Bundesliga, Riberi është “hyjnor”, Hejnkesi largohet me fitore nga “Borusia Park”

0
152

bajrenPërgatiti Altin Vorpsi

Bajerni mundi 4-3 Gladbahun në “Borusia Park”

Hofenhajmi mundi Dortmundin 2-1

 

 

Java e fundit e edicionit të 50-të të Bundesligës ishte e pasur me shumë të papritura. Duke qenë se Bajerni kishte dalë kampion prej kohësh, sytë ishin drejtuar nga fundi, aty ku Hofenhajmi arriti që të shpëtonte falë një fitoreje rrokamboleske që mori përballë Borusias së Dortmundit, ndërkohë që në Bundesligën e dytë kanë zbritur Grojter Fyrt dhe Fortuna e Dyseldorfit (nuk shënoi asnjë fitore në 12 javët e fundit). Sa u përket lamtumirave ajo e Hejnkesit ishte mjaft e ëmbël dje. Tekniku legjendar i Bajernit të Mynihut, që vendosi këtë edicion të mos stërvisë më, u ul dje për herë të fundit në bankinë… që si për ironi të fatit ndodhej në “Borusia Park”, aty ku shkroi emrin e tij me germa të arta si futbollist.

 

Lamtumira e Hejnkesit

Si për ironi të fatit, tekniku i Bajernit i dha lamtumirën Bundesligës pikërisht në qytetin ku u lind dhe fitoi gjithçka si lojtar. Djemtë e tij morën dje, tre gola në vetëm dhjetë minuta, pasi bënë një seri gafash të patolerueshme, edhe pse ishin vetëm 6 ditë para takimit më të rëndësishëm të karrierës së tyre, finales së Ligës së Kampioneve.

 

Riberi është perfekt

Nojeri u fali “mëzave” golin e parë (të shënuar nga Stranzl në minutën e 3). Ndërkohë, për të dytin mendoi Dante që t’i bënte një “dhuratë” ish-skuadrës së vet duke i dhënë një tjetër mundësi shënimi (kësaj herë ishte Hanke që në të 4-ën shënoi). Pas këtyre dy golave të shpejtë Bajerni reagoi me Martinezin që shënoi pas një asisit të Riberisë në minutën e 7. Vetëm tri minuta më vonë Gladbahu shënoi sërish. Kësaj here Nordvajt shndërroi në gol një kundërsulm perfekt të vendasve. Ritmi i lojës bie por Bajerni tregoi qartë se nuk kishte ndërmend të pranonte humbjen e dytë sezonale në Bundes kështu në minutën e 18-të gjeti golin e dytë më anë të Frenk Riberisë. “Perandori” francez shënoi edhe një tjetër gol. Ai barazoi shifrat me një goditje spektakolare me të majtën. Aty i tërë Gladbahu kuptoi se miqtë donin edhe më shumë. 30 minuta nga fundi Arjen Robeni shënon emrin në listën e golashënuesve dhe i jep fitoren Bajernit.

 

Lufta për mbijetesë

Ndryshe nga Bajerni që e nisi keq, por e përfundoi mirë takimin e fundit, Borusia e Dortmundit bëri të kundërtën përballë Hofenhajmit. Levandovski kaloi vendasit në avantazh, por në fund fituan miqtë. Salihioviç ishte i pagabueshëm nga pika e bardhë duke shndërruar në gol dy njëmbëdhjetëmetërsha që i akordoi kryesori. Arbitri i këtij takimi i anuloi edhe një gol Dortmundit në minutat e fundit. Me këtë triumf skuadra e Gisdolit dënoi Fortunën e Dyseldorfit që zbriti dje zyrtarisht në Bundesligën e Dytë. Ekipi i Hofenhajmit tani do të luajë dy takime play-out me Kajzerslauternin. Në fund shporoi edhe Augsburgu që mundi 3-1 Grojter Fyrtin.

 

Shalke siguron Champions-in

Sa u përket skuadrave që do të luajnë vitin tjetër në kupat e Evropës, Shalke ia doli që të siguronte vendin e katërt duke mposhtur Frajburgun. Kështu, “minatorët” u konfirmuan forca e katërt e Bundesligës. Ata e mbyllën kampionatin pas Bajernit, Dortmundit dhe Leverkusenit.

 

Eintrakti shkon në Europa Ligë

Përveç Frajburgut dhe Shtutgaritit (finaliste e Kupës së Gjermanisë) në Europa Ligë vitin tjetër do të shkojë edhe Eintrakti i Frankfurtit. Barazimi 2-2 që mori dje përballë Volfsburgut i siguroi “shqiponjave” të Armin Veh një vend në Evropë.

Topçiu Stefan Kisling, me rrjetën e shënuar dje në sfidën përballë Hamburgut siguroi edhe titullin më prestigjioz për një sulmues. Bomberi i Leverkusenit është golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 25 gola të shënuar.

 

Bundesliga

Java 34 / Rezultatet

Hamburg-Bajer Leverkusen        0-1

90’ Kisling

Augsburg-Grojter Fyrth           3-1

30’ Verner, 55’ Kallsen-Braker, 75’ Ji / 62’ Trinks

Borusia Dortmund-Hofenhaim      1-2

6’ Levandovski / 77’ 9p), 82’ (p) Salihoviç

B. Mynshengladbah-Bajern Mynih   3-4

4’ Stranzl, 5’ Hanke, 11’ Nordveit / 7’ Martinez, 19’, 53’ Riberi, 59’ Roben

Eintraht Frankfurt-Volfsburg        2-2

36’ (p) Maier, 90’ (ag) Rodriguez / 8’ Polak, 19’ Diego

Fraiburg-Shalke                  1-2

54’ Shmid / 21’ Draksler, 58’ (ag) Shuster

Hanover-Fortuna Dyseldorf         3-0

36’ Diuf, 61’, 76’ Ja Konan

Nyremberg-Verder Bremen         3-2

62’ Nilson, 81’ Polter, 88’ Pekhart / 37’, 89’ De Bryn

Shtutgart-Mainz                  2-2

33’ Boka, 42’ Myler / 16’ Ede, 22’ (ag) Uetklo

 

Renditja pas javës së 34                Pikë

  1. Bajern Mynih                        91
  2. Borusia Dortmund               66
  3. Bajer Leverkusen                65
  4. Shalke                                   55
  5. Fraiburg                                 51
  6. Eintraht Frankfurt                51
  7. Hamburg                               48
  8. Borusia M’gladbah             47
  9. Hanover                                 45

10. Nyremberg                            44

11. Volfsburg                               43

12. Shtutgart                                43

  1. 13.  Mainz                                    42

14. Verder Bremen                     34

15. Augsburg                              33

16. Hofenhaim                            31

17. Fortuna Dyseldorf                30

18. Grojter Fyrth                          21

 

 

 

Vendimi

Pelegrini: Unë tek Siti? Po, por jam diktator

Futbollistët e Mançester Sitit u lumturuan për largimin e trajnerit Roberto Mançini, sepse ai kishte një komunikim arogant. Por me teknikun e ri që pritet të zyrtarizohet, Manuel Pelegrini do ta kenë akoma më keq. Trajneri kilen ua ka bërë të qartë lojtarëve të ekipit anglez se ai vepron si diktatorët dhe se nuk ka frikë të vendosë autoritetin tij. “Unë jam një diktator sepse futbollistët duhet që të më binden, por gjithashtu jam edhe demokrat sepse unë duhet që ti bind ata nëse dua që të veprojnë siç u them. Nëse do që të jesh në trajner, duhet që të tregosh autoritetin tënd”, – tha tekniku aktual i Malagas. Për kilenin është e domosdoshme që fjala e trajnerit të jetë ligj. “Kur bën këtë punë duhet të jesh lider, menaxhon 25 lojtarë me mosha të ndryshme, tipa dhe mentalitet që kanë një interes të përbashkët. Por njëkohësisht ata janë egoistë maniakë”, – përfundoi Pelegrini.

 

Mançini

Përshëndet fansat në faqet e gazetës

Roberto Mançini u ka dhënë tifozëve të Mançester Sitit një përshëndetje speciale duke i kushtuar atyre një faqe gazete të së përditshmes angleze “Manchester Evening News”. Ish tekniku që u shkarkua pak ditë më parë, pagoi për hapësirën e një faqeje të plotë dhe në këtë mënyrë nëpërmjet një fotografie dhe një teksti ai tregoi vlerësimin e tij për mbështetësit në tri vitet e punës tek ‘qytetarët’. “Tifozët e Mançester Sitit. Tri vite të paharrueshme. Ju gjithmonë do të jeni në zemrën time. Mirupafshim. Roberto Mançini”, shkruhej në faqen e gazetës. Shumë prej tifozëve të Sitit janë të trishtuar për largimin e italianit. Ata janë të mendimit, se tekniku duhet që të qëndronte më shumë tek Siti në mënyrë që ekipi të përparonte. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për lojtarët, që janë të kënaqur nga fakti i shkarkimit të Mançinit.

 

Parashikimi

Lampard: Mou do na udhëheqë drejt triumfeve

Frenk Lampard është i sigurt se Zhoze Murinjo do ta udhëheqë ekipin drejt të tjera sukseseve nëse ai do të vijë vitin e ardhshëm. “Me të në krye ne do ti japim një vrull të madh ekipit. Besoj se do të kthehet dhe se do të risjellë sukseset e mëparshme. Ai ia del sepse është i fiksuar vetëm pas punës. Ai ndihet mirë tek ne dhe do të kthehet sërish”, – tha mesfushori që ka rinovuar edhe për një tjetër vit. Sa i përket takimit të radhës ndaj Evertonit tha: “Na duhet një përpjekje e fundit, që të sigurojmë menjëherë Championsin. Ia dalim.”

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency