Pedofili I moshuari kapet teksa i hoqi mbathjet minorenes 9-vjeçare

0
207

Elton Qyno

pedofilNgjarja prapa komisariatit nr. 2, arrestohet në flagrancë Vasil Zoga

Banorët e pallatit kapin në shkallë 72-vjeçarin, tentoi të përdhunonte

 

 

Kur ende nuk është shuar jehona e lajmit të arrestimit të pedofilit Ardian Prrenjasi, në Tiranë gjatë kësaj kohe vijojnë të arrestohen njëri pas tjetrit persona me prirje të tilla seksuale. Vasil Zoga, një 72-vjeçar, ka rënë në prangat e komisariatit nr. 2, pasi është denoncuar nga disa banorë të një pallati se ka ngacmuar seksualisht një vajzë 9-vjeçare. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e mbrëmjes, në një pallat që ndodhet prapa komisariatit nr. 2 në kryeqytet. Një 9-vjeçare ka qenë në rrugë dhe më pas është drejtuar në drejtim të shkallëve të pallatit të saj. Por papritur ajo është ndeshur me një person të moshuar, i cili e ka ndaluar dhe ka filluar ti flasë në mënyrë të butë dhe me fjalë të ëmbla. Pas kësaj situate, Vasil Zoga, i ka hequr mbathjet dhe e ka prekur në vende intime të miturën. Fatmirësisht këto veprime pedofilie janë parë nga disa banorë të lagjes, të cilët kanë qenë duke kaluar në shkallët e pallatit. Ata kanë filluar ti bërtasin të moshuarit, ndërkohë që ky i fundit ka mohuar se ka pasur qëllime dashakeqe ndaj minorenes. Por banorët nuk e kanë zgjatur më tej dhe kanë vendosur të thërrasin policinë, ku komisariati nr. 2 nuk ka qenë shumë larg nga vendi i ngjarjes. Me mbërritjen e uniformave në vendin e krimit është bërë e mundur dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Vasil Zoga, 72-vjeçar, ndaj të cilit është ngritur akuza e “Kryerjes së veprimeve të turpshme ndaj të miturve”.

I moshuari pedofil

Prania e disa banorëve të lagjes tek zona e “21 Dhjetorit” ka shpëtuar nga përdhunimi një 9-vjeçare të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë. E mitura rreth orës 21:00 të mbrëmjes ka qenë duke ecur në rrugë, por teksa ngjiste shkallët e pallatit të saj për të shkuar në banesë, është ndeshur me një person të panjohur i cili e ka ndaluar dhe e ka përshëndetur duke e pyetur se ku ishte duke shkuar. Vajza e mitur nga qëndruar dhe më pas i ka kthyer përgjigje se po shkonte në banesën e saj. Në këtë moment, 72-vjeçari i arrestuar e ka prekur në faqe, duke i pohuar se ishte shumë e bukur dhe menjëherë i ka futur duart poshtë këmbëve. Ai e ka shtrënguar dhe ka filluar t’ia heqë mbathjet, ndërkohë që e trembur nga forca e të moshuarit, e mitura nuk ka lëshuar asnjë klithmë. Kanë qenë disa banorë të pallatit ata që po ngjisnin shkallët, ku dhe kanë parë të moshuarin së bashku me minorenen. Kaq ka mjaftuar që ata të fillojnë dhe të ulërasin duke e akuzuar për pedofili dhe sharje të tjera të rënda. Nisur nga këto britma jashtë nga banesat e tyre kanë dalë dhe persona të tjerë, të cilët, pasi janë njohur me rastin kanë vendosur të telefonojnë komisariatin nr. 2 në Tiranë. I moshuari ka tentuar të largohet duke pohuar se e prisnin njerëz poshtë, por që në fakt nuk është lënë të ikë, deri në mbërritjen e uniformave blu, që e kanë marrë dhe më pas e kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit nr. 2. Gjatë momentit të arrestimit i moshuari ka treguar se nuk ka abuzuar me 9-vjeçaren, por vetëm i kishte folur në shkallë asaj. Sipas tij, ata kanë qëndruar për një çast bashkë dhe se pikërisht në këtë kohë, ai është parë nga disa banorë që bënë edhe denoncimin kundër tij në komisariat.

Dëshmia e minorenes

Ajo që ka vënë me shpatulla pas murit 72-vjeçarin ka qenë dëshmia e minorenes 9-vjeçare, e cila ka treguar në komisariatin nr. 2 se i moshuari ia kishte hequr mbathjet dhe e kishte prekur në vende intime. Në prani të një psikologeje, e mitura ka treguar me detaje të gjithë skemën e abuzimit dhe menjëherë pas rrëfimit të saj, në prezencë edhe të së ëmës, është marrë masa e arrestit ndaj të moshuarit 72-vjeçar. Nga ana tjetër ky i fundit ka kundërshtuar se gjithçka është sajesë e minorenes. Por në pyetje policia ka marrë dhe banorët e pallatit, të cilët kanë treguar të gjithë skemën e krimit që kishin parë në shkallët e pallatit, ku edhe ndodhi ngjarja. Për pasojë, ndaj të moshuarit është ngritur akuza e “Kryerjes së veprimeve të turpshme ndaj të miturve” dhe se pritet që në ditët në vijim ai të dalë përpara Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë përfaqësuesi i prokurorisë së kryeqytetit.

 

5 vite burgim

Kryerja e veprave të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Kjo është masa e dënimit që rrezikon i moshuari Vasil Zoga, i cili dy ditë më parë është arrestuar si person i dyshuar për ngacmimin seksual të një të miture 9-vjeçare. I moshuari e ka kundërshtuar krimin e rëndë, por policia e Tiranës shprehet se disponon prova për një krim të tillë.

 

Julian Çela, 6 muaj i zhdukur

Rasti i Ardian Prrenjasit dhe

ndërgjegjësimi i shoqërisë

 

Pas rastit të pedofilit Ardian Prrenjasi, i cilësuar nga media si “Monstra i Laprakës”, qytetarët shqiptarë janë ndërgjegjësuar ndjeshëm ndaj këtyre rasteve, duke bërë denoncime të menjëhershme në policinë e Tiranës për raste të tilla. Prrenjasi është vënë në pranga për ngacmimin seksual të një fëmije me inicialet A. C., i cili ishte komshiu i tij. Ndërkohë, pas gjatë deklarimit në polici, Prrenjasi ka habitur oficerët e policisë dhe më pas opinionin publik, se ai ishte personi që kishte tentuar të përdhunonte djalin e nëndrejtorit të Antiterrorit në SHIK, 11-vjeçarin Julian Çela. Ky i fundit sipas tij ka kundërshtuar dhe për pasojë, Prrenjasi e ka mbytur me duart e tij minorenin, duke e hedhur më pas në një kazan plehrash në zonën e Laprakës. Kaq ka mjaftuar që trupi i pajetë i vogëlushit të transportohet me një makinë plehrash në landfillin e Sharrës në Tiranë, duke bërë që ai të mos gjendet sot e kësaj dite. Pas këtij rasti, policia e Tiranës kërkoi ndërgjegjësim e çdo qytetari për denoncimin e këtyre rasteve me qëllim parandalimin në kohë të këtyre rasteve të patolerueshme për shoqërinë shqiptare. Ndërkohë, aktualisht Ardian Prrenjasi mbahet i izoluar në burg, familjarët e Julian Çelës, besojnë se djali i tyre është ende i gjallë dhe se nuk kanë pranuar të presin ngushëllime në familjen e tyre nga askush nga njerëzit e afërm. Vogëlushi Çela, është zhdukur në 30 nëntor të vitit të kaluar dhe se janë mbushur disa muaj 6 muaj që ai nuk ka asnjë adresë mbi vendndodhjen e tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency