Zbulohet tabloja Kur Bajroni u betua mbi varrin e Marko Boçarit

0

10 maj Vdekja e Marko Boçarit - Ludovico Lipparini - Museu i Triestes

Loading...

Speciale/ Në Enciklopedinë e Ferit Hudhrit “Shqiptarët në artin botëror”, publikohet një nga tablotë historike

 

 

Shumë e kanë ngatërruar, po fotoja që shihni të botuar është e nënshkruar dhe i takon piktorit italian Ludovico Lipparini ku dëshmon një fragment, që ka bërë xhiron e botës, në art e letërsi: poeti i famshëm anglez, lordi Bajron betohet para varrit të luftëtarit shqiptar Marko Boçarit.

Një moment i dëshmuar nëpër arkiva nga ky “takim” midis adhuruesit e suljotit, e pasuruar në ngjyra dhe e ndjekur nga historia. Kjo tablo është e përfshirë në të parën enciklopedi që kemi për artet pamore mbi shqiptarët, “Shqiptarët në artin botëror”, botuar së fundi nga Ferit Hudhri.

Midis veprave më të rëndësishme të krijimtarisë së piktorit italian, Lipparini kjo e betimit të Bajronit mbi varrin e Marco Boçarit vlerësohet e para.

Vepra titullohet “Betimi i Bajronit mbi varrin e Marko Boçarit” (Lord Byron giura sul sepolero di Marco Botsaris) dhe është e “frymëzuar nga vargjet e poetit anglez, si dhe portreti që i ka bërë atij piktori T. Philipis, në vendin qendror të kompozimit shumëfigurësh, në përmasa të mëdha (250+350 cm), Lipparini ka pikturuar Bajronin e veshur me kostumin shqiptar”.

Në enciklopedi jepet informacioni lidhur me këtë tablo ku përshkrimi vjen: I rrethuar prej figurave anësore, me veshje në ngjyra të errëta dhe të mbajtura kryesisht në hije, duket sikur ndriçimi shpërndahet nga qendra e kuadrit, ku shndrit fustanella e bardhë pranë pllakës së mermertë të varrit të Boçarit. Kjo pikturë është shumëfishuar edhe përmes gdhendjeve në litografi të realizuar nga A. Dadola e G. Brizeghel. Nga Lipparini bëhet e ditur se ka dhe tablo të tjera me këtë temë si: Vdekja e një suljoti, Vrasja e Marko Boçarit, Lamtumira e Boçarit dhe Luftimet në Pargë.

Reflektimi historik pas kësaj pikture lidhet me kohën kur suljoti Marko Boçari ishte një nga heronjtë me të rëndësishëm arvanitas në kryengritjen greke të vitit 1821, ku shkrimet theksojnë se ishte “i njohur për aftësitë ushtarake dhe guximin e tij, por dhe për dëshirën e madhe për shkrimin dhe edukimin” (Arben Llalla në artikullin “Marko Boçari, Si e hartoi në internim fjalorin greqisht-shqip me 3195 fjalë”).

Por momenti historik që na prezanton tabloja lidhet me udhëtimin e Bajronit në Shqipëri, dhe njohjen me suljotin Marko Boçari, që si duket më vonë zbulon një miqësi. Pra, nuk na duket aq i rastësishëm dedikimi, dhe përulja e thellë e Bajronit mbi varrin solemn të Boçarit, siç e tregon tabloja e Lipparinit.

Disa thone se kjo tablo, po edhe shumëfishimi i litografive bazuar te kjo pamje ndodhen në Muzeun e Historik Kombëtar të Greqisë, por në enciklopedinë e Hudhrit kjo tablo shënohet të jetë në një nga muzetë e Italisë. Kjo lidhet edhe me mënyrën se si dokumentohej historia në atë kohë, përmes veprës së artit.

Sipas biografëve Marko Boçari ka nisur një letër për Bajronin, pak kohë para se të sulmonte çadrën e Pashait. Kjo letër deri më sot nuk është zbardhur nga asnjë studiues, dhe mendohet të jetë në arkivat britanike, ku ndodhet dhe korrespondenca e Bajronit. Por kjo letër thuhet se është shkruar nga poeti anglez kur ishte rrugës për në Mesollogji.

Bajroni i veshur me fustanellën e famshme arvanitase, dhe duke marrë nga pllaka e varrit një shpatë të cilën e kishte vendosur atje arkipeshkopi, e ngriti lart dhe i foli në greqisht turmës së ngashëryer. Këtë histori kanë shkruar biografët, që përputhet me pamjen e fotos.

Në gusht të 1823 Marko Boçari u vra, duke luftuar kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës, Mustafa Bushatit. Letra që Boçari i dërgoi Bajronit e “detyroi” këtë të fundit të merrte rrugën për të ardhur sërish në Shqipëri. Por, poeti anglez mbërriti kur Marko Boçari kishte vdekur. Ky është momenti që shënon dhe tabloja: Bajroni mban fjalimin mbi varrin e suljotit i veshur me kostum kombëtar shqiptar.

Nga ana tjetër, siç na njoftohet nga biografët pati shumë shkrimtarë e gazetarë të njohur që shkruan për Marko Boçari, tashmë mjaft i njohur në Evropë. Edhe shkrimtari francez Viktor Hygoi shkruan duke mos e ndarë nga Bajroni, duke e krahasuar me heronjtë më të mëdhenj të historisë

V. Murati

 

 

Marko Boçari

Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët, dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur fare se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar të Sulit.

Marko Boçari lindi në një nga fiset udhëheqëse të Sulit më 1790, në Epir. I ati ishte Kiço Boçari, dhe e ëma Krisulla, e bija e Joyi Papa-Zotit. Më 1795 familja e Markos braktisi fshatin Sul dhe u shpërngul në Paliohari Kokolakos të Sulit, i cili, për këtë arsye mban emrin Paliohari i Boçarit ose Paliohari Lakos i Boçarit, 4,5 orë me këmbë larg Sulit. Shkak i kësaj shpërnguljeje ishte hidhërimi që solli shkarkimi i Jorgo Boçarit, gjysh i Markos dhe udhëheqës i fisit të Boçarëve, nga detyra e komandantit të suljotëve, pas zgjedhjes së 19-vjeçarit Foto Xhavella në postin e komandantit. Gjatë viteve që pasuan, Jorgo Boçari u shpërngul me gjithë fisin e tij nga Suli në Vulgarel, që i u dha në dorëzim nga Ali Pashai i Janinës, dhe Markoja jetoi atje deri më 22 dhjetor 1803, kur fisi i Boçarëve dhe suljotëve të tjerë që kishin gjetur strehë n’atë vend dhe arrinin gjithsej deri në 1148 vetë, nga frika se mos i sulmonte ushtria e Ali Pashës u vendosën në shkrepat e Selcës së Agrafëve. Me 20 prill 1804 i bënë ballë sulmit që prisnin dhe pas një rrethimi tremujor patën fund të dhimbshëm. Pjesa më e madhe e suljotëve u vranë e u zunë robër. U zu rob i plagosur dhe Noti Boçari, vëllai i t’atit të Markos, të cilin Aliu e mbylli në kështjellën e Këlcyrës dhe, më vonë, kur e la të lirë, shkoi e u strehua në Korfuz. Kësaj katastrofe i shpëtuan 52 vetë, e dy prej tyre ishin Markua, atëherë 14 vjeçar, me t’atin e tij, të cilët nëpërmjet Pargës, u hodhën në Korfuz, bashkë me suljotë të tjerë që kishin gjetur strehë në Pargë pas shkatërrimit të Sulit. Jeta e Suljotëve në Korfuz ishte e mjerë, por më mirë le të lexojmë çfarë thuhet në kujtimet e shkruara të luftëtarit suljot S.Cipi: Suljotët këtu në Qerqira ishin katandisur në kulm të varfërisë dhe shumë herë as bukë nuk kishin të hanin. Kapedanët tanë më të mirë bënin fshesa dhe i shisnin, sa për të ngrënë bukën e zezë! Fatkeqësitë, uria, kishin detyruar shumë prej tyre të bëheshin hajdutë, që të jetonin” (fq. 113) Në Korfuz Markua u martua me Krisulla Kallogjerin, me të cilën pati edhe 4 fëminj. Në Korfuz shkruan atë që ai quan “Fjalor i greqishtes dhe i arvanites së thjeshtë”, me ndihmesën e t’atit, xhaxhait, e të vjerrit. Në majin e 1819-ës dorëshkrimi i Fjalorit të Markos u dorëzua në biblioteken Kombëtare në Paris nga Pouqueville-i. Dhe në fletën e parë është shkruar në frëngjisht me shkrim dore: «Ce lexique est ecrit de la main de Marc Botzari á Corfou devant moi. Pouqueville.» Është e mundshme që konsulli francez në Janinë në kohë t’Ali Pashës, të ketë marrë leksione shqipeje nga Markua. Markoja mësoi n’Universitetin e Korfuzit, të hapun nga grekofili lordi Guilford, shkollë e njohun nga grekët si “Akademia e Jonit”. Është e mundur që në 24 faqjet e para të fjalorit të Markos të ketë pasur ndonjë lavdërim për anglezët, faqje që janë zhdukur apo censuruar ndoshta nga Pouqueville-i që ishte përfaqsues e flamurtar i interesave franceze në rajon. Markoja i jepte mësime greqishteje ushtarëve të regjimentit që kishin formuar francezët në Korfuz me burra epirotë e maroitë (emigrantë nga Morea). Në 1813 jetonte në Janinë, jo si pend i Ali Pashës por si qytetar i lirë, me t’atin, për të cilin S.Cipi shkruan se “shkonte në Vulgarel, për të mbledhur taksat që i paguheshin n’ato vende” (fq. 114), e u vra n’Artë nga Gogo Bakola.

Loading...