Berisha: Fitojmë me listën e deputetëve dhe listën e veprave

0
141

Ina Jano

 

bero“Do të mbledhim çdo javë Parlamentin për të votuar tri ligjet. Përshëndesim faktin që opozita u kujtua për to pas 206 ditëve bllokim”

Kryeministri: Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj, kam nevojë të madhe të vazhdojmë ndryshimin. Në këtë garë ne ju kemi sjellë juve kandidatët më të shkëlqyer, por në këtë garë, përveç kësaj liste, ne kemi edhe listën e veprave që i paraqesim tek secili

 

Pas një fillimjave intensive në hartimin dhe përfundimin e listave, kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i është rikthyer fushatës së tij elektorale. Pa asnjë aktivitet paraditen e së martës, duket se mbrëmja ka qenë e mbushur me inspektime punimesh në rrugë të ndryshme në vend, ndërkohë që parashikohet që edhe dita e sotme të jetë e ngjeshur në evente për shefin e mazhorancës. Nga Berati, Kryeministri nuk ka lënë pa përmendur listat e kandidatëve për deputetë të selisë blu, të cilat i konsideroi si të shkëlqyera. Ndërsa shtoi se paralelisht me to, Partia Demokratike konkurron edhe me listën e veprave, të cilat do të shtohen edhe më shumë në këtë mandat të ardhshëm. Kreu i mazhorancës tha se Partia Demokratike dhe aleatët e saj paraqiten në zgjedhjet e 23 qershorit dhe kërkojnë një mandat të tretë me dy lista. Njëra prej tyre është lista e kandidatëve që Kryeministri i quajti të shkëlqyer dhe tjetra është lista e veprave të realizuara dhe që do të realizohen. “Ne kemi dy lista, listën e kandidatëve më të shkëlqyer dhe listën e veprave. Pra në këtë garë elektorale ne garojmë, së pari me kandidatët më të mirë, por me shumë se me çdo gjë tjetër flasim me vepra dhe më pak me fjalë. E tërë kjo rrugë, për të cilën qytetarët e Beratit kanë shumë të drejtë dhe e presin me padurim ndërtimin e saj, ne po e bëjmë realitet. Sikundër, ne po ecim me Boshtin e Jugut, nga Belshi në drejtim të Beratit, ndërsa kundërshtari, çdo fjalë mund të shqipërojë në Berat, përveç fjalës Boshti i Jugut. Ndiqini fjalimet e tij, se nëse i mbush thasë me fjalë, ato i bëhen sa një kodër, por Boshti i Jugut nuk ekziston në to. Ai është i betuar që të mos ndërtojë rrugë. Meqenëse ne po ndërtojmë rrugë, ai vrapon për të gjetur gropa, këtu apo atje”, – shtoi numri një i qeverisë.

Integrimi

“Duke bllokuar statusin dëmtohet çdo shqiptar, dëmtohet qeveria, dëmtohet opozita dëmtohet Shqipëria. Të njëjtën gjë bënë me vizat, por nuk ja dolën. Këto ditë Rama me zëdhënësit e tij bëri thirrje të votojmë ligjet, ndonëse ne kemi iniciuar referendumin. E përshëndetëm faktin që pas 206 ditëve bllokim, Rama u kujtua se po kryente një vepër të padenjë. E hëna ishte në parlament dje (pardje) shkuam me kënaqësi. Ju e patë, bënë ritin e zakonshëm sa erdhëm tek ligjet u ngritën njëri pas tjetrit dhe boshatisën parlamentin. Do mbledhim çdo javë parlamentin, sytë e shqiptarëve janë të drejtuar në atë sallë dhe shqiptarët presin që ne të votojmë ligjet”, – u shpreh Berisha.

Prioritetet

Zoti Berisha shtoi se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë infrastruktura rrugore dhe punësimi. Ai premtoi gjithashtu heqjen e taksës mbi vlerën e shtuar për makineritë e prodhimit, masë që Berisha tha se do të ketë efekte pozitive në rritjen ekonomike dhe vlerësoi se deri më tani nuk ka dhënë ende rezultate, por në muaj e ardhshme ajo do të jetë pozitive pasi efektet janë të mëvonshme. Gjithashtu lideri demokrat tha se edhe infrastruktura rrugore dhe punësimi janë prioritete të kësaj qeverie, që do të vijojnë të mbeten të tilla edhe në vitet e ardhshme të qeverisjes demokrate. Kryeministri kërkoi votën e qytetarëve të Beratit, në mënyrë që siç tha ai, PD-ja të vijojë reformat për të shndërruar çdo potencial të vendit në mirëqenie për qytetarët. “Ju ftoj ju ta shndërrojmë këtë fushatë në betejën tonë më të civilizuar. Unë kam nevojë për mbështetjen tuaj. Të ecim të sigurt drejt 23 qershorit, datës së madhe të demokracisë. Të votojmë për PD, Koalicionin për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim si e ardhmja jonë më e mirë, më e sigurt, si e ardhmja më e shkëlqyer evropiane. Ju ftoj të vazhdojmë të rendim pas çdo vote, pas çdo zemre, të bëjmë gjithçka që më 23 qershor të firmosim një fitore të thellë, të shkëlqyer të merituar për katër vitet që vijnë, për veten, për fëmijët tanë, për Shqipërinë”, – u shpreh kreu i ekzekutivit.

Rruga

Ministri Genc Pollo preu shiritin e inaugurimit të rrugës Ura Vajgurore-Pashalli-Bistrovicë, një rrugë kjo që u vjen në ndihmë 5500 banorëve dhe i jep nje nxitje të madhe problemit dhe bizneseve bujqësore në këtë zonë, por bën të mundur edhe zhvillimin e turizmit në zonën e Shpiragut. Ky është një investim prej 427 milion lekësh i qeverisë shqiptare dhe i Fondit Shqiptar i Zhvillimit.

 

Investimet në Berat

Gjatë këtyre viteve në qarkun e Beratit janë ndërtuar e rikonstruktuar mbi 500 km rrugë, nga të cilat vetëm 70 km janë nacionale. Janë rikonstruktuar rrugët e komunave Kutalli, Kozare, Velabisht, Roshnik, Vertop, Otllak Sinje, Roshnik, Duhanas etj. Janë rindërtuar rrugët Lushnje –Berat, Berat – Tërpan; Ura Vajgurore – Kuçovë; Mbrakull – Poliçan; Bogovë – Çorovodë; Ura e Kucit – Berat; Ura Moravë – Berat; Lidhjen e Beratit me rrugën e Përmetit, rruga hyrëse e Beratit; rruga e Teqesë. Gjithashtu janë ndërtuar 60 shkolla e kopshte; 31 sisteme ujësjellës e kanalizime duke përfshirë Ujësjellësin Berat – Kuçovë me vlerë 6 milionë euro. 46 qendra shëndetësore e ambulanca. Ndërsa për fermerët janë subvencionuar 2600 ha me ullishte, pemëtore, vreshta, spërkatje e sera, nga të cilat kanë përfituar 6840 prej tyre. Gjithashtu është dyfishuar numri i bizneseve nga 2820 që ishin në vitin 2005, në 5350 biznese në vitin 2012. Në sektorin e energjisë janë investuar 20 milion euro ne sistemin e energjisë elektrike për përmirësimin e kapaciteteve të rrjetit, ndërkohë që 23.2 milion euro janë projekte në zbatim për energjinë elektrike në zonën Berat – Fier – Lushnjë.

 

 

Lista e PD-së, Kryeministri: Impakti publik, pozitiv, ekipi ynë fitues në zgjedhje

Në limitet e kohës së përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, partitë politike kanë dorëzuar listat e tyre emërore me 140 kandidatë për deputetë për të 12 qarqet e vendit, mesnatën e së martës. Ndërsa edhe gjatë gjithë ditës së djeshme, kryefjalë e politikës në vend kanë qenë pikërisht prurjet e reja të kandidatëve dhe largimet e deputetëve. Kryeministri Berisha ka zgjedhur rrjetin popullor Facebook për të ndarë më mbi 500 mijë fansat e tij, lajmin se listat e Partisë Demokratike, janë ato fitueset dhe po ashtu impakti që ka pasur deri më tani ka qenë tejet pozitiv. Duke e përcaktuar si ekipin fitues dhe atë që do të udhëheqë vendin në një mandat të ardhshëm, lideri i qeverisë është shprehur: “Të dashur miq! Mbrëmë (parmbrëmë) në mesnatë dorëzuam listën e ekipit të ri parlamentar qeverisës, ekipit të fitores për 4 vitet që vijnë. Impakti i saj publik ishte shumë pozitiv. Duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve të mi për kontributin dhe mbështetjen tejet të çmuar në katër vitet qe shkuan, ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët, mbështetësit e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, të ecim së bashku drejt mandatit të tretë, mandatit të Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë evropiane. Fitore!!!”, – shkroi dje numri një i qeverisë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency