Standard.al

Rrotacioni i pamundur prej opozitës

Nga Nebil Çika
rotacioni“Rrotacioni, duhet bërë rrotacioni politik”. Këto janë fjalët më të përdorura nga opozita në këtë fushatë elektorale, jo vetëm nga z. Rama, por edhe nga z. Meta, i cili ka një konflikt të drejtpërdrejtë me këtë fjalë. Rotacioni politik pas tetë vjet qeverisjeje nga z. Berisha ishte argumenti që po ngjiste më shumë tek elektorati që në mungesë të një alternative reale nga PS-ja e shihte ndryshimin në qeverisje si një mundësi ndryshimi. Le t’i provojmë njëherë edhe këta, ishte një fjali që artikulohej shumë përpara 1 prillit 2013, kur z. Meta vendosi t’i bashkohej PS-së në opozitë pas katër vitesh bashkëqeverisje me PD-në. Opozita e z. Rama, e kapur pas kësaj ideje absurde, po që mund të ndikonte në vendimmarrjen elektorale të publikut, sidomos asaj pjese të tij që nuk mund ta bëjë dot mirë dallimin midis ideologjive dhe alternativave politike, do të mund të kishte përfituar elektoralisht mundësi të cilën tashmë e ka djegur përfundimisht. Mirëpo, me gjithë efektin bumerang që sjell artikulimi i kësaj kërkese, opozita, në mënyrë të veçantë, z. Meta vazhdon ta përsëris në çdo takim elektoral apo dalje publike duke shkaktuar reagim tek publiku, i cili ka të gjithë të drejtën të ndihet i përçmuar nga një trajtim i tillë. Rotacioni është i vlefshëm dhe mund të konsiderohet i tillë kur qeveritë ndërrojnë njëra-tjetrën sipas vullnetit të elektoratit. Në rastin konkret dalja nga qeveria dhe kalimi në opozitë e LSI-së vetëm pak ditë para zgjedhjeve, me qëllim që të vijë në pushtet pas tyre e dogji mundësinë për një rrotacion të plotë, ndërkohë që rrotacioni i pjesshëm, nëse mund të pretendojmë një të tillë është kryer me largimin nga qeveria të gjysmës së saj LSI-së. Por jo vetëm kaq. Argumenti për rrotacion politik i artikuluar nga z. Rama para datës 1 prill 2013, mbështetej në akuza publike që shkonin më së shumti në drejtim të ministrave të LSI-së, duke çuar në perceptimin e publikut se kjo ishte pjesa më e keqe e qeverisjes “Berisha”. Vetë z. Meta ishte në krye të listës së të akuzuarve dhe një përgjim i një bisede mes tij dhe ministrit tjetër të LSI-së, Dritan Prifti, i klasifikuar si i paligjshëm nga gjykata detyroi dorëheqjen nga nr. 2 i qeverisë z. Meta dhe e çoi atë në ndjekje penale. Pikërisht ky përgjim Meta-Prifti u përdor nga aleati i tij aktual z. Rama si pretekst, por edhe motiv, për sulmin e dhunshëm mbi Kryeministri, ku u vranë katër militantë të PS-së, e njohur si ngjarja e “21 Janarit”. 21 Janari pavarësisht të vërtetës ishte karta më e fortë elektorale e z. Rama në këto zgjedhje dhe argumenti më bindës përse rrotacioni duhej bërë. Mirëpo kjo ngjarje ka ndodhur shumë vonë, mjaftueshëm që shqiptarët të mos harrojnë atë që ndodhi atë ditë, por edhe para e sidomos pas saj. Vërtet sulmi u orientua kundër selisë qendrore të qeverisë dhe synonte fizikisht dhe politikisht z. Berisha, por slogani i sulmuesve nga Rama tek katundari më i fundit nga Lezha po Gjirokastra kishin si slogan, por edhe si justifikim “bllokun e korrupsionit të Ilir Metës” dhe ministrave apo pjesën e tij të qeverisë. I vetmi ministër i papërfolur juridikisht, por edhe politikisht i ministrive të LSI-së në qeverinë “Berisha” ishte Nasip Naço, i cili u zëvendësua pa ndonjë arsye të qartë politike apo juridike nga z. Meta shumë përpara marrëveshjes së 1 prillit. Me pak fjalë, ishte vetë z. Rama që me përgjimet dhe akuzat e tij rriti perceptimin e publikut së LSI-së përbën pjesën e keqe të qeverisjes “Berisha” arsye e mjaftueshme kjo për rotacionin e pretenduar nga opozita. Por Zoti është i vëmendshëm dhe i kujdesshëm e i plotëson ndonjëherë kërkesat edhe para kohe. Kështu që, dëshira e kahershme e opozitës për të rrëzuar qeverinë ose më mirë të themi pjesën më të keqe të saj, “bllokun e korrupsionit”, ia plotësoi dy apo tre muaj para zgjedhjeve, pa vënë në siklet edhe elektoratin, detyre dhe e drejtë e të cilit është rrotacioni politik, i plotë apo i pjesshëm qoftë ai. Me marrëveshjen e një prillit rrotacioni mund të konsiderohet si i konsumuar dhe Rama e sidomos Meta nuk e kanë me të drejtën morale e politike të flasin me gjë të tillë. Nëse me rrotacion ata kanë përsysh marrjen e pushtetit prej tyre, atëherë duhet të gjejnë një term tjetër politik e juridik, pasi ardhja e një qeverie tjetër me praninë e Metës dhe njerëz të tij në të nuk mund të quhet me rrotacion. Por sigurisht që ky zhvillim ka edhe efektet e veta pozitive. Realizimi i parakohshëm i rrotacionit politik me kalimin e pjesës së LSI-së nga qeveria në opozitë një muaj më parë detyron edhe më mbështetësin e teorisë së rrotacionit si argument për të votuar të majtën e Edi Ramës të gjejnë arsye të tjera më objektive e më logjike për të motivuar apo orientuar politikisht votën e tyre në 23 qershor. Si përfundim, dua të theksoj faktin se ishte z. Meta me lëvizjen e tij nga qeveria në opozitë që i dha fund spekulimit të z. Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij politikë e mediatikë me teorinë e rrotacionit si mundësia e ndryshimeve që do t’i sillte ata në pushtet. Tani edhe shqiptari më i humbur e di se sido që të shkojnë zgjedhjet, kushdo që të jetë në qeveri, Berisha apo Meta, nuk bëhet më fjalë për rrotacion. I pari që duhet të mbledhë mendjen e mos ta zërë në gojë, madje ta çojë edhe në mendje rrotacionin, as si shprehi propagandistike, është z. Meta. Përmendja e kësaj fjale nga kushdo e veçanërisht nga ai të çon mendjen vetvetiu tek z. Meta e LSI dhe legjenda e “bllokut të korrupsionit” dhe qeverisjes së keqe që thuri për ta, me apo pa të drejtë, për katër vite rresht Edi Rama dhe makina politike e propagandistike socialiste, sot aleat dhe bashkëqeverisës në tentativë i tij.

Comments are closed.