Votabjerrësi

0

Nga Laert Islami

votaNë një dialekt tonin, shprehja “me u bjerr” ka kuptimin me humb, me u pakësuar. Në politikën e sotme, votahumbësi më i madh i periudhës së tranzicionit dhe demokracisë së brishtë shqiptare duhet konsideruar drejtuesi i sotëm i koalicionit opozitar. Ka letra zgjedhore të forta (konsumimin normal të një pozite pas 8 vitesh qeverisjeje etj.), por i dobëson dhe i përçudnon vetë këto letra. Më 1 prill iu duk se fitoi qiellin. U bashkua në aleancën e pazareve me një formacion politik (LSI) të sprovuar nëpër zgjedhje, me një lloj legjioni jo “nderi”, por llogarish dhe pazaresh me tenderët dhe vendet shtetërore të punës. Pas kësaj, nëse më parë ishte treguar arrogant me kontribuuesit e ndershëm e kohëgjatë në Partinë Socialiste, por edhe duke u buzëqeshur e krehur bishtin nga halli, këtej e tutje u tregoi vetëm fytyrën e plotë të arrogancës dhe injorimit. Prodhoi lista me kandidatë për deputetë, duke ngjallur protesta e qejfmbetje ndër socialistët me emër dhe në ata të thjeshtë. Siguroi kështu bjerrjen e votave. Investoi humbjen e shumë më tepër përkrahjeve dhe votave nga sa i garanton legjioni LSI, për të sjellë shpirtin në qetësi se në parti këtej e tutje mund të mbretëronte vetëm ai. Vijon të quajë skuadër të rilindjes kandidatë për deputetë që të vetmen “vlerë” e kanë se dinë t’i thonë gjithnjë “Po!” njëshit të tyre. Qytetari i thjeshtë, madje edhe socialisti i thjeshtë e ka të vështirë të kuptojë se çdo të rilindë një bashkim pazaresh. Një shtrëngim duarsh mes dy njerëzve që deri dy muaj më parë shaheshin e konsideroheshin armiq të betuar të njeri-tjetrit. Dikush mund të thotë se politika kështu e ka. Por kthesat 180-gradëshe justifikohen vetëm në aleanca vlerash të mirëfillta për popullin tënd. Kurse kjo aleanca e sotme PS-LSI gjithçka mund të garantojë, por jo “kujdes ndaj qytetarit, përkushtim absolut për rritjen e mirëqenies së shqiptarëve të thjeshtë”. Ndoshta të dy kryelegjionarët i tellallisin këto shprehje pa kursim në tubimet e tyre. Por nuk i mendojnë. Nuk i kanë në zemër, nuk lëvizin të nxitur prej tyre. Në mendje njeri ka një bllok të madh ku ka bërë llogaritë dhe pazaret e radhës, kurse tjetri të përjashtuar ose të zeruar me rrethe të kuq “Zapatash” në partinë e vet-oborr puthadorasish. Ja përse një koalicion i tillë paraqitet votabjerrës që në fillim e do të vazhdojë të lëshojë pende si një gjel i çakërdisur që vrapon ferrash. Pse nuk ka rilindje me një politikë dritëshkurtër tatimore që vetëm do ia mbysë nismën sipërmarrjes private, duke shteruar Buxhetin e Shtetit, në emër gjoja të kthimit të barazisë fiskale. Nuk ka rilindje, kur kërkon të presësh degën ku do të hipësh ekonominë kombëtare, duke damkosur privatizime të suksesshme e deklaruar se nuk do të njohësh me qindra milionë euro të investuara nga kapitali i huaj pikërisht për shkak të këtyre privatizimeve. Nuk ka rilindje, kur nuk di se me çfarë programi të thellë investimesh publike do të sigurosh një rritje të qëndrueshme ekonomike për vendin. Nuk ka rilindje me një program ndërhyrjesh publike në arsim e shëndetësi, i cili mbështetet mbi fonde imagjinare, pa kuptuar realitetin e të ardhurave publike në ditët e sotme dhe pa pranuar se kryesore nuk janë disa programe apo fonde më shumë publike, por një reformë e thellë në strukturën arsimore dhe në sigurimet shoqërore të vendit, tashmë të nisur nga qeverisja e këtyre tetë viteve. Nuk ka rilindje në integrimin e shqiptarëve, kur ora e integrimit qëllimisht u bllokua për tre vite rresht, duke nxjerrë justifikime e pretekste mjerane që asgjë integruese nuk kishin brenda tyre. Shkurt, nuk ka një alternativë bindëse për shqiptarët kjo aleancë e pazareve dhe jo e reformave rilindëse. Ka vetëm humbje votash rrugës së saj. Sikurse ka filluar të ndodhë rëndom. Sikurse do të ndodhë dhe në finish, më 23 qershor. Për këtë garanton jo vetëm mungesa e moralit dhe e një programi fitues në kampin më të madh opozitar të vendit, por edhe votabjerrësi i madh, i kthyer në humbës profesionist në politikë.