Mentaliteti i servilit

0

Çelo Hoxha

Loading...

 

servilPolitikanët, sidomos ata në opozitë, e përdorin rëndom shprehjen që zgjedhjet e 23 qershorit janë vendimtare për fatin e Shqipërisë, për proceset e saj integruese, marrjen e statusit kandidat e bla, bla. Këto janë gjepura. Futja e fushatës në këtë lloj hullie i intereson të majtës, e cila, që nga 1941 e këtej, ka luajtur me ekzistencën e apokalipsit. Dikur, po të largohej PPSH nga pushteti, sipas propagandës zyrtare, do të bëhej nami, se vendi do të binte në dorë të imperialistëve amerikanë, anglezë, gjermanë, francezë, italianë etj. Enver Hoxha shkroi dhe një libër për këtë qëllim: “Rreziku anlgo-amerikan për Shqipërinë”. Ismail Kadareja shkroi një dyzinë. Diktatori nuk ishte i kënaqur as me komunistët evropianë. Kundër tyre shkroi librin “Eurokomunizmi është antikomunizëm”. Mësuesit e marksizmit më të zellshëm shkruan kundër Satrit, simbolit të komunizmit francez dhe atij evropian. Në fund PPSH iku nga pushteti, kufijtë u hapën, SHBA dhe gjithë bota perëndimore nuk na bënë ndonjë gjë të keqe. Madje ç’na ndihmuan.

Mirëpo, ndihma e tyre ishte gjysmake. Nuk e çuan deri aty sa t’i kishim fshirë komunistët nga skena politike. Komunistët, si të pacipë që janë, ndryshuan gjithë fjalët e ligjërimit të tyre, por jo mënyrën e të menduarit. Armiku që dikur ishte jashtë, tani u vendos brenda Shqipërisë. Fanari i vetëm në botë, që dikur ishte Shqipëria, tani u shpall Brukseli. Çdo gjë që ndodh në Shqipëri ka si njësi verifikimi vetëm humorin e Brukselit. Ne s’duhet të bëjmë zhurmë se zgjojmë Brukselin nga gjumi, s’duhet të flasim për bashkimin e kombit se na dëgjon Brukseli, e kështu me radhë. Sipas të majtëve shqiptarë, në Shqipëri gjithçka duhet të bëhet në funksion të Brukselit.

Brukseli nga ana e tij ka planet dhe hallet e veta. Ai i fut hundët në punët e Shqipërisë aq sa i intereson dhe kur i intereson, por gjithmonë për hesapin e tij. Nëse në Shqipëri ndodh diçka që Brukselit nuk intereson, ai as që shqetësohet. Për shembull, nëse Shqipëria ka nevojë për largimin nga skena politike të ish-ministrave, ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve, ish-sigurimsave të diktaturës, Evropa nuk e vë ujin në zjarr. Dy dekadat e fundit në Bruksel kanë shkruar me dhjetëra grupe parlamentare nga Shqipëria mes të cilëve ka pasur njerëz nga kategoritë që përmendëm më sipër, megjithatë asnjë zyrtar i Brukselit nuk ka refuzuar t’i japë dorën ndonjë të tilli, që gjithë politika shqiptare të merrte ndonjë mesazh. Pastaj, kur gjithçka e bëjmë që të jetë pas oreksit të zyrtarëve të Brukselit, atëherë përse të majtët lodhen kot dhe u futen telasheve me Sali Berishën. Ata bëjnë mirë të heqin dorë nga KQZ, nga Kodi Zgjedhor, nga Kushtetuta, nga konfliktet brenda tyre, nga lodhja që shoqëron fushatën, dhe të dalin me një propozim unik: t’ia dorëzojmë çelësat e qeverisjes Brukselit. Meqë shqiptarët të drejtuar nga kryeministri i tyre, sipas të majtëve, nuk i bëjnë dot zgjedhjet ashtu siç kërkon Brukselit, le të vijnë internacionalistët e Brukselit ta drejtojnë këtë vend dhe shqiptarët të merren gjëra më të dobishme, për shembull të ngrohen në diell në Karaibe.

Të majtët janë njerëz që duan të kontrollojnë gjithçka dhe të mos mbajnë përgjegjësi për asgjë. Kontrolli i gjithçkaje e kthen pushtetin në qëllim për ta dhe kur e zotërojnë atë nuk dinë çfarë të bëjnë me të, vetëm vegjetojnë karrige. Në fund, kur bëhet bilanci, i cili gjithmonë del negativ, atëherë ua hedhin fajin të tjerëve (sindroma e armikut). Duke pasur qëllim vetëm pushtetin u punon mendja vetëm si të arrijnë aty. Kjo është arsyeja përse PS nuk e pati problem ribashkimin me LSI, ajo bën mbledhje matematike dhe jo aleanca njerëzore që e kanë të pashmangshme dhe gjykimin moral. Edhe largimi i figurave të PS nga partia është pjesë e llogarive të Edi Ramës. Atij i shkon në mendje që mund t’i humbasë zgjedhjet dhe kështu, pa nanoistët brenda, e ka të siguruar udhëheqjen e partisë. Që të shpresojë të fitojë katërvjeçarin tjetër. Ai e do aq shumë pushtetin saqë është i gatshëm të presë i qetë plakjen e zotit Berisha.

Nëse duhet të bëjmë zgjedhje të lira, këtë s’duhet ta bëjmë për t’i bërë qejfin Brukselit, por se është në të mirën tonë. Një individ, ose parti, që i bën gjërat se ashtu si u pëlqejnë të tjerëve, asnjëherë s’ka për t’i bërë mirë, apo s’ka për të qenë krenar për arritjen e tij. Si gjithë servilët.

Loading...