Teknologjia moderne, çfarë pasojash sjell përdorimi i saj?

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

tedknoBota virtuale ajo që po “godet” bizneset tradicionale në mbarë botën, por edhe në Shqipëri, ku sidomos brezi i ri po tregon se pavarësisht nga të ardhurat e ulëta për frymë, është tepër i prirë të përqafojë të rejat më të fundit të teknologjisë

 

 

Interneti, shpikja më e madhe e 40 viteve të fundit, apo edhe prodhimi i pajisjeve të mençura teknologjike ka revolucionarizuar mënyrën e të menduarit, të vepruarit dhe të bërit biznes në mbarë botën. Pakkush mund të dërgojë sot me postë një letër apo kartolinë, mjaftojnë pak sekonda dhe mund të dërgosh një email në çdo cep të botës; albumet e fotografive janë zëvendësuara me skedarët e kompjuterëve; lajmin e fundit mund ta lexosh brenda pak sekondash në ekranin e smartphone; muzikën e dëgjon në kompjuter apo i-pad.

Por, nga ana tjetër, është pikërisht bota virtuale ajo që po “godet” bizneset tradicionale në mbarë botën, por edhe në Shqipëri, ku sidomos brezi i ri po tregon se pavarësisht nga të ardhurat e ulëta për frymë, është tepër i prirë të përqafojë të rejat më të fundit të teknologjisë.

 

Muzika, e “prekin” vetëm nostalgjikët

CD-të me këngë, ato që dikur keni blerë apo keni krijuar, është mirë që t’i fshihni diku dhe t’i ruani. Do të vijë një kohë (në mos ka ardhur) ku do të shihen si një relikte e lashtë.

Edhe në Shqipëri, sot janë të pakët ata që blejnë CD me muzikë, madje aq shumë është rrënuar ky biznes, saqë sot në Tiranë gjen vetëm dy pika shitjeje, nga qindra që ishin. Shitjet kanë rënë në nivele rekord, aq sa janë për të ardhur keq. Përfaqësuesi i agjencisë “Albanian Music Industri” (AMI), Romeo Koçi, thotë se gjendja e këtij tregu është vërtet mjerane, shitjet e CD-ve kanë rënë me më shumë se 50%. Në të tilla kushte, operatorët, ata të paktët që ende ekzistojnë, kanë gjetur mënyra të tjera për ta vazhduar aktivitetin duke i dërguar pranë qendrave tregtare. Në këtë mënyrë kanë eliminuar edhe kostot për shitjen dhe është më lehtë të menaxhohen ato pak shitje. Po kush i blen ende CD-të apo DVD-të? “Ka ende nga ata që i preferojnë dhe janë kryesisht të vjetrit që ca për nostalgji e ca nga mospërshtatja me risitë që sjell teknologjia, preferojnë metodat e vjetra”, – thotë z. Koçi. Sipas tij, zinxhiri i shitjes pothuajse është “zbërthyer”. Në krizë janë edhe shtëpitë diskografike, pothuajse 50% e tyre nuk ekzistojnë më dhe, siç thotë z. Koçi, janë duke u mbajtur me “aspirina”, duke shitur elementë të ndryshëm si kapakë CD-ësh. Ai thotë se nëse këto biznese nuk gjejnë rrugë të tjera, atëherë falimentimi i tyre është i sigurt. “Zinxhiri nuk funksionin. Shtëpitë diskografike paguajnë autorët dhe këngëtarët, duke hedhur fonogramin në treg, kjo e fundit sa del nga dhomat e produksionit menjëherë miratohet dhe nuk kthehet më si vlerë financiare. Në këtë moment, shtëpia diskografike është e destinuar ose të falimentojë, ose të qëndrojë në gjendje pasive, ose të ndërmarrë veprime të tjera që të sigurojë mbijetesën”, thotë përfaqësuesi i agjencisë AMI.

Rruga e shpëtimit shihet pikërisht tek ajo që po i “vdes” edhe pse paradoksale, teknologjia, kthimi në shtëpi diskografike virtuale. Kjo tashmë ka kohë që po ndodh në vendet e tjera të botës. Ata që do të shpëtojnë nga kthetrat e këtij zhvillimi të teknologjisë janë krijuesit e videoklipeve, që gjithnjë e më shumë po gjejnë vend në rrjetet e famshme, siç është “Youtube”.

Në Shqipëri, muzika nuk kërcënohet vetëm nga zhvillimi i teknologjisë, por edhe nga informaliteti, që është në shifra të frikshme. Rregulli kryesor është se nuk ka rregulla.

Ose më saktë, edhe ato që janë, nuk zbatohen asnjëherë. Gati 80% e këtij tregu funksion me rregulla loje individuale. Është një krizë që rëndohet edhe nga mosfunksionimi i rregullave, por edhe nga pirateria e lartë.

“Një dekadë më parë, pjesa më e madhe e realizimeve muzikore nisi të përballej me piraterinë online. Me ato që njihen si rrjete “peer to peer” (ndërlidhje me ndërlidhje) u bë i mundur shkarkimi ilegal i muzikës. Për t’iu përgjigjur piraterisë dhe një pjesë për të rritur shitjen e CD-ve në treg, shumë kompani eksperimentuan me licencimin për të përftuar këto shërbime online.

Kjo u lejon njerëzve të dëgjojnë muzikë në kompjuter, celularë, ipad, tablet etj., ndërkohë që artistët (gjë që nuk ndodh) mund të përfitonin të ardhurat, jo vetëm nga ky shërbim, por edhe nga reklamimi”, – thotë z. Koçi.

Por kjo duket se nuk ka funksionuar dhe nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Në këto kushte, asgjë nuk është si më parë për botën e muzikës. Përfaqësuesi i agjencisë “Albanian Music Industri” shton më tej se probleme vijnë edhe nga mungesa e informacionit mbi të drejtat e pronësisë intelektuale apo edhe ndërgjegjësimi i subjekteve. Ai vë re se në Shqipëri mungon profesionalizmi, nuk ka efekte financiare dhe si rrjedhim, këngëtarët, duke mos qenë të mbrojtur, humbasin dhe nuk lënë gjurmë në industrinë e muzikës.

Por muzika nuk ka vetëm “ndëshkime” nga teknologjia, por edhe fitime. “Youtube” është një prej tyre. Sipas të dhënave të vitit 2012, në muaj ky portal vizitohet mesatarisht nga rreth 1 miliard njerëz ose 25% më shumë se mesatarja e vitit të kaluar. Shifra e paguar për reklamimin arriti në 4 miliardë dollarë ose 60% më shumë se në vitin 2011. Parashikimet për sa u përket reklamave, për vitin 2013 do të arrijnë në 5 miliardë dollarë.

Por, për më shumë se 1 milion krijues që kanë marrë pjesë në ndarjen e të ardhurave nga reklamimet, pagesat kanë qenë zhgënjyese. Vlerat e reklamimeve për videot që kanë përfituar popullaritet kanë rënë me një të tretën që nga muaji qershor. Pagesat për videoreklamat që njihen si “pre-roll” kanë zbritur nga 9.35 dollarë për 1,000 shikime në qershor 2012 në 6.33 dollarë në mars të vitit 2013.

 

Printi, një tjetër “viktimë”

Ajo që po ndodh me shtypin e shkruar në Shqipëri është më shumë se luftë për mbijetesë. Sikur të mos mjaftonte konkurrenca brenda “llojit”, tani ajo po ashpërsohet edhe kundrejt teknologjisë së informacionit. Media e re gjithnjë e më shumë po fiton terren. Gazetat, por edhe revistat, po u kushtojnë fort rëndësi përmbajtjeve të tyre online, jo vetëm për shkak të kostove më të ulëta financiare, por edhe për të “peshkuar” sa më shumë lexues, kryesisht shqiptarët jashtë Shqipërisë. Ekspertët thonë se në këto kushte, kompanitë mediatike duhet të mendojnë si “fillestarët”, të cilët nuk kanë asgjë për të humbur ndaj dhe nuk shqetësohen për ndikimet që mund të vijnë dhe më kryesorja, ato nuk duhet të kenë frikë nga dështimi sepse më shumë do të mësojnë prej saj. Pavarësisht mundësive të mëdha dhe të shumëllojshme që ofron media e re, ajo klasike është vështirë që të “zhduket” ose të paktën këtë urojnë dhe shpresojnë drejtuesit e të përditshmeve kryesore në vend. Diferenca në çdo rast do të bëhet nga cilësia.

Të mos harrojmë, thonë drejtuesit e gazetave kryesore në vend, se gazetat në versionin e tyre në print kanë një treg më vete, ndërsa faqet e internetit janë më të vlefshme për emigrantët shqiptarë. Nga ana tjetër, edhe rrjetet sociale kanë sjellë konkurrencë reale për median tradicionale, pasi njerëzit i shohin si alternativa ndaj dhe nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë, për të kaluar kohën apo për t’u informuar. Drejtuesit e gazetave thonë se në treg ka hapësirë si për median elektronike, ashtu edhe për atë të printuar. “Ai që do të bëjë diferencimin do të jetë vetë lexuesi. Pra, nëse do të duan ta lexojnë në letër atë që shkruhet apo përpara ekranit të ftohtë të kompjuterit. Koha do të bëjë edhe seleksionimin e atyre gazetave që nuk u rezistojnë dot zhvillimit të medias”, – thonë ata.

Nga ana tjetër, ata dallojnë edhe rritjen e dëshirës së botuesve të medias së printuar për të përfituar nga avantazhet e teknologjisë, pasi thonë se është një garë e cila po merr përmasa më të mëdha në të përditshmen. “Kjo ka vlerë më shumë për grupet e mëdha mediatike që kanë mbështetje financiare dhe njerëzore, ndërsa faqet e ngritura për t’u kthyer në agjenci informacioni, do ta kenë të vështirë të mbijetojnë”, – thotë drejtuesit e gazetave.

Sipas tyre, sot më shumë sesa herë tjetër, do të kërkohet jo vetëm staf cilësor dhe i kualifikuar reporterësh, por edhe menaxhim e strategji afatgjatë. Edhe kostoja e ulët është një arsye e rëndësishme në zhvillimin e medias online, pasi krijimi i një faqeje kushton jo më shumë se 500 dollarë. Në vëmendje ata sjellin edhe reklamimin, si një element që duhet marrë në analizë. Sipas tyre, reklamuesit shpesh nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të analizuar ose për të parë efektivitetin që jep një reklamë në versionin online, ndaj dhe më shumë i quajnë “qorrash”. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për printin, pasi tirazhet e gazetave janë pothuajse sekret ndërsa disa sondazhe të organizuara për llogari të reklamuesve, masin se cila nga gazetat është e para dhe cila e dyta, por nuk masin dot sasinë, rrjedhimisht nuk masin dot koston apo edhe përfitimin nga reklamat. Një pjesë e mirë e reklamave, thonë drejtuesit e gazetave, janë për të fituar prani në media dhe në këtë rast, kosto/përfitimi nuk merret parasysh. Sipas tyre, interneti zë ende një përqindje shumë të vogël të buxheteve të reklamave të shumë kompanive. Vetëm pak kompani reklamash kanë filluar të krijojnë kapacitetet e duhura njerëzore për të lexuar cilësinë dhe sasinë e vizitorëve.

 

Fotografia, rënie e shpejtë

Por teknologjia nuk ka lënë “pa goditur” as biznesin e fotografisë. Në ditët e sotme, pakkush i printon fotografitë në kushtet kur aparatet dixhitale apo celularët me kamera mundësojnë shkarkimin e tyre të menjëhershëm në kompjuterë.

Alban Xhaferi – CEO i kompanisë “Albaphoto” sh.p.k distributore rajonale për produktet “Fujifilm”, pohon se “fotografia ka qenë padyshim një nga bizneset më të goditura sepse ka rënie shumë të madhe të printimit të fotove. Sot të gjithë njerëzit (megjithëse është për të ardhur keq) i mbajnë fotot e tyre të ruajtura në kompjuterë apo USB dhe vështirë të printojnë”, – thotë ai.

Ai shton se epoka dixhitale ka sjellë dhe ndryshimin e trendit në biznesin e fotografisë. “Mund të themi që metoda tradicionale/standarde e printimit të fotove momentalisht është në staniacion ose disi në rënie. Por nga ana tjetër janë rritur metodat më të fundit të printimit dhe shërbimet fotografike”.

Si përfaqësues i një prej kompanive më të mëdha në botë, prodhuese të aparateve fotografikë, z. Xhaferi thotë se kjo është një tendencë e pashmangshme e konsumatorit të kohëve moderne, por që sigurisht bizneset i janë kundërpërgjigjur duke lançuar teknologji dhe produkte të reja. “Albaphoto” së bashku me kompaninë “Fujifilm”, lider në botë në fushën e printimeve, bashkëpunojnë të diversifikojnë tregun e biznesit duke zgjeruar më tej linjën në sektorin e printimeve grafike, materialet që mbështesin industrinë komerciale te printimit si dhe zgjidhje specifike për komunikime grafike”.

“Fujifilm” ka prezantuar vitet e fundit teknologji shumë të përparuara, që nga aparatet, printerët dhe madje edhe prodhimin e aparateve të grafikës, që janë të domosdoshme në mjekësi. Kjo gjë sigurisht që do të “përcillet” edhe në tregun shqiptar.

Nga ana tjetër, bizneset e vogla të fotografisë në vend kanë reaguar gjithashtu. Tashmë në treg kanë mbijetuar fotografët më profesionistë, të cilët u ofrojnë klientëve edhe shërbime artistike.

“Nga të dhënat që ne kemi nga tregu, ka rritje të ndjeshme të retushimeve (riparimeve të fotografive të vjetra, kryesisht bardhezi) apo edhe të albumeve dixhitale që përdoren gjerësisht për rastet e martesave apo edhe në evente të tjera të rëndësishme. Këto shërbime kushtojnë shumë më tepër se printimet e thjeshta të fotove”, thotë drejtori i “Fujifilm” për Shqipërinë.

Sipas tij, tregu mund të regjistrojë rënie të thellë në volume, por jo në vlerë.

 

 

 

 

9 punët që njerëzit mund të humbasin nga robotët

 

Deri në vitin 2013, në të gjithë botën do të jenë 1.2 milionë robotë industrialë “të punësuar”. Tani robotët janë duke analizuar dokumentet, mbushin recetat, realizojnë detyra të tjera që dikur ishin ekskluzivitet i njerëzve. Po cilat janë profesionet që do të marrin robotët?

 

Farmacist: Herën tjetër kur të shkoni në ndonjë farmaci dhe të kërkoni për ilaçet e recetës suaj, mos u habisni nëse pas banakut do të shihni një robot. Kjo ka ndodhur në “UCSF Medical Center” në SHBA. Roboti, pasi merr në mënyrë elektronike recetën, i merr ilaçet, i paketon dhe shpërndan në dozën e duhur.

Avokatët dhe asistentët e tij: Në vend që të paguani një “ushtri” me avokatë për të parë dokumentet tuaja, më mirë punësoni një “program” i cili mund ta bëjë këtë punë në fraksion sekonde dhe me kosto më të ulët. “The New York Times” raportoi se kompania “Blackstone Discovery” në Palo Alto ka krijuar programe që analizojnë 1.5 milionë dokumente për më pak se 100.000 dollarë.

Shoferë: Gjithnjë e më shumë po punohet për automatizimin e makinave në mënyrë që të rritet siguria dhe që njerëzit të shkurtojnë kohën për të shkuar në punë.

Astronaut: Falë bashkëpunimit me “General Motors”, Robonaut2 i NASA-s është modeli i fundit i teknologjisë androide. Në të ardhmen këta robotë do të ndihmojnë ata që ecin në hapësirë të bëjnë punë shkencore.

Shitës dyqani: Gjithnjë e më shumë kompanitë po kërkojnë mënyra për të shitur sa më shumë produkte, por me më pak punëtorë. ATM-të kanë ulur kërkesën për punësimin e arkëtarëve në banka, asistentët virtualë mund t’iu përgjigjen pyetjeve të ndryshme 24 orë në ditë etj.

Ushtar: Do të duhet shumë kohë derisa sa ushtritë e njerëzve të zëvendësohen nga robotët, por po bëhen përpjekje. Gjithnjë e më shumë në misione të ndryshme po futen edhe makinat luftuese.

Dado: Nëse ka një gjë që e kemi mësuar nga Hollivudi është se robotët nuk janë vetëm mjete “të vdekura”, por burim argëtimi. Shembull i tillë është roboti “Hello Kitty” që është ideal për ata prindër që nuk kanë kohë të kujdesen shumë për fëmijët.

Shpëtues: Robotët mund të futen në zona ku njeriu e ka të vështirë. Ata mund të jenë një ndihmë e mirë në raste fatkeqësish natyrore.

Reporterë dhe gazetarë sportivë: Kushton më lirë që të “paguash” një program sesa të punësosh një gazetar sportiv. Ky është përfundimi i dalë pas krijimit të një programi për mbulimin e shërbimit të informimit mbi ndeshjet sportive që u realizua nga “Northwestern University”.

 

 

 

 

Loading...