Provimi i shtetit, rritet niveli. Kandidatët: Presim rezultate të mira

0
109

provimiNë sezonet e mëparshme të gjitha profesionet, përveç mjekësisë, kanë dhënë rezultate negative, ku më shumë se gjysma e të testuarve kanë ngelur

 

Niveli i provimeve të shtetit për sezonin e majit 2013 pritet të pësojë një rritje të dukshme. Në sezonet e mëparshme të gjitha profesionet, përveç mjekësisë, kanë dhënë rezultate negative, ku më shumë se gjysma e të testuarve kanë ngelur. Ky nivel i dobët detyroi Urdhrin e Infermierëve dhe atë të Mjekëve të marrin masat për t’i përgatitur kandidatët. Kështu, Urdhri i Infermierit ka zhvilluar provimin në fund të muajit prill dhe pa marrë këtë provim asnjë kandidat nuk mund të jepte provimin e shtetit. E njëjta gjë ka ndodhur me të gjitha profesionet e lira.

Rezultatet

Janë vetë kandidatët që japin provimin, të cilët shprehen se presin rezultate të larta gjatë këtij sezoni. Shumica e tyre kanë qenë të kënaqur me pyetjet e provimit dhe shprehen të sigurt për marrjen e minimumit të pikëve, madje shpresojnë për pikët maksimale. Sipas drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, provimi ka qenë i një niveli mbi mesatar për çdo profesion dhe është ndjekur e njëjta linjë si në sezonet e tjera.

Si zhvillohen provimet

Pyetjet e provimit janë në kompetencë të Komisionit të Provimit të Shtetit. Ato synojnë të vlerësojnë njohuritë e përgjithshme të kandidatit për profesionin përkatës. Pyetjet e provimit të shtetit janë me alternativa. Vetëm një nga alternativat është përgjigje e saktë. Pyetjet shfaqen në monitorin e kompjuterit të kandidatit dhe me një klikim zgjidhet pyetja e dëshiruar. Pyetja me alternativa është në një kuadrat me ngjyrë portokalli. Klikimi mbi këtë kuadrat ndryshon ngjyrën e kuadratit. Klikimi mbi alternativë nuk konsiderohet automatikisht si përgjigje e pyetjes. Kandidati ka të drejtë të klikojë më shumë se një herë mbi alternativat, pastaj ta konfirmojë atë. Pas dhënies së përgjigjes, në monitor shfaqet njoftimi “Zgjidhni pyetje tjetër!” Në monitorin e kompjuterit shfaqet edhe koha e mbetur në dispozicion deri në përfundimin e provimit. Koha e provimit përfundon kur në monitor shfaqet tabela përmbledhëse e dhënies së përgjigjeve e ballafaquar me përgjigjet e sakta, sasinë e pikëve të grumbulluara si dhe përqindja e pikëve të grumbulluara. Kur koha e provimit përfundon, automatikisht printohet një dokument vërtetimi, me foto, shoqëruar me informacionin e sipërpërmendur. Provimi i shtetit cilësohet i kryer me sukses, nëse në provim kandidati është vlerësuar së paku me notën 5 (kalueshëm). Kandidati i vlerësuar me notën 4 (jokalueshëm) përsërit provimin.

Rregullat

Kandidatët duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim ose pasaportë në provimin e shtetit. Të jenë të pajisur me vërtetim regjistrimi dhe mandatin e pagesës së tarifës së provimeve të shtetit; çdo kandidat duhet të paraqitet së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit. Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi; po kështu ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit si dhe komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.

 

 

Vlerësimi

a. Kandidati vlerësohet me notën 10 (shkëlqyeshëm), nëse merr 95-100% të pikëve

b. Kandidati vlerësohet me notën 9 (shumë mirë), nëse 85-94% të pikëve

c. Kandidati vlerësohet me notën 8 (mirë), nëse merr 75-84% të pikëve

ç. Kandidati vlerësohet me notën 7 (kënaqshëm), nëse merr 65-74% të pikëve

a. Kandidati vlerësohet me notën 6 (mjaftueshëm), nëse merr 55-64% të pikëve

b. Kandidati vlerësohet me notën 5 (kalueshëm), nëse merr 50-54% të pikëve

c. Kandidati vlerësohet me notën 4 (jokalueshëm), nëse merr më pak se 50% të

pikëve

 

 

Breshëri trondit Elbasanin dhe Lezhën, bllokohet trafiku në Tiranë

Një breshër që, sipas banorëve, kishte vite që nuk binte në Lezhë dhe në Elbasan, ka dëmtuar totalisht bujqësinë. Të mbjellat e 3500 banorëve të Shushicës në Elbasan janë shkatërruar tërësisht brenda 90 minutave që ka zgjatur rrebeshi. Nga llogaritjet e para të ekspertëve të komunës mësohet se janë dëmtuar tërësisht 330 ha tokë e mbjellë me një vlerë prej 2 milionë dollarësh. Më të prekura janë komunat Shushicë, Gjinar dhe Labinot-Fushë. Por raportime ka edhe nga fshatra të tjerë të prefekturës. Reshjet e breshrit kanë dëmtuar sipërfaqe të mëdha me drurë frutorë, vreshta, qershi, sera e të mbjella të stinës. Vetë fermerët shprehen se breshëri u ka rrafshuar toka bujqësore vreshta, qershi, sera, perime e të mbjella të stinës me të cilat ata mbajnë familjet. Fermerët kërkojnë mbështetje nga shteti për kompensim të demit. E njëjta situatë është në fshatin Tale të Shënkollit në Lezhë, ku janë dëmtuar 14 ha me të mbjella. Banorët e zonës thonë se kjo ka qenë e vetmja mënyrë e sigurimit të të ardhurave të tyre. Banorët e zonave të prekura nga breshëri kërkojnë ngritjen e një komisioni për vlerësimin e dëmeve dhe dëmshpërblimin për të mbjellat. Një situatë e rëndë ka kapur edhe kryeqytetin ditën e djeshme. Gjatë orëve të pasdites shiu me intensitet të lartë ka bllokuar krejtësisht trafikun dhe ka sjellë probleme në qarkullim. Sipas Shërbimit Meteorologjik, moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë deri në fundjavë, më pas pritet të vijë vera me temperatura të nxehta.

 

Durrës, mbërrin kroçera me 325 turistë

325 turistë finlandezë mbërrijnë të enjten në portin e Durrësit. Kroçera “Kristina Katerina” niset nga Venecia, pasi ka nisur turin e saj nga porti i Jaltës në Ukrainë. Anija parashikohet të ankorohet në kalatën 4, ku janë marrë të gjitha masat për pritjen e udhëtarëve nga vende të ndryshme. Anija turistike “Kristina Katerina” ka vizituar disa herë portin e Durrësit. Për herë të fundit ajo u ankorua në portin më të madh të vendit tonë në tetor të vitit të kaluar. Pas kroçerës “Costa Voyager” me 761 turistë, “Kristina Katerina” është anija e dytë turistike që mbërrin në Durrës në fillim të këtij sezoni.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency