Do të lironte të akuzuarin për tentativë vrasjeje, kapet oficeri

0
192

Elton Qyno

Policia-Berat-drejtoriaEnton Softa mori 8 milionë lekë për ndryshimin e masës së sigurimit të “Arrestit në burg”

 

Një oficer i Policisë Gjyqësore në policinë e Beratit është arrestuar nga kolegët e tij, pasi është kapur “mat”, teksa ka marrë një sasi prej 8 milionë lekësh të vjetra nga një qytetar. Sasia e lekëve është marrë disa muaj më parë, me qëllimin e vetëm për të ndërhyrë në një prokuror në Berat, i cili më pas do të mundësonte ndryshimin e masës së sigurimit nga “Arrest në burg” në atë të “Arrestit në shtëpi”, për një person që është arrestuar për akuzën e “Vrasjes së mbetur në tentativë”. Hetimet kanë treguar se sasia e lekëve është dhënë nga babai i personit të arrestuar, por që pas marrjes së shumës së parave, oficeri Enton Softa, 36-vjeçar, nuk ka mundur të bëjë asnjë gjë për ndryshimin e masës së sigurimit. Gjatë kësaj kohe ai ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me babain e të arrestuarit, i cili siç ka deklaruar në kallëzimin e tij në polici, një pjesë të parave i kishte marrë borxh, vetëm për të liruar të birin. Mirëpo teksa ka afruar data e gjyqit për ndryshimin e masës së sigurimit, asnjë gjë nuk ka ndryshuar, por sërish i arrestuari për tentativë vrasje është lënë në burg nga ana e gjykatës së Beratit. Kaq ka mjaftuar që qytetari t’i kërkojë llogari oficerit të policisë, i cili i ka pohuar se nuk ka qenë në gjendje të ktheje sasinë e lekëve për shkak se një pjesë të tyre ja ka dhënë prokurorit.

Hetimet 4-mujore

Arrestimi i shtetasit Enton Softa është bërë pas një hetimi intensiv 4-mujor të strukturave të Drejtorisë kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Task-Forcë. Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas i ka kërkuar një qytetari nga Berati shumën prej 8 milionë lekë duke i premtuar se do të ushtronte ndikim tek autoritetet përkatëse, me qëllim zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhënë ndaj djalit të këtij qytetari, i arrestuar për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në materialet e grumbulluara në kuadër të këtij hetimi të kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Njësinë Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest me burg” ndaj shtetasit Enton Softa. Ndaj këtij të fundit janë siguruar prova konkrete si përgjime dhe filmime të cilat vërtetojnë aktivitetin kriminal të tij. Gjatë momentit të arrestimit, Softa ka qenë në një takim me shtetasin që i kishte dhënë lekët për lirimin e djalit. Mirëpo teksa ka qenë duke e bindur qytetarin se do të vazhdonte të bënte të pamundurën për lirimin e të birit, kanë ndërhyrë agjentët e Grupit të Operacioneve Speciale, të cilët kanë barë arrestimin e tij. Gjatë këtij momenti ai ka pretenduar se kjo çështje është diçka personale dhe se ka pasur si qëllim vetëm të ndihmojë qytetarin dhe jo të bëjë korrupsion. Ndërkohë që në dëshminë e tij qytetari ka treguar se lekët që ia ka dhënë oficerit,ai i kishte pohuar se do t’ia jepte prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve.

Softa, me precedentë penalë

Oficeri i arrestuar për korrupsion nuk është i panjohur për policinë dhe prokurorinë për sa u përket rasteve të abuzimit me detyrën. Në vitin 2008, Softa së bashku me kolegun e tij Mehmet Rrapo janë marrë të pandehur, por më pas janë shpallur të pafajshëm nga ana e gjykatës, duke u rikthyer sërish në punë. Sipas dosjes së prokurorisë, çështja ndaj Softës nisi pas denoncimit të shtetases Jonida Qejvani. Vajza që denoncoi është shoqëruar disa herë në polici nga sektori i luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, pasi akuzohej për ushtrim prostitucioni në Belgjikë, gjë të cilën ajo e ka hedhur poshtë kategorikisht. Kur 22-vjeçarja u kthye nga Belgjika, ajo u thirr nga të dy oficerët në komisariatin e Beratit. Në padinë e saj ndaj tyre, vajza tregoi se ishte thirrur disa herë në komisariat dhe ishte detyruar të pranonte se kishte prostituuar në Belgjikë, si dhe të bënte denoncim të rremë për një person, si tutor. Nga burimet e organit të akuzës që ka kryer hetimin ndaj dy funksionarëve, ish-shefit të Antitrafikut Rrapo dhe inspektorit Softa, mësohet se gjatë shoqërimit të 22-vjeçares, ata kanë vepruar në kundërshtim me ligjet, pasi e kanë mbajtur atë për rreth 22 orë në komisariat, madje në fillim për shkelje të paligjshme të kufirit dhe më pas në cilësinë e deklarueses. Procesverbalet e këtij shoqërimi nuk janë dorëzuar asnjëherë pranë prokurorisë.

Precedenti

Enton Softa, në vitin 2008, është vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre”, pasi ka shoqëruar një shtetase të dyshuar se kryente prostitucion, duke e mbajtur atë për më shumë se 22 orë në polici. Kjo shtetase është marrë në pyetje, por që në fakt asnjë procesverbal i këtij deklarimi nuk është paraqitur në prokurorinë e rrethit. Për këtë organi i akuzës ka vendosur të marrë të pandehur Softën, por më pas ai u shpall i pafajshëm nga ana e gjykatës.
             Radhët në dogana

Reagon Grupi i të Drejtave të Njeriut

Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut dënon publikisht vonesat e palës greke në pikën doganore të Kapshticës e Kakavijës, ku një numër i madh emigrantësh shqiptarë presin në radhë. I indinjuar, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut i kërkon qeverisë të marrë masa për garantimin e të drejtave të shqiptarëve. GSHDNJ i bën thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë jo vetëm sqarime nga autoritetet përkatëse greke por zgjidhje edhe garanci se raste të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen. “Është e patolerueshme që institucionet greke të aplikojnë qëndrime joligjore dhe masive ndaj shqiptarëve, në një kohë që vendi ynë është kategorizuar nga një frymë e theksuar bashkëpunimi dhe synon paralelisht integrim në strukturat euro-atlantike”.

Përndjekja

Arrestohet, do të grabiste shtëpinë e adhurueses

Kishte ditë që ndiqte këmba-këmbës një qytetare në Tiranë, me qëllim që ta vidhte. Por me një stil jo fort të përdorur duke përdorur pikërisht një kartë identiteti për t’i hapur derën. Por u kap në flagrancë dje në mesditë nga komisariati i policisë nr. 3 Tiranë. Siç bën të ditur Drejtoria e Policisë së Tiranës, autori është Arben Hysa, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, arrestimi i të cilit u bë pasi dje në rrugën “Maksut Drrasa” është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë, pasi ka tentuar të futet në shtëpinë e shtetases A. C., duke përdorur për hapjen e derës së apartamentit të kësaj shtetaseje kartën e tij të identitetit”. Por fatmirësisht brenda në banesë kanë qenë disa anëtarë të shtëpisë, të cilët kanë konstatuar prezencën e një personi të padëshiruar. Për pasojë ata kanë vendosur të denoncojnë çështjen në polici, duke bërë edhe arrestimin e 40-vjeçarit.
Ngjarja në Peqin

Flakët shkrumbojnë trajlerin maqedonas

Një trajler me targa maqedonase është përfshirë nga flakët pasditen e djeshme në aksin rrugor Elbasan – Peqin. Si pasojë e zjarrit, trajleri është dëmtuar plotësisht, ndërkohë që flakët kanë përfshirë edhe një lokal aty pranë. Sipas të dhënave të deritanishme, nuk ka të lënduar në njerëz. Trajleri transportonte mineral kromi, nga Maqedonia drejt portit të Durrësit. Ndërkohë që shkak për zjarrin dyshohet të këtë qenë një shkëndijë elektrike në kabinën e shoferit. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe dy zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Nga rënia e zjarrit nuk ka pasur dëmtime në njerëz, por vetëm dëme materiale.

 

Ngjarja në Pezë, Niko Smoqi i kërcënoi me pistoletë

Taksisti grabit balerinën e natës së
bashku me dashnorin, dënohet me 4 vjet

Ka nisur si një histori intime dhe tepër romantike, por që më pas ka përfunduar në një grabitje të dhunshme me pistoletë në kokë. Një taksist me emrin Niko Smaqi ka arritur të grabisë me armë një balerinë të lokaleve të natës “Tallava”, teksa kjo e fundit ishte duke udhëtuar në makinën e tij së bashku me dashnorin e saj. Odisjana Cani dhe Vangjel Valeri janë njohur së bashku në një klub nate në Sarandë dhe pasi kanë vendosur të lidhen, balerina është larguar në drejtim të Tiranës, ku edhe banon. Gjatë kësaj kohe të dy ata kanë mbajtur kontakte në telefon me njëri-tjetrin, por në muajin korrik 2012 kanë vendosur të takohen dhe të hanë një darkë së bashku. Takimin e kanë bërë në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë dhe se pikërisht në këtë zonë kanë marrë një taksi. Vangjeli së bashku me Odisjanën kanë hipur në sediljen mbrapa dhe janë nisur në drejtim të Kombinatit. Pasi kanë kaluar Kombinatin, Vangjeli e ka pyetur shoferin se ku po i çonte, kurse shoferi që ishte i pandehuri Niko Smaqi u ka thënë se “më poshtë ka lokale më të lira”. Pasi kanë kaluar varrezat e Kombinatit, Vangjeli e ka pyetur përsëri shoferin, por ai përsëri i kishte kthyer të njëjtën përgjigje. Kur sapo kanë kaluar lapidarin e Pezës dhe kanë marrë rrugën për në Pezë, Vangjeli ka filluar të dyshojë dhe ka marrë në telefon një mikun e tij, shtetasin Vasil Stavro, dhe i ka thënë: “Hipi makinës se kam një hall”. Kur miku i tij e ka pyetur se çfarë kishte kallëzuesi i ka thënë se “do të marr për pesë minuta në telefon”. Në këtë moment edhe shtetasja Ada ka filluar të qante dhe po i thoshte shoferit: “Ku po na çon”, ndërsa Vangjeli po i thoshte shoferit që t’i çonte atje ku i mori. Sipas kallëzuesit Vangjel Valera në këtë moment shoferi ka ndaluar makinën, ka dalë jashtë ka hapur bagazhin. Vangjeli ka parë që shoferi mbante në dorë një pistoletë të tipit “TT” dhe e nikeluar me të cilën qëlloi një herë në ajër. Pasi kishte qëlluar në ajër shoferi kishte hapur derën e makinës ku ishte ulur Vangjeli dhe i kishte vënë tytën e pistoletës te mollëza e faqes dhe i kishte thënë: “Unë të vras” dhe pastaj i kishte marrë çantën e dorës, celularin që kishte në brez, 300 mijë lekë të vjetra, një unazë floriri, orën e dorës si dhe një bllok shënimesh. Në këtë kohë vajza që ishte me të po bërtiste dhe i dha çantën e saj si dhe unazat që kishte. Shoferi i ka kërkuar Vangjelit që të dilte nga makina, ndërsa Odisjanën e mbajti në makinë. Për këtë ngjarje Niko Smaqi është arrestuar dhe në 2 maj është dënuar me 4 vjet burg nga Gjykata e Tiranës.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency