Gazetari apo folklor? Intervistë e detyruar me vetveten…

0
158

Artan Fuga

 

fugaPara dy ditësh, disa të përditshme, në versionin e tyre online ose edhe në letër, kishin gjetur një lajm të parë, që dukej e trajtuar jo profesionalisht. Thuhej se në autobusin që udhëtonte për fushatën elektorale ekipi i Partisë Socialiste, kryetarit të partisë i ishte bërë një pyetje nga gazetarët. Pyetja pak a shumë ishte se çfarë mendonte ai lidhur me listën e deputetëve të Partisë Socialiste, sepse disa “rrethe të majta” ku bëjnë pjesë edhe Fatos Lubonja dhe Artan Fuga, thuhej në pyetje, kanë pasur vërejtje për listat e deputetëve, çka solli edhe kandidimin e disa ish-deputetëve edhe si të pavarur apo shfaqjen e tyre në lista të tjera”.

Zoti Edi Rama u përgjigj me korrektësi dhe shfaqi mendimin e tij. Mirëpo, sigurisht që me ngarkesën që ka nuk mund ta pyeste gazetarin: “A vërtet kanë pasur vërejtje këta për këto lista? Kujt i referohesh?” Duke mos e bërë këtë pyetje, dhe nuk kishte se si ta bënte, sepse e ka besuar gazetarin, është detyruar të trajtojë një çështje që në fakt unë nuk e kam ngritur fare. Por, kjo nuk ka rëndësi.

Cili është problemi im? Gazetaria, e cila këtu trajtohet si folklor.

Gazetat e së nesërmes, pas udhëtimit të Elbasanit, botojnë pyetjen në fjalë si edhe përgjigjen, por askush nga ato nuk jep emrin e gazetarit që e bëri pyetjen.

Si e ka emrin gazetari që bën pyetjen?, – është nga gjërat e para që raportohen.

Nga cila gazetë?

Dikush do të thotë se përse duhet e gjitha kjo? Duhet, sepse pyetja vetë ishte e gabuar, sepse bazohej në dezinformacion të plotë.

Gazetat pastaj prodhojnë edhe termin “disa rrethe të majta” (gjoja formuluar nga gazetari anonim) ku bëjnë pjesë edhe Fatos Lubonja dhe Artan Fuga!!!

Nuk ka gjë të keqe të ketë rrethe të majta a të djathta. Madje, do të ishte një gjë e mrekullueshme, sepse do ta strukturonte shoqërinë civile shqiptare, do ta emanciponte atë dhe mbi të gjitha do të bënte që partitë politike të përfaqësonin interesa politike më të gjera sesa ato të atyre vetë. Po ku janë se këto rrethe? Edhe mund të jenë, po ku shprehen publikisht ato? Unë nuk di. Kam dëgjuar dikur në historinë e revolucionit francez për “rrethe jakobinësh”, por në Tiranë për rrethe të majta e të djathta nuk di gjë.

Unë, sa për veten time, nuk bëj pjesë as në ndonjë rreth të majtë e as në ndonjë rreth të djathtë, unë jam qytetar, vij nga “seksioni i qytetarëve”. Më pëlqen ajo pjesa te filmi “Zonja nga qyteti” kur Meli e pyet Koçin: “Ju, mos vini nga seksioni i shëndetësisë?”. Ai u përgjigj: “Jo, vij nga seksioni i teto Sofkës!”

E mbani mend?

Pra, gazetari ka gënjyer të intervistuarin e rëndësishëm. Po kështu, i kërkoj ndjesë Fatos Lubonjës që i përmend emrin, ai është njeri që respektohet në shoqërinë shqiptare, por unë nuk kam asnjë lidhje me të, do të kisha pasur dëshirë të kisha, të diskutoja, të pija ndonjë kafe, por fakti është që veç ndonjë përshëndetje kortezie nga larg, pa i dhënë as dorën njeri tjetrit, asgjë tjetër të përbashkët në ide, kontakte apo taktika politike a intelektuale nuk kemi. Plot kundërshtime biles. Por, kjo është jeta.

Gazetari mu në mes të autobusit përsëri mashtron kur krijon “rrethe” dhe na fut në rrethe të njëjta ne, dy njerëz që ndodhemi në plane të ndryshme, sikurse do të thoshte ndonjë euklidian.

Gazetat pastaj, pasi mbajnë të fshehur gazetarin (unë kam frikë se ai nuk ekziston fare, por është një invencion), e lidhin me pe të bardhë pyetjen e tij me një koment timin të masakruar, në përmbajtje dhe semantikë, prej dhjetë radhësh, botuar në “Standard” ku merrem me analizën e shpejtë se çfarë mund të prodhojë hipotetikisht në Vlorë dalja e zotit Arben Malaj si kandidat i pavarur, duke qenë edhe anëtar i kryesisë së partisë socialiste.

Por, edhe këtë koment gazetat e kanë masakruar, cituar pjesërisht, keq, me ndërprerje kuptimore, etj. Përsëri në vend të gazetarisë objektive ca bëjnë folklor. Pas një gazete lajmin e marrin disa të tjera dhe gënjeshtra bëhet e vërtetë meqë përsëritet gjithandej. Mir[ thuhet në shkencat e komunikimit: “Ruhuni kur diçka e thonë shumë burime, sepse me siguri që është manipulim!”

Kjo lidhet edhe me një replikë që bën mbi komentin tim të gjorë edhe Eduard Zaloshnja, i cili ose nga shpejtësia e lexon keq, gabim, sipërfaqësisht, ose edhe ai e ka me të dëgjuar, folk hesapi, tani në kohë zgjedhjesh kush ka kohë të lexojë saktë. Ne interpretojmë nuk lexojmë…

Dhe disa gazeta online botojnë replikën e Eduard Zaloshnjës pa marrë mundimin që të botojnë me të edhe komentin tim, të cilit ai i referohet. Tamam folklor, jo gazetari.

Çfarë thosha pak a shumë në atë çikëz koment që gjithkush e gjen online te “Standardi”?

Zoti Arben Malaj në Vlorë ka mundësi të prodhojë tri pasoja në tri kontekste të ndryshme. As shprehem pro apo kundra këtij kandidimi aty. Cilat janë tri mundësitë? Po i përsëris se besoj se Eduard Zaloshnja këtë radhë do t’i lexojë saktë, ose së paku nuk do t’i masakrojë për të bërë folk, por jo gazetari.

E para, kandidon zoti Malaj, merr vota, jo aq shumë sa për të dalë deputet, këto vota do t’i marrë nga e majta më shumë pra kjo e fundit do të duhet ta zbresë këtë numër votuesish. A nuk i thoshte po këtë gjë dy ditë më parë edhe kryetari i bashkisë socialiste të Vlorës zotit Malaj? Por, si duket zoti Zaloshnja ende nuk e dinte këtë gjë.

E dyta, kandidon me sukses zoti Malaj, del deputet, ndërkohë që partia socialiste fiton edhe ajo shumicë në Kuvend. Si skenar i mundshëm… Atëherë ideja është se zoti Malaj do të përpiqet të mbledhë forca të tjera që iu shkëputen partive të mëdha dhe mund të krijojë një pol tjetër që mund të jetë shumë i rëndësishëm në kushte të caktuara. Nëse Eduard Zaloshnja këtë nuk e parashikon dot, çfarë faj kam unë që më pëlqen të dal për “gjah lepujsh”, kurse ai kërkon të gjuajë mbi “gjah të madh” që duket qartë në horizont dhe e shohin te gjithë…

E treta, zoti Malaj del deputet, ndërkohë zgjedhjet i fiton grupimi i djathtë. Gjithmonë si skenar i mundshëm… Çfarë do të bënte atëherë zoti Malaj po të ishte në koherencë me veten e tij? Sigurisht, më pëlqen apo s’më pëlqen mua, ai do të kërkonte të mblidhte të pakënaqurit me lidershipin socialist dhe do të kërkonte të mëtonte kreun e partisë. Kjo është loja politike…

Këto thosha dhe këto them… Por Eduard Zaloshnja shkruan se Artan Fuga e ka gabim kur mendon se zoti Malaj mund të fitojë në Vlorë sepse kjo është “tmerrësisht e vështirë”!!!

Pa pikë lidhje!

Këtu jemi bërë si në kulturën e disa studiove televizive ku askush nuk dëgjon tjetrin se çfarë thotë.

Unë nuk merrem fare me atë nëse zoti Malaj fiton ose jo në Vlorë. Këtë do ta shohim dhe do ta vendosë elektorati. Puna në gazetari është pikërisht të mendosh se çfarë do të ndodhte sikur ajo “tmerrësisht e vështira” të ndodhte, sepse ato që janë shumë të mundshme, i mendon edhe lexuesi vetë, nuk ka nevojë për gazetarin…

Lepuri, thotë Eduard Zaloshnja, nuk fle në Vlorë, por në disa rrethe të tjera ku mund të ketë rivalitet të fortë mes dy kampeve…!

Nuk ka kuptuar përsëri asgjë nga ajo që unë shkruaj. Mua këto rrethe a qarqe në ekuilibër elektoral nuk më interesojnë në atë çike koment dhe në analizën time sinoptike, sepse atje njeri nga dy kampet do të fitojë.

“Lepuri” për mua ka kuptimin e analizës të mundësive që mund të bëjnë që në Kuvendin e ardhshëm të krijohet një ekuilibër shumë i brishtë midis dy kampeve të mëdhenj dhe disa deputetë që janë jashtë tyre ose në periferi të tyre të fillojnë të lëvizin duke krijuar dinamika të tjera të paparashikuara.

Ky është “lepuri”, kurse pyetja se “kush do të fitojë?” bëhet në çdo sallë kafenesh në Shqipëri sot. Po ky është folklor, nuk është akoma gazetari.

Gazetaria mësohet, nuk është vetëm intuitë.

Por, çfarë të bësh?

Do jetojmë dhe me gazfolk ose folkgaz!

E prandaj për të qartësuar lexuesit e mi, sado pak të jenë, po bëj një intervistë me vetveten:

Unë: Domethënë, ta marrim vesh, ti a ke vërejtje apo nuk ke vërejtje për listat me kandidatë për deputetë të partive politike?

Vetja: Për personat që janë përfshirë atje nuk i lejoj vetes të jem as kundër as pro. Nuk është fare puna ime, unë vetëm shoh listën e lagjes ku do të votoj. Mund të ketë individë që i vlerësoj shumë, të tjerë nuk i honeps, të tjerë s’i njoh fare, por në çdo rast tjetër është individi, tjetër deputeti. Atë e kanë gjykuar partitë dhe do t’i votojë elektorati. Nuk kam asnjë mendim, nuk përbën fare interes për mua.

Unë: Por, atëherë çfarë ke?

Vetja: Unë kam qëndrim kritik për tre gjëra themelore.

E para, se kjo mënyrë votimi që kemi ka një defekt që e bën jodemokratike sepse shkakton devijimin e votës qytetare. Unë ta z[më mund të dua të votoj për të trembëdhjetin e një liste, por ama mund të ndodhë që votat e mia i rrëmben padrejtësisht i treti apo i katërti i asaj liste.

E dyta, unë jam që demokracia e brendshme e partive për disa çështje themelore duhet të rregullohet me norma të së drejtës dhe të kontrollohet nga përmbaruesit gjyqësor si në botën e përparuar në mënyrë që listat e deputetëve të bëhen transparente dhe të përfaqësojnë të gjitha rrymat dhe korrentet brenda partive.

E treta, komision qendror zgjedhor me proporcione partiake si kuotat ushqimore në kohën e monizmit, kjo do të sjellë probleme.

Unë: Je ti pro apo kundër që zoti Malaj kandidoi si i pavarur?

Vetja: As por, as kundër, nuk është fare puna ime, nuk hyn fare në shqetësimet e mia te ditës, se mos votoj në Vlorë unë, ai bëri zgjedhjen e vet, po i doli mirë urime, po s’i doli, s’ka problem, do të pimë ndonjë kafe te “Rogneri” po pati kohë ai. Unë jam që në periudhë elektorale secili bën zgjedhjen e vet. Ka të drejtë partia socialiste dhe lidhja socialiste për integrim të bëjnë aleancë pasi janë “grirë” për disa vite, liri e zgjedhjes për të dalë demokratikisht para elektoratit. I lirë Kastriot Islami të kandidojë në çdo listë që do. Termi “tradhti” nuk duhet konsumuar deri në zhvlerësim se pastaj dalin shumë “tradhtarë”. Atë listë elektorati do ta votojë. I lirë Arben Malaj, Dashamir Shehi, Eduard Selami, kushdo. Asnjë paragjykim për të luajtur të lirë. Ky është rregulli i lojës elektorale.

Unë: Si e përfytyron rezultatin e zgjedhjeve?

Vetja: Unë nuk kam asnjë sondazh lidhur me këtë gjë, por edhe po ta kisha, çka mund ta kem fare lehtë dhe shumë të besueshëm po të doja, nuk do të deklaroja se çfarë rezultatesh jep ai. Do të ndikoja në publik dhe moralisht nuk do ta vlerësoja po ta bëja këtë gjë. Di të them që shkalla e abstenimit do të jetë më e madhe se çdo herë tjetër. Të tjera edhe di ndonjë gjë, por nuk janë për publik.

Di edhe një gjë që veç mundësisë prioritare se do t’i fitojë njëra palë, ka edhe një mundësi tjetër, por aty fshihet “lepuri”…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency