Nënkuptimi i diçkaje të pakëndshme

0
152

Çelo Hoxha  

1340371768-Lule-mos-me-prek-ngj1

Gjatë prezantimit të deputetëve në Elbasan, të martën, kryetari i Partisë Socialiste e shfaqi edhe një herë shqetësimin e tij që i buron nga një lloj paranoje, e cila e shoqëron atë në prag të çdo procesi zgjedhor. Gjatë çdo fushate, deri minutën e fundit të tyre, Edi Rama ka pasur bindjen që ai do të dilte fituesi, në qoftë se nuk do t’ia vidhte dikush. Dikushi dihet, s’ka nevojë t’ia përmendim emrin. Kjo fushatë nuk bën përjashtim. Zoti Rama e ka shfaqur edhe më parë shqetësimin e tij dhe e përsëriti pardje. Siç bën gjithmonë, në formë kërcënimi, kuptohet, dhe me qasje leniniste në artikulim. “Për sa i përket KQZ-së është një problem i njohur tanimë. Ne nuk e kemi problem, në kuptimin që nuk do të na pengojë për ta zhvilluar deri në fund fushatën dhe për t’i fituar zgjedhjet. Në rast se pastaj KQZ-ja e kthyer në një organizatë partie fanatikësh do të guxojë të ndërhyjë për të prekur rezultatin, aty, sigurisht, që fjala i kalon popullit. Është populli që vendos se çfarë do të bëjë”, – tha zoti Rama në Elbasan. Pjesa më e madhe e citimit është presion i zakonshëm ndaj KQZ-së, që edhe zoti Berisha e ka bërë kur ishte në opozitë, një lloj konspiracioni që KQZ kontrollohet nga qeveria dhe bën punë të pista, ka ekzistuar në Shqipëri prej dy dekadash. Ajo çfarë vlen të analizohet në deklaratën e zotit Rama është roli që ai i ngarkon popullit. Këtu, kërcënimi merr përmasa përtej retorikës politike, sidomos po të kemi parasysh që me këtë gjuhë ai foli edhe para 21 Janarit dhe pastaj ndodhi 21 Janari. Përmendja e popullit paralajmëron dhunë. Me popullin është abuzuar shumë në Shqipëri, në emër të tij janë bërë vetëm krime. Të gjitha atentatet e komunistëve, në filmat e Kinostudios, janë bërë në emër të popullit. Kjo dëshmohej me deklaratën “Në emër të popullit je…”, pastaj shkrepej arma. Në asnjë rast nuk është paraqitur mënyra si merrej mandati i popullit për të bërë këto krime. Flas për filmat, sepse në realitet atentatet janë bërë njëlloj me vrasjet ordinere që bëhen sot. Më i fundit ishte një rast para ca ditësh në Këlcyrë, një person që udhëtonte me taksi nxori armën dhe vrau nga mbrapa shpine pasagjerin në sediljen e parë të makinës. Më vonë, pas lufte, krimet pasonin vërtet deklaratën “Në emër të popullit…” Kjo vërtetohet me një pafundësi vendimesh të gjykatave komuniste. Madje, ky format është përdorur edhe disa vite pas rënies së diktaturës. Megjithatë, kjo deklaratë nuk tregon që popullit i merrej ndonjëherë mendimi. Gjykatat, në rastet politike jo ato ordinere, rrallë mund të merrnin vendime në kokën e tyre. Ato jepnin vendime me porosi. Në gjyqin e tij, Koçi Xoxe tregoi se si në një rast, në 1946, lajmëroi Sigurimin e Beratit se në Lushnjë po shkonte Gjykata e Lartë për të dënuar katër persona me vdekje. Pra, gjykata shkonte aty me vendimin të ditur nga ministri i Brendshëm. Ky është vetëm një rast, të ngjashmit janë me qindra, në mos me mijëra. Në një vend demokratik, ku presupozohet që sundon kultura e ligjit, nuk mund të lëshohen deklarata që nënkuptojnë anashkalimin e tij. Supozojmë se KQZ vjedh, çfarë do të bëjë “populli”, do t’i linçojë anëtarët e KQZ-së si ata punonjësit e SHIK-ut në Vlorë e Sarandë në ‘97-ën? Një njeri pro shtetit ligjor nuk e shkon në mendje fare një gjë të tillë. E para gjë që i vjen atij në mendje, është të bëjë padi në gjykatë ose prokurori dhe kështu çështjen e marrin në dorë organet e përshtatshme. Me “popullin” si koncept drejtësie mund të veprojnë të gjithë. Kur polici i vë një gjobë të padrejtë dikujt, ai dikushi mund të mbledhë “popullin” e tij dhe e var policin në pemën më të afërt me vendin e ngjarjes. Ai nxënësi që mendon se mësuesja i ka ngrënë notën thërret “popullin” dhe e përdhunon mësuesen. Ai që mendon se Edi Rama bën deklarata që nënkuptojnë prishje të rendit kushtetues mund të mbledhë “popullin” e tij dhe të sulmojë selitë e PS-së e çdo socialist që e mbështet. Socialistët, duke parë kësi veprimesh, mund të mbledhin “popujt” e tyre dhe kështu cikli i dhunës s’do të ketë të sosur. Një gjendje e tillë nuk është mirë për të gjithë. As për socialistët.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency