Masa Edmir Koleci: Nuk i kam parë policët, nuk kishin bluza fosforeshente, ishte aksident

0
139

Sonja Caka

koleciProkuroria e sjell në gjykatë për “Vrasje me dashje”, avokati Lin Alija këmbëngul që ishte “Shkaktim aksidenti” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Gjykata lë në burg Kolecin, cakton masën “Arrest shtëpie” për ndihmësin Sulaj

 

Edmir Koleci do të qëndrojë në burg deri në zbardhje të plotë të hetimeve për vrasje me dashje të efektivit Selman Lena dhe vrasja e mbetur në tentativë të efektivit tjetër Preng Lleshi, ndërsa ndihmësi i tij në largimin nga vendi i ngjarjes, Shkëlzen Sulaj u la në “Arrest shtëpie” për “Përkrahje të autorit”. Ky ka qenë verdikti i gjyqtarit Fran Prendi në seancën e djeshme të masës së sigurisë ndaj 37-vjeçarit, seancë që u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e medias apo familjarëve. Vetë i akuzuari ka pretenduar se nuk e ka ditur se ka pasur një postbllok policie apo të ketë parë policë aty, ndërsa theksoi se ka tentuar të parakalojë një automjet që kishte hapur krahun dhe për pasojë ka ndodhur përplasja. Ndërsa largimin nga vendi i ngjarjes ai e ka argumentuar se frikën dhe panikun për çfarë kishte ndodhur, dhe për këtë arsye i ka kërkuar ndihmë për t’u larguar Shkëlzen Sulaj, nga frika e ndonjë hakmarrjeje. Ndërkohë që, pavarësisht pretendimeve të Kolecit, por edhe argumentave të avokatit të tij Lin Alija, gjykata ka lënë në burg 37-vjeçarin për akuzat e “Vrasjes me dashje” dhe “Vrasjes me dashje” e mbetur në tentativë.

Dëshmia

Edmir Koleci u ka qëndruar besnik deklarimeve të tij në polici edhe para togave të zeza, duke vijuar se nuk i ka parë policët në postbllok për shkak të errësirës. Para gjyqtarit Fran Prendi, i dyshuari Koleci e mohoi akuzën e vrasjes, duke pretenduar se gjithçka ka qenë aksidentale. “Ishte aksident që ndodhi shumë shpejt. Unë tentova të shmangesha nga një makinë që hapi dritat dhe ndaloi pak para meje në krahun tim dhe ktheva timonin në krah të kundërt për të parakaluar kur kam goditur policët. Nuk i kam parë policët pasi nuk kishin as bluza fosforishente. Ishte errësirë dhe nuk doja të ndodhte kjo që ka ndodhur. Ndodhi shumë shpejt”, – ka pretenduar Koleci, duke mohuar se ka tentuar t’i fshihet drejtësisë. Sipas të dyshuarit, arsyeja e largimit nga vendi i ngjarjes ka qenë vetëm frika nga ndonjë hakmarrje e mundshme. “U largova nga frika e ndonjë hakmarrjeje. Pagova Shkëlzen Sulajn që më largoi, por këtë nuk e bëra për t’iu fshehur drejtësisë”, – u mbrojt para gjykatës Koleci.

Mbrojtja dhe akuza

Avokati i Edmir Kolecit, Lin Alija, deklaroi se klienti i tij nuk mund të akuzohet kurrsesi për vrasje, por vetëm për akuzat e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Por, pavarësisht këtyre pretendimeve, prokurori saktësoi se Edmir Koleci ka qenë duke udhëtuar tej normave të lejuara dhe nuk i është bindur urdhërit të policisë për t’u ndalur. Ndërsa, avokati i të dyshuarit pretendoi se policët nuk kanë respektuar rregulloren e brendshme të policisë, për mënyrën e ngritjes së një pikë kontrolli në rrugën kryesore. Gjyqtari Prendi, pasi dëgjoi palët vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke lënë në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg” Edmir Kolecin. Ndërsa për Shkëlzen Sulajn, personin që akuzohet se ndihmoi të dyshuarin të arratiset nga vendi i ngjarjes, Gjykata caktoi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në qendër të Kamzës rreth orës 23:30 të datës 4 maj, kur një patrullë e komisariatit të policisë nr.5 Tiranë është goditur nga një automjet tip “BMW X5” e drejtuar nga 37-vjeçari Edmir Koleci. Nga përplasja e këtij automjeti ka gjetur vdekjen punonjësi i policisë pranë këtij komisariati, Selman Lena si dhe është plagosur punonjësi Preng Lleshi, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rëndë. Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forcat e policisë, grupi hetimor, ekspert për hetimin e aksidenteve, ekspert kriminalist, për të kryer veprimet e para proceduriale dhe mbledhur e administruar provat. Automjeti i identifikuar “BMW X5” rezultoi se në atë moment drejtohej nga shtetasi Edmir Islam Koleci, 37 vjeç, lindur në Krumë dhe banues në Laknas, i proceduar për vepra të ndryshme penale, ndërsa u gjet i braktisur në fshatin Laknas. Në sajë të një pune të shpejtë hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të kësaj ngjarje, gjetja e automjetit pak kohë pas ngjarjes dhe kapja e autorit në afërsi të Katër Rrugëve të Shijakut, Durrës, në orët e para të mëngjesit të së dielës.

 

 

 

Halimi në auditorët e Juridikut: Edukimi cilësor, i rëndësishëm për sistemin

Me rastin e 100-vjetorit të Drejtësisë Shqiptare, ministri Eduard Halimi mbajti një takim të hapur më studentët e Fakultetit të Drejtësisë me mesazhin se edukimi cilësor në auditor është i rëndësishëm për shtetin e së drejtës. “Puna në drejtësi do profesionalizëm, përkushtim, vullnet për t’i bërë ballë presionit politik e ekonomik. Nëse ju edukoheni cilësisht e sigurt që do bëheni gjyqtarë, prokurorë, avokatë, më të mirë, dhe më i drejtë, më i besueshëm do jetë edhe sistemi”, – cilësoi ministri Halimi në fjalën e tij. Ministri vlerësoi me rëndësi tre shtyllat mbi bazë të të cilave qëndron suksese i sistemit te drejtësisë: Llogaridhënia dhe përgjegjshmëria,(transparenca), efiçensa, pavarësia dhe paanësia. “Unë gjykoj se nga problemet që meritojnë vëmendjen e duhur brenda sistemit është pavarësia apo paanësia e gjyqtarëve, përgjegjshmëria e tyre para ligjit;përgjegjshmëria dhe llogaridhënia para qytetarëve. Ndaj është i rëndësishëm monitorimi, për të ndarë profesionistët me integritet nga devijantët e ligjit.” Më pas ai shpalosi para studentëve reformat e suksesshme të arritura nga Ministria e Drejtësisë si dixhitalizimi i sektorëve të drejtësisë (Noteria, ZRPP, Gjyqësor) si dhe hartimin dhe miratimin e Paketës së drejtësisë kriminale dhe asaj civile; reformimi i Gjykatës së Lartë, reformën në pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore etj. Në këtë 100-vjetor të Drejtësisë ministri Halimi deklaroi hapjen e aplikimeve për intership në Ministrinë e Drejtësisë të 100 studentëve.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency