Xhakja dëshmon vrasjen e kryekomisarit: Ishin të dehur dhe civilë, nuk u prezantua

0
167

Sonja Caka

xhakjaI pandehuri i kërkon gjykatës sjelljen e policëve Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani për t’u ballafaquar me të në sallën e gjyqit

 

Për herë të parë para gjykatës, Ilir Xhakja, i akuzuari për vrasjen e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, momentet para, gjatë dhe pas ngjarjes së 13 shtatorit të vitit të kaluar. I pandehuri ka deklaruar se kryekomisari dhe dy efektivët e policisë ishin të dehur në kohën që janë përplasur bashkë, ndërsa shpjegoi për togat e zeza se Fatmir Hoxhën e ndjeu prej grahmave të alkoolit, sepse e pati afër, ndërsa kryekomisarin sepse i merreshin këmbët. Ndërkohë që, i pandehuri shkoi më tej, duke akuzuar kryekomisarin për përdorim të një fjalori mjaft të ulët ndaj tij, duke e sharë madje nga pjesëtaret gra të familjes, ndërsa bëri me dije se qëlloi pasi dëgjoi një të shtënë më parë. Ilir Xhakja deklaroi për gjykatën se policët ishin civilë dhe ai nuk e ka njohur kryekomisarin, pasi nuk i është prezantuar dhe se qëlloi për vetëmbrojtje për shkak se e shau rëndë nga familja. “M’u err gjithçka pasi qëllova dhe u largova me shpejtësi, fillimisht dhe pastaj nëpër ara derisa u fsheha. Më pas u vetëdorëzova në polici”, – sqaroi momentin e krimit i pandehuri, ndërsa kërkoi nga gjykata të thirren për t’u ballafaquar me të në sallën e gjyqit dy policët Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani.

Dëshmia

Ilir Xhakja, i njohur si “i forti” i Shijakut, ka dëshmuar për rreth 1 orë e 20 minuta në Gjykatën e Krimeve të Rënda në lidhje me vrasjen e kryekomisar Adem Tahiraj. “Ditën e ngjarjes kam punuar në xhami gjatë gjithë paradites. Jemi duke bërë rikonstruksionin e xhamisë dhe aty kam punëtorët që po merren me punimet. Më pas u shkëputa dhe me makinë kalova afër një berberane ku kam takuar nipin tim Ledion. I thashë çfarë po bën dhe e pyeta nëse do vinte me mua. Ai m’u përgjigj: Jo dajë se do qethem dhe do shkoj në shtëpi pasi nesër jam në shkollë. Më pas u largova dhe rrugës pashë dy makina policie që po vinin. U futa në një rrugicë dhe prita sa kaluan ato dhe më pas u nisa drejt xhamisë. Punëtorët nuk kishin ardhur akoma dhe unë lëviza sërish dhe rrugës u shkëmbeva me makinat e policisë. U futa në një dyqan ku ndenja rreth 20 minuta për të bërë një pagesë dhe prita sa të largohej policia. Më pas dola nga dyqani dhe në rrugë pashë një grup njerëzish dhe makina të ndaluara, si dhe makinat e policisë. Pashë makinën e nipit tim të ndaluar afër kanalit dhe dy gomat që i kishte shumë afër. Dyshova mos nipi kishte bërë aksident dhe u afrova me makinë për të parë çfarë kishte ndodhur. Pashë nipin tim në makinë dhe një person tjetër të ulur në vend të parë me të. Ishte Fatmir Hoxha. Pyeta çfarë ka ndodhur dhe kur më pa Fatmiri më tha: Më fal o Ilir, por nuk e dija që ishte nipi yt. Ndërkohë nga larg po vinte një tjetër person i cili po thoshte kush isha unë dhe nisi duke folur me një fjalor shumë të rëndë. Ishte civil dhe pashë që i merreshin këmbët. Fatmir Hoxha i tha se nuk kishte ndonjë problem dhe doli para meje. Personi me pistoletë në dorë nisi të më shante me fjalë të ulëta mua nga familja, ndërsa Fatmiri i rrinte përpara meje duke lëvizur sa në një anë në tjetrën dhe duke i bërë me mimikë se nuk kishte asnjë problem. Pas meje pashë një person tjetër, po civil, i cili ishte ulur në gjunjë dhe më kishte drejtuar pistoletën. Personi tjetër vijoi të më shante kur në një moment dëgjova një krismë. Në atë moment nxorra pistoletën dhe qëllova. M’u errën sytë dhe nuk po shikoja më çfarë po ndodhte. Mora makinën dhe u largova me shpejtësi, në fillim te shtëpia ime dhe më pas nëpër arë për t’u fshehur deri në momentin kur u vetëdorëzova në polici”, – rrëfeu para gjykatës Ilir Xhakja, ndërsa shtoi se nuk mund ta përcaktonte nëse qëlloi ai që ishte mbrapa apo ai që po e shante. “Pas ngjarjes, personi që ishte pas më tha: Më fal Ilir, më fal” vijoi dëshminë i pandehuri, duke rivënë theksin në faktin që policët ishin civilë dhe nuk i ishin prezantuar. Ai u shpreh se njihte Fatmir Hoxhën, por personin që po i vinte përballë nuk e njihte, ndërsa shtoi se ishin pa uniformë të tre dhe se ishin të dehur kur janë përballur me të. Më pas, i pyetur nga avokati Andi Duraj lidhur me mbajtjen e pistoletës me vete, i pandehuri Xhakja u shpreh se “që pas daljes nga burgu, nga frika e ndonjë hakmarrje, unë e mbaja gjithmonë pistoletën me vete. Në fakt kam pasur disa probleme pas daljes”. Më pas, prokurori e pyeti të pandehurin nëse kishte qëlluar apo jo drejt kryekomisarit dhe Xhakja iu përgjigj se kishte qëlluar dhe më pas ishte larguar. Në versionin e Prokurorisë ngjarja ka ndodhur ndryshe, pasi organi i akuzës deklaron se ka qenë Ilir Xhakja personi që ka ofenduar kryekomisar Adem Tahirajn dhe më pas e ka vrarë.

Kërkesa

“Dua që në seancë të vijnë për t’u ballafaquar me mua dy policët Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani. Ballafaqimin e dua për të sqaruar këtë ngjarje”, – i ka kërkuar trupës gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda i pandehuri Ilir Xhakja, i akuzuar për vrasjes e kryekomisarit të Shijakut Adem Tahiraj. Por, ndërsa efektivi Hoxha është sjellë një seancë më parë për të dëshmuar para gjykatës, ndonëse refuzoi ta bënte një gjë të tillë duke iu lexuar deklarimet, efektivi tjetër Kastriot Gosturani nuk gjendet. Sipas përgjigjeve të ardhura nga policia, Gostrurani nuk gjendet në adresën e dhënë.

 

 

Dëshmia

Shokët e Aldo Hoxhës: Kur ndodhi vrasja, kemi qenë bashkë në lokal

Pas familjarëve të viktimës Fatbardha Tafa, pjesa më e madhe e të cilëve dëshmitarë okaluarë dhe që janë përleshur me të dyshuarin për grabitjen me pasojë vdekjen e emigrantes, si dhe dëshmisë së tre efektivëve të policisë një seancë më parë, dje kanë dëshmuar dy shokët e të pandehurit Aldo Hoxha. Para gjykatës ata u betuan se do thonin të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, duke deklaruar se ditën kur ka ndodhur ngjarja dhe pikërisht orari që ka ndodhur vrasja e Tafës, Aldo Ka qenë në lokal me ta, konkretisht në një loto sporti. “Në orën kur ka ndodhur ngjarja për të cilën ju flisni, Aldo ka qenë me ne në lokal dhe këtë mund ta dëshmojnë shumë persona. Kemi qenë duke pirë kafe në një pikë loto sporti”, – janë shprehur ata, ndërsa të pyetur nga prokurori nëse në shoqërinë e tyre ka ndonjë person motor, ata janë shprehur negativisht, pra se askush nuk dispononte motorr. Pas dëshmisë së dy të rinjve, prokurori hoqi dorë nga pyetja e disa dëshmitarëve, përkatësisht 10 dëshmitarë, ndërkohë që ka reaguar avokati i të pandehurit, Sajmir Vishaj, i cili kërkoi që ata të thirren për të dëshmuar nga gjykata. Në përfundim të procesit gjyqësor dhe përsëritjes së thirrjes për të dëshmuar të disa dëshmitarëve nga lista e paraqitur nga akuza, trupa gjykuese mori vendim që gjyqi ndaj Aldo Hoxhës të zhvillohet çdo javë, ditën e mërkurë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency