Finalja Dortmund-Bajern, pritet një ndeshje e barabartë

0
121

 

dortmundbajernPresioni pritet të jetë faktori kyç që do të luajnë Gëtce me shokë ndaj Bajernit, i cili tregon “frikë” në hapin e fundit drejt trofeut më të rëndësishëm për klube.

 

Pas 11 ditësh Bajerni dhe Dortmundi do të matin forcën në finale e Uefa Champions League. Një ndeshje, e cila pritet të dhurojë emocione të veçantë për futbollin gjerman. Të dyja skuadrat vijnë pas një sezoni pozitiv, ku Bajerni ka fituar kampionatin dhe pret të fitojë dhe Kupën, ndërkohë që Dortmundi i ka përqendruar të gjitha forcat në Champions. Bajerni i këtij sezoni ka arritur të thyejë hegjemoninë 2-vjeçare të skuadrës së Klopit në futbollin gjerman dhe pret ta bëjë këtë gjë edhe në finale e 25 majit. Po eksperienca e viteve të fundit tregon se finalja është një ndeshje tjetër dhe Bajerni ka humbur dy finale vitet e fundit. Presioni për skuadrën e Hejnkesit do të jetë i madh pas asaj finaleje dramatike në fushën e tyre një vit më parë. Dortmundi nga ana tjetër vjen në këtë finale pa asnjë presion dhe sido që të dalë, përsëri do të jetë i kënaqur me rezultatin. Presioni pritet të jetë faktori kyç që do të luajnë Gëtce me shokë ndaj Bajnerit i cili tregon “frikë” në hapin e fundit drejt trofeut më të rëndësishëm për klube.

Klop

Jurgen Klop pret një finale Champions-i të barabartë mes Borusia Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut më 25 maj në “Wembley”. Trajneri i verdhezinjve është i bindur se të dyja skuadrat janë në të njëjtin nivel, edhe pse bavarezët kanë një diferencë prej 22 pikësh nga Borusia në Bundesligë. “E dimë shumë mirë se sa të fortë janë. Shkatërruan Juven 4-0 dhe Barcelonën 7-0, por nuk mund ta përsërisin këtë gjë me ne. Është e pamundur”, – theksoi Klopp për revistën “Kicker”. Tekniku i momentit në futbollin evropian deklaroi se “Borusia kërkon të fitojë Ligën e Kampioneve për faktin e thjeshtë që është një trofe i rëndësishëm dhe jo për t’i prishur sezonin Bajernit. Nuk kemi nevojë për motivacione negative”.
Klopi garantoi gjithashtu se në finalen e madhe nuk do të shihen skena të ngjashme me ato të sfidës së fundit mes tyre në kampionatin gjerman, ku pati një debat të ashpër me drejtorin sportiv të Bajernit, Matias Samer. “Pas finales duhet të flitet vetëm për futboll dhe jo për marrëdhënien time me Samerin”, – nënvizoi Klopi.

Parashikimet

Janë të shumta parashikimet që bëhen për finale gjermane, por shumica prej tyre shkojnë në favor të “bavarezëve”. Duke filluar që nga ikonat e sportit deri ta parashikuesit e basteve, të gjithë thonë se trofe shkon në Mynih.

 

 

Ibra: Nuk largohem nga PSG-ja

Zllatan Ibrahimoviçi e ka bërë të qartë se ai synon të qëndrojë te Paris Sen-Zhërmeni edhe sezonin e ardhshëm dhe të ndihmojë kampionin e ri të Francës të fitojë më shumë trofe. “Jam shumë i lumtur. Sezoni im debutues te PSG ka qenë i përkryer. Nuk mund të kërkoj më shumë. Do të jap maksimumin për të mbrojtur titullin e Ligue 1 sezonin e ardhshëm. Ende kam dy vite në kontratën time. Jam një profesionist dhe do ta respektoj kontratën time”, – ka thënë Ibra për “L’Equipe”.

 

Pelegrini: Nuk kam nënshkruar me Sitin

Trajneri i Malagës, Manuel Pelegrini, ka hedhur poshtë njoftimet se ai ka arritur marrëveshje me Mançester Sitin për postin e trajnerit. Strategu kilian thuhet se do ta zërë vendin e Roberto Mançinit, i cili pritet të shkarkohet nga detyra, por 59-vjeçari ka mohuar të ketë arritur marrëveshje. “E mohoj kategorikisht se unë jam trajneri i ri i Mançester Sitit, asgjë nuk është nënshkruar dhe asnjë marrëveshje nuk është arritur”. “Jam me fat dhe shumë krenar që çdo vit klubet e mëdha interesohen për mua. Unë kam marrëveshje me Malagën që të mos flas me askënd dhe nuk kam arritur asnjë marrëveshje me ndonjë skuadër tjetër. Shpresoj që e ardhmja e këtij klubi të bëhet më e qartë në ditët në vijim”, – është shprehur Pelegrini.

 

Varane operon gjurin

Mbrojtësi i Real Madridit, Rafael Varane, i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike për operimin e gjurit – thuhet në një komunikatë të lëshuar nga klubi. Francezi pësoi një lëndim në barazimin ndaj Espaniolit dhe do të mungojë në ndeshjet e fundit të këtij sezoni. Operacioni ka rezultuar i suksesshëm, por futbollisti vazhdon të jetë nën mbikëqyrje të mjekut.

 

Falkao do të luajë për Monakon

Monakoja ka pranuar të paguajë 60 milionë euro për shërbimet e sulmuesit të Atletiko Madridit, Radamel Falkao. Sulmuesi kolumbian pritet të kalojë te klubi i porsapromovuar në Ligue 1, ku do të përfitojë 10 milionë euro për sezon. Pronari rus, Dmitry Ribolovlev, dëshiron të ndërtojë një skuadër, e cila do ta fitojë kampionatin francez në sezonin e ri. Është pritur që Çelsi ta transferojë 27-vjeçarin, i cili konsiderohej shënjestra e parë e Hoze Murinjos pas rikthimit në “Stamfrod Bridge”. Mirëpo, agjenti i lojtarit, Horge Mendes, tashmë ka arritur marrëveshje që ai të kalojë në “Stade Louis II”.

 

Turan: Nëse fitojmë kupën, do të pres flokët

Mesfushori i Atletiko Madridit, Arda Turan, ka premtuar se do të shkojë të pres flokët, nëse skuadra e tij e mposht rivalin lokal Real Madrid, në finalen e Kupës së Mbretit. Të premten klubi i dytë nga kryeqyteti spanjoll do të përpiqet ta fitojë trofeun e “Copa del Rey” për herë të parë që nga viti 1996, por për ta bërë këtë duhet t’i mposhtin mbretërit. “Nëse fitojmë në finale, do t’i pres flokët. Ndeshja do të fitohet brenda 90 apo 120 minutave. Skuadra duhet të jetë e përgatitur mendërisht dhe fizikisht. Do të jetë një sfidë e vështirë, do të duhet të vuajmë”, – ka thënë turku.

 

Alonso: Mund të fitojmë titullin

Pas fitores në Çmimin e Madh të Spanjës, Fernando Alonso u shpreh i bindur se me një Ferrari të tillë mund të luftojë për titullin kampion. Spanjolli thekson: “Rrezikuam në nisje, sepse donim të parakalonim disa makina dhe na eci. E dinim që disa nga rivalët tanë do të hynin vetëm tre herë në bokse, por ritmi që kishim na lejonte të bënim katër ndalesa. U mundova të bëja xhiro të shpejta gjatë gjithë kohës”. Alonso theksoi se makina Ferrari më në fund po arrin aty ku duhet: “E dimë që kemi një makinë të mirë dhe mund të luftojmë për titullin kampion deri në fund. Duhet të japim maksimumin. Çelësi i suksesit është të mos bëjmë gabime si në Bahrejn dhe Malajzi dhe të përmirësohemi në provat zyrtare”, – shtoi Fernando Alonso.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency