Përurimi Berisha, Ramës: Tirana të përcolli nga dera, ti kërkon të kthehesh nga dritarja

0
141

Ina Jano

berishaKryeministri zhvilloi dje një tur përurimesh me rrugë dhe ujësjellës në rrethin e Matit, investime këto që kapin shifrën prej 482 milionë lekësh

 

Tirana i bëri rotacionin në 2011 për modelin që ai ndoqi për zhvillimin e kryeqytetit. Me këto fjalë e ka përshkruar Kryeministri Berisha humbjen e zgjedhjeve nga ana e kryesocialistit për zgjedhjet vendor, ndërsa u shpreh se Tirana e nxori nga dera, ndërsa tashmë Edi Rama kërkon të rikthehet nga dritarja. Duke premtuar rritje të mëtejshme të investimeve, kreu i ekzekutivit pohoi se alternativa e bllokimit do të marrë përgjigjen e merituar në 23 qershor. “Por cili është modeli i tij? Modeli i tij është ai model për të cilin qytetarët e Tiranës i thanë vetëm një fjalë: rrotacion! Tirana i bëri atij rotacionin dhe ai kujton se tani do të kthehet nga dritarja, kur Tirana e përcolli nga dera. Zoti Rama, ne do të vazhdojmë, do të ecim përpara për rrugë të reja; përpara për shkolla, kanalizime dhe ujësjellës të rinj; përpara në rrugën tonë drejt integrimit evropian. Zoti Rama, ti bllokove me tri ligjet, por 23 qershori është dita e gjykimit të qytetarëve shqiptarë, dita e verdiktit dhe do të kesh asgjë më shumë se disfatën e radhës. Ti je mësuar nga disfata në disfatë, nga humbja në humbje. Prite humbjen e radhës”, – tha lideri demokrat. Ai, duke akuzuar të majtën dhe opozitën, shtoi se kjo është alternativa e mohimit, mashtrimit dhe bllokimit. Duke ju referuar pikërisht kësaj të fundit, shefi i qeverisë tha se Rama është krenar për bllokimin që u ka bërë ligjeve të integrimit, duke bllokuar në këtë mënyrë edhe të gjitha fondet që do të kishte Shqipëria si përfitim nga Bashkimi Evropian. “Cila është alternativa tjetër? Alternativa tjetër është mohim, mashtrim, bllokim. Kreu i opozitës rreh gjoksin se bllokoi tri ligjet; rreth gjoksin se bllokoi ndërtimin e qindra kilometrave të rrugë që do të ishin shtruar me fondet e Bashkimit Evropian; rreth gjoksin se bllokoi dhjetëra-mijëra vende punë që do të krijoheshin me fondet e Komisionit Evropian; rreth gjoksin se do të ndërtoheshin dhjetëra ujësjellës dhe shkolla të reja më ato fonde. I privoi qytetarëve të këtij vendi qindra milionë euro investime. Kjo është alternativa e tij”, – iu drejtua Kryeministri të gjithë matjanëve, duke i ftuar njëkohësisht që të kontribuojnë në fitoren e Partisë Demokratike.

Po ashtu, shefi i qeverisë foli edhe për të gjitha ndryshimet që do të pësojë infrastruktura edhe në vitet në vijim, të mandatit të tretë të demokratëve, duke thënë se me filozofinë se fshati do të jetë i njëjtë si qyteti, do të marrë rrugë edhe zhvillimi i Shqipërisë. Kryeministri premtoi edhe hidrocentrale, shkolla, qendra shëndetësore për të gjithë banorët e kësaj zone. “Perspektivat janë të mëdha. Në rrethin tuaj fillon së shpejti ndërtimi i disa hidrocentraleve, ndërsa të tjerë kanë nisur më parë. Edhe në to do të punësohen me qindra e mijëra vetë. Rrugën nuk e kemi të thjeshtë, nuk e kemi të lehtë, e kemi me djersë, por e kemi të sigurt; e kemi me mundime, por e kemi me suksese. Së bashku, përpara për të integruar vendin në Bashkimin Evropian, në mënyrë që askush pas 23 qershorit të mos mund të mendojë t’u mbyllë derën dhe t’u bllokojë qytetarëve shqiptarë rrugën për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian”, – vlerësoi numri një i kabinetit qeveritar.

Ujësjellësi

“Ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar për mirë jetën tuaj”, – u premtoi Kryeministri Berisha banorëve të Komunës Komsi në rrethin e Matit, mes të cilëve ishte për të përuruar ujësjellësin e komunave Komsi dhe Gurrë të këtij rrethi, një investim me vlerë 116 milionë lekë, financuar nga KfW dhe qeveria shqiptare. Ujësjellësi, i projektuar me standardet më të mira dhe për ndërtimin e të cilit janë shfrytëzuar dy burime uji me dy rezervuare me kapacitet 75 m3 secili, furnizon me ujë 24 orë 2000 banorë të fshatrave Frankth, Batër e madhe dhe Batër e Vogël në Komunën Komsi. Ndërtimi i tij është pjesë e programit “Furnizimi me ujë i zonave rurale” në 50 fshatra në qarqet Dibër, Shkodër dhe Kukës, duke kontribuar në përmirësimin e jetesës së rreth 40.000 banorëve.

 

 

KKT

Miratohet leja për dy projekte turistike me vlerë 400 milionë euro

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh dje Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë u mblodh për të diskutuar mbi disa projekte të rëndësishme infrastrukturore në vend. Në këtë mbledhje u morën në shqyrtim një sërë projektesh për HEC-e. Kryeministri Berisha u shpreh që në nisje se, “Energjia është një ndër sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. Ka nisur ndërtimi i një serie HEC-sh dhe së shpejti nis investimi më madhor që është kaskada e Devollit”, – siç tha ai. Sipas Berishës, ë mandatin e ardhshëm starton projekti Shqipëria lider, apo superfuqi energjetike në rajon, për energjinë e rinovueshme”, – tha ai. Një ndër vendimet e KRRTRSH, siç tha më tej Kryeministri Berisha ishin dy projekte të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në gjirin e Lalzit me vlerë investimi të përgjithshme prej 400 milionë euro, ku njëri prej këtyre projekteve ishte rreth 200 milionë euro. Kreu i qeverisë gjatë kësaj mbledhje vlerësoi projektet që rrisin sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet e rrethinat e tij. Kryeministri u shpreh se para vitit 2011 Tirana u betonizua duke kryer një krim të vërtetë ekologjik ndaj sipërfaqeve të gjelbra, që siç tha ai duhet të shtohen sa më shumë të jetë e mundur. “Tirana para 2011 u betonizua, ky një krim i vërtetë ekologjik ndaj sipërfaqeve të gjelbra. Komunat përreth janë fat i madh i Tiranës ato janë një mrekulli. Do bëjmë gjithçka që ato t’ju garantojnë qytetarëve sipërfaqe të gjelbra. Të mbjellim pemë, dru e shkurre në çdo sipërfaqe të lirë të kryeqytetit. Ne do bëjmë gjithçka në të mirë të shëndetit dhe jetës”, – tha ai.

 

Ish-deputeti i PS-së

Dogjani: Rama pa vizion dhe me interes personal

Një njeri pa vizion dhe vetëm me interesa personale e ka cilësuar ish-deputeti socialist Dogjani kryesocialistin Edi Rama. Tashmë kandidat i PD-së, ai ka shkruar dje në Facebook: “Megjithëse nuk kam kohë të merrem me Edi Ramën për shkak të fushatës elektorale, jam i detyruar për të reaguar ndaj intrigave, diversionit, shpifjeve dhe sulmit të tij ndaj meje dhe deputetëve që janë larguar për shkak të tij nga PS. Unë e kam thënë dhe herë të tjera që kam pasur fatin ta njoh nga afër këtë njeri me dy fytyra që ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Ky njeri me maskë që për shkak të dëshpërimit dhe panikut që e ka mbërthyer për humbjen e radhës mundohet të bëjë diversion dhe të fitojë me koniunktura e shpifje të ulëta dhe jo me programe e alternativa. Me këtë kërkon të largojë vëmendjen e opinionit publik për heqjen nga lista të disa figurave politike e zëvendësimin e tyre me tarafin dhe lidhjet e tij personale. Por tashmë qytetarët shqiptarë socialistë e demokratë me apo pa parti e kanë kuptuar se ky njeri i vogël, pa vizion ka vetëm një qëllim, pushtetin e tij personal dhe jo interesat e qytetarëve shqiptarë”.

 

Reagimi

Islami, akuza për Ramën dhe Kokëdhimën

Në daljen e parë në një konferencë për shtyp nga selia e Kuvendit, pas përfshirjes së tij në listat e PD-së, deputeti Islami u shpreh se i treti i listës së Vlorës, në fakt ka përfituar tendera gjatë kohës që Rama ishte në krye të bashkisë. Ish-deputeti socialist ka sulmuar atë që e quajti “dyshja klienteliste” në krye të Partisë Socialiste, Rama-Kokëdhima. Ky i fundit, sipas Islamit, ka përfituar tendera nga bashkia e Tiranës kur ajo drejtohej nga Rama, kohë në të cilën vetë Islami ka qenë drejtues i lartë i PS. “Kokëdhima ka marrë 19 milionë dollarë në kohën kur Rama drejtonte bashkinë. Kur Rama dhe Koço ndanin tenderat, socialistët e thjeshtë e të ndershëm mbështesnin Ramën, pa e kuptuar se në këtë mënyrë kishin ndihmuar që të mbushnin thesin e Koços dhe që ai të forconte praninë në Partinë Socialiste”, – deklaroi Islami. Duke shmangur deklaratën e drejtpërdrejtë për të kërkuar vota në emër të PD, nën siglën e të cilës garon këtë herë, Islami bëri të kundërtën, kërkoi votë penalizuese për Edi Ramën. “Në këtë situatë, detyra për të ndaluar ardhjen në pushtet për të mbushur me lekë Koçon nuk është detyrë e socialistëve të ndershëm, por detyrë kombëtare”, – u shpreh Islami.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency