KU JE, O SHTET?

0

shqiperiTaksimi dhe format e tij po shihen si thelb i krizës ekonomike dhe financiare por, edhe ideologjike. Ideologjia e majtë, po lidhet fort me taksimin progresiv, e cila po rezulton farsë. Sa demagogji ka, në të gjithë fushatën për taksimin progresiv? Taksa Robin Hood-iane (t’ua marrim të pasurve dhe t’ua shpërndajmë të varfërve), sa është reale dhe funksionale? Një nga më shpërthyesit, për sa i përket taksimeve ndaj të ardhurave të larta, është edhe sekretari i ri i të majtës italiane (PD), Dario Franceschini. Ai djeg çfarëdo iniciative të qeverisë, për ndihmat ndaj nevojtarëve. Çfarë propozon ai, në shkëmbim të të gjithë propozimeve qeveritare? “Franceschini Tax”, që është një taksë për të ardhurat mbi 120 mijë euro, për t’ua shpërndarë italianëve, që kanë të ardhura më pak, se 6 mijë euro. Por, italianët kanë bërë një kalkulim të thjeshtë, për të kuptuar të vërtetën. Për të paguar “Taksën Franceschini”, janë rreth 176 mijë kontribues, (0,43% të totalit) duke mbledhur në total 500 milionë euro. Për të përthithur këtë bonus, janë 9 milion e 300 mijë italianë (në total 23% e tyre). Secili, do të përthithte nga kjo taksë 53 euro, në vit, ose 4,40 euro, në muaj, dmth një kafe në javë.

Loading...

 

Kjo do të ishte ndihma që Franceschini, me taksën e tij do t’u jepte njerëzve në nevojë. Ndërkohë që, karta sociale vituperate shpërndan 40 euro në muaj, për një total 480 eurosh në vit, ose dhjetë herë më shumë, se sa kontributi revolucionar i Franceschinit. Ndërkohë që kujdeset shumë për look-un e tij, si Robin Hood, duhet të ketë kujdes të bëjë llogaritë. Mund të mashtrosh me fjalë dhe demagogji por, jo me numra.

 

Këto kalkulime, me sa duket po u nxjerrin bojën propaganduesve, madje aq sa për të tkurrur nismat e taksimit progresiv. Në parlamentin Italian, më 14 maj, u dogj amendamenti për këtë taksë, pikërisht nga partia e majtë, PD. Siç e ka sqaruar dhe Nichi Vendola, kandidati për kryeministër i së majtësn, ligji parashikonte taksimin e të pasurve të mëdhenj, konçensioneve dhe të ardhurave të mëdha financiare. Këtë ligj e amendoi edhe partia e Beppe Grillos, “5 yjet”, por jo e majta italiane.

Sot, e majta italiane, pikërisht hapin drejt taksimit të të pasurve, po e konsideron shumë të vështirë. Kjo parti, këtë ligj e kishte nga më të rëndësishmit për të bërë diferencën me Berlusconin, në fushatën e zgjedhjeve të fundit. Kjo po sjell natyrshëm habi tek elektorati, të cilit iu ofrua një program për taksimin e të pasurve nga PD-ja italiane. Sot, kjo parti sillet sikur mbrapa saj të jetë, pikërisht Berlusconi. Çfarë ka ndryshuar në pak muaj? Çfarë po percepton e gjithë Europa, sidomos në vitin e fundit, në lidhje me kapërcimin e krizës financiare? Në Itali, po ngrihet pyetja se, përse kryetari i PD-së nuk po vendos të propozojë një taksë mbi super të pasurit, siç bëri presidenti francez, Bernard Holland?

Kjo krizë po identifikohet, çdo ditë, me mënyreën e taksimit dhe kjo me sa duket, po kuptohet nga drejtuesit e vendeve europiane. Franca, më 15 maj, shpalli zyrtarisht hyrjen në reçesion. Prej një viti, puna e presidentit francez po perceptohet si një dështim total. Papunësia është rritur, dhe kriza është thelluar, deri në reçension. Ndërkohë, të pasurit po varfërohen dhe të varfërit nuk po pasurohen.

Prej një muaji, Gjykata Kushtetuese ka goditur presidentin francez, në telbin e fushtës së tij elektorale, pikërisht tek taksimi i të pasurve. Gjykata Kushteuese franceze, sapo ka hedhur poshtë këtë taksë, të konsideruar pikë suksesi nga Holland, përgjatë fushatës së tij, por që iu kthye në boomerang, me ikjen nga Franca të të pasurve të famshëm si Arnault, apo aktori Depardieu. Tani, aktori mund t’i ribëjë valixhet dhe të kthehet në Francë. Është rrëzuar definitivisht ideja e qeverisë franceze, për të imponuar një kuotë prej 75% taksë, ndaj të pasurve me të ardhura, mbi 1 milion euro, në vit.

Premtimi emblematik i socialistit Holland, përgjatë fushatës elektorale, nuk do të shohë dritë, për shkak të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Duhej ky vendim, që të shkundte Holland, i cili nuk reagoi pas ikjes së bujshme të shumë miliarderëve francezë, Arnault, apo Depardieu drejt Belgjikës, Zvicrës, apo vendeve të tjera mikëpritëse, deri në Rusi, me deklaratat për një rritje taksash 75% ndaj të pasurve.

Pikërisht, kjo taksë e hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze krijoi një problem më tepër për presidentin socialist. Ky ligj ishte përfshirë në buxhetin e shtetit, apo paketën fiskale për 2 vjet. Ai parashikonte taksimin 75% të të ardhurave personale, që kalonin 1 milionë euro në vit. Kjo ishte sigurisht tepër revolucionare, po të krahasohet me qeverinë e socialistit Jean Ayrant, i cili e rriti taksën, në fjalë, deri në 42% për ata që përfitonin nga 150 mijë euro, deri në 1 milion euro. Holland e ekstremizoi këte nisëm, duke i sjellë një dështim të shpejtë.

Gjykata e hodhi poshtë, pasi ligji vendoste taksë për çdo person, jo për çdo familje, siç e kërkon legjislacioni francez. Partia e djathtë e ish-presidentit Sarkozi iu drejtua gjykatës dhe vendimi i saj, përbën sukses për partinë e tij. Për taksimin e 1 500 pasanikëve, 60% e qytetarëve ishin pro, në shtator, ndërsa sot, as 20% nuk janë dakord. Elizeja dhe Matignon preferuan të heqin dorë, menjëherë, se sa të përballen me të gjithë pasojat që do të sillte hyrja në fuqi e kësaj norme fiskale. Arsyet, me sa duket, janë më shumë politike, se sa teknike. “Duam t’u tregojmë të pasurve, që nuk kemi për qëllim t’u vemë litarin në fyt, për t’i mbytur” – janë shprehur së fundi  zëra nga brenda qeverisë franceze. Për momentin, vazhdojnë këto zëra, do të jenë tema dhe subjekte të tjera, që do të kalojnë në plan të parë.

Edhe në Shqipëri, u hodh përpara disa kohësh, me shumë forcë ideja e taksimit pregresiv, si një nga pikat për Rilindjen e ekonomisë shqiptare. Por, kohët e fundit, këto deklarata sikur po zbehen, nga dita, në ditë. Është gjeopolitike dhe po reflektohen dështimet e kolegëve socialist? Është çështje aleancash, pasi LSI është kundër taksës progresive? Është çështje interesash të “bosëve ekonomikë”? Koço Kokëdhima, numëri dy në listën socialiste të deputetëve në Vlorë, deklaron se është dakort  për taksën progressive, por jo për bizneset, por vetëm për të ardhurat personale. Kjo do të thotë, që vetë z. Kokëdhima, të mos tatohet, por të tatohen punonjësit e tij, të cilët janë me rroga të larta. Gjithsesi, jo vetëm janë ulur çdo ditë e më shumë, deklaratat përsa i përket taksës progresive, por edhe janë modifikuar ato, me sa duket për të mos prekur peshqit e mëdhenj, që janë të infiltruar tashmë në listat e PS-së.

 

Kjo tregon një fakt, që për hir të ndryshimit, shpesh rrezikohen politika, që mund të rezultojnë shumë më joefikase se të mëparshmet. Ajo shprehja latine “dimë se çfarë lëmë, por nuk dimë se çfarë gjejmë”, po rezulton  e saktë edhe në Europë. Europianët, të pakënaqur nga qeveritë e djathta ranë pre e propagandave dhe demagogjive të majta, të cilat po rezultojnë shumë më të dështuara. “Mëso nga pësimet”, duhet të jetë edhe për Shqipërinë, që për hir të rotacionit mund të rrezikojë më të keqen. Në momente krizash, nuk mund të eksperimentosh, por do të mbash fort ato që ke.

Taksimi po shndërrohet, nga dita, në ditë, në thelbin e hyrjes, apo jo në krizë. Eksperimentet me taksat progresive po vënë në rrezik serioz të gjithë eurozonën. Jo vetëm euro, por vetë Bashkimi Europian, është subjekti i sëmundjes, me rritjen e borxhit publik dhe me përkeqësimin e kushteve ekonomike, në të gjitha vendet anëtare, duke përjashtuar disi Gjermaninë. Europa po bëhet shumë skeptike, për sa i përket vetë euros. Franca, e cila deri më tash, ishte sëbashku me Gjermninë, dy vendet më të forta për ruajtjen e euros, sot po shndërrohet në vendin më euroskeptik të zonës.

Aktualisht vetëm 22% të francezëve po i përgjigjet pozitivisht pyetjes, nëse integrimi ekonomik ka forcuar ekonominë. Përpara një viti, ishte 36%. Kjo është rënia më e fortë e të gjitha vendeve europiane, të anketuara. Asnjë vend, më shumë se sa Franca, nuk është më i shkurajuar dhe deziluzionuar. Në një hark kohor, prej një viti, humori i francezëve ka rënë, në mënyrë të dukshme, në të gjitha drejtimet. Pas francezëve, zhgënjimi ka goditur italianët. Të njëjtës pyetje, se si janë rritur të mirat pas integrimit europian, i përgjigjet pozitivisht vetëm 11% të italianëve, me një rënie prej 11 pikësh, nga 22%, që ishte në 2012.

Janë negative përgjigjet, për sa i përket zhvillimit ekonomik. 91% e qytetarëve mendojnë, se BE po punon më keq. Janë rritur kritikët ndaj Elizesë (presidencës franceze). 67% e francezëve mendojnë që Holland po bën një punë të keqe, në menaxhimin e sfidave, të derivuara nga kriza ekonomike. Kështu dhe sondazhet nuk habisin më, kur francezët kanë filluar të dyshojnë në impenjimin e tyre në projektin europian. Sot, 77% e tyre, deklarojnë që në fakt, integrimi ekonomik europian po ndryshon për keq, situatën në Francë.

 

Kjo, gjithmonë e më tepër, po sjell një përplasje opinionesh me Gjermaninë. Tashmë, francezët po nxjerrin zbuluar frikërat e tyre, që prej kohësh kanë përfshirë qytetarët e Europës Jugore. Kështu, edhe francezët po afrohen, me hapa shumë të shpejtë, me italianët dhe grekët, të cilët janë skeptikë, në lidhje me projektin e Europës së Bashkuar. Franca sot, është në recession, pikërisht nga politikat shumë të gabuara fiskale. Sondazhet, me pyetjen se si është puna e BE-së, përsa i përket krizës ekonomike, aktualisht në Itali, e shohin pozitivisht vetëm  25%  e qytetarëve (23% më pak se një vit më parë), në Francë, 33% (23% më pak se një vit më parë), në Spanjë 27% (18% më pak), në Angli 37% (14% më pak), etj.

 

Taksa progresive nuk e zgjidhi papunësinë, që mbetet një nga arsyet kryesore të pakënaqësive. Reformat e majta nuk kanë patur sukses, as në Francë, as në Itali, Spanjë, apo Greqi, por e përkeqësuan krizën e thuaj të gjithë eurozonës.

Loading...