Rilindje…. pa rilindas!!! (II)

0
203

Enver Bytyçi

 

rilindjeVijon nga numri i djeshëm

 

Në demokracinë e paparacit formalisht ruhen fasadat e një zhvillimi demokratik. Por tipar kryesor i saj është zbatimi selektiv i ligjit. Edhe shtetet më të organizuara në botë, siç është Franca, e kanë të pamundur të funksionojnë përmes kësaj demokracie. Sepse krimi ekonomik e financiar, informaliteti dhe fshehja e të ardhurave do të favorizohej nga ikja prej detyrimit të ligjit të taksës progresive. Të mos flasim për transferimin e kapitaleve e madje lënien e shtetësisë, duke kërkuar strehë në vendet e tjera me taksë të sheshtë.

Ndërsa në Shqipëri duket se kjo masë aplikimi synohet posaçërisht për të legjitimuar gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë. Tek ne taksa progresive nuk do të polarizonte shoqërinë thjesht për shkak të një ligji absurd në taksimin e të ardhurave, por dhe për shkak të seleksionimit politik të qeverisë që do ta aplikonte atë, e majtë ose e djathtë qoftë ajo. Fatmirësisht e djathta shqiptare ka qenë dhe mbetet e vendosur në aplikimin e taksës së sheshtë, e cila nuk le hapësirë për spekulime të këtij lloji në zbatimin e saj.

Së dyti, nëse shqyrtojmë me kujdes procesin e fushatës elektorale në Shqipëri, çdo kush ve re lehtësisht disa karakteristika, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me Rilindjen e proklamuar nga opozita. P.sh. Rilindja nuk ka asnjë lidhje me bojkotin, me bllokun e bllokimin, me dhunën e rrugës e të shejtanit. Deri më sot asnjë “shejtan politik” në Shqipëri nuk ka grumbulluar njerëz të protestojnë përballë shtëpisë së kundërshtarëve të tij politikë. Predikuesit e Rilindjes shqiptare u bënë shumë herë të pabesueshëm në këtë aspekt. Por kur ata bllokuan hyrjen e pallatit ku banon Kastriot Islami u bënë dhe qesharakë e njëkohësisht dhanë mesazhin e një polarizimi të paparë në Shqipëri e në vendet e tjera të tranzicionit rreth nesh. Kjo sjellje e përsëritur me tërheqjen e përfaqësuesve në komisionin qendror të zgjedhjeve nuk është mënyrë që përcakton një proces rilindjeje, por një akt revolucionar të tipit bolshevik. Ndërkaq asnjë ekspert në botë nuk i ka përcaktuar revolucionet si akte të rilindjes. Kombet gjithashtu nuk kanë lindur përmes revolucioneve, por përmes një procesi relativisht të gjatë të rizgjimit kombëtar, të rikthimit të identitetit dhe kulturës kombëtare, të rilindjes si komb e si popull me dinjitet, pra përmes një procesi normal evolucioni. Nëse rilindasit në krye të Partisë Socialiste i perceptojnë revolucionet si kusht të Rilindjes, atëherë atyre u duhet dhënë e drejta ta quajnë edhe fushatën elektorale të 23 qershorit si “fushatë të Rilindjes”.

Së treti, në të vërtetë slogani për Rilindjen ka karakter të pastër politik dhe aspak moral. Kjo duket qartë kur shohim sesi janë ndërtuar koalicionet, si janë përzgjedhur kandidatët për deputetë, si janë përjashtuar figurat qendrore të PS-së nga kandidimi e për pasojë edhe nga jeta politike e kështu me radhë. Në moralin e rilindasve ishte përbashkimi, jo përjashtimi. Ndërkaq pas sloganit të Rilindjes nuk qëndron vetëm përjashtimi, por edhe linçimi. Ndarja në “besnikë” të udhëheqësit e në “tradhtarë” të udhëheqësit të Partisë është filozofi morale që demanton çdo pretendim për rilindje. Ndërkohë krijimi i një koalicioni me ata “që fundosën Shqipërinë në këto katër vite”, nëse i referohemi kreut të “skuadrës së Rilindjes”, d.m.th. me LSI-në e Ilir Metës, do të trondiste çdo akt serioz të një lëvizjeje për Rilindje, këtij slogani mashtrues të zotit Rama.

Nga pikëpamja filozofike rilindja dhe rilindasit nuk mund t´i përmbahen skemës së mohimit të arsyetuar me nihilizmin ekstrem. Aq më pak bëhet i besueshëm partneri kryesor i “rilindasve” socialistë, pra zoti Meta, kur në mitingjet elektorale flet për “skëterrën qeverisëse”, skutat më të errëta të së cilës i takojnë atij personalisht si dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeverisje. Nuk besoj se në këtë konstatim them ndonjë gjë të re, po të kemi parasysh se para shpalljes së koalicionit opozita kishte në shënjestër si vrima e zezë e qeverisjes pikërisht ministritë që zoti Meta kishte marrë me qera nga demokratët. Për këto arsye sfondi për Rilindje, sepse përmbajtje nuk ka mundur të ketë kurrë, është shpërfytyruar dhe ka dalë boje. Përdorimi i këtij slogani, vetëm sa i irriton spektatorët e të gjithë krahëve, pasi çdonjëri prej tyre e kupton faktin se Rilindja e zotit Rama është thjesht një mashtrim elektoral.

Së treti, Rilindja duhet të ketë medoemos si çdo patentë ose vepër tjetër autorët e saj. A ka autorë Rilindja e proklamuar nga opozita shqiptare? Në të vërtetë ajo ka të ashtuquajtur autorë. Të tillë janë vetëreklamuar Rama, Ruçi, Kokëdhima, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Fatos Klosi e në mesin e tyre kanë marrë edhe Spartak Brahon, personin të cilin Meta e shiti te Rama, se nuk ia pranonte askush në skuadrën e tij elektorale. Edhe emrat e tjerë të lartpërmendur nuk do t’i pranonte askush në asnjë lloj skuadre. Ndaj ata gjetën strehë te “skuadra e rilindjes” e zotit Rama. Kështu “Rilindjen” e marrin përsipër një grup njerëzish të komprementuar. Unë nuk e di sesi mund të quhet rilindas p.sh një kryetar bashkie, I cili që jep leje ndërtimi për të mbjellë pallate me 5-10 metra larg njëri-tjetrit. Dhe këtë nuk kemi për ta mësuar kurrë në rastin e zotit Rama, i cili në 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka ndërtuar me qindra pallate të tilla të paligjshme. Nuk mund të kuptohet se si një rilindas mund të jetë i tillë edhe kur që t´i marrë frymën qytetarëve të vet, thjesht për përfitime personale e korruptive. Nuk mund të kuptohet gjithashtu fakti se si një rilindas sillet në mënyrë vandale e banale me qytetarët që ai ka pretenduar se i qeveris. Nëse Rama do të ishte një rilindas i vërtetë, atëherë nuk do të kishte të bënte me aksionet politike për bojkot dhe për bllokimin e integrimit evropian të Shqipërisë. Edhe në këtë pikë ai spekulon me të ashtuquajturin “Koalicionin e Shqipërisë Evropiane”, sepse e kishte në dorë që Shqipërinë ta çonte në dyert e Evropës që para tri vitesh. Por nuk deshi dhe këmbënguli deri në fund që ta çorientojë Shqipërinë, duke bllokuar miratimin e ligjeve evropiane.

As vetë zoti Rama nuk të jep dot shpjegim se si mund të realizohet ndonjë projekt rilindjeje me Ruçin, Fatos Klosin apo Spartak Brahon në listat e sigurta të deputetëve?!!! Nëse këta dhe klanet e tyre përbëjnë atë grupim që i sjell Shqipërisë ndonjë Rilindje, atëherë Shqipëria do të duhej të kishte rilindur me dhjetëra herë deri më sot. Çka i bie se ajo do të ishte varrosur gjithashtu me dhjetëra herë. Por fatkeqësisht autorët e Rilindjes së proklamuar e të predikuar për vetëmashtrim më së shumti kanë qenë dhe janë autorë të rrënimit të Shqipërisë. Megjithatë ata e kanë një meritë: Ia kanë arritur që punën e varrmihësit t’ia faturojnë kundërshtarit politik. Në këtë kuptim ata nuk mund të quhen të paaftë, përkundrazi specialistë të zotë, siç i kishte përcaktuar i urti dhe i çmuari Pjetër Arbnori.

Së katërti, me nocionin Rilindje nënkuptohet edhe ringjallja. P.sh. Janullatosin e pamë para disa ditësh, në ditën e Pashkëve, kur na thoshte të vetmet fjalë në shqip “Krishti u ngjall”. Ngjallja e Krishtit është njësuar me rilindjen. Rilindja e Krishtit i dha udhë kristianizmit, këtij besimi fetar me një cikël mbi 2000-vjeçar në qytetërimin tonë. Në këtë kuptim rilindja e opozitës sonë do të duhej të nënkuptonte ringjalljen e Shqipërisë. Domethënë ringjalljen pas 23 qershorit. Ndërkohë kjo do të nënkuptonte se shqiptarët jetojnë në një Shqipëri të vdekur, të varrosur, të bërë kurban, nëse i referohemi librit të liderit të opozitës. Po cila është e vërteta? A është Shqipëria sot më e dobët, më e ligë, se dje? Pa bërë pyetjen retorike, nëse ajo është e gjallë apo “e vdekur”.

Që ta marrësh përgjigjen e kësaj pyetjeje do të duheshin shkruar libra të tërë. Por për ilustrim mund të shpjegohet ajo me disa matës të dukshëm. Shqipëria dhe shqiptarët i japin jetë sot me kontributin e tyre proceseve botërore të globalizimit. Mjafton të shihet kontributi ynë në strukturat e NATO-s e të operacioneve paqësore të saj. Shqiptarët sot ndjehen shumë krenarë kur zbresin në aeroportet e portet e Evropës, sepse aty ata gjejnë ngrohtësinë dhe respektin e barabartë me të gjithë evropianët, edhe pse deri para pak vitesh ne ishim si “bishti i qenit”. Shqipëria sot është me kilometra më mirë në standardet e saj, sesa në kohën dhe cakun ku e lanë pseudorilindasit e sotëm socialistë, qofshin këta grupime klanesh mafioze, apo mumie ose kufoma politike, nëse marrim në konsideratë etiketimet që ata i bëjnë vetë njëri-tjetrit.

Shqipëria sot është vendi i një infrastrukture të paimagjinueshme në kohën dhe cakun ku e lanë atë pseudorilindasit. Shqipëria sot është Shqipëria e banorëve me nga dy banesa, me internet, me shkolla, spitale, me rrugë të reja, edhe pse në kohën e pseudorilindasve ishte Shqipëria e territ, e gjeneratorëve dhe zhurmave të tyre kumbuese në mes të kryeqytetit e në mes të ditës. Shqipëria është ndryshe, por jo ajo Shqipëri që e duam ne të gjithë. Ne duam vërtet një Shqipëri që t’i ngjajë Evropës. Jo thjesht në infrastrukturë, por para së gjithash në mentalitet, në sjellje, në mendim, në kulturë, në arsyetimin e proceseve e të fenomeneve e në vlerësimin e të shkuarës, të sotmes e të perspektivës. Ndërkaq Rilindasit kanë në kokë një Shqipëri virtuale, perfekte, të tillë, që nuk mund të ketë shembull në Evropë e në botë. Por virtualja mbetet e tillë, thjesht si perceptim, jo si realitet. Ndaj asgjë virtuale nuk sjell ndonjë rilindje. E megjithatë “rilindasit” e sotëm nuk besoj se janë aq idealistë dhe ëndërrimtarë, sa të mendojnë qoftë dhe virtualisht krijimin e një Shqipërie tjetër. Ata janë të prirë që virtualen, ëndrrën ta shesin si parim, si perfeksion, pra kanë prirjen, dëshirën dhe apetitin që të mashtrojnë publikun shqiptar. Ndërkohë grupimi i “rilindasve” të shquar të kupolës së opozitës nuk ka dhënë deri më sot asnjë provë konkrete as në pozitë, as në opozitë se ka të bëjë diçka me idealizmin e rilindasve të vërtetë.

Së pesti, rilindasit si në art, si në filozofi, kanë evokuar dhe ringjallur një traditë, një histori njerëzore të përcaktuar. Rilindasit e vetëshpallur të së majtës shqiptare në ditët e sotme në vend të evokimit, operojnë me mohimin nihilist të çdo gjëje. Pastaj kthehen dhe akuzojnë kundërshtarët e tyre politikë për virtualitet. Është qesharake kur sheh që në këtë kor është bashkuar aktivisht partneri kryesor e njëkohësisht gllabëruesi i pamëshirshëm i resurseve të pushtetit të Berishës, pra kreu i LSI-së, zoti Meta. Mohimi, pa pohuar një alternativë të qenë e të dukshme është thjesht vepër e rrënuesve, nuk është e nuk mund të jetë vepër e rilindasve. Rilindasit i ndërtojnë fillimisht themelet e asaj që ëndërrojnë, më pas strukturojnë arkitekturën e asaj që do të ndërtojnë e më në fund shpallin një program ringjalljeje shpirtërore e kombëtare. Rilindasit tanë virtualë nuk bëjnë asgjë nga këto. As nuk na kanë thënë se cilat janë themelet e asaj që do të ndërtojnë në këtë vend, as na kanë treguar ndonjë projekt për të qenë të infrastrukturës që ëndërrojnë. Në Vlorë lideri i “rilindasve” u premtoi vlonjatëve se “do ta ndërtojë bypass-in e këtij qyteti. Por si mund të premtohet diçka që ka marrë udhë në projektet e kundërshtarëve të tij politikë?! Është absurditet t’i marrësh shaka të tilla për rilindje. Kaq shkon e gjithë ajo çfarë rilindasit i premtojnë në këtë fushatë elektorale zgjedhësve shqiptarë.

Në këtë kuptim keqpërdoret, keqinterpretohet dhe abuzohet me termin Rilindje. Rilindja nuk vjen prej hiçit, çfarë edhe përfaqëson nihilizmi. Nihilistët nuk kanë sjellë ndonjëherë ndonjë markë të rilindjeve dhe nuk kanë nxitur kurrë procese zhvillimore. Ata thjesht kanë abuzuar me slogane të tilla, por nga pikëpamja filozofike, politike e praktike nuk mund të promovojnë ide, vizione, praktika dhe veprimtari zhvillimore. Nga ky këndvështrim, është e udhës që të kuptohet dhe interpretohet lëvizja elektorale e së majtës shqiptare “për rilindjen e Shqipërisë”.

Thelbin e konceptit filozofik e politik të rilindjes e përbën ideja dhe vizioni për të ardhmen. Ndërkohë në diskursin elektoral të së majtës spektatorët dëgjojnë thjesht premtimin “Ne e kemi një vizion për të ardhmen”. Ky premtim vjen mbas një mijë akuzave dhe shpifjeve e trillimesh për realitetin e sotëm shqiptar. Mbasi është derdhur një lumë fjalësh e frazash të zeza, shqiptarëve u serviret dogma: “Ne e kemi një zgjidhje”. Po cili është ky vizion, cila është kjo zgjidhje, e ndryshme nga ajo që ofron me vepra e me programin e saj mazhoranca? Zgjedhësit shqiptarë deri më sot ende nuk e kanë dëgjuar, jo më ta kenë absorvuar dhe përthithur mediakisht, ose konkretisht. Dhe a mund të ketë rilindje pa një vizion?! A mund të ketë rilindje pa një alternativë bindëse, konkrete e të qartë?! A mund të vijë rilindja në një realitet shoqëror thjesht për shkak të përzgjedhjes së një slogani dhe më së shumti, a mund ta sjellin rilindjen ata që në më shumë se 23 vite, pra në demokraci e para saj, kanë dëshmuar se i përkasin një detashmenti tjetër dhe që sot e kësaj ditë janë të përkushtuar në iluzionin e rikthimit të metodave staliniste të drejtimit të shtetit, por në kushtet e një sistemi të ndryshëm nga sistemi stalinist në Shqipëri?! Nihilizmi ishte tipari kryesor i sistemit komunisto-stalinist në vendin tonë. Ndërkaq shohim se nihilizmi është thelbi i politikës së “rilindasve” të sotëm, të cilët identifikohen shumë lehtë si pasardhës të sistemit disa dekadash të diktaturës komuniste në Shqipëri. Nëse stalinizmi dhe besnikët e stalinizmit në vendin tonë mund të quhen rilindas, atëherë mund të besojmë se pasardhësit e tyre të sotëm janë dhe mbeten rilindas!!! Por është shumë e vështirë që dikush ta pranojë këtë logjikë…

 

Në numrin e ardhshëm: Ku ndryshon rilindja e shekullit XIX me pseudorilindjen e “rilindasve” të sotëm?

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency