Biografia e re e Angela Merkelit – Një sensacion i dyshimtë

0

merkel“Jeta e parë e Angela M”. sapo është botuar dhe pritet të bëjë bujë. Por vëzhguesit dyshojnë për vlerën e zbulimeve të reklamuara nga libri. Megjithatë ai pa dyshim do të tërheqë vëmendjen në këtë vit zgjedhor.

Loading...

Zbulime befasuese, apo gjëra të njohura? Mes këtyre ekstremeve luhaten përshtypjet mbi librin e ri për Angela Merkelin. Dy autorët Georg Reuth dhe Günther Lachmann në biografinë “Jeta e parë e Angela M”. hedhin një vështrim në një periudhë të ndjeshme të karrierës së politikanes së lartë. Bëhet fjalë për kohën e saj në RDGJ, ku ajo duhet të ketë bërë “agjitacion dhe propagandë” për FDJ, organizatën e rinisë komuniste. Asgjë e jashtëzakonshme për një biografi nga DDR, por që mbi Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë hedh një hije irrituese.

Libri 336 faqesh, që botohet katër muaj para zgjedhjeve parlamentare, synon të mbushë boshllëqet informative, që kanë lënë të hapura biografitë e mëparshme të Angela Merkelit, thotë Lachmann në një intervistë me Deutsche Welle. Dhe këtu bën pjesë edhe pyetja, nëse Merkel ka qenë sekretare e FDJ për propagandën apo jo.

Qeveria gjermane megjithatë nuk sheh në të ndonjë zbulesë spektakolare. Merkel që në vitin 2005, në një libër intervistë me titullin “Rruga ime” është shprehur në mënyrë të detajuar dhe shumë personale lidhur me këtë çështje. “Jua rekomandoj ta lexoni”, tha zëvendësi i zëdhënësit të qeverisë Georg Streiter.

Autori Lachman ka tjetër mendim. Në “Rruga ime” Merkel pohon vetëm se nuk mban mend, nëse ka bërë agjitacion dhe propagandë. Por ai thotë se ka prova. “Ka dy dëshmitarë”, thotë Lachman. Fjala është për miq të mirë, me të cilët Merkel atëherë bashkëpunonte ngushtë dhe me të cilët ka kaluar shumë kohë së bashku. Të dy kanë qenë sekretarë të FDJ-së në Akademinë e Shkencave. Edhe një tjetër pozitë e Kancelares së sotme paraqitet në librin e ri: Ajo ka bërë pjesë edhe në kryesinë e sindikatës (BGL), duke qenë e ngarkuara për punën me rininë. Çfarë ndikimi ka një sekretare e FDJ-së?

 

Tre librat biografikë për Angela Merkelin

Mekanizmat politike dhe kausalitetet në RDGJ funksiononin sipas rregullave të veta, kështu që mbulimi i një posti zyrtar mund të keqkuptohet sot, thotë Klaus Schroeder, drejtues shkencor i shoqatës kërkimore për RDGJ-në në Universitetin e Lirë të Berlinit, në një intervistë me DW.

“Anëtarësia në FDJ dhe marrja e postit nuk do të thonë gjë”. Ka qenë fundja si një detyrim social për t’u angazhuar, edhe në kuadër të organizatës së rinisë. Por sekretar i FDJ për agjitacion dhe propagandë tingëllon gati, sikur Goebbels të vegjël të jenë në veprim”, thotë studiuesi i RDGJ-së.

Në fakt anëtarët kishin detyrë të përhapnin tek studentët buletinin e FDJ-së dhe të organizonin aktivitete. Çdo rast duhet parë konkretisht, por kjo është në fakt një banalitet. Edhe nga fakti, që Merkel kishte dhe një post në sindikatën BGL, nuk mund të nxirren vlerësime, thotë Schroeder. “Edhe ky është një funksion, që e kanë ushtruar qindra-mijëra në RDGJ”.

Vendimtare në vlerësimin e ideologjisë dhe angazhimit politik të Merkelit është më tepër fakti, që ajo nuk u bë anëtare e SED si dy milionë qytetarë të tjerë: “Që të tërhiqeshe nga të gjitha angazhimet, nuk ka qenë e mundur në RDGJ”. Nga populli gjithmonë është kërkuar që të jetë aktivë në një organizatë mase. “Por pragu në hapësirën politike është tejkaluar, kur je bërë anëtarë i SED, apo i një partie tjetër të bllokut”.

Por në fund të fundit se çfarë do të thotë kjo dhe se si i ushtronte Merkeli detyrat dhe çfarë pasojash kishte kjo për të tjerët, këtë Lachmann dhe Reuth nuk ua sqarojnë lexuesve të tyre dhe as vetes. “Nuk ka asnjë informacion, nëse Angela Merkel ka patur influencë ideologjike apo jo. Ne vetëm dimë se ajo ka qenë anëtare dhe se çfarë përgjegjësie ka patur”, thotë Lachman.

pikërisht këto informacione janë vendimtare për të kuptuarit e rrethanave të parashtruara, sidomos për njerëzit, që kanë patur të bëjnë pak me sistemin e RDGj-së.

 

A duhet të tregojë Merkel më shumë për vetveten?

 

Të dy autorët do të kishin dëshirë që t’i kishin marrë informacionet nga Kancelarja personalisht. “Në këtë kontekst nuk është aq e rëndësishme, nëse ajo ka qenë sekretare për agjitacion dhe propagandë”, thotë Lachmann, “thelbësorja është se ajo i ka fshehur gjërat”.

Mos ka rrëfyer jo sa duhet për veten Merkel si bartëse e një posti të lartë publik? Në mbledhjen e të dhënave për librin ka mbetur pa përgjigje së paku një listë më pyetje drejtuar zyrës së Kancelares, thotë Lachmann. Zëdhënësi i qeverisë Streiter: “Unë nuk do të bëja këtu shumë interpretime, sepse shumë njerëz, të cilët shkruajnë një libër për Kancelaren dhe i shtrojnë asaj pyetje, zhgënjehen pak”.

Vetë Angela Merkel kohët e fundit ka theksuar edhe një herë qëndrimin e saj të hapur lidhur me të kaluarën në Gjermaninë Lindore. Ajo kurrë nuk ka fshehur gjë, por ndoshta disa gjëra nuk i ka treguar, sepse kurrë nuk është i është kërkuar. Biografja e mëparshme e Merkelit Jacqueline Boysen sheh këtu ndoshta një reagim prej përvojës negative të Merkelit: “Një herë ajo është përpjekur shumë hapur të tregojë një histori nga koha e RDGj-së para organizatës së rinisë së Unionit Kristian Demokrat, CDU. Por u keqkuptua krejtësisht”. Një arsye e mundshme për tërheqjen e saj. Zbulimet e librit të ri Boysen i sheh me sy kritik: “Më duket disi absurde, që rikthehet gjithmonë kjo histori dhe është e dukshme, se nuk ka asgjë të re. Nuk ka asnjë arsye për irritim publik: Fjala “zbulime” është shumë e ekzagjeruar”.

 

 

Qeveria amerikane ka përgjuar gazetarë

 

Qeveria amerikane e argumenton aksionin me mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare. Kritikët flasin për cenim të kushtetutës.

Agjencia e lajmeve Associated Press (AP) duket se vitin e kaluar është përgjuar nga qeveria amerikane. Ajo është përpjekur të zbulojë burimin që i përcillte vazhdimisht gazetarëve informacione sekrete të organeve të sigurisë, u tha nga AP.

Ministri i Drejtësisë i SHBA-së, Eric Holder, e konfirmoi përgjimin dhe tha se zbulimi i vendit nga rridhnin informacionet ishte tejet i rëndësishëm për sigurinë kombëtare.

“Bëhet fjalë për dy ose tre prej rrjedhjeve më serioze të informacionit që kam parë deri tani. Ato rrezikojnë popullin amerikan dhe ky nuk është zmadhim. Për këtë arsye zbulimi i përgjegjësve për rrjedhjen e informacionit kërkonte sipas mendimit tim një veprim shumë agresiv”.

Ka të ngjarë, dyshon AP, të jenë përcjellë informacione sekrete për një aksion të CIA-s, që ka penguar një atentat terrorist të Al-Kaedës në Jemen, mbi të cilin ka raportuar AP. Autoritetet duan të dinë tani se kush ia ka përcjellë informacionet sekrete AP-së. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha: “Për Presidentin Obama është shumë e rëndësishme që informacioni i klasifikuar si sekret të mbetet i tillë në mënyrë që të mbrohen interesat e sigurisë kombëtare. Në këtë rast duhet të arrihet një ekuilibër i kujdesshëm mes të drejtës për informim dhe sigurisë”.

Aksioni i fshehtë i qeverisë amerikane shkaktoi indinjatë. Aktivistë për të drejtat e njeriut, përfaqësues të shtypit dhe politikanë protestuan kundër veprimit të qeverisë. Republikanët në opozitë kërkuan dorëheqjen e ministrit Holder. Ministri ka cenuar në mënyrë “të padëgjuar” besimin publik dhe kushtetutën, u tha nga kritikët.

 

 

Cameron përpiqet të zbusë kundërshtarët e BE-së

 

Për të zbutur kundërshtarët e Evropës në Britaninë e Madhe, Kryeministri Cameron ka prezantuar një projektligj për një referendum për BE-në. Ai parashikon mbajtjen e një referendumi në 2017, nëse Cameron fiton zgjedhjet.

Me propozimin për një ligj për referendum, Kryeministri britanik David Cameron i ka dalë përpara një revolte, që kërcënonte të shpërthente në radhët e kundërshtarëve të BE-së, në partinë e tij konservatore. Krahu kritik ndaj BE-së në parti kishte kërcënuar me një votim luftarak në dhomën e ulët të parlamentit, për të detyruar kalimin e një ligji për një referendum për qëndrimin ose daljen e Britanisë së Madhe nga BE.

Në fjalimin e tij parimor për politikën evropiane janarin e kaluar, Cameron kishte njoftuar se në vitin 2017 do të mbahej një referendum, nëse negociatat për reforma në BE deri atëherë nuk do të kishin pasur sukses.

Megjithatë javën e kaluar, në të ashtuquajturin “Fjalimi i Mbretëreshës”, me të cilin Mbretëresha Elizabeta II. paraqet tradicionalisht në parlament planet e qeverisë, ligji për referendumin nuk u përmend. Kjo e zemëroi krahun e djathtë të Partisë Konservatore. Rruga e zgjedhur tani nga Cameron për të sheshuar polemikën brenda partisë është e komplikuar: konservatorët nuk kanë shumicë në dhomën e ulët, por qeverisin me një koalicion me liberaldemokratët, të cilët kanë qëndrim miqësor ndaj Evropës. Për këtë arsye projektligji për referendumin nuk do të paraqitet nga qeveria, por nga deputetë të veçantë në formën e një “private members bill”. “Nëse konservatorët do të qeverisnin të vetëm, thjesht do të kishim hartuar një ligj. Por këtë nuk mund ta bëjmë, sepse jemi në një koalicion”, tha Cameron për kanalin “Channel 5 News”, gjatë vizitës së tij në SHBA.

 

Debati në dhomën e ulët

Por projektligji i Downing Street, që përmban gjithsej gjashtë pika, nuk i kënaq rreth 100 “rebelët” në Partinë Konservatore. Gjithashtu e pasigurt është nëse liberaldemokratët do të votojnë për “arsye shtetërore” me konservatorët. Për këtë arsye pritet me shumë interes debati i planifikuar për këtë të mërkurë (15.5.) në dhomën e ulët.

Në disa pjesë të opinionit publik në Britaninë e Madhe BE shihet me skepticizëm. Komisioni i BE-së në Bruksel konsiderohet si monstër burokratike, që ndërhyn gjithnjë e më shumë në çështjet kombëtare. Sipas mendimit të shumë vëzhguesve, polemika në radhët e konservatorëve ka si shkak edhe fitoret e fundit në zgjedhje të partisë me orientim të djathtë UKIP, e cila shënon pikë tek zgjedhësit me teza armiqësore ndaj të huajve dhe Evropës. Sipas sondazheve aktualisht shumica e qytetarëve britanikë përkrahin daljen e Britanisë nga BE-ja.

Presidenti amerikan Barack Obama, gjatë takimit të hënën (13.5.) në Shtëpinë e Bardhë, i dha si këshillë Cameronit të ndreqë marrëdhëniet mes Britanisë dhe BE-së. Përpara se të arrihet tek ndarja, duhet parë, nëse mund të riparohet ajo, që është dëmtuar në këtë “marrëdhënie shumë të rëndësishme”, tha Obama.

 

 

 

Loading...