Standard.al

3 mundësitë që do të kenë maturantët për të konkurruar në universitet

Driçim Çaka

maturantMinistria e Arsimit pas korrigjimit të 4 provimeve, pritet që brenda datës 15 shtator të publikojë listën paraprake të fituesve

 

Do të jenë tri mundësitë që do të kenë maturantët për të qenë pjesë e universiteteve dhe tri mundësi për t’u pajisur me diplomën e Maturës Shtetërore 2013. Ky është plani qa ka përgatitur Ministria e Arsimit për t’u ardhur në ndihmë maturantëve. Pavarësisht se ishte hedhur ideja për ndryshimin e mundësive për konkurrimin në universitet, duket se përsëri dhe këtë vit shanset për të fituar do të jenë të larta.

3 mundësi për të fituar

Do të jenë tri fazat që do të kalojë çdo kandidat për të mësuar nëse do të jetë fitues për në shkollën e lartë. Kështu, faza e parë do të jetë nëpërmjet fituesve paraprakë. Ministria e Arsimit, pas korrigjimit të 4 provimeve, pritet që brenda datës 15 shtator të publikojë listën paraprake të fituesve. Kjo listë quhet “paraprake”, pasi shumë kandidatë nuk regjistrohen për në universitet dhe në këtë mënyrë u jepet një mundësi atyre që janë më poshtë në listë për të fituar. Pas listës paraprake do të jetë faza e fituesve përfundimtarë. Në këtë fazë ka ndryshime rrënjësore dhe ulje të nivelit të pikëve. Kandidatët që do të studiojnë jashtë dhe ata që do të regjistrohen në universitetet private do t’u lënë vendin maturantëve të cilët janë afër tyre me pikë. Pas regjistrimeve përfundimtare MASH ashtu si një vit më parë do të nxjerrë përsëri formularin A3. Ky formular do të plotësohet nga 2 kategori, nga ata kandidatë që nuk do të kenë fituar në asnjë degë si dhe nga ata kandidatë që edhe pse kanë vazhduar universitetin, pretendojnë për një degë më të mirë. Vitin e kaluar niveli i pikëve me formularin A3 pësoi një ulje drastike ku shumë degë që me fituesit përfundimtarë ishin kapur me 5550 pikë, me formularin A3 arritën deri në 4900 pikë. Me formularin A3 mbyllen të gjitha fazat e konkurrimit për në shkollën e lartë.

Mbetësit

Mundësi do të kenë dhe maturantët mbetës gjatë provimeve të maturës. Maturën e kaluar të gjithë mbetësit patën mundësi të jepnin provimet në shtator ku shumë prej tyre arritën që të kalonin dhe më pas të vazhdonin universitetet private. Kjo mundësi do të jetë dhe gjatë këtij viti por Ministria e Arsimit do të shtojë dhe një tjetër minisezon para provimeve të shtatorit, ku do të mund të jepen provimet e ngelura. Pra në total do të jenë 3 mundësi dhe për kandidatët “e dobët” të cilët pretendojnë vetëm të marrin diplomën e shkollës së mesme.

Provimet

Në 31 maj të gjithë maturantët do të testohen në provimin e Gjuhë-Letërsisë. Në 14 qershor do të jetë provimi i Matematikës dhe 29 qershor do të jepen provimet me zgjedhje. Provimet do të nisin në orën 10:00. Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbaje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen me një pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, dhe të cilat vlerësohen me 37 pikë gjithsej. I gjithë testi vlerësohet maksimalisht me 50 pikë. Testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të ketë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje do të jenë me përgjigje alternative (që vlerësohem me 1 pikë secila), dhe 10 pyetje të tjera do të jenë me zhvillim dhe do të vlerësohen me 30 pikë. Në total testi i provimeve me zgjedhje do të ketë 40 pikë. Maturantët apo kandidatët që do të japin këtë vit si provim vetëm një lëndë me zgjedhje, do ta nisin provimin në orën 11:00 dhe kanë kohë deri në orën 13:00 për ta përfunduar.

 

 

 

 

INSTAT: Në Shqipëri punojnë 54 mijë fëmijë

Janë 54 mijë fëmijë të moshës 5-17 vjeç punojnë në vendin tonë. Nga një studim i INSTAT-it mësohet se 7.7% e fëmijëve shqiptare të kësaj grupmoshe janë të punësuar në sektorët e bujqësisë, tregtisë, ndërtimit, miniera e shitjes. INSTAT-i thotë se 2.5 % e këtyre fëmijëve meshkuj punojnë në ndërtim dhe miniera me orare të zgjatura e kushte të vështira pune. 2.7 % e fëmijëve të kësaj moshe punojnë në tregje e rrugë, në kushte të vështira atmosferike e ndotjeje. Studimi tregon se shumica e këtyre fëmijëve kanë braktisur shkollën. Ligji shqiptar e ndalon punën e fëmijëve të moshës 5-13 vjeç. Por kjo kategori sipas studimit përbën gati 28.5 % të fëmijëve që punojnë. 28% e fëmijëve që punojnë në Shqipëri janë regjistruar në Qarkun e Elbasanit, 19% në Korçë, 13% në Shkodër, 9% në Tiranës. Madje shumë prej tyre kanë pësuar dëmtime në punë.

 

Rriten eksportet e energjisë elektrike

Të dhënat e fundit zyrtare nga KESH tregojnë se aktualisht po eksportohet rreth 10 milionë kilovat orë energji në ditë në tregjet e huaja. E përkthyer në vlerë, sasia e eksportuar i mundëson KESH të arkëtojë rreth 10 milionë euro në muaj. Ritmet e larta të eksporteve pritet të ruhen edhe në muajt pasardhës, për shkak të rezervës së bollshme në kaskadë. Aktualisht niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ndodhet në pikën maksimale 296.9 metër. Hidrocentralet prodhojnë më kapacitet maksimal duke plotësuar nevojën e tregut të brendshëm për energji, por edhe eksportin e saj. Vetëm në dy muajt e fundit KESH ka arkëtuar afërsisht 20 milionë euro nga energjia që ka shitur jashtë. Shitja e energjisë jashtë po mundëson mbajtjen në ritme pozitive të eksporteve shqiptare, të cilat në tre muajt e parë të vitit u rritën me 17 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

Tërmet 3.9 ballë në Lushnjë

Një tërmet 3.2 ballësh ka tronditur në orët e para të mëngjesit të djeshëm qytetin e Lushnjës. Sipas Institutit Sizmologjik shqiptar lëkundjet janë shënuar rreth orës 02:30 të së enjtes, dhe epiqendra ka qenë në Zgjanë të Lushnjës, vetëm 1 km larg nga qyteti. Tërmeti ka pasur një thellësi prej 18 km. sipas ët dhënave nuk ka pasur dëme materiale, por tërmeti është ndjerë nga të gjithë banorët e zonës. Lëkundjet e tokës në këtë zonë nuk janë të parat pasi shpesh toka pëson dridhje të vogla të cilat sipas Institutit Sizmologjik, nuk përbëjnë problem. Pak muaj më parë tërmetet u ndien dhe në Tiranë ku njëri prej tyre kishte epiqendrën shumë pranë kryeqytetit.

 

Comments are closed.