Një ditë në zemër të Evropës

0
178

bruksSabrina Pabst

 

Si një anije kozmike mbidimensionale të duket pallati me xhama i Parlamentit Evropian në Bruksel. Fasadat e kthjellëta prej qelqi të godinës gjigante të lenë përshtypjen e ftohtësisë dhe distancës. Deputetët e BE-së këtu konsultohen për pothuajse të gjithë të drejtën e BE-së. Parlamenti Evropian është asambleja më e madhe demokratike e botës dhe i vetmi organ i zgjedhur direkt prej gati 500 milionë qytetarëve të BE-së. Por a vjen zëri, e në radhë të parë zëri i njerëzve deri këtu?

„2013 është viti i qytetarëve të BE-së“: fjalë miqësore këto të shkruara në një pllakatë të varur mbi hyrjen e godinës. Por a nuk do të duhej që kjo ditë çdo vit t’u dedikohej qytetarëve?

Para parlamentit njerëzit janë mbledhur në sheshin e “Solidaritetit” në zemër të Brukselit. Një band bas krijon atmosferë të gëzueshme dhe vizitorët kërcejnë sipas ritmit të muzikës. Në “festën e Evropës” institucionet e BE-së,Komisioni, Parlamenti, Këshilli i Ministrave, hapin për një ditë portat, në mënyrë që qytetarët e interesuar të mund ta përjetojnë nga afër politikën e BE-së. Stendat e organizatave të veçanta dhe shoqatave të përfaqësimit të interesave ofrojnë në këtë ditë informacione të shumta mbi punën e tyre.

 

Të dalim të fortë nga kriza

Evropa – çfarë është në fakt kjo? Paqe, demokraci, liri, stabilitet dhe mirëqenie: pas një shekulli plot konflikte dhe dy luftërash të mëdha të gjithë evropianët mund të jenë të sigurt, se brenda aleancës së shteteve mund të jetojnë së bashku në paqe. Vizitorët e interesuar duan në këtë ditë të mësojnë më shumë për atdheun e tyre, për të drejtën e tyre politike të bashkëvendosjes dhe për të ardhmen evropiane, një krijesë kjo që duket se po shkërmoqet. Klima e krizës në Evropë dhe shqetësimi e frika e gjithsecilit duket se në këtë ditë janë harruar. Megjithatë nëse i pyet konkretisht vizitorët vihen në mendime.

Evropianët po humbasin besimin tek BE-ja dhe institucionet e saj, siç vërteton një studim i publikuar së fundi. Qytetarët e BE-së shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për vendet e punës dhe pensionet e tyre. Ata zhgënjehen nëse u krijohet përshtypja, se zëri i tyre nuk dëgjohet në institucionet e BE-së. Demonstrata, protesta dhe dhuna janë shprehje e qëndrimit të popullsisë së velur prej politikës.

 

Solidariteti në vend të së drejtës së të fortit

“E mira e protestave në vende si Greqia apo Spanja është, se njerëzit tërheqin vëmendjen e politikës. Por mënyra se si bëhet kjo, është shqetësuese. Dhuna nuk i zgjidh problemet e tyre. Kriza tregon, se si ndihen qytetarët. Por zgjidhja duhet të gjendet në nivelin evropian dhe jo në vendet e prekura”, thotë Ana në intervistë për Deutschen Welle-n. Ajo dhe shoqja e saj Irene vijnë nga Sllovenia dhe i ndjekin prej vitesh zhvillimet politike në Evropë. “Politika evropiane është e konfrontuar me kohë të vështira, por kjo nuk është as hera e parë dhe as e fundit. Unë shpresoj, që ne do ta përballojmë edhe këtë krizë dhe që prej saj do të dalë një BE më e fortë dhe më e rëndësishme në arenën ndërkombëtare”.

Baza për këtë bashkëjetesë brenda BE-së janë diversiteti kulturor, angazhimi i madh për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe vlerat e përbashkëta. Sidoqoftë edhe në kohë të tilla si sot, kur duket se stabiliteti po lëkundet, është edhe më e rëndësishme që t’i përmbahesh solidaritetit dhe vlerave të përbashkëta, në mënyrë që nga kohët e krizës ekonomike dhe financiare të krijohet një Evropë e re dhe më e fortë. Në këtë krizë ka vetëm dy mundësi: ose të gjithë humbasin, ose të gjithë bashkë bëhen fitues. E rëndësishme në këtë kohë është, që solidariteti dhe diplomacia të qëndrojnë mbi të drejtën e të fortit.

 

Dëshirohet një parlament më transparent

Francoise është belg dhe angazhohet në politikë në një organizatë rinie. Ai e sheh me sy kritik zgjerimin e BE-së. “Evropa rritet shpejt. Mentaliteti i qytetarëve nuk ndryshon kaq shpejt. Ne kemi së shpejti 28 vende anëtare. Ne duhet ta ndërpresim një herë zgjerimin dhe të krijojmë stabilitet në Evropë. Deri tani duket, sikur secili vend do të ruajë interesat e veta dhe askush nuk mendon për Evropën si e tërë”. Qoftë shtete të vogla apo të mëdha, në Jug apo në Veri, në Lindje apo në Perëndim të Evropës – dallimet midis vendeve anëtare lihen jashtë vëmendjes.

Çdo shtet ka të drejtën e fjalës. Por BE-ja dhe integrimi evropian nuk janë të vetëkuptueshme. Dallimet fillestare dalin sërish në pah pikërisht në kohë krize. E pikërisht tani duhet që t’u përmbahemi idealeve dhe vlerave të përbashkëta. Benjamin nga Federata e të Rinjve Evropianë (Young European Federalists) e sheh ngjashëm këtë problem. “Një Evropë e përbashkët nis me zgjedhjet e përbashkëta – jo vetëm të parlamentit, por edhe të komisionit. Qytetarët e BE-së nuk e dinë, se kush vendos faktikisht në Bruksel. Ata ndonëse më pas gjithmonë fajësojnë politikanët e Brukselit, këta në fakt janë politikanët e vendeve të veçanta që kanë nënshkruar marrëveshjen, të cilët duhet të vendosin këtu. Por ky fakt lihet jashtë vëmendjes”.

Një ditë në Bruksel tregon, se të rinjtë evropianë interesohen për zhvillimet politike në BE. Është e kuptueshme që ata shohin një të ardhme të zymtë me shqetësime ekzistenciale. Por protestat e tyre tregojnë, se ata janë të gatshëm të angazhohen në politikë dhe të luftojnë për interesat e tyre. Tani politika duhet të tregojë, se angazhohet për problemet e qytetarëve dhe mund t’i zgjidhë krizat e tyre. Prej situatës aktuale duhet të zhvillohet një Evropë, e cila të jetë ekonomikisht e fortë, me drejtësi sociale dhe demokratike.

 

Përse dita e Evropës?

Dita e Evropës kujton fjalimin e Robert Schuman më 9 maj 1950. Në fjalimin e tij ai u bëri thirrje Francës, Italisë, Gjermanisë, Belgjikës, Luksemburgut dhe Holandës të themelojnë një Komunitet Evropian të qymyrit dhe çelikut. Armiqtë e dikurshëm u bënë miq. Kjo aleancë është themeli i Bashkimit të sotëm Evropian./dw/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency