Standard.al

Çfarë parashikon projekti gjigand energjetik i Devollit

projekti devollKompania, nisi dje parapërgatitjet për ndërtimin e hidrocentralit 280 MW, me vlerë investimi 950 milionë euro

 

Ishte data 1 prill e vitit 2009, kur aksionerët e përbërë nga “Statkraft” dhe “EVN” u shpallën zyrtarisht fitues të garës për ndërtimin e hidrocentralit të Devollit. Me kalimin e kohës, projekti qëndroi pezull, aq sa legjenda e ditës së gënjeshtrave “1 prilli” po kthehej në ogurzi për investitorët e huaj.

Themelet e projektit shtrihen në hidrocentralin e Banjës, me histori mbi 25-vjeçare, me shumë premtime dhe dështime. Në muajin mars 2013, aksioneri austriak, EVN, i cili zotëronte 50 për qind të paketës së “Devolli Hydropower”, u tërhoq nga projekti me vlerë 950 milionë euro dhe në këtë pikë, dukej se “hidrocentralit gjigand” po i vinte fundi dhe se do të mbetej thjesht në letër.

Norvegjezët qetësuan situatën, duke marrë nën kontroll projektin dhe këtë javë, drejtuesit e lartë të shoqërisë “Statkraft”, në prani të krerëve më të lartë të qeverisë, prenë shiritin e nisjes së punimeve parapërgatitore për ndërtimin e hidrocentralit.

 

“Hapi I” ndërtimi i rrugëve

 

“Statkraft” ka detajuar planin e investimeve për ndërtimin e hidrocentralit me kapacitet 280 megavat. Në fillim është vendosur të ndërtohen 3.5 kilometra rrugë të nevojshme për operimin e mëtejshëm, si dhe ngritjen e një linje transmetimi 35 kilovolt me gjatësi 12 km. Të dyja këto investimeve parashikohen 3 milionë euro, të realizuara direkt nga shoqëria “Statkraft”, dhe që parashikohen të mbyllen brenda muajit shtator 2013. “Para nisjes së ndërtimit është i nevojshëm krijimi i disa faciliteteve për ndërtimin; këto përfshijnë furnizimin me energji elektrike, facilitete komunikimi dhe rrugë hyrëse”, – deklaron kompania.

E gjithë vepra pritet të mbyllet në vitin 2017, e ndarë në disa faza, nga ku do të nisë më tej prodhimi i energjisë elektrike.

Kjo fazë e parë punimesh përgatitore për hidrocentralin e parë në kaskadën e Devollit, do të nisë në fshatin Banjë, Komuna e Gostimës, në Elbasan. Drejtues të kompanisë thonë se paralelisht me realizimin e këtyre investimeve të para, do të kryhen të tjera ndërtime rrugësh.

Duke u ndalur te projektet paraprake, kompania thotë se do të ndërtojë bypass-in në Digën e Banjës i rrugës nacionale ekzistuese Gramsh – Cërrik. Ky segment është një rrugë e re; funksioni i saj do të jetë devijimi i trafikut publik dhe atij të ndërtimit në pjesën veriore të zonës së ndërtimit të HEC Banjë nga rruga nacionale Gramsh – Cërrik.

Segmenti përbëhet nga një rrugë e përhershme 1.2 dhe një rrugë e përkohshme 0.4 kilometra.

Parashikohet edhe përmirësimi i rrugës ekzistuese Shtepanjë – Banjë. Rruga ekzistuese e ndërtuar gjatë aktiviteteve të ndërtimit në vitet 1980 do të përmirësohet në shumicën e aksit fillestar dhe ura ekzistuese mbi Devoll do të rikonstruktohet. Rruga do të fillojë në fshatin e Shtepanjës dhe do të vijojë deri në vendndodhjen e hidrocentralit të ardhshëm të Banjës. Gjatësia e këtij segmenti do të jetë 1.8 kilometra.

 

Liqeni, sa 2000 fusha futbolli

 

Drejtues të kompanisë “Statkraft” japin detajet paraprake të projektit. Sipas tyre, liqeni që do të krijohet, do të ketë një sipërfaqe prej afërsisht 14 km², zonë kjo e krahasueshme me 2000 fusha futbolli. Rezervuari do të shtrihet nga Banja deri në afërsi të qytetit të Gramshit (sikurse paraqitet në hartë).

Diga ekzistuese e Banjës është nisur në mesin e viteve 1980, si pjesë e Projektit Hidroenergjetik të Banjës. Në fillim të viteve 1990, ndërtimi i projektit u ndal dhe strukturat e projektit (diga e përkohshme, tuneli i prurjes, galeria e inspektimit, kulla e kontrollit të tunelit të shkarkimit të poshtëm, tuneli i shkarkimit të poshtëm) nuk u përfunduan.

Për të rritur sigurinë në strukturat e Digës së Banjës, “Devoll Hydropower”, së bashku me ndërmarrjen e ndërtimit HEC Banjë kanë kryer në digën e Banjës në vitin 2010 punimet që vijojnë në disa fronte, si gërmime në pjesën para tunelit ekzistues të prurjes, instalimin e mekanizmit kontrollues të portës së tunelit të shkarkimit të poshtëm, inspektimin e tunelit shkarkues të poshtëm dhe instalimin e pajisjeve mbrojtëse bllokuese të tunelit të shkarkimit të poshtëm.

Hapi i parë në sekuencën e zhvillimit të Projektit Hidroenergjetik të Devollit do të hidhet në Hidrocentralin e Banjës. Struktura ekzistuese e digës së përkohshme do të integrohet në projektin e ri dhe do të ngrihet në lartësinë 180 metra mbi nivelin e detit, rreth 20 metra më lart se lartësia maksimale e digës ekzistuese. Diga do të ndërtohet si një digë argjinature me një bërthamë të papërshkueshme argjile.

HEC-i i Banjës do të shfrytëzojë rënien ndërmjet 175 dhe 95 metra mbi nivelin e detit. Centrali do të përdorë dy njësi turbinash të tipit Francis.

 

Prodhimi i energjisë, në 2017-ën

 

Sipas grafikut të punimeve, “Statkraft” parashikon të nisë prodhimin e energjisë elektrike në vitin 2017-ën, gjithnjë në rast se planet ecin sipas programit. Pikërisht mbi këto plane është përllogaritur edhe vlera e investimit, rreth 950 milionë euro, por nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit të vlerave, pasi po flasim për një periudhë 4-vjeçare.

“Devoll Hydropower” sh.a. (DHP) është një kompani shqiptare e krijuar nga kompania austriake EVN AG dhe kompania norvegjeze “Statkraft” AS. Më 19 mars 2013, EVN AG i ka shitur “Statkraft” AS pjesën e saj të aksioneve. “Statkraft” zotëron 100 për qind të aksioneve në Projektin Hidroenergjetik të Devollit. Ky transferim hyn në fuqi në prill 2013. Largimi i EVN kaloi qetësisht për norvegjezët, pasi e prisnin një vendim të tillë. Vetë austriakët e EVN janë të pranishëm në projektin e Hidrocentralit të Ashtës, i cili ka nisur prodhimin në muajin mars. Prania paralel në dy projekte të mëdha dhe kushtet e krizës financiare detyroi kompaninë austriake të tërhiqej nga HEC-i i Devollit.

Gjithnjë sipas grafikëve, ndërtimi i hidrocentraleve do të nisë në 2014- dhe parashikohet të zgjasë të paktën dy vjet.

 

 

 

Tatimet arrijnë rezultate pozitive për 4-mujorin

Zbatimi i Strategjisë së Përmbushjes dhe mënyra e re e Planifikimit Operacional për vitin 2013 ka sjellë rezultate pozitive në mënyrë rritëse në plotësimin e objektivave të administratës tatimore: rritje të nivelit të vetëdeklarimit të tatimpaguesve, ngritjen e nivelit të shërbimeve për tatimpaguesit, maksimizimin e mbledhjes së tatimeve dhe detyrimeve të tjera tatimore të tatimpaguesve për të plotësuar objektivat e vendosur nga qeveria shqiptare. Gjatë periudhës janar – prill 2013, administrata tatimorë ka treguar një performancë të lartë të punës së saj duke realizuar planin e saj të mbledhjes së të ardhurave në masën 102.18%, ose 1.11 miliardë lekë më tepër. Krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar realizimi është 1.48 miliardë lekë më shumë ose 2.92% më shumë. Duke përmendur tatimet më kryesore shifrat tregojnë se të ardhurat e realizuara nga TVSH-ja janë 8.41% më shumë se plani ose mbi 800 milionë lekë më tepër. Krahasuar me periudhën janar – prill 2012 këto shifra janë 2.71% më të larta ose mbi 270 milionë lekë më tepër. Po kështu, të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin janë realizuar në masën 112.24%, 704 milionë lekë më shumë se plani i vendosur nga qeveria shqiptare. Krahasuar me 4-mujorin e parë të 2012-ës, këto shifra janë 106 milionë lekë më tepër ose 1.7% më tepër. Për periudhën janar – prill 2013, tatimi mbi të ardhurat personale tregon 236 milionë lekë më shumë ose 2.52% më shumë se plani, ndërsa krahasuar me 4-mujorin 2012, shifrat janë 8% më shumë ose 713 milionë lekë më shumë.

Mbledhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për 4-mujorin është rritur më 460 milionë lekë më tepër ose 2.5% më tepër krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2012. Në zbatim të ligjit dhe në përputhje të programit të qeverisë shqiptare, administrata tatimorë vazhdon punën e saj në mënyrë rigoroze dhe të vendosur.

Si një administratë moderne, e orientuar në shërbim të tatimpaguesve, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe inkurajimin e tyre për përmbushjen vullnetare të detyrimeve tatimorë, ajo do të vazhdojë përpjekjet e saj për rritjen e profesionalizmit dhe nivelit të shërbimit për tatimpaguesit, për rritjen e nivelit të të ardhurave të vetëdeklaruara dhe të paguara si dhe do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë luftën kundër informalitetit dhe evazionit tatimor.

 

Berisha: Shqipëria, vend lider në rajon për prodhimin e energjisë ujore

Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës, në Gramsh. Duke përshëndetur këtë projekt, ka vlerësuar investimin duke theksuar se shumë shpejt Shqipëria do të jetë vend lider në rajon për prodhimin e energjisë ujore. “Kaskada e Devollit, e tërë trajektorja e saj, do të njohë zhvillime që i ka pritur në dekada dhe shekuj. Vepra që ndërtohet e shndërron Shqipërinë nga importues i energjisë elektrike në një vend eksportues të energjisë elektrike”, – përmendi Berisha gjatë fjalës së tij. Po kështu Kryeministri tha se ky projekt pritet të punësojë 5 mijë qytetarë. “Vepra që ndërtohet, për disa vite do të jetë ndër gjeneratorët më kryesorë të punësimit të qytetarëve të Gramshit, të Elbasanit. Direkt edhe indirekt në funksion të kësaj vepre do të punësohen jo MW pak se 5 mijë qytetarë shqiptarë”, – iu drejtua kreu i ekzekutivit të pranishmëve.

 

 

 

Comments are closed.