Gozhda e Nastradinit

0
165

Çelo Hoxha

 

partitKQZ vazhdon punën, pavarësisht se i mungojnë tre anëtarë. Gjërat duken krejt normale, për të gjitha palët. Edhe PS, megjithëse nuk pranon të bashkëpunojë me PD-në për emërimin e anëtarëve të rinj, bashkëpunon me KQZ-në pa asnjë problem. Dy momente që spikatin: përfaqësuesit e PS-së shkojnë në mbledhjet e KQZ-së, PS i regjistroi kandidatët për deputetë. Një ambasador perëndimor deklaroi pak ditë më parë që KQZ mund të punojë edhe me katër anëtarë. Mendimi im është që KQZ, puna e KQZ-së mund të bëhet edhe me më pak se katër anëtarë, sepse nuk është ndonjë ngarkesë e madhe, por problemi është se KQZ kompozohet në një mënyrë që kompozohet, me qëllim që partitë të kontrollojnë njëra-tjetrën dhe jo për të përballuar volumin e punës. Problemi me KQZ gjithmonë ka qenë çështje besimi dhe duke mos i dërguar anëtarët e saj, opozita i krijon mundësinë vetes që pas zgjedhjeve, në rast se humbet, të ketë një argument për të ngritur alibinë e vjedhjes.

Përvoja nuk i mungon. Në zgjedhjet e 26 majit 1996, PS qëndroi si pjesë e KQZ-së deri të dielën në drekë, pastaj u dha urdhër anëtarëve të saj të tërhiqeshin dhe kështu e shkatërroi gjithë procesin. Ato zgjedhje janë një njollë në historinë e demokracisë shqiptare dhe, për fakt të keq, më shumë ngarkohet me përgjegjësi qeveria e kohës dhe jo opozita, që ishte shkaktarja e gjithçkaje. Me të majtët e Shqipërisë (ose me shumicën e tyre) është e vështirë të arsyetosh, ata nuk e njohin logjikën. Ata kanë mentalitetin e hajdutëve, për të cilët institucionet janë palë armike. Për ata, ligjet dhe shteti ekziston vetëm kur ata kanë pushtetin.

Në disa deklarata të fundit, opozita e ka bërë një paralajmërim të lehtë, si kalimthi, se, në rast se ai nuk fiton (ai thotë: nëse vjedh votat Berisha), qeveria do të përballet me reagim popullor. Kërcënimi përmes reagimit popullor e ka zanafillën në Revolucionin Francez dhe që atëherë është përdorur me qindra herë. Dhe në të gjitha rastet prej një veprimi të tillë ka gjeneruar vetëm dhunë.

PS-ja e Edi Ramës ka një përvojë të gjatë destruktiviteti. Në periudhën parazgjedhore ajo gjithmonë e tensionon situatën. Në vitin 2007, Presidenti u detyrua të shtynte datën e zgjedhjeve, nga 20 janar në 18 shkurt, për shkak të problemeve që ngrinte PS në lidhje certifikatat e votuesve. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës situata ishte dhe më e rëndë se sivjet, PS e detyroi KQZ-në të shkelte ligjin. Nëse KQZ do të kishte këmbëngulur te ligji, PS mund të mos regjistrohej, sepse i çoi listat e kandidatëve në një kohë që afati ligjor i regjistrimit kishte mbaruar. KQZ nuk mund të fajësohej se zgjedhjet në Shqipëri zhvillohen që të garojnë PD dhe PS, pa njërën prej tyre, këto zgjedhje ato nuk kanë kuptim. Sado që mund të respektohet ligji, nëse njëra nga këto dy parti tërhiqet nga zgjedhjet, si në 1996 ose nuk merr pjesë, atëherë besueshmëria e zgjedhjeve kthehet në zero. Pushtetin në pyll nuk e kanë engjëjt, por arinjtë. Ligji është për të gjitha krijesat e tjera, veç atyre. Kurse zgjedhjet maratonë në Tiranë të gjithë i mbajnë mend, sepse janë më të freskëta.

PS është një parti që e ka frikë garën e ndershme dhe të barabartë. Edhe ndryshimet në Kushtetutë, që u bënë pak para zgjedhjeve të vitit 2009, u realizuan për shkak të bindjes së PS-së se do t’i fitonte ato, prandaj ra dakord me PD-në për ndryshimin e kushteve të shkarkimit të Kryeministrit. Votuan një ligj që e bëri Kryeministrin të parrëzueshëm nga posti dhe kjo është arsyeja pse gjatë katër viteve të fundit PS nuk tentoi asnjëherë të bënte një votëbesim të qeverisë. PS e ka vështirë të pranojë rregullat, të futet në lojë dhe të përballet me qetësi me fatin. Kësaj radhe ajo futet në zgjedhje me bindjen që do të fitojë, si çdo parti, ose, siç i duhet çdo partie të shfaqet në publik, por në prapaskenë ajo po mundohet të krijojë dhe rrugët që do ta çojnë te ngritja e alibisë së vjedhjes. Kjo alibi mendoj se ka shumë mundësi që do të jetë KQZ. Tashmë duket e pafajshme si gozhda e Nastridinit, por kur i zoti i saj të kthehet për të varur xhaketën sa herë t’i shkrepë në kokë, qetësia do të jetë prishur. Për të gjithë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency