Shtohen përfituesit, kush nuk do të paguajë në poliklinika dhe spitale

0
131

Blerta Mrishaj

sherbimiShërbim falas për të sëmurët me kancer, tuberkuloz dhe SIDA

Zgjerohet edhe skema e rimbursimit të ilaçeve për disa kategori

 

 

Përfituesit:

Fëmijët 0 – 1 vjeç

Invalidët e plotë, përfshirë edhe invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë

Invalidët e luftës

Veteranët

Jetimët

Të sëmurët me TBC

Të sëmurët me CA

Të sëmurët me SIDA

 

Rimbursimi i ilaçeve:

Të sëmurët me sklerozë multiple

Të sëmurët me talasemi

Të sëmurët me insufiçencë renale

Të sëmurët me anemi sekondare nga insufiçenca renale

Të sëmurët në gjendje post transplant

Të sëmurët me deficit të hormonit të rritjes

 

 

Mbulim shëndetësor në masën 100 për qind të një sërë kategorish, të cilat do të kryejnë vizita në poliklinika apo do të marrin shërbim shëndetësor në spitale. Përmes një vendimi të veçantë, qeveria ka miratuar dje përfituesit, të cilët duhet të jenë të pajisur me librezë shëndetësore. Sakaq, për herë të parë, masa e mbulimit të shpenzimeve bëhet e plotë për ato kategori që deri dje ishin 20 për qind, teksa futen kategori të reja, sikurse janë të sëmurët me kancer, me tuberkuloz dhe me SIDA. Po kështu zgjerohet skema e rimbursimit të ilaçeve.

Kategoritë

Vendimi përcakton se përjashtohen nga pagesat e drejtpërdrejta për shërbimet shëndetësore, që janë pjesë e paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit spitalor, që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, fëmijët 0 – 1 vjeç, invalidët e plotë, përfshirë edhe invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë, invalidët e luftës, veteranët dhe jetimët. Gjithashtu përjashtim nga pagesat e drejtpërdrejta për barnat e listës së rimbursueshme si dhe barnat jashtë listës që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, në masën 100%, për invalidët e luftës, veteranët për sëmundjet kronike sipas listës së miratuar nga Ministria e Shëndetësisë si dhe jetimët. Po kështu përjashtimin nga pagesat e drejtpërdrejta, në masën 100%, për alternativat e para të barnave të listës së barnave të rimbursueshme për fëmijët 0 – 1 vjeç, pensionistët, të verbrit me verbëri të plotë, invalidët e plotë, përfshirë edhe invalidët, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Përjashtimin nga pagesat e drejtpërdrejta për të gjitha shërbimet shëndetësore, që janë pjesë e paketave të shërbimeve që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, lidhur me diagnozën kryesore, për të sëmurët me tuberkuloz, të sëmurët me kancer si dhe të sëmurët me SIDA. Përjashtimin nga pagesat e drejtpërdrejta, në masën 100%, për alternativat e para të barnave që shërbejnë për trajtimin e diagnozave specifike nga lista e barnave të rimbursueshme për të sëmurët me sklerozë multiple, të sëmurët me talasemi, të sëmurët me insufiçencë renale, të sëmurët me anemi sekondare nga insufiçenca renale, të sëmurët në gjendje post transplant si dhe të sëmurët me deficit të hormonit të rritjes. Masa e bashkëpagesës për barnat e listës së barnave të rimbursueshme përcaktohet në përqindje sipas grupeve terapeutike.

Ndryshimet

Kush ka një librezë shëndetësore, mund të përfitojë shërbime falas edhe në spitale. Ligji i ri i sigurimeve shëndetësore tashmë është shtrirë edhe në institucionet spitalore publike, ndërkohë që pritet të zbatohet edhe për ato private. ISKSH-ja apo Fondi i Sigurimeve Shëndetësore do të lidhë kontrata tani vetëm me ato spitale që ofrojnë shërbime të sigurta dhe që i vlejnë popullatës.

 

 

Ndryshimet

Dhunimi i fëmijëve, dënim me vite burg

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të propozuara nga CRCA Shqipëri, ofrojnë garanci për mbrojtjen e fëmijëve nga krimet seksuale dhe shfrytëzimi ekonomik. Altin Hazizaj, drejtor i CRCA Shqipëri, lidhur me miratimin e ndryshimeve, tha se “këto ndryshime më së fundi e sjellin legjislacionin penal shqiptar në të njëjtën linjë me legjislacionin ndërkombëtar. Prej shumë vitesh ne si CRCA i kemi kërkuar dhe propozuar Kuvendit, që të ndëshkonte më rëndë krimet ndaj fëmijëve dhe të njihte një serë veprash të reja penale. Sot, me këto ndryshime, mendoj se kemi vendosur një gur të fortë themeli për bërjen e Kodit Penal të Shqipërisë më miqësor për fëmijët që mbron të drejtat e tyre. Megjithatë, Kodi ka ende nevojë për një serë ndryshimesh të tjera për mbrojtjen e fëmijëve”. Ndryshimet e miratuara së fundi në Kodin Penal, kanë marrë në konsideratë 3 nga 15 propozimet e bëra nga CRCA Shqipëri. Ndër keto ndryshime mund të përmenden Neni 1, ku shtohen fjalët “të mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijëve” apo edhe heqjen e rrethanave lehtësuese kur vepra penale është kryer ndaj fëmijëve. Ligjvënësit ndër të tjera, kanë vendosur që të forcojnë masën e dënimit për krimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve, vepër e cila nga 15 vjet burg tashmë dënohet me 25 vjet burg.

 

 Shëndetësia

 10 raste me malarie

 

Janë identifikuar 10 raste të reja me malarie, ndërkohë që sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk përbëjnë problem, pasi janë të importuara. Sipas doktor Pëllumb Piperos dhe drejtorit të Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, situata është nën kontroll dhe nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Malaria është një infeksion i shkaktuar nga parazitë njëqelizorë, të cilët hyjnë në gjak nëpërmjet ngacmimit nga mushkonja e malaries. Një pjesë e këtyre parazitëve kalojnë kohën në jetën e njeriut të infektuar e disa të tjerë në trupin e mushkonjës së malaries. Në trupin e njeriut ato përqendrohen në mëlçi dhe tek rruazat e kuqe të gjakut. Pasi hyn në gjak, ky parazit fillon të shfaqë simptomat e para të malaries. Dëmtimet që sjell kjo sëmundje janë vdekjeprurëse.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency