Në Tiranë Përurohet busti i Sabri Godos, Basha: Frymëzim për kombin

0
141

sabriKreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, e ka quajtur një ditë të veçantë, në të cilën u përurua busti i Sabri Godos, në shenjë nderimi për jetësimin e kujtimit të tij në kryeqytet

 

“Imazhi i tij, i përjetësuar sot ndër ne, do të na shtyjë drejt një jete më të drejtë, në favor të çështjeve për të cilat ai luftoi dhe u përpoq”, – tha Basha, duke vlerësuar kontributin e madh të dhënë nga personaliteti Godo. Kështu u shpreh kryebashkiaku Lulzim Basha dje gjatë përurimit të bustit të politikanit të njohur Sabri Godo, vendosur në pedonalen pranë Kuvendit, në tempullin ku hartoi Kushtetutën e Shqipërisë. Sabri Godo, një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, njëkohësisht shkrimtar dhe skenarist, tashmë është përjetësuar në një bust prej mermeri një nga sheshet kryesore në qendër të Tiranës, një vit e gjysmë pas ndarjes nga jeta. Në fjalën e tij kryebashkiaku vlerësoi: “Ndryshe nuk shpjegohet se si vetëm 1.5 vjet nga ndarja e tij, të kemi një dëshirë të madhe e shtytje të madhe për ta parë të përjetësuar në mesin tonë. Javë, muaj pas ndarjes nga jeta e kësaj bote të mikut tim, Sabri Godo, me dhjetëra kërkesa dhe iniciativa erdhën tek unë si kryetar i bashkisë nga miqtë e dashamirës të tij, një pjesë të cilëve admirues të thellë, për të pasur kujtimin e tij të përjetësuar në mes të kryeqytetit”.

Busti

Në emër të familjes Godo, vajza e Sabriut, Ermira Godo, ka falënderuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe gjithë ata që mundësuan përjetësimin e Sabri Godos në këtë bust. “Falënderojmë thellësisht z. Basha për angazhimin e tij maksimal, për ta vënë Sabri Godon në piedestal, në zemër të Tiranës, duke i bërë vend kështu në rangun e burrave të shquar të kombit. E falënderojmë për kujdesin me të cilën e përgatiti këtë ceremoni edhe pse në një periudhë të ngjeshur dhe të ngarkuar për të dhe i lutem t’i përcjellë mirënjohjen tonë Këshillit Bashkiak dhe të gjithë strukturave të bashkisë, që pa mëdyshje dhe në një periudhë mjaft të shkurtër, na i bënë gjërat të lehta. Babai ynë e konsideronte z. Basha njeriun e duhur për punët e duhura. Unë dhe gjithë familja jonë i urojmë me gjithë zemër një të ardhme të ndritur”, – u shpreh zonja Godo. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Visar Zhiti, e ka cilësuar Sabri Godon si luftëtar të lirisë. “Më lejoni t’i drejtohem Sabri Godos, mirë se erdhët! Kujtuam se iku, por nuk është e vërtetë, ai u kthye prapë. U kthye aty ku e la punën, si deputet i popullit të tij. Tani është pranë Parlamentit, përgjithmonë. Sabri Godo ishte luftëtari i lirisë, tani është në mermer për ta përkujtuar si të tillë”. Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, një mik i Sabri Godos, ka vlerësuar punën dhe angazhimin e tij, e cila, sipas z. Sequi, është aq kuptimplotë, sa do ta mbajë Godon të pranishëm përjetë mes nesh. Ky bust do të jetë në qytetin e Tiranës një prej politikanëve më të njohur në Shqipëri, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, shkrimtarit dhe skenaristit z. Sabri Godo. Për kryetarin e bashkisë, imazhi i Godos, i përjetësuar në mermer, do të vlejë si një shtysë drejt marrjes së vendimeve më të mira, në favor të çështjeve për të cilat Godo u përpoq, gjatë gjithë karrierës së tij.

 

 

 

Ndërtimet pa leje

Hoxha: Përpjekje të dështuara, do të shemben

 

Inspektorati Ndërtimor i Tiranës ka vijuar prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Tentativa për një shtesë pa leje në një objekt në zonën e Laprakës ka marrë ndëshkimin ligjor. Punimet të cilat janë kryer gjatë natës, janë prishur dhe objekti është kthyer në gjendjen e mëparshme. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, u ka bërë thirrje edhe një herë qytetarëve të Tiranës të mos ndërmarrin veprime të kundërligjshme, pasi ndaj tyre do të ketë vetëm një masë, prishjen. “Ky ndërtim është një tjetër përpjekje e dështuar, për të ndërtuar pa leje brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Edhe njëherë e përsëris, se fatin e këtij ndërtimi do ta ketë çdo ndërtim i paligjshëm që do të bëhet në Tiranë. Ky është vullneti ynë, ky është angazhimi dhe vendosmëria jonë, për të mos lejuar shkeljen e ligjit brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Shërbimet tona, e përsëris edhe njëherë janë nën vëzhgim të çdo situate ndërtimore pa leje dhe do të merren masat përkatëse në zbatim të ligjit”, – u shpreh Hoxha.

 

Gjimnastrada ndërkombëtare

Angazhohen 2 mijë gjimnazistë të Tiranës

Në Tiranë është zhvilluar gjimnastrada mbarëkombëtare, ku kanë marr pjesë mbi 2 mijë gjimnazistë, të ndarë në 35 skuadra. I pranishëm në manifestim, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka shprehur angazhimin e tij për të mbështetur aktivitete të tilla për grupmoshat. “Gjimnastradës mbarëkombëtare e të gjithë pjesëmarrësve në këtë gjimnastradë u sjell përshëndetjet më entuziaste të qytetit të Tiranës dhe Bashkisë së Tiranës! Ngado nga keni ardhur, nga Shkodra, Elbasani apo Vlora, nga Korça, Kukësi apo Tropoja, nga Prishtina, Podujeva, Mitrovica apo Tetova, ju jeni më të mirët, më të bukurit e të zgjuarit e Evropës dhe mbarë botës”, – tha Basha. Të rinjtë nga 6 deri në 22 vjeç janë prezantuar me dance aerobik, dance modern, folklor dance, dance klasik, hip hop.

 

Punimet në Tiranë

Devijim në Rrugën e Dibrës, si do të qarkullohet

Punimet e nisura në Rrugën e Dibrës do të ndryshojnë qarkullimin e makinave, duke e devijuar për nga rruga “Siri Kodra” në drejtim të rrugës “Bardhyl”. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkisë së Tiranës, do të ndalohet qarkullimi i mjeteve në Rrugën e Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën “Siri Kodra”, deri në kryqëzimin me rrugën “Bardhyl”, duke filluar nga ora 21:00 e ditës së sotme, deri të hënën më 13 maj. Qarkullimi i automjeteve, i mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit, në segmentin e Rrugës së Dibrës, nga kryqëzimi me rrugën “Siri Kodra”, deri në kryqëzimin me rrugën “Bardhyl” do të kryhet me një sens lëvizjeje, sipas drejtimit lindje – perëndim. Shërbimi i linjës së transportit urban Kombinat – Kinostudio, në një pjesë të saj do të kryhet me itinerare: Qendër – Rruga e Barrikadave – rruga “Ferit Xhajko” – Rruga e Dibrës, sipas dy drejtimeve të lëvizjes. Shërbimi i linjës së transportit urban Qendër – Tufinë në një pjesë të saj do të kryhet me itinerare: Qendër – Rruga “Luigj Gurakuqi” – Rruga “Hoxha Tahsim” – Rruga “Bardhyl” – Rruga e Dibrës, sipas dy drejtimeve të lëvizjes.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency