Standard.al

Mallkimi i Nanos: “Mbetsh në opozitë!”

 

nanoLëvizja e lirë urbane e pasviteve ‘90 është një fenomen, që kohët e fundit po përfshin edhe politikën. Më saktë, po hasim fenomenin “lëvizja e lirë e politikës”. Kjo tendencë ka nisur me “lëvizjen e lirë ideologjike”. Mbasi u temperuam me këtë fenomen (temperim është fenomeni i kalitjes së çelikut, nëpërmjet ngrohjes dhe ftohjes), që do të na skandalizonte përpara 20 vitesh, po hasim diçka të re, “lëvizjen e lirë e deputetëve”. Kalimin e disa deputetëve në krahun kundërshtar disa po e cilësojnë si anë negative. Dikush e shikon të keqen te goditja antipartitizëm (paçka se është një fenomen global që ka filluar me Occupy Wall Street e deri tek Grillizmi). Një tjetër e konsideron këtë “lëvizje të lirë” pjesë të pazareve ekonomike apo qoftë edhe politike. Por, ka edhe që akuzojnë se disa deputetë po infiltrohen në Parlament, që t’i shpëtojnë ndëshkimit ligjor. Ky e fundit, me sa duket, është një fenomen global. Në rrjetin social Facebook po qarkullon një humor i zi. “Një djalë i vogël i shpreh dëshirën babait: “Po shikoj në të ardhmen, për një karrierë në një organizatë kriminale. Babai e pyet: – shtetërore apo private? – duke vazhduar, – Të sugjeroj government (qeverinë), se nuk futesh kurrë në burg”. Pas daljes së listave të deputetëve, pati reagime, deri të tipit “kriminalizim i listave” etj., etj.

Kalimit të “figurave politike” në listën kundërshtare unë do t’i evidentoj një anë pozitive, ngritjen e “fenomenit individ”. Këta persona, nga dikush linçohen, sepse janë individë. Por, pikërisht nga individualiteti apo personaliteti i tyre përfiton kundërshtari politik, i cili së pari, shfrytëzon këtë cilësi, që në politikë gjithsesi vlen dhe së dyti, e lufton kundërshtarin me armët e veta. Megjithatë, për t’u luftuar, për të përfituar apo për t’u përftuar, ata mbeten individë të fortë, që jo detyrimisht liderët mund t’i largojnë, me një të rënë lapsi. Ikja e disa “individëve” nga FRD, AKZ, PS tregon pikërisht këtë.

Zakonisht, të paktën në politikën shqiptare, është pozita që përçahet nga pakënaqësitë e pazareve dhe është opozita që bashkohet, kur ndien erën e presë së pushtetit. Është hera e parë që ndodh e kundërta, ku me gjithë përpjekjet për “t’u dukur” opozitë e bashkuar, përsëri, deri në këto çaste, kemi një perceptim konfliktesh të brendshme dhe të një opozite të përçarë.

“Përçarje”, “largime”, “përzënie” ishin etiketimet që i viheshin kreut të djathtë, deri para 15 viteve. Ato gabime nuk i bën më Berisha. Ai sot konsiderohet i pjekur politikisht, si dhe tepër finok e zhongler në lojën politike, ku të gjithë, me sa duket, dalin pak a shumë të kënaqur, për sa kohë nuk largohen demonstrativisht. Kjo është një skenë, që e kemi parë në PD jo pak herë, por jo sot. Këtë skenë po e shikojmë në PS. Të jetë vallë çështje papjekurie politike e kreut të majtë?

Edhe frikën ndaj “individëve të fortë” po e manifeston përsëri lideri i majtë. Këta individë Rama nuk ka fuqi t’i përzërë nga politika. Por, kjo lojë profane politike ka dhënë edhe rezultatet e saj pozitive. Erisa Spiropali deklaron në FB se askush nuk e largon atë nga politika. Kjo e ul forcën e “Unit” partiak. Veprimet konkurruese të Arben Malajt, Dritan Priftit, që arrijnë të dalin të pavarur, ia ulin përsëri fuqinë e “Unit” partiak. Kastriot Islami, i vlerësuar edhe nga kundërshtari për kapacitetin e tij, ul forcën e “Unit” partiak. Në FB lexon: “Ka 70 parti, përse të ketë një Parlament”. Të gjitha këto ulin fuqinë e Unit” partiak. Njëkohësisht, këto qëndrime, qoftë edhe facebook-iste, kanë tendenca të forta për ndryshimin e sistemit. Liria e mendimit online detyrimisht do të imponojë shumë shpejt dhe një liri veprimi, ku modelet e reja do të jenë pafund, ashtu siç janë friends-at në FB.

Analistët vënë në diskutim, nëse kalimet, sa majtas-djathtas, penalizojnë një palë apo janë përfituese nga pala tjetër. Deri më tash, të gjitha kalimet kanë rezultuar disavantazh politik i kreut të majtë. Përfitimin më të madh nga kjo lëvizje e përthith Fatos Nano, i cili e njeh në mënyrë brilante politikën e shantazhit. Veprimet e fundit, në mbrojtje të hapur të Arben Malajt, tingëllojnë shantazh i pastër i Nanos: “Do të të lë në opozitë”.

Ndërkohë, një gjë është e sigurt, që këto kalime, sa majtas-djathtas të deputetëve do të krijojnë një Parlament tejet të brishtë. Për një rastësi, për një menaxhim të mirë të kreut të djathtë, fakti është që vendi nuk u fut në krizë parlamentare dhe qeveritare. Ai i dirigjoi të gjitha grupimet aleate dhe kundërshtare në mënyrë të përkryer, duke u shpëtuar gjithmonë goditjeve, shpesh tejet të rrezikshme. Fakti është që qeveria dhe Parlamenti nuk ranë. Kryeqeveritarit të ardhshëm i duhet një talent i jashtëzakonshëm menaxhimi dhe ekuilibrimi, pasi Parlamenti, në të kundërt, mund të futet shumë shpejt në krizë me fenomenin e “lëvizjes së lirë të deputetëve”.

Por, situata po bëhet gjithmonë e më delikate për “Unin” partiak të majtë, me lëvizjet e fundit të “deputetëve të fortë” dhe me ridaljen në skenë të Fatos Nanos për të mbështetur linjën e tij. Rama nuk po e krijon dot perceptimin e unitetit, mes vetes kryesisht, por edhe mes aleatëve. Ky është edhe thelbi historik i ideologjisë majtiste, uniteti partiak. Rama nuk po e arrin dot këtë perceptim, qoftë edhe fiktivisht apo të jetë iluziv në këtë unitet.

Përçarjen, zakonisht, e reflekton partia në pushtet. Në fakt, reagime ekstremiste apo përçarje po reflekton opozita, e cila është nën rrezikun e luftërave të brendshme. Kjo e bën Ramën një figurë ende shumë të brishtë, brenda partisë, me gjithë pompozitetin e jashtëm. Pikërisht, në momentet kur Rama po perceptohej nga publiku si “i fortë”, rezulton të jetë më i dobët se kurrë.

Në qoftë se Rama u tregua më hileqar me aleatët dhe njëkohësisht me vetë bashkëpunëtorët e tij, duke paraqitur deri në fund sindromën e mosbashkëpunimit, Berisha tregohet më luajal me aleatët, duke i futur ata në lista, por ndonjëherë edhe në kurriz të elektoratit të djathtë. Shumë mbështetës e kanë kritikuar për këtë, që në fillesë të bashkëpunimit me LSI-në, kur ajo i rrëmbeu gati gjysmën e pushtetit. Por, kjo është tendencë e kohës dhe imponim i saj. Dikush e quan rrëmbim të pushtetit apo përgjysmim të tij, por dikush tjetër mund t’i vërë një emër më pozitiv, duke e cilësuar “kolegjialitet”, brenda një force apo dhe aleance. Pa këtë kolegjialitet të dëshiruar apo të imponuar, politikës, por sidomos Parlamentit dhe qeverisë, do t’i duhej të futej në kriza të vazhdueshme.

Ndërkohë, po tentohet maksimalizimi i fitores, nëpërmjet cilësisë së listave, dhe më pas tek përqindja e marrë e elektoratit që voton pro, apo kundër. Caktimi i kandidatëve dhe pritja mediatike e emrave të deputetëve, u shndërrua gati-gati në spektakël mediatik, që nuk e kishim parë deri më sot. Është hera e parë, që asistojmë në një bujë mediatike, në natën e dorëzimit të listave në KQZ. Është hera e parë, që partitë mendohen, kaq gjatë për caktimin e emrave. Nëse emrat do të jenë kaq seriozë dhe nuk do të jenë “kukullat”, që jemi mësuar t’i shikojmë në Parlament, kjo do të mbetet për t’u parë.

Minimalisht, e mira e këtyre “deputetëve të fortë” është që të paktën i japin ngjyrim Parlamentit shqiptar, i cili flet “en block” (në një zë). Partitë po detyrohen të analizojnë mirë “individin”, që do të përfaqësojë në Parlament. Megjithatë, mbetet për t’u analizuar ende nëse po shihen me lupë për interesa partiake apo po shkohet drejt një individi, që do të paraqesë një fije dinjiteti dhe integriteti moral e profesional.

Të shpresojmë që lista, mjaft e re në sasi, do të rezultojë edhe cilësore për të shmangur fenomenin e gjykimit dhe diskutimit “en block” në Parlament apo fenomenin e dy unimendimeve. Në Parlamentin shqiptar, kemi dëgjuar shumë shpesh një unimendim të kuq dhe një unimendim blu, por që shndërrohej për publikun, që e ndiqte, në një ngjyrim bardhezi. Aty kemi ndjekur, deri tash, një gjyq, ku detyrimisht njëri është gjykatës dhe tjetri i pandehur, kur herë pas here, ndërrohen rolet.

Dikush i konsideron “lista të shkëlqyera”, dikush “lista paniku”. Unë do t’i konsideroja “listat e frikës”, me një të mirë që po i detyron palët të jenë shumë më të përgjegjshme me emrat për deputetë, që i ofrojnë publikut, me tendencën drejt forcimit të individit apo përgjegjshmëri e vëmendje më të madhe, drejt përcaktimit të emrave.

Rrallëherë, në Parlamentin shqiptar, është dëgjuar i zbehtë ndonjë gjykim individual apo personal. Këta zëra personalë tentojnë drejt forcës së individit, që në një të ardhme, jo shumë të largët, drejt deputetëve të pavarur. Ata sot po tentojnë zbehtë, duke mos pasur sigurinë e fitores. Këta janë zëra të rrallë, por shumë të rëndësishëm midis zërave “en block” parlamentarë.

Ta shohim këtë fenomen edhe si një prodhim të sistemit, që po i detyron partitë të tregohen më të përgjegjshme në këto zgjedhje për të mos parë më në Parlament, 70% të figurave parlamentare, inekzistente apo megafonë partiakë. Të shpresojmë që të paktën të jenë më përfaqësues, në zonat e tyre, sepse që të jenë zëra “personalitet” në parlament, do të duhet shumë kohë.

Me sa duket, edhe kriza ekonomike luan rolin e saj, duke margjinalizuar ideologjinë ose duke e konsideruar luks të tepërt. Sot, ideologjizmi ka mbetur luks i ekonomive të sigurta apo të lulëzuara. Në kohë krizash, ajo spostohet, ndaj detyrimisht duhet të bashkosh forcat, për ta përballuar.

Comments are closed.