Standard.al

532 miliardë euro për pesë shtete të BE-së

beQiproja kapërcen pengesat e fundit. Në maj duhet të rrjedhin paratë e para nga Fondi Evropian i Shpëtimit, ESM. Për pesë shtete tashmë është premtuar një gjysmë bilioni euro. Kush paguan çfarë dhe kush i merr kreditë?

 

 

Pesë shtetet e bashkësisë monetare euro do të marrin kredi emergjente nga fondi i shpëtimit të Eurozonës, që financohet nga 12 vendet e tjera të Eurozonës. Atyre u shtohen kreditë emergjente nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe kreditë bilaterale, që shtetet me aftësi paguese u japin kandidatëve për falimentim. Kush merr sa, për të shpëtuar bankat dhe për të mbuluar shpenzimet e shtetit?

 

Qipro: Nëntë miliardë nga fondi i shpëtimit

Tre milionët e parë prej nëntë miliardëve të Mekanizmit Evropian të Stabilitetit (ESM) do t’i transferohen këtë muaj qeverisë në Nikozia. ESM është fondi i përhershëm i shpëtimit të bashkimit monetar euro. Ai mban barrën kryesore të paketës së fundit të shpëtimit. Qiproja merr një tjetër miliard nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Uashington, në të cilin paguajnë krahas shumë të tjerëve, vendet e Bashkimit Evropian. Gjashtë deri 10 miliardë euro Qipro i përfiton nga shpronësimi i depozituesve dhe investitorëve, të cilët kanë më shumë se 100.000 euro në xhirollogaritë e disa bankave të dëmtuara. Rusia i ka lejuar Qipros lehtësime në normat e interesit të kredive ekzistuese. Gjithsej ishulli mesdhetar ka një nevojë financiare prej 23 miliardë eurosh. Paketa e ndihmës së ombrellës së shpëtimit të euros ESM zgjat fillimisht tre vjet.

 

Greqia: 350 miliardë euro gëlltit së paku shpëtimi

Me disa paketa shpëtimi të gërshetuara me njëra-tjetrën Bashkimi Evropian, disa shtete anëtare të tij dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë miratuar Greqisë 240 miliardë euro. Programi më i madh deri tani realizohet ende nga EFSF, paraardhësi provizor i ESM të përhershëm. Nga miliardat e premtuar fondi i shpëtimit EFSF ka paguar sipas Komisionit Evropian deri tani 116. Kanë mbetur edhe 28 miliardë. Nga disa vende të eurozonës Greqia ka marrë kredi bilaterale në vlerë prej 53 miliardë euro. Fondi Monetar Ndërkombëtar deri tani ka paguar 20 miliardë. Nga kreditorët privatë Greqia ka marrë deri tani 107 miliardë euro, kështu që gjithsej 350 miliardë mund të përdoren për shpëtim. Programi aktual i shpëtimit i partnerëve evropianë financohet deri në fund të vitit 2014. Vetëm në vitin 2020 Greqia do të arrijë sërish një nivel borxhi, që konsiderohet si “i qëndrueshëm”.

 

 

Irlanda: 85 miliardë për të mbajtur bankat e rrënuara

Në fund të vitit 2013 përfundon programi i ndihmës për Irlandën. Atëherë vendi do të marrë përsëri kredi në tregjet financiare. Nga 85 miliardë eurot e nevojshëm, që i nevojiteshin atëherë tigrit të dikurshëm keltik për të rimëkëmbur sektorin e tij bankar, Irlanda ka sjellë vetë 17, 5 miliardë euro nga asetet shtetërore dhe fondet e pensioneve. 67.5 miliardët e tjerë vijnë nga fondet e përbashkëta të të gjitha shteteve anëtare të BE-së (22.5), nga fondi i shpëtimit EFSF prej 17 shteteve të eurozonës (12.8), nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (20) dhe një kredi nga Britania e Madhe (3.8 ). Irlanda nuk i ka marrë të gjitha fondet e miratuara. Në EFSF janë ende në dispozicion rreth 5 miliardë euro.

 

Portugalia: Paketa më e vogël

Krahasuar me numrin e popullsisë, Portugalia ka nevojë për më pak ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare. 78 miliardë eurot e miratuara për kokë në Portugali arrijnë në rreth 7000 euro. Një krahasim: Në Greqi nevojiten më shumë se 30 000 euro ndihma për person. Programi i kredisë për Portugalinë skadon në fund të vitit 2014. Gati më shumë se 60 miliardë euro ka tërhequr ndërkohë Portugalia nga programi shpëtimit. Ndihmat shpërndahen në mënyrë të barabartë mes fondi të shpëtimit EFSF, Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar me nga 26 miliardë euro secili.

 

Spanja: Bankat, rast specifik

Për të rikapitalizuar bankat e goditura nga kriza e imobilieve Spanja ka kërkuar një shumë prej deri në 100 miliardë euro në fondin e shpëtimit të përhershëm, ESM. Paratë nuk rrjedhin në buxhetin e shtetit spanjoll, por shkojnë pak a shumë direkt në banka. Prandaj Spanjës nuk i duhet të dëshmojë masa të ashpra kursimesh para eurozonës dhe ESM, si të ashtuquajturat “vendet e programit” Irlanda, Portugalia, Greqia dhe tani Qipro. Nga 100 miliardët në dispozicion Spanja ka tërhequr rreth 41 miliardë. Nëse bankat nuk mund t’i kthejnë paratë, shteti spanjoll është i detyruar t’u paguajë vendeve donatore, d.m.th. të 16 anëtarëve të tjerë të eurozonës.

 

Fondi i shpëtimit nuk është boshatisur ende

Shtetet, që marrin ndihma nga fondi evropian i shpëtimit nuk investojnë më vetë në to. Kjo do të thotë, sa më shumë shtete kërkojnë ndihmë, aq më e lartë është kuota për shtetet, që mbeten më aftësi paguese. Gjermania garanton 27 për qind të kredive. Franca 20 për qind, Italia 18. Afro 205 miliardë euro kanë dhënë ndërkohë hua dy fondet e shpëtimit EFSF (155) dhe ESM (50). Shefi i autoritetit të shpëtimit në Luksemburg, Klaus Regling, siguroi së fundi në prill se arkat janë plot. ESM i përhershëm disponon edhe pas pagimit të të gjithë asistencës për Qipron, ende rreth 90 për qind të fuqisë së saj, që është afro 500 miliardë, që mund të jepen hua. ESM huazon paratë nga kapitali vetjak dhe garancitë e shteteve anëtare, madje edhe në tregun e kapitalit, që t’ua kalojë pastaj në kushte të favorshme vendeve të krizës. Kohëzgjatja e huave të ESM për Greqinë, për shembull, arrin në 30 vjet. Kur dhe si do të paguhen të hollat, mbetet e hapur.

Edhe Hungaria, Rumania dhe Letonia kanë marrë kredi emergjente gjatë krizës financiare. Vendet nuk janë anëtare të bashkimit monetar euro dhe për këtë arsye i kanë tërhequr ndihmat e tyre direkt nga Bashkimi Evropian apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Hungaria i ka shlyer kreditë në vlerë prej 14 miliardë euro. Letonia fillon me pagesën e 4.5 miliardë eurove në vitin e ardhshëm. Rumania duhet të paguajë gjithsej 19 miliardë euro në kredi emergjente për vitin 2015.

Comments are closed.