Vrasja e Muçës, dënohet me 15 vjet burg Nazime Visha

0
140

Sonja Caka

nazmieE pandehura kërkon mëshirë, gjykata e dënon për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata jep verdiktin përfundimtar për Nazime Vishën, vajzën e re e cila është akuzuar për vrasjen e të dashurit të saj, Fiqiri Muça, i cili ka rezultuar të jetë edhe abuzuesi seksual i saj që në moshën 14-vjeçare. Për të dyja akuzat, trupa gjyqësore e dënoi me 15 vjet burg, nga të cilat i mbeten edhe 10 vite për të vuajtur për shkak të uljes së një të tretës së dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Vendimi u dha pas fjalës së fundit të avokates së saj Vjollca Pustina, e cila kërkoi pafajësi për klienten e saj, ndërsa akuzoi policinë se nuk e kishte ndjekur si duhet çështjen që nga momentet e para, ato të abuzimit seksual të vajzës. Më pas e mori fjalën vetë Nazime Visha, e cila kërkoi mëshirë nga gjykata duke u shprehur: “Pranoj se e kam vrarë dhe jam e penduar, pasi kam marrë jetën e një njeriu. Por nuk e kam vrarë me paramendim”. Vajza ka lexuar gati me rrokje disa fjali shtesë në një letër,e cila iu vu në dispozicion edhe gjykatës, ku përveçse tregonte se ishte e penduar, rrëfente edhe abuzimet që ishin kryer ndaj saj në vite nga viktima, çka e kanë shtyrë të kryente krimin. “Askush të mos e provojë atë që provova unë. Më jepni mundësinë të rifilloj jetën me bashkëmoshatarët e mi. Kërkoj mëshirë nga ju”, – ka belbëzuar në fund e pandehura, para se gjykata të jepte pak minuta më vonë dënimin me 15 vite burg. Por, para se të jepte vendimin, gjyqtari Gerd Hoxha iu drejtua të pandehurës me fjalët: “Mëshirë është një fjalë e vjetër, nuk ke çfarë thua ndonjë gjë tjetër”.

Akuza

Një seancë më parë, prokurori Blerim Tominaj kërkoi dënimin me 17 vite burg për të pandehurën Nazime Visha, të cilën e ka cilësuar autore të krimit, por jo një kriminele. “Mes të pandehurës dhe viktimës ka pasur një lidhje harmonike, shpesh e karakterizuar edhe me xhelozi nga ana e 18-vjeçares ndaj Muçës, ku e kërcënonte deri me vetëvrasje. Nuk ka pasur asnjë rast kërcënimi, fyerjeje apo dhune nga ana e viktimës. Por, për asnjë moment Nazimja nuk është treguar e sinqertë me ne në këtë hetim, duke mos nxjerrë në pah çfarë e shtyu të shkonte në këtë veprim të rëndë, vrasjen e një personi. Por, dua të theksoj se Nazime Visha është autore e një krimi por jo kriminele. Aq sa, vizita në Tiranë për Nazimen ishte një luks, disa dhurata të vogla nga ana e viktimës i dukeshin shumë të mëdha”, – vijoi prokurori analizën juridike të figurës së të pandehurës. Më parë, prokurori kishte renditur momentet që tregojnë paramendimin e vrasjes nga ana e 18-vjeçares, e cila ditë pas dite e shihte si të pakuptimtë lidhjen me Fiqiri Muçën, ndërsa prishi një fejesë duke u arratisur në malet e Martaneshit me viktimën për 10 ditë. Sipas prokurorit Tominaj, nga analiza e sms-ve të dërguara nga e pandehura drejt viktimës, ajo aludon për një shtatzëni të mundshme duke e vënë para përgjegjësisë viktimën, madje, duke bërë që Fiqiri Muça ta rrëmbente ditën e kthimit të vizitës nga krushqia në Vilëz, fshatin ku banonte 18-vjeçarja. Babai i viktimës ka arritur deri në atë pikë sa të pranojë ta marrë nuse për djalin Nazimen, pas zhvillimit të papritur të ngjarjeve, kërkesë që nuk është pranuar në asnjë moment nga babai i saj. Prokurori theksoi se nga ekspertiza nuk rezulton që vajza të ketë qenë ndonjëherë shtatzënë, ndërsa ekspertiza e dytë tregoi se e pandehura kishte aftësi të mira të përdorimit të armës së zjarrit. Kjo hedh poshtë ndonjë aludim se vrasjen e ka kryer dikush tjetër nga familja Visha. Prokurori ka sqaruar për gjykatën edhe sms-të e dërguara nga Nazimja te viktima ditën e fejesës me djalin nga Vaqarri, ku ajo pohonte se do ta donte me zemër dhe nuk kishte për ta pranuar të fejuarin me zemër. Kjo kishte detyruar viktimën të telefononte edhe të fejuarin vajzës në Itali, ku i ka deklaruar se Nazimja do të ishte vetëm e tija.

 

Takimi

Zaganjori – Cannon: Mbështetje maksimale në forcimin e gjyqësorit

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Xhezair Zaganjori zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon OBE, dhe zv.ambasadorin Stephen Hickling. Z. Zaganjori e falenderoi ambasadorin Cannon për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe i ka dhënë gjatë viteve të fundit drejtësisë shqiptare, me anë të projekteve dhe asistencës konkrete në këtë fushë. Gjatë takimit Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin e nisur, së bashku me koleget, duke bërë përpjekjet maksimale në kuadër të forcimit të pushtetit gjyqësor. Shteti i së drejtës dhe konsolidimi i tij kërkon mbi të gjitha forcimin e institucioneve dhe pavarësinë e tyre, por në të njëjtën kohë edhe ndryshim të mentalitetit, tha Zaganjori. Kryetari i Gjykatës së Lartë iu drejtua ambasadorit Cannon me vlerësime mbi punën e bërë gjatë këtyre viteve nga ana e Slynn Foundation, duke nënvizuar si shumë të rëndësishëm faktin se ekspertët britanikë, pavarësisht përvojës së gjatë disa vjeçare në fushën e drejtësisë, nuk kanë ngurruar të bashkëpunojnë me homologët e tyre shqiptarë duke marrë mendime të nevojshme për të ndihmuar sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorit. Kryetari Zaganjori e ka quajtur privilegj bashkëpunimin me ekspertët britanikë, në mënyrë që të përvetësohet prej tyre praktika më e mirë që duhet ndjekur, mbi administrimin e dosjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë dhe rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore. Rritja e transparencës dhe nxitja e një debati pozitiv, sipas Kryetarit të Gjykatës së Lartë, është e nevojshme për ta sjellë gjyqësorin sa më pranë publikut, duke rritur besimin ndaj tij. Z. Cannon shprehu konsideratat e tij më të larta për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij institucioni si dhe detyrën e rëndësishme e anëtarëve të kësaj gjykate. Ai parashtroi përpara Kryetarit të Gjykatës së Lartë tre prioritet bazë të qeverisë britanike kundrejt shtetit shqiptar, ku në fokus është forcimi dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Ambasadori Britanik vlerësoi faktin se ka pasur progres në këtë fushë, por në të njëjtën kohë edhe momente ngadalësimi të reformave. “Për këtë ne jemi të angazhuar që të ofrojmë asistencën tonë në mënyrë që këtyre reformave ti jepet shtysa e nevojshme për të ecur përpara. Slynn Foundation, është tashmë një vlerë për Shqipërinë, pasi ekspertët britanikë kanë shpenzuar shumë vite në Shqipëri, duke kuptuar sistemin dhe problematikat, në mënyrë që të gjejnë zgjidhjet më të mira dhe funksionale për Shqipërinë”, – tha ambasadori britanik. Sipas tij, disa nga problemet me të cilat përballet sot Gjykata e Lartë, ku ka mbingarkesë çështjesh të regjistruara e dosjesh të mbartura, kanë ndodhur edhe në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe. Shkëmbimi dhe ndarja e praktikave për të gjetur zgjidhjen e duhur do të ishte në interesin e organizimit dhe funksionimit normal të gjykatës. Në fund të takimit Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ambasadori Britanik, u angazhuan për ta çuar përpara bashkëpunimin, duke parë si mundësi të kësaj edhe një vizitë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Apel

Korrupsioni me lejet e të dënuarve, lirohet drejtori i burgut të Shën Kollit

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelitë e paraburgimit drejtorin e burgut të ShënKollit Valentin Miri, i akuzuar për veprat penale “Korrsupion pasiv” dhe “Shpërdorim detyre”. Vendimi është dhënë dje nga trupa gjyqësore e kësja gjykate, e cila ka pranuar kërkesën e palës mbrojtëse duke ndryshuar masën nga “Arrest me burg” në arrest shtëpie”. Miri u arrestua pas dyshimeve se kishte bërë korrupsion me lejet e të dënuarve. Ish-drejtori Miri u arrestua pas një hetimi nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Njësia Task-Forcë e Prokurorisë së Tiranës. “SHKBB, pas mbledhjes së një sërë provash materiale, ka provuar se drejtori i Burgut, Valentin Miri, ka konsumuar veprat penale të ‘korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘shpërdorimit të detyrës’. Gjatë kontrollit të banesës së drejtorit Valentin Miri u gjet një shumë e konsiderueshme vlerash monetare”, – bëri të ditur zyrtarisht të premten Ministria e Drejtësisë. Sipas Prokurorisë, ish-drejtori akuzohet se në të paktën katër raste ka marrë ryshfet nga familjarë të disa personave të dënuar, në këmbim të lejeve. Po sipas Prokurorisë, ish-drejtori kërkonte 100 euro për leje njëditore dhe 300 euro për leje deri në pesë ditë. Në lidhje me akuzat për “Shpërdorim të detyrës”, për Prokurorinë ka dyshime se ish-drejtori ka pranuar kërkesa për leje nga të dënuarit, kërkesa të cilat përmbanin dokumente false.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency