Kreditorët “e këqinj”, çfarë rrezikojnë nga ndryshimet e fundit në ligje

0
2669

Ervin Kaduku

 

kredit– Gjithshka duhet të dinë ata që kanë marrë kredi në banka apo kanë lëshuar garanci për të tretë, por janë të prapambetur me pagësën. E vetmja këshillë që mund t’u jepet, është pagesa në mënyrë vullnetare, korrekte dhe në negocim me institucionin bankar kredidhënës, në mënyrë që të mos kenë kosto shtesë, me probleme pasurore, sociale apo të karakterit të rendit publik

 

 

 

Shumë shqiptarë kanë marrë hua nga bankat pa u menduar gjatë për pasojat, vite më parë, kur Përmbarimi ka qenë një shërbim tërësisht shtetëror, me problematikën e vet të efikasitetit, që kishte një përqindje shumë të lartë mosrealizimi. Aktualisht, Përmbarimi po kalon gradualisht vetëm në duart e privatëve, në përputhje me praktikat më të mira të vendeve evropiane e perëndimore, duke ja hequr shtetit këtë barrë dhe duke rritur në mënyrë të fuqishme dhe të menjëhershme edhe efikasitetin e vjeljes së detyrimeve fianciare. Kjo ka vlerë sidomos në rastin e kredive të këqia shumëvjeçare, që kanë nisur të “goditen” fuqishëm nga përmbaruesit.

Duket qartë se shumë banorë të këtij vendi janë ndodhur përballë një të papriture, duke qenë se ishin mësuar me zvarritjen pa fund të kërkesës së bankave për të kthyer kreditë e marra. Aktualisht, porosia që mund t’u jepet kreditorëve me probleme është një dhe vetëm një: duhet patur shumë kujdes për të paguar detyrimet, duke bërë edhe negociatat e duhura me bankat kredidhënëse, se masat janë shumë të rrepta dhe atyre nuk ke praktikisht se si t’u shpëtosh.

Për më tepër, kohët e fundit janë miratuar, me kërkesë të bankave dhe të përmbaruesve privatë edhe një numër i madh ndryshimesh në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Civile që e bëjnë të pamundur shpamgien e detyrimeve me anë të procedurave gjyqësore. Sa më poshtë, mund të ofrohet një pasqyrë e plotë e masave ligjore të marra, që sugjerojmë me forcë të lexohet e të mbahet parasysh nga kredimarrësit e garantët e tyre, tashmë të rrezikuar seriozisht nga ekzekutimet e kolateraleve, që janë kryesisht shtëpi e biznese, me vlera shumë herë më të larta se shifra e kredisë bankare.

 

Ndryshimi  

Me fillimin e aktivitetit të përmbarimit privat në Shqipëri filloi një “epokë e re” në ekzekutimin e detyrueshëm të huave me probleme. Përmbaruesit gjyqësorë-privatë dukshëm rritën cilësinë e këtij procesi, duke u bërë realisht proaktivë në ekzekutimin e titujve ekzekutive. Ky ndryshim cilësor në këtë drejtim nxori në pah, përveç domosdoshmërisë së një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të drejtë edhe nevojën e disa përmirësimeve në dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Civile, të cilat lidhen drejtpërdrejt me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm të titujve ekzekutivë të bankave.

 

Bankat si subjekte me interes publik

Po pse bëhet një diferencim midis huadhënësve të tjerë dhe bankave? Banka, përveçse është një shoqëri private, administron dhe mbështetet në të ardhurat dhe kursimet e publikut të gjerë dhe pikërisht për këtë arsye dhe huat bankare, e rrjedhimisht ecuria e tyre, praktikisht diferencohen (që në vitin 2007 me anë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese), duke u konsideruar një “interes i lartë publik”. Është pikërisht ky këndvështrim që bankat nëpërmjet diskutimit të vazhdueshëm në Komitetin Ligjor të tyre pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me projektin e EURALIUS dhe bashkëpunimin e ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, kërkuan dhe propozuan disa përmirësime në Kodin e Procedurës Civile.

 

Reforma

Të gjitha diskutimet dhe propozimet në janar të 2013-ës u finalizuan me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ndryshimet në Kodin e Procedurës Civile”, të sapomiratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, synojnë shkurtimin dhe thjeshtimin e procedurave të ekzekutimit të kolateralit, për zbatimin më efektiv dhe lehtësimin e procedurave që ndiqen nga qytetarët ligjin Nr. 8116, datë 29.3.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, tanimë i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Paketa e re ligjore synoi ndër të tjera dhe një përmirësim në drejtim të regjistrimit të seancave gjyqësore me metodën “audio recording”. Regjistrimi audio në gjykata mundëson regjistrimin e të gjithë komunikimit verbal që ndodh gjatë seancave gjyqësore dhe siguron ridëgjimin e mëvonshëm të këtij komunikimi, nëse do të jetë e nevojshme. Ky system ndikon në rritjen e transparences dhe administrimit të proceseve gjyqësore (aktet procedurale, njoftimet dhe afatet). Në këtë kuadër, dhe në vijim të analizimit të praktikës ndërkombëtare mbi realizimin e njoftimeve në proceset gjyqësore, tashmë dispozitat ligjore përfshijnë dhe mënyrat e reja të komunikimeve elektronike, siç janë p.sh.: adresat elektronike, thirrjet telefonike, apo nëpërmjet një mesazhi të shkruar në telefon.

 

Ekzekutimi

Por ato çka janë më të rëndësishme për bankat janë ndryshimet në nenet që lidhen drejtpërdrejt me ekzekutimin e detyrueshëm të titujve ekzekutivë të bankave, si vijon:

• Ndryshimet në paketën ligjore synojnë rritjen e efektivitetit të ekzekutimit të kolateralit, me qëllim përshpejtimin e ekzekutimit, që është mekanizmi kryesor procedural për ekzekutimin e huave me probleme. Konkretisht, sipas shkronjës “b” të Nenit 206, gjykata mund të pezullojë ekzekutimin me anë të një mase parandaluese të urdhëruar në një padi, si vijon: “Për të zvogëluar mundësinë e gjykatës për të ndërmarrë masa të cilat kundërshtojnë veprimet e përmbaruesit, janë propozuar ndryshimet në nenin 205/1 dhe nenin 206, shkronja “b” me këtë përmbajtje: “Nëpërmjet masave të tjera të marra nga gjykata, përveç kundërshtimit ndaj veprimeve të përmbaruesit, ndaj të cilit nuk mund të merren masa për sigurimin e padisë” etj.”

• Ndryshimet në nenin 517 të Kodit të Procedurës Civile, kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me të drejtën e ristrukturimit të huave, duke ia hequr gjykatës këtë të drejtë.

Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me shfuqizimin e të drejtës së gjykatave për të ndërhyrë në mekanizmin e ekzekutimit të një titulli ekzekutiv, siç është huaja bankare, për të cilin është dhënë një urdhër ekzekutimi.

Një masë e tillë, e miratuar sipas propozimit të Shoqatës së Bankave, do të ketë ndikim të rëndësishëm në procesin e ristrukturimit, duke u dhënë bankave një ndihmesë të çmuar në këtë drejtim.

• Ndryshimet e kërkuara në përmirësimin dhe saktësimin e nenit 577 të Kodit të Procedurës Civile, lidheshin me përqindjen e uljes së vlerës së sendit në ankandin e dytë. Kjo, pasi praktika ka treguar se përmbaruesit e interpretojnë në mënyra të ndryshme këtë nen. Një pjesë e tyre e ul çmimin në pjesën e dytë të ankandit me një tjetër 20 për qind nga vlera e ankandit të parë, prandaj në ankandin e dytë çmimi i sendit është 64 për qind më i ulët se çmimi i tij fillestar, ndërkohë që një tjetër interpretim vëren se vlera e sendit mund të ulet deri në 80 për qind nga vlera fillestare e tij. Në propozimet e bankave u kërkua  gjithashtu dhe ulja e vlerës me 50 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë, duke vendosur një mesatare të pranueshme për debitorin dhe kreditorin, duke bërë më të qartë vlerën (çmimin) e sendit me të cilin do të fillohet në ankandin e dytë. Gjithsesi, ndryshimi i kërkuar nuk u konsiderua nga ligjvënësi, por ka ndryshuar niveli i përqindjes së uljes së çmimit (nga 20% në 30%).

• Një tjetër ndryshim i propozuar në nenin 609, lidhej me mospezullimin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv nga ankimi ndaj veprimeve, ose refuzimit të përmbaruesit gjyqësor, duke hequr të drejtën e gjykatës për të vepruar ndryshe. Ligjvënësi këtu vendosi një zgjidhje të ndërmjetme, ku mund të vendoset pezullimi kundrejt një garancie, por tashmë ka edhe një afat të përcaktuar për këtë pezullim.

• Shtesa e propozuar në nenin 568, u miratua ashtu siç u propozua nga bankat, duke synuar një transparencë më të madhe të zhvillimit të ankandeve, që është në përputhje të plotë me qëllimin e bankave për krijimin e portalit të ankandeve.

• Në nenin 610, pavarësisht nga kërkesa e bankave që të mos jepej mundësia të ankimohej procedura e përmbarimit, përsëri ligjvënësi ka lejuar një pocedurë e tillë, por me një afat deri në 20 ditë.

Në këtë kuadër, si dhe duke konsideruar nga njëra anë rritjen e vazhdueshme të huave me probleme dhe nga ana tjetër nevojën për rritjen e kreditimit të ekonomisë nga ana e bankave, këto ndryshime gjykohen shumë të rëndësishme nisur si një nevojë urgjente ekonomike, brenda sistemit bankar shqiptar.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi së fundi paketën e propozuar të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Civile (KPC), që në një pjesë të mirë morën parasysh propozimet e industrisë bankare, si më poshtë:

1. Në nenin 517, paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë:

“Me kërkesë të debitorit gjykata e shkallës së parë të vendit të ekzekutimit, në raste të veçanta, duke marrë parasysh gjendjen pasurore të debitorit ose rrethana të tjera të çështjes dhe pasi të dëgjojë kreditorin, mundet të shtyjë afatin e ekzekutimit të detyrimit në të holla ose të ndajë këtë detyrim në këste, përveç rasteve kur ky detyrim rrjedh nga një akt për dhënien e kredisë bankare. Vendimi jepet në seancë gjyqësore, brenda 20 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe kundër tij mund të bëhet ankim i veçantë.”

2. Në nenin 568, në fund të fjalisë së parë të paragrafit të parë shtohen fjalët: “si dhe për 5 ditë me radhë në dy gazeta kombëtare me tirazhin më të madh”.

3. Në nenin 577, paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:

“Në rast se në ankandin e parë nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, jo më të ulët se 30 për qind të çmimit fillestar të caktuar në ankandin e parë. Ankandi i dytë për shitjen e sendit bëhet sipas rregullave të përcaktuara në nenin 568 të këtij Kodi dhe zhvillohet 30 ditë nga e nesërmja e datës së caktimit të çmimit të ri.”.

4. Në nenin 609 bëhen këto ndryshime:

a) Paragrafi i tretë ndryshohet si më poshtë: “Në këto raste, gjykata mund të vendosë pezullimin e vendimit me ose pa garanci. Kur titulli ekzekutiv është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare, gjykata mund të vendosë pezullimin e ekzekutimit, vetëm me garanci dhe për një periudhë jo më shumë se 3 muaj, përveç rasteve kur gjykata, brenda këtij afati, vendos me vendim përfundimtar pranimin e padisë. Me kalimin e afatit 3-mujor, ose kur gjykata, brenda këtij afati, vendos refuzimin e padisë ose pushimin e gjykimit të saj, masa për pezullimin e ekzekutimit të vendimit konsiderohet e rënë nga fuqia.”

5. Në fund të nenit 610 shtohen dy paragrafë me këtë përmbajtje: “Ankimi kundër veprimeve ose refuzimit të përmbaruesit gjyqësor nuk pezullon ekzekutimin, përveç kur gjykata vendos ndryshe. Kur titulli ekzekutiv është një akt për dhënien e kredive bankare ose akt për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare dhe gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit, masa e pezullimit konsiderohet e rënë nga fuqia me kalimin e 20 ditëve nga momenti i dhënies se vendimit të pezullimit. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë.”

Nisur nga sa më sipër, e vetmja këshillë që mund t’u jepet kredimarrësve, sidomos atyre të këqinj, është pagesa në mënyrë vullnetare, korrekte dhe në negocim me institucionin bankar kredidhënës, në mënyrë që të mos kenë kosto shtesë, me probleme pasurore, sociale apo të karakterit të rendit publik.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency