Regjisori Bombaj, betejë me Përmbarimin për Benzin, i bllokohen lekët në bankë

0
144

Elton Qyno

bombajDionis Jazaj paditi Leonard Bombajn për kthimin e makinës. Regjisori: Akti i shitjes u bë me pistoletë në kokë

 

Përmbarimi kërkon t’i marrë automjetin tip “Mercedes-Benz” regjisorit dhe aktorit Leonard Bombaj, i cili dy vite më parë u gjobit me një shumë financiare nga këngëtari Stresi dhe shokët e këtij të fundit. Nga ana tjetër, regjisori ka refuzuar të dorëzojë automjetin, duke pretenduar se ka një vendim gjykate në dorë, por Përmbarimi ka zgjedhur rrugën tjetër, duke i bllokuar shumat financiare në llogaritë bankare, që Bombaj disponon. Bëhet fjalë për një automjet luksoz “Mercedes-Benz 320 CDI” me targë TR 9485, që pretendohet se është blerë nga shtetasi Dionis Jazaj, por nga ana tjetër regjisori Bombaj thekson se kjo shitje është bërë në kushtet e kërcënimit fizik dhe psikologjik nga pesë persona, mes të cilëve edhe këngëtari Stresi, të cilët ai i ka falur. Marrëveshja është kryer para një notereje, por nuk ka zgjatur shumë dhe më pas sasinë e lekëve prej 5 mijë eurosh të Benzit të shitur, i cili në çmimin e tregut kapte shifrën 12 mijë euro, ia kanë marrë Stresi, ish-nxënësja e Bombaj, Ajsi, dhe shtetasit e tjerë Erlis Bashaj, Sevastjan Kallabaku, Realdo Kurti. Mirëpo pas denoncimit të tyre në polici dhe arrestimit Bombaj ka arritur të rimarrë makinën me ndërmjetësimin e babait të Stresit, shtetasit Sali Lusha. Prej dy vjetësh, Bombaj ka shfrytëzuar këtë automjet, ndërkohë që shtetasi Dionis Jazaj, me aktin e shitjes, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës ku ka kërkuar rikthimin e sendit, për shkak se ai e kishte blerë nga Leonard Bombaj dhe më pas ky i fundit ia ka marrë sërish.

Padia në gjykatë

Shtetasi Dionis Jazaj është bërë pronar i mjetit autoveturë të markës “Mercedes-Benz” tipi 320 CDI, me targë TR 9485 L, me anë të një kontrate shitje të realizuar përpara një noteri. Pak ditë pas shitjes, i padituri Leonard Bombaj ia ka kërkuar mjetin paditësit dhe ky në mirëbesim ia ka dhënë atij atë. Por pas kësaj i padituri nuk e ka kthyer më mjetin. Kjo gjë ka vazhduar edhe pas veprimeve dhe përpjekjeve të paditësit për t’iu rikthyer mjeti jashtëgjyqësisht. Në rrethanat kur i padituri vazhdon ta mbajë sendin e luajtshëm në pronësi të paditësit Dionis Jazaj, ky i fundit i është drejtuar gjykatës me padinë në gjykim duke kërkuar zbatimin e kontratës së shitjes dhe dorëzimin e sendit nga i padituri atij paditësit, pronarit të ligjshëm të sendit objekt gjykimi. Nisur nga këto kushte Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesën e padisë, duke bërë që më pas Dioniz Jazaj t’u drejtohet procedurave përmbarimore. Në këto rrethana është ndier në trysni ligjore, Leonard Bombaj, i cili s’ka pranuar t’i dorëzojë automjetin shtetasit Jazaj, duke pretenduar se akti i shitjes është bërë nën dhunën psikologjike dhe fizike nga pesë persona që tashmë janë dënuar nga gjykata.

Shitja është false

Sipas regjisorit Leonard Bombaj, shitja e automjetit është bërë në mënyrë fiktive përpara një notereje. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër, pasi pesë personat e dënuar tashmë e kishin kërcënuar me armë, nëse ai nuk shiste makinën dhe lekët t’i merrnin ata. Veç kësaj gjobe, Bombaj duhet të dorëzonte dhe 20 mijë euro të tjera, gjobë kjo që vinte si rezultat i kërcënimeve të vazhdueshme për përdhunim të ish-nxënëses së Bombaj, Ajsi, kjo e fundit shoqe e ngushtë e këngëtarit Stresi. Për të kundërshtuar veprimet përmbarimore, Bombaj ka përdorur vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, por siç shkruan ai në letrën e hapur dërguar në disa media, tashmë ndodhet me duart lart, me dy vendime të kundërta. Shtetasin Jazaj Bombaj e quan si mik të personave që e gjobitën dhe se një gjë e tillë ka një prapavijë të mirorganizuar për prishjen e imazhit të tij si artist.

 

Bombaj u akuzua për

“Përdhunim” nga Ajsi

Pas kallëzimit të regjisorit Leonard Bombaj ndaj babait të të pandehurës për “Kanosje”, ky i fundit së bashku me vëllanë e tij dhe vajzën A. Xh. i janë drejtuar policisë, duke akuzuar Bombajn për “Marrëdhënie seksuale me të mitur”. Akuza u hetua për disa muaj, por nuk u arrit të provohej nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, duke pushuar kallëzimin e prindërve të vajzës për mungesë të provave. Vetë Bombaj e ka mohuar në mënyrë kategorike këtë akuzë, duke pretenduar se po i bëhej shantazh për të tërhequr kallëzimin dhe për të mos e përjashtuar të pandehurën nga qendra artistike “Sirea Film”.

 

 

 

Shqiptari Klement Cala kërkon të kalojë kufirin

I arratisuri nga burgu i Trikallasë

Cala grabiti 1 milion euro në bankë

Shqiptari i arratisur nga burgjet e Trikallasë në muajin mars është grabitësi i Bankës Kombëtare Greke në qytetin Larisa ditën e enjte. 25-vjeçari Klement Cala është njëri prej 11 shqiptarëve të arratisur më 22 mars nga burgjet e Trikallasë, ka identifikuar policia greke. Personi në fjalë ka marrë pjesë në grabitjen e armatosur të enjten në mëngjes në Bankën Kombëtare në sheshin qendror të Larisës. Rreth orës 8:40 në mëngjesit, Cala së bashku me një person tjetër, të dhënat e të cilit ende nuk dihen, kanë hyrë fillimisht si klientë në bankë dhe më pas nën kërcënimin e armëve të tipit kallashnikov kanë grabitur rreth 1 milion euro, ndërsa kanë ikur nga vendi i ngjarjes përmes një dritareje. Në rrjedhën e hetimeve për identifikimin e tyre nga policia që prej mëngjesit janë ngritur postblloqe në pikat kyçe të rrjetit rrugor në të gjithë rajonin dhe është aktivizuar një numër i madh i forcave të policisë dhe të patrullimit, si dhe helikopterë policie kanë krehur të gjithë rajonin. Nga hulumtimet e deri tanishme, është gjetur një makinë e djegur në zonën e Larisës, e cila ishte raportuar si e vjedhur që prej 17 tetorit 2011 nga Athina, ndërsa kjo lidhje investigohet me arratisjen e dy hajdutëve. Ndërkaq materiali gjenetik i të dyshuarit Cala dhe dy të tjerëve të arratisur ishin gjetur në furgonin e bardhë të vjedhur në Korint pas përleshjes mes policëve dhe të arratisurve, ku si pasojë u plagos për vdekje një 25-vjeçare greke. Dyshimet flasin se Cala, pa grabitjes së bankës mund të jetë larguar në drejtim të kufirimit me Shqipërinë, duke synuar të kalojë kufirin ilegalisht dhe më pas të gjejë strehim në këtë vend.

 

Patrulla policie nga Kosova në Shqipëri

Shqipëri-Kosovë, marrëveshje për

monitorimin e trafikut në sezonin veror

Për të tretin vit radhazi, mes Shqipërisë dhe Kosovës,u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit, i cili ka si qëllim organizimin e shërbimeve të përbashkëta të Policisë Rrugore të të dyja vendeve në kuadër të sezonit turistik. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, praktika ka treguar se bashkëpunimi ka qenë mjaft i frytshëm kjo edhe për shkak të lehtësirave që ka ofruar memorandumi për drejtuesit e mjeteve. “Në të gjitha rastet që konstatohen kundërvajtje, shkelje, në drejtim të qarkullimit rrugor oficerët e policisë do të tërheqin vëmendjen, raportin e ngjarjes dhe do ti kalojnë të gjithë këto shkelje autoriteteve të Kosovës. Nuk do të ndëshkohen me asnjë masë, vetëm në rast se krijojnë vepra apo kundërvajtje penale”, – tha Burgaj. “Apeloj të gjithë vozitësit, respektivisht kosovarët që do të kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjitha normat ligjore në qarkullimin rrugor”, – tha Shpend Maxhuni. Në të gjitha pikat kufitare me Kosovën punonjësit e policisë së të dyjave vendeve do të bashkëpunojnë që turistët si shqiptarë dhe ata kosovarë të mos kenë probleme apo edhe pengesa gjatë pushimeve në këto dy shtete. Futja e këtyre rregullave të reja është bërë me qëllim eliminimin e procedurave burokratike dhe uljen e korrupsionit që në të tilla raste, shumë turistë Kosovarë janë të gatshëm të paguajnë me qëllimin e vetëm të vijimit të udhëtimit të tyre drejt destinacionit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency