Berisha: Rama kishte frikë të matej në Tiranë

0
117

Ina Jano

berisha“Nuk ndërhyj në punët e brendshme të Partisë Socialiste, por një gjë do t’jua them: të të sjellë Koço Kokëdhima këtu, është jashtëzakonisht e rëndë. Zotin Rama në Vlorë e ka sjellë Koçua”

 

Kryeministri Berisha akuzoi dje nga Orikumi liderin socialist Edi Rama se kishte frikë që të kandidonte në Tiranë, edhe pse do të ishte i pari në listë dhe e kishte mandatin e fituar. Numri një i ekzekutivit u shpreh: “Është normale që kryetari i partisë, meqenëse selia është në Tiranë, të kandidojë në qarkun ku është selia e partisë. Por nuk është ndonjë mëkat i madh, se puna e trimërisë herë të jepet dhe herë nuk të jepet, herë e ke dhe herë nuk e ke. Kështu që, frikë pati të matej në Tiranë, ndonëse mandatin e fitonte me siguri, si kreu i listës. Ai erdhi në Vlorë. Socialistët vlonjatë janë të kënaqur, por kam një fjalë për ta: nuk erdhi Rama, erdhi Koçua!”, – deklaroi kreu i qeverisë. Numri një i qeverisë nuk foli në lidhje me largimin e Arben Malajt nga lista e kandidatëve, por gjithsesi lëshoi akuza të forta në lidhje me kandidatin socialist të qarkut të Vlorës, konkretisht për Koço Kokëdhimën. “Unë nuk ndërhyj në punët e brendshme të Partisë Socialiste, por një gjë do t’jua them: të të sjellë Koço Kokëdhima këtu, është jashtëzakonisht e rëndë. Zotin Rama në Vlorë e ka sjellë Koçua, sepse Koçua në Tiranë njihet si menaxheri shpirtëror i zotit Rama; njihet si njeriu që fitonte të gjitha tenderët e rrugëve, të cilave u binte asfalti brenda tetë muajve; njihet si njeriu që fitonte tenderët e rindërtimit të shkollave dhe atyre u binin tavanet edhe fëmijët përfundonin në spitale, mos harroni skenat në televizione. Koçua njihet si njeriu, i cili të gjitha reklamat e qytetit i kishte pronë të tijën dhe nuk i paguante bashkisë as edhe një taksë të vetme. Koçua njihet në Tiranë si personi që i detyrohet arkës së bashkisë disa milionë euro detyrime fiskale. Koçua që e solli zotin Rama këtu, nuk e solli për ndonjë dashuri që ka për Vlorën, por e solli për pasionin e tij të çmendur për beton dhe brigjet e Vlorës. Cilitdo socialist që vë në dyshim këtë fjalë timen, i them miqësisht: shko në Himarë. Himariotët këndojnë këngën – Himarës, kush ia lidhi sytë? Koçua ynë! Shkoni dhe shihni se si i ka ndërtuar dy pallate gjigante në mes të Himarës dhe i ka zënë detin qytetit më të mirë, qytetit më të mrekullueshëm të Shqipërisë dhe mbarë brigjeve të Mesdheut”, – u shpreh Berisha. Ai vijoi më tej se Rama nuk solli në Vlorë pallatin në pajë, por erdhi në pajën e Koços dhe për llogari të tij. Lideri i mazhorancës u shpreh se një situatë të tillë e kishte parashikuar edhe më herët dhe askush nuk e besonte, madje ka pasur edhe nga ata që i kanë thënë se është duke e tepruar. “Ai është kryetar i zotit Rama dhe për socialistët është nënkryetar. Pra, kjo është”, – u shpreh Kryeministri, me besimin më të plotë se ekipi i PD-së në këtë qark është i shkëlqyer, i udhëhequr nga kreu i grupit parlamentar Astrit Patozi.

 

Investimet

Kryeministri Berisha u ndal në Bashkinë e Orikumit dhe ishte i pranishëm në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujit të ndotur. Impianti është një investim me vlerë 16 milionë dollarë, financim i Bankës Islamike për Zhvillim dhe i qeverisë shqiptare. Ky projekt nis me shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, vijon me shërbimin e kanalizimeve dhe të trajtimit të ujit të ndotur për popullsinë prej 15.000 banorësh që jeton sot në Orikum, duke parashikuar një kapacitet të mundshëm sistemesh për deri 60.000 banorë, përfshirë këtu edhe fluksin turistik. Impianti i trajtimit ka kapacitet trajtimi të ujerave të ndotur prej 8000 m³ në ditë. Gjatë viteve 2005 – 2012 janë investuan 55 miliardë lekë për të ndërtuar 364 sisteme të reja ujësjellësish dhe 419 sisteme të reja kanalizimesh, ndërkohë që në një kohë rekord kanë përfunduar 9 impiante trajtimi të ujërave të ndotur si në Kavajë, Pogradec, Korçë, Durrës, Sarandë-Ksamil, Shëngjin-Lezhë, Shirokë, Velipojë, Vlorë dhe janë në proces Tirana, Kavaja turistike përfshirë Golemin, Shkodra etj. “Kjo e bën Orikumin një qytet të zhvilluar, e vendos atë në hartën e qyteteve më të pastra të Evropës. Kjo është një pasaportë e re, e madhe, për qytetin tuaj, i cili nga lashtësia deri më sot mban një emër të madh dhe të merituar”, – tha shefi i qeverisë. Më tej, Kryeministri Berisha tha se do të bëjë gjithçka për rritjen e turizmit. “Nga 4.7 milionë turistë vitin e kaluar, objektivi ynë është 7 milionë turistë. Ne kemi gati projektin, kemi gati fondet për bypass-in e Vlorës, i cili i jep një frymëmarrje të re trafiku Orikumit, i jep një urbanizim shumë të mirë një seri fshatrave në të cilat kalon bypass-i. Ne do të ndërtojmë rrugën Orikum – Kepi i Gjuzës, rrugë e cila dyfishon në të vërtetë potencialin e jashtëzakonshëm turistik të qytetit të Vlorës. Ne po punojmë për një projekt, i cili do t’i paraqesë tregut botëror Orikumin, Vlorën, Nartën, Zvërnecin, Karaburunin, Sazanin si kompleksin natyror në të bukur në Evropë, për të tërhequr investime të mëdha”, – nënvizoi lideri i mazhorancës.

 

Kryeministri: Qeveria, gjithçka për biznesin, zgjidhni alternativën e djathtë

Nga Vlora kreu i qeverisë shqiptare ka risjellë në vëmendje të gjitha masat që mazhoranca ka ndërmarrë për biznesin. Duke vlerësuar se do të bëjë gjithçka për këtë kategori, lideri i ekzekutivit tha se Shqipëria nuk u kap nga kriza ekonomike dhe kjo është një gjë tejet pozitive për të gjithë vendin tonë. “Gjatë këtyre viteve, qeveria ka bërë gjithçka për klimën e biznesit. Ne kemi vendosur nivelin e taksave të ulëta 10 për qind, kemi ulur kontributin e sigurimeve shoqërore në 15 nga 32 për qind që ishte për sipërmarrësin, kemi hequr tarifat doganore 12 për qind për mallrat që përdoreshin për prodhim dhe së fundi hoqëm TVSH-në e çdo tarifë që kompanitë do të sjellin në vend, për prodhim. Po në mbështetje të vendeve të punë, të biznesit, ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale 10 për qind, për të gjithë punonjësit me pagë mujore nën 30 mijë lekë. Ne besojmë se krijimi i klimës miqësore për biznesin është rruga më e sigurt për krijimin e vendeve të punës dhe punësimin. Të gjithë jeni të njohur me faktin se një krizë e thellë ka pllakosur vendet përreth dhe

Evropën. Kjo krizë sigurisht pasqyrohet edhe në ekonominë shqiptare, por, siç do të deklaronte Komisioni Evropian në raportin e fundit, ekonomia shqiptare është një ndër tre, katër ekonomitë që nuk ra në recesion. Ekonomia shqiptare, thekson raporti, është e vetmja ekonomi që realizoi një ulje 0.5 për qind të papunësisë dhe zoti president, në këtë ulje ju keni kontribut kryesor. Unë jam këtu për t’ju dhënë juve fjalën, të gjithë kolegëve tuaj, të gjithë investitorëve të kësaj fushe e fushave të tjera, se qeveria me paketën e re fiskale që vendosi nuk do të ndalet, por do të studiojë me lupë çdo segment të veprimtarisë suaj, për ta lehtësuar atë gjithnjë e më shumë”, – tha zoti Berisha. Ky i fundit ftoi të gjithë demokratët e Vlorës që të zgjedhin alternativën e duhur për zgjedhjet e 23 qershorit, të përballin alternativën e hapjes së vendeve të reja të punës, përballë asaj të bllokimit që ofron opozita shqiptare.

 

 

Bregu: Shqiptarët kanë 208 arsye për të mos votuar Ramën

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama, për veprime që bien në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, duke bllokuar për 208 ditë ligjet e konsideruara si çelësi për marrjen e statusit kandidat për në BE. Në një deklaratë për mediat, ministrja Bregu theksoi se mazhoranca ka qenë dhe mbetet e gatshme për t’u mbledhur në çdo kohë për votimin e tri ligjeve, ndërsa sipas saj, kreu i PS-së kujdeset vetëm për interesat e karriges së tij. “Rama nuk e ka vlerësuar asnjëherë seriozisht votimin e tre ligjeve. Ai ka marre mbi vete përbuzjen dhe neverinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët e dinë se u mungojnë miliona euro investime. Këtë damkë të zezë nuk ia heq Edi Ramës as lojërat dhe taktikat e partnerit të tij më të ri në koalicion. Janë bërë 208 ditë që Edi Rama për përfitime politike, merr vendime kundër interesave të qytetarëve, sepse e vetmja punë që ai di të bëjë është të kujdeset për karrigen e tij”, – u shpreh Bregu. Sipas ministres së Integrimit, sot shqiptarët kanë 208 arsye për të dënuar me votë kryetarin e PS-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency