Standard.al

Kryeministri përuron HEC-e dhe rrugë në Kukës Berisha: Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon

Ina Jano

berisha ...Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon ku të gjejë një gropë”

“Vendimi ynë është që çdo rrugë që bashkon Shqipërinë me Kosovën të ndërtohet në standardet më të mira”


Kukësi ishte ndalesa e radhës e Kryeministrit Berisha në turin e përurimeve që është duke zhvilluar në çdo cep të Shqipërisë. Lideri demokrat, gjatë përurimit të HEC-it të Kukësit dhe një rruge që bashkon komunat e këtij qarku, u shpreh se synimi i qeverisë për mandatin e ardhshëm është shndërrimi i Shqipërisë në një superfuqi energjetike në rajon. Kreu i ekzekutivit, në vijim të fushatës elektorale, megjithëse ajo ende nuk ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë, sulmoi edhe shefin e selisë rozë, duke u shprehur se ai e vulosi dhe damkosi veten si bllokues të ëndrrës evropiane të shqiptarëve. “Pra nisma jonë – Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga ujërat – po lëshon shtat dhe po rritet çdo ditë e më shumë. Ne, pak muaj më parë, inauguruam hidrocentralin e Lapajt, edhe ai me fuqi 15 MW, por kompania që ndërtonte na informoi se në shpatet e maleve po ndërtoheshin edhe 5 të tjerë. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo burim, edhe i vogël qoftë ai, të prodhojë energji elektrike”, – deklaroi Kryeministri. Ndërsa për kryesocialistin Rama u shpreh: “Duke bllokuar tri ligjet, zoti Rama shkelmoi ëndrrën e çdo të riu shqiptar, të cilët me statusin e kandidatit do të kishin të drejtë të aplikonin në universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të punësoheshin atje për kohën që studionin. Ai shkelmoi interesat e të gjithë emigrantëve shqiptarë, të cilët me marrjen e statusit fitonin në vetvete në këto vende një status të ri, fitonin njohjen e viteve të pensionit. Me bllokimin e tri ligjeve, zoti Rama mori për vete vulën e bllokuesit, por Shqipërinë e privoi nga një pasaportë e shkëlqyer, pasaporta e vendit me status për vend anëtar në Bashkimin Evropian”. Zoti Berisha nuk la pa përdorur edhe ironinë, pasi nënvizoi se Rama udhëton me autobus luksoz në rrugët që PD-ja ka shtruar dhe ndërkohë kërkon se mos gjen ndonjë gropë. Ai, gjithashtu, duke iu referuar alternativës së majtë, tha se ajo është vetëm bllokim, mohim dhe mosnjohje e realitetit, ndërsa shtoi gjithashtu se tentativat e saj për të kërcënuar investitorët do të dështojnë dhe po ashtu praktikat për të krijuar në Kryeministri një zyrë speciale janë vetëm ëndrra që nuk do t’i realizohen kurrë.

Veprat

Kryeministri Berisha përuron dy hidrocentrale mbi lumin Luma, në Grykë të Vanave. Hidrocentrali është një investim me vlerë 32 milionë euro dhe me kapacitet 10 MW. Në kaskadën e lumit Luma po ndërtohen gjithsej 10 hidrocentrale, të cilat prodhojnë energji aq sa prodhon hidrocentrali i Ashtës, rreth 50 MW. Objektivat për periudhën 2013-2017 në sektorin e energjisë janë që brenda vitit 2013 pritet të hyjnë në prodhim 45 hidrocentrale me fuqi rreth 165 MW, me një investim total 215 milionë euro; gjatë vitit 2013 do të nënshkruhen rreth 20 kontrata të reja koncesioni, me kapacitet 428 MW dhe vlerë investimi 72,3 miliardë lekë; gjatë vitit 2013 do të hapen dhe procedurat konkurruese për projektet madhore energjetike, të “Vjosës” dhe “Skavicës”; janë gati të nisin realizimin e investimit rreth 7 projekte madhore në fushën e energjive të rinovueshme për parqe eolike dhe fotovoltaike, me një fuqi prodhuese prej rreth 200 MW, si dhe me një vlerë investimi rreth 350 milionë euro. Rruga e përuruar është një investim me vlerë 1.2 miliardë lekë, dhe u lehtëson lëvizjen 15 000 banorëve në komunat Zapod, Topojan dhe Shishtavec. Gjithashtu, kjo është lidhja e vetme për 19 fshatrat e këtyre komunave me rrugën nacionale, me qytetin e Kukësit, si edhe me rrugën e kombit për t’u lidhur më tej me Kosovën. Së shpejti do të tenderohet edhe loti III i kësaj rruge, nga Ura e Zapodit – Shishtavec – Dogana e Shishtavecit. Ajo që bie në sy në këtë rrugë është fakti se qeveria është duke rindërtuar edhe rrugët që lidhin vendin tonë me Kosovën. Pikërisht në këtë pikë u ndal edhe Kryeministri i cili shprehu gatishmërinë e mazhorancës që këto rrugë të përfundohen sa më shpejt, në mënyrë që edhe lidhja mes dy shteteve të jetë më e lehtë, duke përfituar kështu në fusha të ndryshme si turizëm, ekonomi, tregtimi apo edh enë lëvizjen e njerëzve.

 

 

Vendimi

Kryeministri firmos lejen për kaskadën e Devollit

Kryeministri Sali Berisha ka bërë dje me dije se ka firmosur vendimin për ndërtimin e hidrocentraleve në kaskadën e Devollit, një investim ky prej rreth 800 milionë eurosh. Në faqen e tij zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare ka bërë publike disa detaje të rëndësishme të këtij investimi, duke e cilësuar ndër të tjera si një ëndërr të realizuar. “Të dashur miq, sot (dje) firmosa dokumentin zyrtar, lejen e ndërtimit të hidrocentraleve në kaskadën e Devollit. Ndërtimi i hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll do bëhet nga kompania publike norvegjeze “Statkraft”, që është dhe njëshi në Evropë dhe në botë për ndërtimin e hidrocentraleve. Kjo kompani do të investoje në këtë vepër mbi 800 milionë euro dhe ky është investimi i huaj më i madh që është bërë ndonjëherë në vendin tonë. Punimet për ndërtimin e kaskadës fillojnë këto ditë me hidrocentralin e Banjës. Direkt dhe indirekt në ndërtimin e kësaj vepre do të punësohen 5 – 6 mijë punëtorë, inxhinierë, teknikë dhe punonjës të fushave të tjera. Me përfundimin e këtyre hidrocentraleve, Shqipëria jo vetëm plotëson nevojat e veta për energji, por edhe do eksportojë. Një hap i madh ky drejt shndërrimit të ujerave tona, që derdhen të fjetura në dete, në vlera për qytetarët shqiptarë dhe Shqipërisë në vend lider në prodhimin e energjisë ujore në rajon. Një ëndërr tjetër bëhet realitet!”, – përfundon statusin e tij kryetari i mazhorancës.

 

 

Fushata

Selami prezantohet si kandidat për deputet në Elbasan

Kandidati i parë për qarkun e Elbasanit, ministri Imami, ka prezantuar dje Eduard Selamin, si prej anëtarëve të listës së demokratëve në këtë rreth. Ministri ndër të tjera u shpreh se Selami ka zgjedhur qytetin e tij Librazhdin për të garuar në këto zgjedhje.“Edi, zgjodhi qytetin e tij, Librazhdin dhe jam i bindur që së bashku, me Eduard Selamin në krye do të kemi një fitore të madhe të PD-së në Librazhd, e në të gjithë vendin. Pa atë fitore nuk do të mund të arrihej objektivi dhe këto zgjedhje do të ishin një fitore e padiskutueshme me Edi Selamin në 2013. Qeveria dhe Kryeministri kanë punuar, duke pasur dhe një kandidat të shkëlqyer si Selami, një djalë të qytetit dhe një personalitet të nivelit të lartë kombëtar nga ku jam i bindur se edhe socialistët do ta hedhin votën për Eduard Selamin”, – tha Imami. Ndërsa Selami në prezantimin e tij të parë tha se Librazhdi ka ndryshuar shumë dhe po ashtu një votë për demokratët do të jetë vetëm për zhvillimin e qytetit. “Për një Shqipëri që është futur në një rrugë shumë të mbarë, por është akoma në një moment të rëndësishëm për të bërë një hap akoma edhe më të madh për anëtarësimin e plotë në vendin ku meriton, në vendin ku ne e ëndërruam vite më parë në Evropën e bashkuar”, – u shpreh Selami.


Akuzat

Bregu: Rama bëri çmos që t’u mohonte shqiptarëve statusin

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi kryetarin e opozitës për bllokimin e perspektivës evropiane të shqiptarëve, duke mos votuar 3 ligjet e konsideruara si çelësi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Përmes faqes së saj zyrtare në rrjetin social Facebook, ministrja Bregu komentoi intervistën e së enjtes të kryetarit të opozitës, duke thënë se Rama nuk u dha shqiptarëve asnjë shpjegim për atë që ajo e cilëson si mohim të miliona euro investime të BE-së dhe mijëra vende pune që vijnë me integrimin. “Çdo herë që Kuvendi është mbledhur gjatë këtyre 211 ditëve, Ramës i është kërkuar të lejojë votimin e tre ligjeve, por çdo herë ai ka refuzuar. Madje, vitin e kaluar ne na u dha statusi i vendit kandidat, por Rama, me bllokimin e tij, bëri çmos t’i mohonte Shqipërisë dhe shqiptarëve këtë status. Dhe kur e pyetën mbrëmë se pse po i bllokon tre ligjet, Edi Rama nuk mundi as të trillojë një justifikim, sepse edhe alibitë e pakuptimta për sjelljen e tij shkatërruese i kanë mbaruar. E megjithatë, Edi Rama vazhdoi të mos u japë qytetarëve një shpjegim se pse u ka mohuar miliona euro investime të BE-së dhe mijëra vende pune që vijnë me integrimin. Rama refuzoi sepse nuk ka as moral dhe as ndonjë arsye domethënëse për të kundërshtuar. E gjitha ajo çka thotë Edi Rama janë justifikime të paarsyeshme, të trilluara në sallonin e tij mavi. Por tani është më se e qartë se Rama, paturpësisht vazhdon të bllokojë tre ligjet me të vetmin qëllim: që të pengojë integrimin në BE. Edi Rama ka vetëm një shqetësim dhe një qëllim të vetëm: veten e tij dhe luftën për pushtet në Partinë Socialiste. Kështu, ndërkohë që Edi Rama vazhdon bllokimin, qytetarët presin. Ndërkohë që Edi Rama vazhdon politikën shkatërruese, ëndrrat evropiane të qytetarëve mbahen peng. Ja pra cili është njeriu që kërkon të bëhet Kryeministër, që s’ka të krahasuar me Kryeministrin Berisha, që ka bërë gjithçka që procesi i integrimit të vijojë suksesshëm drejt integrimit evropian. Dhe nuk do të reshtim deri sa Shqipëria të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe deri sa qytetarët të kenë të gjithë zhvillimin dhe të mirat që vijnë bashkë me të”, – shkruan ministrja Bregu në Facebook. 

Comments are closed.