me Metën, por do të kishte qenë ndër të parët që duhej të ishte larguar nga PS-ja për t’i dhënë jetë projektit LSI. Por, kjo nuk mund të ndodhte po të kiheshin parasysh që atëherë ambiciet e Ramës për karrigen e kreut të PS-së, madje largimi i Metës do t’i hapte rrugë realizimit të synimit final të tij për të zënë në të ardhmen postin që deri atëherë e kishte “bamirësi” i tij, Nano. “Tradhtinë” ndaj Metës ai do ta thellonte më tej në vitin 2008 me marrëveshjen për ndryshimin e ligjit elektoral me të cilën synonte në moseliminimin, të paktën minimizimin e rolit të LSI-së në garat elektorale. Tok me Metën, në këtë rast ai do të tradhtonte dhe aleatët e tjerë tradicionalë të PS-së. Nuk di nëse ia vlen të listohen këtu dhe veprime të tilla si futja e deputetëve të PS-së në grevë urie para selisë së qeverisë dhe lënia e tyre në baltë për të shijuar darkën tek “Krokodili” me Berishën apo organizimi i protestës kundër “bllokut” të korrupsionit të Metës, ndërsa vetë nuk u pa gjëkundi në kohën që duhej të ishte në ballë të saj. Dhe, ndërsa betohej solemnisht mbi gjakun e katër viktimave të 21 Janarit, nuk e pati për gjë të bënte aleancë me Metën, kundër të cilit nxori njerëzit në protestë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency