Shitësi i farave të lulediellit dhunon seksualisht invaliden

0
167

Elton Qyno

uraNgjarja monstruoze ndodhi poshtë urës së Lanës në zonën e “Vasil Shantos”

Idriz Murati: Nëse bërtet e kërkon ndihmë, të mbys në Lanë

 

 

Një krim monstruoz ka ndodhur në zonën e shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë, ku një person që tregtonte paketa cigaresh dhe fara luledielli në trotuarin “Zhan d’Ark” ka përdhunuar një 52-vjeçare, me inicialet Mimoza G. Kjo e fundit është e paralizuar dhe prej disa kohësh dilte në anën tjetër të trotuarit të rrugës “Zhan d’Ark”, ku qëndronte buzë rrugës me një peshore. Vendi ku ka qëndruar e dëmtuara ka qenë shumë afër me urën mbi lumin Lanë, që ndodhet afër shkollës “Vasil Shanto”. Mirëpo teksa ka qëndruar prej disa ditësh pikërisht në këtë kryqëzim, 52-vjeçarja ka mbajtur kontakte me shtetasin Idriz Murati, 47 vjeç, i cili qëndronte përballë saj, duke tregtuar paketa cigaresh dhe fara luledielli. Gjatë kësaj kohe, 47-vjeçari ka filluar të krijojë simpati për 52-vjeçaren me aftësi të kufizuara, duke vendosur që mbrëmjen e të enjtes të abuzojë seksualisht me të. Sipas hetuesve të komisariatit nr. 2, të cilët kanë bërë dhe arrestimin e Idriz Muratit, ky i fundit ka planifikuar çdo gjë me detaje. Murati ka pritur derisa ka rënë mbrëmja dhe në rrugë nuk ka pasur shumë kalimtarë, dhe më pas, duke përdorur edhe forcën e ka marrë 52-vjeçaren, duke e futur atë poshtë urës së Lanës dhe pikërisht në këtë vend ka kryer me të marrëdhënie seksuale me dhunë. Pasi ka qëndruar me Mimoza G. për disa minuta me radhë, ka vendosur të largohet duke e lënë këtë të fundit në vendin ku ajo qëndronte si gjithmonë me një peshore elektronike përpara.

Përdhunimi poshtë urrës

Ka qenë ora 21:00, kur 52-vjeçarja me aftësi të kufizuara nuk ka mundur të mbrojë veten, duke rënë pre e sulmit seksual nga një person, të cilin ajo e kishte njohur vetëm pak ditë më parë. Mimoza G. dhe Idriz Murati kishin vetëm pak ditë që ishin njohur, pasi qëndronin përballë në trotuarin e rrugës “Zhan d’Ark”. 52-vjeçarja vinte në atë vend nëpërmjet një karroce dore, ku hera-herës shoqërohej nga ndonjë i afërm dhe kishte raste që ajo vinte dhe vetëm. Të njëjtën gjë e bënte edhe në ikje për në shtëpi. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, pasi personi që ajo kishte përballë, e ka marrë dhe e ka futur poshtë urës së Lanës, duke abuzuar seksualisht me të për disa minuta me radhë. Duke qenë se e dëmtuara nuk ka qenë në gjendje të mbrohet me duar dhe këmbë, ajo ka mundur fillimisht të nxjerrë vetëm disa klithma, ku ka kërkuar ndihmë, por dhe zëri i është ndaluar nga 47-vjeçari Idriz Murati. Ky i fundit për të shuar kureshtjen e njerëzve, i ka zënë me duar gojën dhe më pas ka abuzuar me 52-vjeçaren, duke e kërcënuar njëherësh se do ta mbyste në lumin e Lanës, nëse do të tregonte dhe do të bërtiste për të kërkuar ndihmë. Sipas policisë së Tiranës, gjithçka ka ndodhur në orët e mbrëmjes dhe në ambient të hapur, ku referuar dëshmisë së 52-vjeçares të dëmtuar, kanë qenë edhe disa persona që kanë qëndruar në trotuar dhe kanë parë se çfarë po ndodhte, por nuk kanë denjuar të shkonin për ndihmë. Kjo mbase, pasi, sipas policisë, kalimtarët kanë menduar se kishin të bënin me ndonjë prostitutë apo homoseksual që lëviz në ato orë të natës. Autori i krimit është larguar më pas, duke kërcënuar të dëmtuarën se nëse tregonte në shtëpi apo në polici, ai do ta vriste. Por edhe pas këtij kërcënimi, 52-vjeçarja Mimoza G. ka shkuar në banesën e saj, ku ka treguar atë që i kishte ndodhur dhe më pas, së bashku me një familjar, i është drejtuar komisariatit nr. 2 në Tiranë, ku edhe ka bërë denoncimin përkatës.

Arrestimi i farashitësit

Në denoncimin e dhënë në polici nga e dëmtuara, uniformat blu kanë mësuar se autor i përdhunimit të saj ka qenë një person që tregtonte në mënyrë ambulante fara luledielli dhe paketa cigaresh në trotuarin e rrugës “Zhan d’Ark”. E dëmtuara ka arritur të japë vetëm emrin e personit, ndërkohë që mbiemrin nuk ia kishte mësuar. 52-vjeçarja ka treguar edhe disa karakteristika të fizikut të autorit, duke ndihmuar policinë për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit Idriz Murati. Ky i fundit është prangosur në orët e mesnatës, duke hyrë e premtja, në banesën e tij. Murati është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr. 2 në Tiranë, ku edhe është marrë në pyetje nga oficerë të Policisë Gjyqësore. Në deklarimet e tij, Murati është shprehur se gjithçka është një inskenim i 52-vjeçares dhe se ai nuk ka kryer aspak marrëdhënie seksuale me të, për shkak se e dinte gjendjen e saj të vështirë shëndetësore. Por pavarësisht këtij pretendimi, policia ka vendosur të arrestojë 47-vjeçarin për akuzën e “Kryerjes marrëdhënieve seksuale me persona të pazot për t’u mbrojtur” dhe “Vepra të turpshme”. Pritet që në ditët në vijim Murati të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

 

10 vjet burg

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale, duke përfituar nga pazotësia fizike ose mendore e personit të dëmtuar ose nga vendosja në gjendje të pandërgjegjshme, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur personit të dëmtuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

 

Pyeten në polici disa punëtorë të bizneseve

Ekspertizë mjekoligjore për

të vërtetuar abuzimin seksual

 

Për të hedhur më tepër dritë mbi këtë çështje, oficerë të policisë së Tiranës që nga dita e djeshme u kanë kërkuar specialistëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore kryerjen e një ekspertize për të mësuar nëse 52-vjeçarja Mimoza G. është abuzuar seksualisht apo jo. E dëmtuara gjatë ditës së djeshme ka qenë në dispozicion të ekspertëve, ku ka shkuar në ambientet e institutit, duke u vënë në dispozicion të ekspertizës. Burime pranë këtij instituti thanë se ende nuk kanë përcaktuar nëse e dëmtuara është abuzuar seksualisht apo jo, për shkak se nevojiten disa analiza të mëtejshme, të cilat do të kryhen në ditët në vijim. Për këtë çështje policia ka sekuestruar edhe disa rroba të 52-vjeçares të dëmtuar, të cilat do të shërbejnë si provë materiale. Ndërkohë, për këtë çështje në pyetje janë marrë edhe disa persona të tjerë, si punëtorë të disa bizneseve afër vendit ku ushtronte aktivitet informal shtetasi 47-vjeçar Idriz Murati. Ata kanë treguar se e njihnin Muratin si person të mirë dhe se nuk e besojnë që mund të ketë kryer një veprim të tillë.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency