Kreu i PS-së prezantohet si kandidat i parë në listën për deputet në Qarkun e Vlorës

0
157

Florenc Drizari

 

ramaRama, Malajt: Ktheu nga rruga e gabuar!
Deputeti: Trajner arrogant, që përçan ekipin

Rama prezanton ekipin e PS-së
nga pallati i sportit në Vlorë

Vlorë, kryesocialisti:
Moment historik, si në 1991

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një ceremoni të zhvilluar në qytetin e Vlorës, prezantoi veten si kandidat për deputet si dhe ekipin e tij të “Rilindjes” për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Në mitingun e organizuar në pallatin e sportit të këtij qyteti, Rama u shpreh i emocionuar para qytetarëve vlonjatë, duke thënë se zgjedhja e tij nuk është bërë për ta pasur më të lehtë fitoren, por për të marrë përsipër përgjegjësinë e përfaqësimit të kryeqytetit të historisë së shqiptarëve.

“Para sesa të filloj dua të ndaj me ju diçka familjare. Dua t’ju tregoj disa fotografi lakuriq që nuk i ka parë njeri deri më sot. Në fakt, ngaqë nuk kam pasur kohë të merrem dhe me prezantimin, ato lakuriq i paskan hequr, janë fotografi në plazhin e Skelës në vitet ‘60, të një kohe kur unë e kisha Vlorën ëndrrën e gjithë vitit dhe kur gjithë viti me kalonte duke shkuar në shkollë për të marrë 10, pasi Aneta më thoshte vetëm po dole me të gjitha 10 mund të bësh pushime në Vlorë. Vlora ishte vendi ku ndjehesha i lirë. I lirë dhe pjesë e një bote që gjatë vitit të shkollës unë nuk e njihja. Bota e djemve të skelës, bota e peshkatarëve, bota e notit. Vlora e vajzave të Flamurtarit, Vlora ku shkonte e gjithë Tirana dhe e mundte. Unë kam bërë shumë fjalime, para njerëzve, por asnjëherë si sot nuk kam ndjerë emocione të jashtëzakonshme si para një provimi. Ju e dini që unë mund ta vendosja emrin tim për të qenë deputet kudo dhe ju siguroj se vendimi për të vendosur emrin tim në Vlorë nuk ka qenë për t’ia bërë vetes më të lehtë, por për të marrë përgjegjësinë e përfaqësimit të kryeqytetit të historisë së shqiptarëve”, – u shpreh Rama.

RAMA PËR MALAJN

Ndërkaq, gjatë bashkëbisedimit që zhvilloi me gazetarët përgjatë rrugës për në qytetin bregdetar me autobusin e Rilindjes, kryesocialisti Rama komentoi edhe qëndrimet e fundit të kandidatit si deputet i pavarur Arben Malaj po në këtë qark. Rama i bëri thirrje ish- ministrit të Financave në qeverisjen socialiste që të kthehet nga rruga e ndërmarrë për të kandiduar si deputet i pavarur në Vlorë dhe t’i bashkohet ekipit socialist.

“Unë i bashkohem thirrjes së të zgjedhurve vendorë dhe përfaqësuesve të PS lidhur me Malajn dhe besoj se do ishte rruga me e arsyeshme dhe të kthehej nga rruga e gabuar dhe të bëhej pjesë e rrugës sonë, pasi me atë rrugë me apo pa dashje i shërben Saliut”, – deklaroi Rama. Por më herët, deputeti z. Malaj iu përgjigj deklaratave të kryesocialistit Rama në një intervistë të tijën, duke thënë se kandidimi i tij në Vlorë është pikërisht për mbështetjen që ai ka gjetur në këtë qytet dhe jo për arsye klienteliste. Ai tha se për këtë vendim të tijin nuk “joshet” nga “çmimet”, por nga dashuria që ka për Vlorën dhe socialistët e këtij qyteti.

PËR ALEATËT

Ndërkaq, duke folur për aleatët e tij, kryesocialisti Rama tha se bashkëpunimi me ata është real.

“Ne aleatët i kemi realë në kuptimin e forcave dhe personaliteteve që i drejtojnë nuk i kemi si aleatët e Saliut që janë lypës qokash. Duke qenë real, bashkëjetesa jonë është bashkëjetesë në diversitet”, – tha Rama. Reagimi i tij vjen pak ditë pasi dy nga aleatët tradicionalë të PS-së, Paskal Milo dhe Skënder Gjinushi kritikuan qëndrimet e kreut të PS-së në raport me ta për sa i përket marrëveshjes parazgjedhore dhe mospërfshirjes së tyre në listat e deputetëve.

 

KANDIDATËT E PS-SË NË VLORË

1 EDI RAMA
2 VALENTINA LESKAJ
3 KOÇO KOKËDHIMA
4 LUIZA XHUVANI
5 FATMIR TOÇI
6 ANDREA MARTO
7 EDMOND LEKA
8 SHUAIP BEQIRI
9 MIRA SHEHU
10 SHEME LULO
11 SOKOL BANA
12 NEIME GJIKA
13 GENCI KOJDHELI
14 NORETA KALCUNI
15 INES STASA

 

 

 

Malaj, Ramës: Në politikë nuk këshillohet t’i marrësh shembujt nga fusha ku ke qenë i dobët

Deputeti Arben Malaj, njëkohësisht kandidat i pavarur për zgjedhjet e 23 qershorit në Qarkun e Vlorës, duke replikuar me kreun e PS-së për një intervistë të tijën të dhënë pak ditë më parë, tha se nuk i këshillon të marrë shembuj nga ajo fushë në të cilën është i dobët. “E këshilloj Ramën edhe përpara takimit me socialistët e mrekullueshëm të Vlorës, se në fushatë opozita nuk përdor asnjë sekondë kundër kolegëve por kundër mazhorancës. Unë e filloj fushatën çdo ditë në orën 6:00 të mëngjesit me një urim shprese dhe optimizmi. Në politikë nuk këshillohet ti marrësh shembujt nga fusha ku ke qenë i dobët. Kushdo që e shikon politikën si biznes e dëmton misionin e saj. Koncepti i “merkatos” është një koncept klientelist ndaj nuk jam afruar në këtë treg. Jam në garë për Vlorën dhe njerëzit e mrekullueshëm të vendit tim. Ka shumë lojtarë që nuk joshen nga çmimet por nga dashuria dhe mirënjohja për ekipin ku janë rritur. Klientelizmi është fenomen që dëmton cilësinë e fitores. Jo vetëm në sport fuqia e fitores së ekipit është tek fryma e ekipit dhe jo tek arroganca e trajnerit, e cila vetëm e demotivon dhe përçan ekipin. Historia e sportit ka treguar se trajnerët që nuk respektojnë lojtarët cilësore bojkotohen nga adhuruesit e ekipit dhe ky është një leksion që duhet konsideruar ne hartimin e strategjive të fitores. Opozita në Vlorë duhet të arrijë një fitore më të madhe dhe cilësore”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga stafi i Arben Malajt.

 

 

Agron Duka rrëzon deklaratat e Lefter Kokës: Do jem deputet i PR-së për katër vite

“Për katër vitet në vijim, do t’i përmbahem pa asnjë kusht kontratës institucionale, që kam lidhur me kryetarin e Partisë Republikane”

Agron Duka garanton mbështetësit e tij dhe partinë që e ka kandiduar për zgjedhjet e 23 qershorit se nuk do t’i zhgënjejë nëse merr deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Kandidati i Partisë Republikane në Durrës, Agron Duka, ka rrëzuar deklaratat e Lefter Kokës se ai do bashkohet me koalicionin e majtë pas zgjedhjeve.

“E ndiej për detyrë që të garantoj elektoratin tim, atë të Partisë Republikane, nën siglën e së cilës jam kandidat për deputet, se për katër vitet në vijim, do t’i përmbahem pa asnjë kusht kontratës institucionale, që kam lidhur me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Morali im politik, ndërgjegjja ime qytetare, përgjegjshmëria përballë votuesve përcakton në mënyrë më të drejtë këtë pozicion logjik. Nuk do të jem aventurier, por institucional në vendimet e mia. Unë do jem deputet i PR-së”, – tha Duka.

Gjithashtu një ditë më parë kandidati për deputet nën siglën e Partisë Republikane Agron Duka, i shoqëruar edhe nga kandidati tjetër Kastriot Rada, ka qenë i pranishëm në një takim të organizuar nga banorët e zonës së Sukthit.

Në fjalën e tij Duka tha: “Unë nuk vij këtu për të marrë një listë të gjatë problemesh dhe t’u them se pas mandatit tim me një shkop magjik do të rregullojë gjithçka. Unë po vij t’u kërkoj votën dhe t’u them se do të bëj të pamundurën që zonës time t’i minimizohen problemet. Nuk dua të bëj premtime, që të marr këtë mandat dhe të mos kemi mundësi të vij të kandidoj më. Ju e dini që gjatë kohës që kam qenë në Kuvend kam bërë rrugë, spitale, shkolla. Ndaj po ju them, më votoni se nuk do ju harroj”. Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit, Kastriot Rada, i dyti në listë tha se “unë kam qenë i pari për qarkun e Durrësit nën siglën e PR-së në listë, por kur më kanë thënë që do të vihet Duka, sinqerisht, më besoni që vërtetë jam ndjerë shumë mirë. Sepse sollën një njeri punëtor, jo të panjohur për zonën. Ndaj të luftojmë të gjithë së bashku për të dërguar Agronin në Kuvend, për të ndihmuar seriozisht elektoratin e Durrësit.

Banorët kanë vlerësuar punët e bëra në kohën, kur Duka ka qenë ministër i Bujqësisë, por edhe kontributin personal të tij. Një prej të pranishmëve në sallë, i lodhur nga premtimet e forcave politike nënvizoi se “ka ardhur dita që të votohen individët që punojnë dhe jo të hidhen vota drejt forcave politike, duke mos logjikuar kush do të na përfaqësojë. Duhet të japim shembullin e mirë që pas kandidimit të zotit Duka nën siglën e PR-së, partitë politike të zgjedhin njerëzit e duhur për t’i sjellë në zonë. Nuk ka pse të vijë dikush që nuk e njeh fare qarkun dhe problemet e tij, të ketë emrin në listë. E kam thënë edhe përpara se tua thosha ju, keni bërë shumë mirë që kaluat nga PR-ja. Ne nuk na intereson partia, por njerëzit që vijnë dhe punojnë këtu në zonë. Më fal që po marr përsipër të them, por e ndjej si detyrim për ta thënë, Sukthi nuk duhet të jetë i ndarë me PS-në dhe PD-në. Këtu do të votohet për Agron Dukën”, – thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë nga stafi i kandidatit Duka.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency