Abuzoi seksualisht me 13-vjeçaren, “arrest me burg” vëllait të kryeplakut

0
163

Sonja Caka

abuzimGjykata e Korçës la në burg 33-vjeçarin Emiljan Dine, u denoncua nga prindërit e vajzës

 

Mashtroi një të mitur 13-vjeçare, duke abuzuar me të seksualisht në një banesë me qira në qytetin e Korçës, dhe për këtë u la në burg nga Gjykata e Korçës. Emiljan Dine, vëllai binjak i kryeplakut 33-vjeçar të fshatit Dërsnik të Korçës akuzohet për abuzim seksual me një të mitur, vetëm 13 vjeçe, ndërsa është denoncuar në polici nga prindërit e vajzës nga fshati Libonik i Korçës. Para gjykatës, prokurori ka renditur ngjarjen, dëshminë e vajzës dhe denoncimin e prindërve të saj, si dhe skemën e mashtrimit të përdorur nga 33-vjeçari Dine, i njohur për precedentë të mëparshëm penalë, i cili rezulton edhe të jetë i martuar dhe babai i një fëmije. Përmes avokatit, 33-vjeçari është përpjekur të mbrohet, ndërsa në përfundim të seancës, gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për Emiljan Dinen, i akuzuar për veprat penale “abuzim seksual me të mitur”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta”, si dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të lëndëve narkotike”.

Akuza

Sipas akuzës, mësohet se 33-vjeçari, i martuar dhe baba i një fëmije të mitur, kishte marrë 13-vjeçaren me inicialet K.A. në një banesë me qira në qytetin e Korçës, ku e kishte mbajtur përgjatë gjithë natës dhe kishte kryer me të marrëdhënie seksuale. Sipas policisë lokale, vajza ishte kthyer në shtëpi tek prindërit në orët e para të mëngjesit, duke u përpjekur të fshehë të vërtetën. Nën presionin e prindërve, e mitura u ka treguar atyre se kishte qenë me të dashurin e saj, por u ka mbajtur sekret një pjesë të së vërtetës. Një situatë e tillë ka shqetësuar familjarët, të cilët kanë filluar menjëherë të interesohen për të mësuar më tepër rreth të dashurit të vajzës së tyre. Ata kanë mësuar se 33-vjeçari Emiljan Dine ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Gjithashtu, ata kanë mësuar se vajza e tyre kishte kaluar natën në shtëpinë e marrë me qira prej tij në qytetin juglindor. Më pas prindërit e 13-vjeçares kanë bërë denoncim në Komisariatin e Policisë së Korçës, me pretendimin se 33-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tyre, e cila është në moshë të mitur. Policia menjëherë pas denoncimit ka mundur të arrestojë 33-vjeçarin Emiljan Dine, vëllai binjak i kryeplakut të fshatit Dersnik, Iljaz Dine. Gjatë kontrollit në banesën e Dines policia gjeti drogë dhe armë.

Kontrolli

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Emiljano Dines, në lagjen nr. 10, u gjetën dhe sekuestruan si prova, 60 fishekë, një silenciator, armë zjarri, një krehër pistolete, 2 thika, 6 pasqyra automjeti që dyshohen të vjedhura. Kurse në lokalin në lagjen nr. 9, që e kishte në bashkëpronësi me një shok, iu gjetën 15,4 gramë lëndë e dyshuar si kanabis sativa. Në pranga u vu edhe bashkëpronari i lokalit, Shkëlzen Alibashi, 28 vjeç, banues në fshatin Vinçan, për akuzën e prodhimit e mbajtjes së lëndëve narkotike.

 

 

Korçë

Pranga tutorit, shfrytëzoi si prostitutë një 20-vjeçare

Policia e Korçës ka ënë në pranga 22-vjeçarin Aurel Dervishi, pasi akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë një 20-vjeçare. Burime zyrtare të policisë së Korçës bënë me dije se dy ditë më parë, në orët e pasdites, kanë vënë në pranga një të ri nga lagja nr.8 në këtë qytet, pasi kishin informacione se shfrytëzonte një vajzë si prostitutë. Po sipas të njëjtave burime, policia kishte disa muaj që po hetonte, ndërsa vetëm dy ditë më parë finalizoi operacionin për kapjen e 22-vjeçarit. Nga të dhënat hetimore rezulton se që prej muajit tetor të vitit të kaluar, i riu ka ndërmjetësuar për t’i gjetur klientë 20-vjeçares, e cila ushtronte prostitucion kundrejt fitimit, para që i dorëzoheshin tutorit të saj në një masë 50%. Sipas të njëjtave burime, i riu i gjente klientë vajzës me iniciale P.K, banuese në lagjen nr.5 të qytetit të Korçës, e cila pasi ushtronte prostitucion, paratë e fituara i ndante me Dervishin.  Policia e Korçës bën me dije se në bazë të hetimeve të kryera, rezulton se Aurel Dervishi kishte të paktën 6 muaj që ishte kthyer në tutorin e 20-vjeçares. Pas arrestimit, materialet hetimore ndaj 24-vjeçarit i kanë kaluar organit të akuzës, për veprën penale “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, e kryer në bashkëpunim.

 

Tiranë

Përplasen 3 automjete në zonë e Kasharit, plagosen 3 persona

Një aksident i trefishtë ka ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Kasharit, ku 3 automjete janë përplasur mes tyre. Për pasojë, mësohet se 3 persona janë plagosur, por që fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se 3 automjetet janë përplasur me njëri-tjetrin, ndërsa njëra prej tyre ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke plagosur edhe dy persona. Të plagosurit janë dërguar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, ndërkohë mësohet se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihen shkaqet e aksidentit, ndërkohë policia po punon për zbardhjen e tyre. Aksidenti rrugor ka shkaktuar edhe bllokimin e rrugës në këtë aks, ndërkohë që blutë kanë marrë masa për zhbllokimin e qarkullimit brenda një kohe të shkurtër. Nga të dhënat e policisë mësohet se aksidenti është shënuar rreth orës 15:53 minuta të mesditës së djeshme, ndërsa policia dyshon se shkak për humbjen e kontrollit mund të ketë qenë edhe lagështia në rrugë.

 

Greqi

Vrau dy të moshuarit, policia arreston shqiptarin e arratisur nga burgu

Një i dënuar shqiptar, i arratisur 3 muaj më parë nga njëri prej burgjeve greke është vënë në pranga nga policia për vrasje të dyfishtë të një çifti të moshuarish grekë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur fshatin Ktizmata, në zonën e Pogonit në Janinë, një fshat në kufi me Shqipërinë. Sipas policisë greke, i arratisuri nga burgu ka hyrë në banesën e të moshuarave, një çift 72 dhe 73- vjeçarësh, në orët e vona të së shtunës. Qëllimi i tij ishte vjedhja, ndërsa më pas gjithçka ka degjeneruar në vrasjen me mjete të forta të dy të moshuarve. Sipas ekspertit mjeko-ligjor, pleqtë kanë marrë goditje të forta në kokë, çka u ka shkaktuar atyre vdekjen. Po sipas policisë, shqiptari ka hyrën në banesën e tyre pasi ka gjetur të hapur derën e hyrjes. Pasi ka vrarë dy pleqtë, ai u ka marrë atyre makinën, një kamionçinë fshati, ndërsa më pas ka kërcënuar me një granatë edhe disa persona në një lokal të fshatit. Më pas, policia është vënë në ndjekje të autorit të vrasjes së dyfishtë, duke e prangosur atë ndërsa udhëtonte me kamionçinën nga Janina për në Athinë. Burime policore bëjnë me dije se autori i krimit është një shtetas shqiptar, i cili është arratisur nga burgu i Nafplios 3 muaj më parë, ku vuante dënimin për vjedhje. 30-vjeçari, sipas policisë, në momentin e arrestimit ndodhej nën efektin e drogës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency