Njëbrirëshi

0
135

13 maj Pablo Picasso portrait-of-seniora-soler-girl-in-a-chemise-1903. me e bukura shife JuliFlurans Ilia

Magjepsja ndaj misterit të mungesës e bënte të vështronte akoma më me ngulm natyrën përreth.

Djathtas, barriera baritore bregdetare, me pisha të larta belkëputura, dhe bredha të shkurtër barkfryrë.

Majtas, deti i dyndur në nuanca ngjyrimi bluerrët, që shpesh çngjyrosej kur dita rendte drejt muzgut, dhe mbretëria e shikimit, i nënshtrohet skotomas, pikës së errët të vështrimit.

E sotmja veçanti e këtij segmenti kohor paraperëndues ishte përndezja e veshur në të kuqërremtë, e krejt qiellores masë në horizont. Ose ndoshta ishte syri i tij i skuqur që e përflakte pamjen që vinte nëpër det, pasqyrimi i perënduesit të dielltë perandorak, gjer tek këmbët e zbathura, që preknin të parën valë, që rivinte dalëkadalë, valë-valë…

Natyra kuqerremt’heshtur e peizazhit dhe mendimet bluerrësuara të djaloshit, dukej sikur kishin lidhur një pakt pritjeje të fshehtë midis, që erëmonin aromë shiu. Ndjesi e kapur pre, në një vend të caktuar, në rrethana të caktuara. Në varësi të së cilave ai ende nuk kuptonte asgjë nga e gjithë kjo masë pa formë. Por, që e shtynte akoma më fortë ta sodiste i qetë, si një pikturë moderne, ku ndjesia e mesazhit ndijohet pa konture të qarta përftimi ndërtimor. Ndaj edhe i pëlqente të ndodhej aty, në bregdetin e shkatërruar të Currilave. Nga vendi ku kodra puthej me vijën bregdetare, rrokte krejt hapsirën që i lejonte shikimi, i ulur këmbëkryq mbi një masë leshterikësh të tharë nga mirazhi i orëve të përzhitjes nën diell. Prej vendtakimit purgatorian, ndijonte aromën e kripës që vinte nga fuqia posedoniane e detit, bashkuar me ajrin që zbriste nga lartësia olimpike e kodrës, që bëheshin njësh përbrendëshmi, në frymën e ‘tij.

Firoma si një kraharuar i praruar, kurbantherrur, duke gulçuar, mbi vet krijimin e frymuar, karramohej fjalëzuar.

Për të ardhur gjer tek Ju: Në krye të herës ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Zotit, dhe Fjala ishte Zot. Ja ç’qe në krye të herës pranë Zotit dhe detyra (ime) është të përsërisë dita-ditës si një psalm plot përvujtni të vetmen ndodhi të pandryshim, për të cilën mund të thuhet e vërteta e pakthyeshme.

Koha ishte ngujuar vragë mbi ballin e tij nga rrahjet barbare me rryp nga Ati i dehur prej papunësisë. Pergamen e fshirë ëndrrash mbi sy nga netët e bijve të heroinës, ndër vagonat e braktisura të stacionit të trenave të tranzicionit. Në tërheqjet për leshrash të edukatorëve të shkollës. Nga mashtrimi i rradhës. Nga bishti i pirunit të mprefur si thikë, ngulur përfund barkut të ballëgjerit, që i kishte thyer dy dhëmbët e sipërm ballorë me ballin e vet të gjerë si shkëmb, dhe e kishte shëmtuar aq mizorisht për të dytën herë (pas vragës së rrypit të Atit). Koha përthyhej, përplasshëm si vala, drejt bregut. Ajri që vinte nga kodra i ledhatonte cullufet mbi ballë. Ai nuk ishte fllad. Ishta thithka e gjirit ushqyes që prodhonte jetë duke ushqyer dashurinë foshnjore. Ishte dora e humbur ndër shtegëtime që luante mbi harpën e valëve. Ishte këngë pështjelluese që po përpiqej të shtjellonte. Ndaj dhe e lëshoi veten muzikalisht, si fëmija i uritur që i jepet gjirit të nënës.

Gjithçka fillonte nga poshtë dhe ngjitej lartë. Që nga thëllësia, vetthellësia e ftohtë, misterioze, e padepërtueshmja funddetësi, ku miliona vjetë më parë kishte lindur e para qelizë trunore, që prej miliona vjetësh ishte përpjekur me aq stërmundim t’i avitej bregut. Bregut të vakët llapaçitës. Bregut të njohur ku deti villte leshterikë të pafund’m. Vendit të së parës puthje që jeta i kish’ dhënë tokës kur qelizat milionavjeçare u shndëruan në peshq mijravjeçarë, dhe Ripidistët u shndëruar në zvaranikë, në përpjekjen dinosaurjane për të pushtuar sterenë. Pikërisht aty, emocioni vibrant transmetohej mbi ballin e djaloshit të përndezur nga e kuqeremta e diellit në perëndim. Ose ndoshta ishte syri i tij i skuqur që e përflakte pamjen që vinte nëpër det, pasqyrimi i perënduesit të dielltë perandorak, gjer tek këmbët e zbathura, që preknin të parën valë, që rivinte dalë-kadalë, valë-valë… Si fragmenti i dikurshëm i pasqyrës, poshtë bankës së a-b-cësë, që pozicionohej fshehurazi aq sa për të përftuar përballë, pamjen poshtëkatedrës ku shfaqej orana e kofshëve dhe brekëve të kuqeremta që fshihnin misterin përthithës bermudian të mësueses që e priste më një shuplakë mbi vetull, një shuplakë që e detyroi të shikonte nga të katra anët me sy të xixëlluar imazhin e përftuar në pasqyrë të përthyer në mijra imazhe kaledioskopike të veckël breçkash të kuqe. Përballë së cilave, jo për fajin e tij, fatëzimi zemërak i yjeve e kishte shtënë nën fatin e shenjës së Demit. I cili nuk dihej asnjëherë përse i vërsulej me aq tërbim vetëm mbi përzgjedhjen e kuqe, në larminë e gjithatyre ngjyrave që mund të përzgjithtte pa mundim. Dhe demi dikur ndërsa dheut harbohej, kishte qenë njëbrirësh, (nuk dihet kur, përse, qysh, i’u shtua briri i dytë? Prej këtu kuptohej qashtër se djalli dybrirësh ishte veçse një mutacion pa origjinalitet)…

Njëbrirëshi origjinal nuahaste veç me bri. Askush nuk e kishte parë. Megjithëse legjendat thoshin se ekzistonte. Anipse për ‘të nuk kishte dëshmi. Ndaj dhe trunorët e steresë morrën një vashëz të virgjër gjer në shajni, dhe në trungun e më së madhes pemë e lidhën në pyll. I thanë: “Hapi pak këmbët, se Njëbrirëshi do të vij, e dimë se e ndjell veç flladi dalldisës i virgjërisë!”, dhe ashtu vajza ndenji, në pritje…

Përmes pështjellimit përndezës prrallor piskama pikasi paudhësinë përbindëshe përballë përbindëshit.

Njëbrirëshi nuhati nyjen ndërlidhëze me botën, dhe ballin mbështeti përfund barkut të ‘saj. Kjo ishte dëshmia e vetme që trunorët patën mbi pamjen e Njëbrirëshit mitik. I vetmi çast pas të cilit u tret në mjergullt mitologjikisht … rrugëve të një atdheu, ku vagonat e ndryshkur të tranzicionit prisnin lokomotivën që t’i lëvizë.

Mjergulluar mbështolli masën mishtore mveshur me nevralgjizëm djaloshar djaloshi. Lëshuar symbyllur mbi leshterikë, si një degëz bredhi barkfryrë, mbytur nën pushtetin e pëllëmbës së vet. Ndërsa qiellin pranë e përshkoi një zog vetmitar në kërkim të anijes së humbur, këngës së humbur, fëmijërisë së humbur, qyshkur nëna e tij kishte humbur. Humbshëm, qyshkur të gjithë e thërrisnin Bir kurve!, dhe i vetmuar nëpër vagona xhamathyer të derteve heroike të heroinës, kryqëzonte papunësinë e Atit të vet, ish-makinist. Atij që i takonte të shtynte vagonët, dhe jo ta ndëshkonte si përherë.

Me sy të skuqur u drejtua drejt lartësisë olimpike të kodrës prej së cilës ai fllad (ri)lindje vinte mbi ballin e tij të shënjuar me rrip. Prej aty ku ish-mbreti kishte ndërtuar vilën e tij, dukej i gjithë qyteti, me portin ku anijet niseshin nëpër botë, me stacionin e vagonave të braktisur, me bulevardin e mbrëmjeve verore, ku bukuroshet e Durrësit shëtisnin sikur t’i ishin vjedhur mozaikëve, sikur të kishin shpëtuar fsheurazi nga rrethinat e amfiteatrit të jetëve antike, sikurse ai sot, që vjedhurazi kishte mundur të arratisej, prej mureve të shkollës së riedukimit.

Marrë nga vëllimi me tregime “Thembra e kujtesës”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency