Standard.al

Krijohet Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë

 Ervin Kaduku

ndermarjkFSHK u jep ndihmë, në formë subvencioni të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, deri në një milion lekë, por në asnjë rast më shumë se 50 për qind të vlerës së kostove të pranueshme

 

 

Qeveria vendosi dje Krijimin e Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, për vitin 2013, me vlerë prej 20 njëzet milionë) lekësh. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë u jep ndihmë, në formë subvencioni të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, deri në një milion lekë, por në asnjë rast më shumë se 50 për qind të vlerës së kostove të pranueshme. Në kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për: investime, të prekshme dhe të paprekshme, në formën e përmirësimeve teknologjike, për përshtatje produkti, përfshirë ambalazhimin dhe etiketimin, certifikim produkti, vlerësim konformiteti dhe zbatim të sistemeve të cilësisë. Shërbime këshillimore, në formën e studimeve të tregut dhe të trajnimeve. Pjesëmarrje, për herë të parë, në një panair ose ekspozitë jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.

 

Përfitojnë

Përfitojnë nga Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë ndërmarrjet, e vogla dhe të mesme, që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:

-Prodhojnë produkte ose ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar dhe që, gjatë procesit, i japin një vlerë të shtuar, të konsiderueshme produktit përfundimtar

-Kanë një strategji dhe plan marketingu për zgjerimin e eksporteve

-Janë në gjendje të financojnë 100 për qind të gjitha kostot e projektit, të propozuara para përfundimit të tij.

 

Pagesat

Pagesa e subvencionit të bëhet në fund të projektit, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera. Fondi Shqiptar i Konkurrueshmërisë do të zbatohet për një periudhë 3-vjeçare, gjatë viteve 2013, 2014 dhe 2015, me një vlerë prej 20 milionë lekësh, për secilin vit. Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit Shqiptar të Konkurrueshmërisë, e cila miratohet nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.

 

 

 

Korporata Financiare Ndërkombëtare mbështet qeverinë shqiptare

IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillimin global i fokusuar në mënyrë ekskluzive në sektorin privat. Ai ndihmon vendet në zhvillim për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme, duke financuar investimet

Ervin Kaduku

 

IFC, anëtare e Grupit të Bankës Botërore dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të punojnë së bashku për të zvogëluar pengesat rregullatore dhe administrative për tregtinë në rajon nëpërmjet përmirësimit të procedurave të eksportit, importit dhe tranzitit.

Projekti i Logjistikës Tregtare për Ballkanin Perëndimor i cili po zbatohet në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi synon të reduktojë numrin e dokumenteve dhe të ditëve që nevojiten për të importuar dhe eksportuar mallra, si edhe të standardizojë procedurat për lëvizjen e kargove nëpërmjet tokës, ajrit dhe lumenjve.

“Projekti i IFC-së Logjistika Tregtare në Shqipëri do të vazhdojë të mbështesë reformat e ndërmarra nga projekte të mëparshme të klimës së investimit në Shqipëri,” tha Menaxherja e Projektit Violane Konar-Leacy. “Projekti do të mbështesë zbatimin e reformave për lehtësimin e tregtisë të identifikuara bashkarisht me Ministrinë duke sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare dhe do të ndihmojë në përshtatjen e këtyre praktikave me ato vendase”.

Ministria planifikon të bashkëpunojë me IFC për të zvogëluar kufizimet jo tarifore dhe për të përmirësuar tregtinë e mallrave në rajon. Ministria ka shprehur interes të veçantë në standardizimin e procedurave dhe koordinimin ndërmjet agjencive për sa i përket zhdoganimit të mallrave.

Projekti i Logjistikës Tregtare për Ballkanin Perëndimor është duke u zbatuar nga IFC në partneritet me Bashkimin Evropian dhe në bashkëpunim të ngushtë me CEFTA (Marrëveshja për Tregtinë e Lirë në Evropën Qendrore). Aktivitetet që do të zbatohen nga projekti do të sjellin rreth $10 milionë kursime në sektorin privat.

Shqipëria është bërë anëtare e IFC-së në 1991. Sot, portofoli i IFC-së në Shqipëri kap shifrën $159 milionë të investuara nga IFC-ja në disa sektorë si: infrastrukturë, energji, prodhim, financë. Shërbimet e konsulencës së IFC në Shqipëri synojnë të përmirësojnë klimën e investimit e performancën e kompanive si edhe të nxisin pjesëmarrjen e sektorit privat në zhvillimin e projekteve në infrastrukturë.

 

Çfarë është IFC

IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, është institucioni më i madh për zhvillimin global i fokusuar në mënyrë ekskluzive në sektorin privat. Ai ndihmon vendet në zhvillim për të arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme, duke financuar investime, mobilizuar kapitale në tregjet financiare ndërkombëtare, dhe duke ofruar shërbime konsulence për biznese dhe qeveri. Në vitin fiskal 2012, investimet arritën pikën më të lartë gjatë gjithë historikut të IFC-së, më shumë se 20 miliardë USD, duke përdorur fuqinë e sektorit privat për të krijuar vende pune, nxitur inovacionin, dhe duke përballur me sfidat e zhvillimit më të rëndësishme në botë.

 

Comments are closed.