Arrestimi i Koçit, prokuroria vlerëson jo të ligjshëm ndalimin

0
182

 

bardhiProkuroria nxjerr nga qelia avokatin Bardhi Koçi. Arrestimi konsiderohet jo i ligjshëm

Nuk ka zgjatur 24 orë qëndrimi në qeli i avokatit Bardhi Koçi, i akuzuar nga një biznesmen për akuzën e mashtrimit, me pretendimin se i kishte marrë shumën prej 15 mijë eurosh në këmbim të dhënies së një leje ndërtimi në qytetin bregdetar të Vlorës. Bardhi Koçi është liruar me një urdhër të prokurorisë, e cila duket se e ka konsideruar arrestimin e avokatit si joprofesionale dhe aspak ligjore. Vendimi për lirimin është bërë në mesditën e djeshme, ndërkohë që avokati pas daljes nga dhomat e izolimit nga policia e Tiranës e ka quajtur arrestimin e tij si një inskenim të policisë. Arrestimi i Bardhi Koçit, ish-shefit të FNSH-së dhe drejtorit të burgut 302 në Tiranë, është bërë nga agjentët e komisariatit nr. 3, të cilët, pasi kanë marrë kallëzimin e një biznesmeni ndërtimi që quhet Artan Hoxhaj, kanë vendosur që të ndalojnë avokatin njëherësh ish-kolegun e tyre të policisë. Fillimisht Koçi ka shprehur habinë e tij rreth këtij arrestimi, por më pas ka pranuar të shkojë së bashku me efektivët e komisariatit nr. 3 në ambientet e këtij të fundit, ku është mbajtur i izoluar. Përgjatë gjithë mbrëmjes së të martës, ai ka qëndruar në ambientet e policisë, ndërkohë që ditën e mërkurë është bërë dhe lirimi i tij nga ambientet e policisë së Tiranës.

Kallëzimi i biznesmenit

Artan Hoxhaj është administrator i një kompanie ndërtimi që vepron në qytetin e Vlorës. Sipas policisë së Tiranës, Hoxhaj ka marrë kontakte me dy avokatë, ku sipas tij, ata i kanë premtuar se do të arrinin t’i nxirrnin lejen e ndërtimit kundrejt shumës prej 15 mijë euro. Por, në fakt, sipas policisë, për gati katër vite nga koha e dhënies së lekëve, Bardhi Koçi nuk ia ka kthyer lekët, për shkak se edhe leja e ndërtimit nuk është arritur të merret. Për të shmangur çdo konflikt me ta, biznesmeni i është drejtuar me një kallëzim penal policisë, ku ka denoncuar për akuzën e mashtrimit avokatin Bardhi Koçi. Në dëshminë e tij të paraqitur në kallëzim thuhet se gjatë vitit 2009 ai është interesuar për ndërtimin e një pallati në qytetin e Vlorës, por për shkak të procedurave të gjata, me miratimin e lejes së ndërtimit dhe gjetjen e një trualli, ka vendosur që t’u japë shumën prej 15 mijë euro avokatit Bardhi Koçi. Sipas kallëzimit të dhënë në polici, ai pretendon se këtë person e ka njohur nëpërmjet disa miqve të tij. Pas këtij takimi ata së bashku kanë kryer dhe disa takime të tjera, duke bërë që Artan Hoxhaj t’i dorëzojë sasinë e lekëve prej 15 mijë eurosh. Kjo shumë financiare është dorëzuar pas dhënies së garancisë që avokati i kanë dhënë biznesmenit të ndërtimit për sigurimin e lejes nga ana e autoritetit të Bashkisë në Vlorë. Sipas policisë së Tiranës pikërisht kjo shumë financiare do të shkonte në adresë të disa personave në Bashkinë e Vlorës, por që në fakt pas marrjes së lekëve asnjë gjë nuk është bërë në këtë drejtim. Kanë kaluar katër vite dhe biznesmeni nuk ka arritur të marrë lejen e ndërtimit, por edhe sasinë e lekëve që ua kishte dhënë avokatit Bardhi Koçi. Herë pas here ai u ka premtuar rikthimin e parave të marra, por që më pas asnjë gjë nuk është bërë në këtë drejtim. Nisur nga kjo situatë, biznesmeni Artan Hoxhaj ka vendosur të denoncojë në polici, çështjen e mashtrimit të tij.

Avokati s’pranon akuzën

Bardhi Koçi gjatë momentit të shoqërimit në komisariatin nr. 3 nuk ka pranuar në asnjë çast marrjen e parave. Sipas tij, ai nuk i ka marrë asnjë lek biznesmenit Artan Hoxhaj, por gjithçka në këtë histori është e sajuar prej tij dhe uniformave blu të policisë së Tiranës. Koçi ka qëndruar një natë të vetme të policinë e Tiranës dhe në mesditën e djeshme ai është lënë i lirë. Vendimi për lirimin e tij nga qelia e ka dhënë prokuroria, e cila duket se e ka konsideruar arrestimin e Koçit si një veprim jashtëligjor. Nisur nga këto kushte Bardhi Koçi është lënë i lirë. Për shkak se prokuroria ka vendosur të nxjerrë si të paligjshëm arrestimin e avokatit, çështja e iniciuar nga ky i fundit pritet të shoqërohet edhe me vendimin për pushimin e plotë të historisë së mashtrimit.

Detaj

15 mijë

Kjo është shuma që biznesmeni Artan Hoxhaj ka pretenduar se i ka dhënë avokatit Bardhi Koçi për sigurimin e një leje ndërtimi në qytetin e Vlorës. Pas dhënies së lekëve, sipas tij, një shumë e tillë nuk është kthyer dhe se edhe leja ndërtimore nuk është arritur të merret në Bashkinë e Vlorës.

 

 

Ngjarja në Durrës

Kapet emigranti me 6 kg marijuanë

Një automjet, në gomat e të cilit ishte fshehur drogë është kapur në portin e Durrësit teksa tentonte të kalonte drejt Barit. Shtetasi shqiptar, posedues i drogës është Endris Saqellari, 28 vjeç, nga Lapraka. Në makinën e tij me targa AA158DY u gjetën gjatë kontrollit të policisë 6 kg kanabis. Lënda narkotike dhe makina është nën sekuestro nga policia, ndërsa shqiptari është vënë nën pranga për trafikim të lëndëve narkotike. Lidhur me ketë ngjarje të rëndë policia në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka filluar hetimet për akuzën e trafikut të drogës, dhe se tashmë po verifikohen personat me të cilët ka pasur kontakte telefonike personi i arrestuar. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar aparati telefonik, ku disa prej numrave me të cilët ka folur në momentet e fundit 28-vjeçari, po verifikohen nga ana e agjentëve të policisë.

 

Arrestimi

Tentoi të vriste dy persona, pranga 28-vjeçarit

Një person është arrestuar dje në Tiranë, pasi dyshohet se një muaj më parë ka tentuar të vrasë me armë zjarri dy persona. Mësohet se në pranga ka përfunduar Belind Luli 28-vjeç, nga Tirana, pasi në datën 30 mars të këtij viti, në zonën e Kasharit, ai ka tentuar të qëllojë me armë dy persona, përkatësisht shtetasit T. L., 34 vjeç, dhe R. B., 28 vjeç. Sipas njoftimit për shtyp të policisë, mbi të rëndon akuza e “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja e armëve luftarake pë leje”. Mësohet se dje është vënë në pranga edhe një tjetër person. Ai është Gazmir Preka, 28 vjeç, banues në Allias, Tiranë, pasi akuzohet për vjedhje. Për të dy këta persona aktualisht materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

 

Radhët në Kapshticë

Grekët punojnë vetëm me një sportel

Dhjetëra emigrantë janë detyruar të kalojnë natën jashtë në pikën doganore të Kapshticës në pritje të hyjnë në tokën greke, pasi Policisë Kufitare greke i ishte prishur sistemi kompjuterik. Radha, e cila dje pasdite shkoi deri në 3 km, ka nisur të reduktohet dhe situata të normalizohet vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Nuk dihet ende se sa do ta vazhdojë kjo situatë, pasi konfirmohet se pala greke vijon ende të ketë probleme me sistemin kompjuterik, ndërkohë që situata në këtë pikë të kalimit kufitar është normalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pavarësisht nga takimet dhe kërkesat e vazhdueshme të drejtuesve të doganës shqiptare për riparim të shpejtë të defektit dhe lëvizjen e lirë të shtetasve në dy anët e kufirit, kjo gjë nuk ka ndodhur ende. Për shkak të këtij defekti, pala greke punon vetëm me një sportel, ndërsa ajo shqiptare me pesë të tillë.

 

Alberta Gega nuk ka lidhje me çështjen e ndalimit

Reagimi i avokatit: Dështoi inskenimi i

policisë, komisariati nr.3 shkeli ligjin

Avokatia Alberta Gega dhe kolegu i saj i zyrës Bardhi Koçi, kanë hedhur poshtë të gjitha pretendimet e policisë dhe informacionet që organet policore kanë nxjerë në media. Nëpërmjet një reagimi për shtyp dy avokatët sqarojnë se në 7 maj 2013 Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, konkretisht Komisariati Nr.3 ka kryer arrestimin në flagrancë të avokatit Bardhi Koçi me arsyetimin se ka konsumuar veprën penale atë të parashikuar neni 143 i Kodit Penal.Organi i Prokurorise mbasi është vënë në dijeni për arrestimin e avokatit Bardhi Koçi menjëherë ka vendosur të bëj lirimin e tij të menjëhershëm, mbasi ka konstatuar se arrestimi i avokatit është kryer në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet “Shpërdorimit të detyrës” duke abuzuar me të. Nga ana e studios Ligjore me administrator avokat Bardhi Koçin, deklarohet se,”Veprimi i kryer nga ana e policisë së Komisariatit nr. 3, Tiranë në dëm të tij dhe të studios ligjore që ai drejton, është një veprim i turpshëm nga segmente të politizuara të Policisë së Shtetit”. Përfundimisht dështon inskenimi i turpshëm i policisë së Komisariatit nr. 3 Tiranë, konfirmuar kjo nga vendimi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i dhënë të drejtë kjo e fundit veprimeve të ligjshme të kryera nga avokatët e Studios Ligjore Gega & Koçi.Theksojmë gjithashtu se avokate Alberta Gega nuk ka qënë pasojë e këtij inskenimi por ajo ka qënë mbrojtësja ligjore e kolegut të saj avokat Bardhi Koçi,e cila ka provuar me fakte arrestimin e paligjshëm të tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency