Grupet në nevojë, Tabaku : Bashkia ka gati masat konkrete

0
294

 

tabaku-280x200_0Ndihmë për persona me aftësi të kufizuar, moshës së tretë, të rinjve që ndoshta janë përdorues droge, fëmijëve, të cilët janë të detyruar t’i sigurojnë vetë kushtet e tyre të jetesës, grave që janë subjekt i dhunës

 

Politikat sociale, dy vite më parë, konsideroheshin si përgjegjësi e pushtetit qendror, ndërkohë që pushteti lokal mund të bëjë shumë. Por me rezultatet e projektit “IPA Adriatic-Welfare Mix”, të prezantuara dje në aktivitetin “Dita e Mirëqënies Sociale”, politikat sociale gjejnë përshtatje në nivel lokal. “Sigurisht, pushteti lokal ka politika sociale, që nga strehimi, shërbimet sociale, mbrojtja e fëmijës, mekanizmi i koordinuar kundër dhunës ndaj grave e kështu me radhë, por gjithmonë pushteti lokal mund të ketë mundësi të kufizuara, duke pasur parasysh prioritetet. Për këtë arsye, me këtë projekt, duke pilotuar së pari në Njësinë Nr.9 konceptin e “Welfare mix”, i cili në vitet ’90 filloi të aplikohej në Britani e vende të tjera të BE, ne mendojmë që politikat sociale janë prioritare për pushtetin lokal, por zbatimi i tyre duhet dhe është e nevojshme të mbështetet edhe nga bashkëpunimi me shoqërinë civile, me kompanitë private, me biznesin, duke qenë se politikat sociale janë në të mirë të gjithë shoqërisë dhe duhet të zotërohen e të zbatohen nga e gjithë shoqëria”, tha zv/kryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.

Projekti

Në këtë fazë të parë të projektit, që nga shtatori, kur projekti u lançua e deri më tani, ka pasur një punë të gjerë, tregoi Tabaku, sa i përket dokumentit “që ne prezantojmë këtu, analizën e nevojave për shërbime sociale në qytetin e Tiranës dhe më pas pilotimin e tyre në Njësinë Bashkiake Nr.9”. Analiza që u prezantua nga bashkia ishte një analizë e detajuar e të gjithë grupeve dhe nevojave përkatëse si: Personave me aftësi të kufizuar, moshës së tretë, të rinjve që ndoshta janë përdorues droge, fëmijëve, të cilët janë të detyruar t’i sigurojnë vetë kushtet e tyre të jetesës, grave që janë subjekt i dhunës. Këto grupe do të jenë më pas pjesë aktive e këtij projekti, duke u mbështetur në një strategji konkrete, në një plan masash konkret, për mënyrën se si ne do i ndihmojmë ata dhe projekti do të finalizohet me observatorin, i cili do të ketë pikërisht si qëllim final nxitjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik për të gjithë këto grupe, në mënyra nga më të ndryshmet. Tabaku theksoi se “do të marrim masat përkatëse, jo vetëm me këtë projekt, por njëkohësisht edhe me funksionet e tjera që ka Bashkia e Tiranës përmes Komisionerëve për anti-diskriminim dhe Komisionerin e Barazisë Gjinore si dhe mekanizmin e koordinuar të dhunës kundër gruas, që ne kemi në zbatim së bashku me UNDP, për të identifikuar të gjithë rastet të cilat kanë nevojë për trajtim”. Studimi ka identifikuar se 67% e rasteve të dhunës brenda familjes ndodhin në familjet e varfra. Për këtë arsye, target-grupi kryesor që do ketë mbështetjen e këtij projekti do të jenë pikërisht familjet e varfra, familje të cilat trajtohen nga Bashkia e Tiranës në një mënyrë ose në një tjetër, që nga grupi i familjeve të pastreha, të cilat në qytetin e Tiranës për nevojat që ka identifikohen në rreth 10% dhe ne i trajtojmë me të tre programet që Bashkia e Tiranës disponon, duke vazhduar deri me moshën e tretë dhe nevojat që kanë përsa i përket qendrave të këshillimit, me gratë subjekt i dhunës dhe trajtimin e tyre në dy qendra të ndryshme, duke vazhduar me orientimin në karrierë, nxitjen profesionale të gjithë atyre të cilët kanë nevojë të punësohen, tha Tabaku.

 

Studimi fokusohet njëkohësisht edhe tek mungesa e arsimit dhe kujdesit shëndetësor. Bashkia dhe pushteti lokal për sa i përket arsimit ka vetëm identifikimin e nevojave në infrastrukturë, ndërkohë që për këtë drejtim do të bashkëpunojë me Ministrinë e Arsimit, në lidhje me rastet e ndryshme që mund të identifikohen dhe mënyrën se si mund të trajtohet secili prej këtyre rasteve dhe për kujdesin shëndetësor për grupet e veçanta, shtoi Tabaku.

Fëmijët

Aktualisht, Bashkia e Tiranës trajton rreth 300 fëmijë të tillë nëpërmjet qendrave të saj sociale dhe njëkohësisht bashkëpunimit që ka me NGO dhe me shoqërinë civile në qytetin e Tiranës, por sidoqoftë nevojat e qytetit mund të jenë më të mëdha e për këtë arsye në bashkëpunim, duke e pilotuar me njësinë numër 9, por duke vazhduar edhe me minibashkitë e tjera, prioritet është arsimimi, regjistrimi i këtyre fëmijëve në njësitë bashkiake, arsimimi i tyre dhe njëkohësisht programet e tjera të integrimit. Një target – grup i veçantë, në momentin kur lindi ky projekt ideja kryesore ishte pikërisht për personat me aftësi të kufizuar. Në qytetin e Tiranës janë rreth 0.6% persona me aftësi të kufizuar dhe ne duam dhe kemi mundësi që t’u japim këtyre personave një mundësi punësimi. Për këtë arsye, tha nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, do të fokusohemi në orientimin e tyre, në nxitjen e punësimit të tyre, në ofrimin e mundësive që këta persona mund të kenë për të krijuar një biznes dhe observatori që do të krijohet për këshillimin e biznesit dhe për suportin e bizneseve që do të fokusohet pikërisht edhe në ndihmën e këtij target -grupi.

 

Fondacioni Fëmijët Shqiptarë

Dhuron 3 mijë euro për fëminë që rrezikon verbimin

Ditë më parë familja Xhaxha i ishte drejtuar për ndihmë Fondacionit Fëmijët Shqiptarë. Fondacioni me Presidente znj.Liri Berisha i është përgjigjur apelit, duke i ardhur në ndihmë vogëlushes që vuan nga një tumor i rrallë në kokë. Kjo shumë parash më pas do ti dorëzohet familjes, për të ndihmuar sadopak në plotësimin e shumës prej më shumë se 40 mijë euro për operimin e Mejsit. Deri më tani apelit të prindërve të Mejsit për ndihmë i janë bashkuar dhjetëra qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, të cilët kanë derdhur të holla në llogarinë bankare të hapur me këtë rast në “Credins Bank”, ku shuma e mbledhur arrin në 4 milionë lekë të vjetra. Gjithashtu, nismës së ndërmarrë nga kompania “Focus Media Group” i janë bashkuar edhe Bashkia Fier, forumi rinor Kristian Demokrat, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” Tiranë, ndërkohë që sinjale pozitive vijnë edhe nga kreu i ministrisë së Shëndetësisë, Halim Kosova. Mejsi është e prekur nga një tumor i rrallë që rrezikon t’i marrë shikimin dhe më pas edhe jetën. Historia e dhimbshme nisi para 1 viti kur pas ekzaminimeve prindërit mësuan për fatin e keq të vajzës. Familja Xhaxhaj thotë se shpëtimi i vajzës së tyre është i mundur vetëm nga një operacion i specializuar në Gjermani. Familja jep këtë numër kontakti për ndihmë për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Nr. kontakti 0693737533. Ndërsa në ‘Credins Bank’ është hapur ky numër llogarie për të kontribuar 000000460931.

 

Malarja

Rastet kanë filluar prej dy vitesh

Autoritetet e Shëndetit Publik deklarojnë se nuk ka vend për panik, pavarësisht rasteve të konfirmuara me malarje. Drejtori i këtij institucioni u shpreh se është përgatitur një plan masash, i cili do të përqëndrohet më tepër në zonat turistike, aty ku kanë qënë dhe më të shumta rastet me malarje si përgjatë bregdetit të Vlorës por edhe të Durrësit. Ndërkohë ai ka bërë thirrje pushtetit vendor për zbatimin e këtij plani i cili ka dhe fondet e mjaftueshme. “Aty ku rasti është i identifikuar, nga Tirana, nga Vlora, shumica nga Durrësi, nga Shijaku, nga Fieri. ISHP ka ccuar ekipet e veta të specialistëve për të verifikuar në terren jo tashmë individin, i cili është i konfirmuar por kontaktet e tij, që ka kryer ekzaminimet e nevojshme”, tha Adrian Hoxha, drejtor i ISHP-së. Denzifektimi është një nga masat më emergjente që duhet të merret, për parandalimin e kësaj sëmundjeje, e cila përhapet nëpërmjet mushkonjës anafele. Por aktualisht denzifektimi nga ajri nuk mund të kryhet. “Janë bërë disa sugjerime dhe disa rregullime në ligj që për momentin të mos përdorim dezinfektimin ajror. Ndërkohë po përsëri një arsye themelore për ruajtjen e ekosistemit ne kemi rekomanduar dhe pushtetin lokal, dhe MSH dhe subjektet private, që duhet të kryejnë dezinfektimin e 2 metrave rreth e qark zonës të cilin ky subjekt mbulon. Duke bërë një mbulim të tillë të dezinfektimit, detyrimisht që do ti afrohemi shumë afër dhe zonave të tjera që janë problematike”, tha Eugena Tomini, specialiste në ISHP. Deri tani në vend janë konfirmuar 15 raste me malarje, ndërkohë që 2 analiza të tjera janë ende në shqyrtim. Rastet janë të importuara nga Greqia, Ekuadori dhe Kameruni.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency