Biznesmenë socialistë

0
2618

 

Gavrosh Levonja

rilindjaNdër paradokset që karakterizojnë erën “Rama” në PS, është dhe ai midis misionit të saj si parti, e cila pretendon të mbrojë interesat e shtresës së varfër e asaj të mesme, dhe atashimit në forumet drejtuese e përfaqësuese të saj të njerëzve të biznesit, në pjesën më të madhe atij të madh, duke krijuar “klubin e miliarderëve”, siç e ka cilësuar doktor Berisha. Në një sistem shumëpartiak, një forcë politike e majtë ose të paktën që pretendon të jetë e tillë,duke pasur si “kalë beteje” pikërisht interesat e shtresave të mësipërme vjen në pushtet me premtime të tilla si rritje e mbështetjes sociale, për ata që luhaten në kufijtë e minimumit jetik, rritje pensionesh, pagash të ulëta e të mesme, të kontributeve për sigurim mjekësor, shtim fondesh për arsimin etj shoqëruar kjo me rritjen e taksave për biznesin. Pak a shumë këto po premton edhe PS kohët e fundit në përpjekje për të thithur votat e asaj pjese të popullsisë, e cila ka probleme në përballimin e jetesës. Kështu, ndërsa kritikohen politikat e qeverisë aktuale të cilat sipas socialistëve, duke mos përfillur interesat e problemet e këtyre kategorive kanë çuar në varfërimin e mëtejshëm të tyre, premtohet se PS me politikën e saj do t’i zgjidhë të gjitha problemet e tyre madje deri dhe shlyerjen e borxheve që kanë në dyqanet e ushqimeve. Ndërsa një vijë e tillë është plotësisht normale për një forcë politike të majtë, në rastin konkret PS, ajo që ngjall habi është pikërisht prania masive e biznesmenëve të cilët tashmë janë shtrirë si metastaza në qelizat e forumeve të saj. Kjo habi lind imediatisht nga fakti që masat e sipërpërmendura me karakter social që po premton Rama & Co presupozojnë një rritje të ndjeshme taksash për bizneset, gjë që mishërohet më së miri nëpërmjet idesë së zbatimit të taksës progresive. Atëherë, çfarë i shtyn këta biznesmenë që jo vetëm mbështetkan një parti e cila do bëjë të paguajnë më shumë taksa por që janë nga më aktivët në forumet e saj? A është e mundur që deputetët biznesmenë të PS-së të votojnë ligjet direkte kundër interesave të tyre që imponojnë masat me karakter social të parashikuara në premtimet dhe programin e PS? Gjithashtu, të paktën deri më sot, nuk ka dalë asnjë nga biznesmenët në fjalë, një pjesë e të cilëve prononcohen edhe publikisht në emër të PS-së i cili të shpjegojë motivet që e kanë shtyrë t’i bashkohet një force politike, e cila të paktën në letër, punon kundër interesave të tyre. Në të kundërt, ndonjë prej tyre, në mbrojtje të programit të PS-së, arrin deri aty sa të deklarojë dokrra të tilla si “do të shembim pallate për të ndërtuar terrene sportive…”, në kohën që vetë është i përfolur në media për ndërtim në oborrin e një shkolle. Nga ana e tij, edhe vetë kreu i PS-së, ndërsa katër vjet më parë rrekej të justifikonte praninë e biznesmenëve në partinë e tij nëpërmjet sloganit “përtej të majtës dhe të djathtës” tani nuk merr mundimin ta bëjë një gjë të tillë duke zgjedhur heshtjen gjë që dëshmon paaftësinë për ta argumentuar. Me një fjalë është vështirë të besohet se në Shqipëri ekzistojë “budallenj” të tillë që të bëjnë një “harakiri” të bizneseve të tyre duke kontribuar në ardhjen në pushtet të një force politike e cila synon që nëpërmjet mbitaksimit të tyre të bëjë realitet premtimet elektorale ndaj atyre që janë në luftë për bukën e gojës. Në rrethana të tilla, mbetet të besohet se janë motive të tjera ato që kanë nxitur krijimin e species “biznesmenë socialistë”, motive të cilat nuk kanë të bëjnë fare me humanizmin apo filantropizmin. Duka pasur në konsideratë marrëdhëniet biznes-politikë që nga fillimi i viteve ‘90, mendja ta do se ata shpresojnë atë nëpërmjet një rotacioni të mundshëm të pushtetit, të sigurojnë një pozitë të privilegjuar, krahasuar me pjesën tjetër të biznesit si shpërblim për “kontributin” e dhënë në një fitore të mundshme të koalicionit të kryesuar nga PS-ja si dhe të “shpëlajnë” detyrimet e papaguara në vite. Një hipotezë e tillë bëhet edhe më e besueshme po të kihet parasysh fakti se “flirti” i “biznesmenëve socialistë” me PS-në ka arritur momentin kulmor në periudhën kur kreu aktual i saj kishte në dorë Bashkinë e Tiranës. Gjithashtu, një pjesë e mirë e tyre iu shtuan “rrethit të miqve” të ish-kryebashkiakut, tashmë kryesocialist pikërisht në atë periudhë, ku shquhen ata që ushtrojnë aktivitet ndërtimor.  Këto, sigurisht i shkojnë ndërmend çdo votuesi të tunduar nga dëshira për një ndryshim pushteti. I ndodhur mes alternativës rozë që u ofron Rama dhe deputeteve miliarderë që mbushin listën e PS-së, atë, deri në momentin e fundit do ta mundojë pyetja se cila do të jetë përparësia e kreut të PS-së në rast se do të ulej në karrigen e kryeministrit; realizimi i premtimeve elektorale në adresë të atyre që po u kërkon votën apo shlyerja e detyrimeve ndaj grupit të biznesmenëve sponsorizues që e rrethojnë?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency