Standard.al

Rivlerësimi i shtëpive, shtyhet afati deri në fund të tetorit

Ervin Kaduku

shtepiteEkzekutivi e ka argumentuar këtë shtyrje të re të afatit deri më 31 tetor me mundësinë që synohet t’u jepet emigrantëve që do të kthehen në atdhe për pushimet e verës për të rivlerësuar pasuritë e tyre sipas çmimit të tregut me tarifën minimale 1 për qind

 

Në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit, qytetarëve u jepet sërish mundësia që deri në fund të tetorit të rivlerësojnë pasuritë e tyre të patundshme kundrejt tarifës 1 për qind nga 10 që është aktualisht. Akti normativ i qeverisë, i miratuar të hënën në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë vetëm me votat e mazhorancës dhe i parashikuar në rendin e ditës në seancën plenare të po kësaj dite parashikon një shtyrje për të tretën herë të afatit të rivlerësimit të pronave, pjesë e amnistisë fiskale të zbatuar nga qeveria vitin e kaluar.

Ekzekutivi e ka argumentuar këtë shtyrje të re të afatit deri më 31 tetor me mundësinë që synohet t’iu jepet emigrantëve që do të kthehen në atdhe për pushimet e verës për të rivlerësuar pasuritë e tyre sipas çmimit të tregut me tarifën minimale 1 për qind. Ndërsa për opozitën, akti normativ i qeverisë është tërësisht elektoral.
Në relacionin që shoqëron projektligjin theksohen në shifra rezultatet e arritura gjatë dy përpjekjeve të para të rivlerësimit. Sipas të dhënave zyrtare, në total nga fillimi i zbatimit të ligjit në fjalë se nga 21 prill 2011 e deri në afatin final të mbarimit të amnistisë u rivlerësuan 70 590 pasuri.
Në buxhetin e shtetit u arkëtuan 2.99 miliardë lekë, ndërkohë që shuma totale e pasurisë së rivlerësuar llogaritet në 299 miliardë lekë.

Në mesin e vitit 2011, Kuvendi miratoi me votat e mazhorancës ligjin e faljes fiskale, në pamundësi për të miratuar një amnisti të plotë. Ky proces ishte parashikuar të fuste në tregun shqiptar një kapital të ri, të padeklaruar më parë, për t’i dhënë një ritëm të ri ekonomisë së vendit. Pavarësisht se procesi zgjati pothuajse një vit, biznesi nuk shfaqi shumë interes për këtë ligj dhe kjo mungesë interesi u argumentua me mungesën e garancive të duhura ligjore.

Pavarësisht interesit të ulët nga bizneset, një nga pikat që rezultoi e suksesshme ishte ajo e rivlerësimit të banesave ndaj edhe qeveria në përfundim të afatit të parë që ishte fundi i Marsit të vitit 2012, vendosi të ndërmarrë një shtyrje tjetër, vetëm për pjesën e pasurive të paluajtshme. Kjo shtyrje, deri në muajin Gusht 2012, u argumentua si një mundësi tjetër për përfitimin e emigrantëve, të cilët do të vinin në Shqipëri për sezonin turistik dhe njëkohësisht mund të përfitonin rivlerësimin e pasurive të tyre.

Në fund të 15 muajve të procesit, rezultoi se mbi 70 mijë ishte numri i pasurive të paluajtshme që u rivlerësuan më vlerën e tregut në të gjithë vendin. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave, shuma totale e rivlerësimit të këtyre pronave arriti në rreth 3 miliardë lekë. Numrin më të madh të këtyre rivlerësimeve e kishin qytetet e Tiranës, Durrësit, Korçës dhe Fierit. Të gjithë qytetarët, të cilët bënë rivlerësimin, paguan vetëm 1 për qind diferencën mes vlerës së tregut dhe vlerësimit të vjetër të pasurisë.

 

Individët, më korrektë në kthimin e kredive për shtëpi

 

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012, indeksi i çmimit të banesave ka pësuar një rënie mesatare vjetore prej 10%, ndërsa ai i qirasë ka rënë me 7.3%. Në fund të vitit 2012, raporti ndërmjet indeksit të çmimit të banesave dhe atij të qirasë shënoi një vlerë prej 2.03, me një ndryshim të lehtë me vlerën e këtij raporti në fund të vitit 2011, prej 1.96 njësi. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e stabilitetit financiare për 6 mujorin e dytë 2012, publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Tremujori i katërt i vitit 2012 shënoi një rritje të tepricës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme me 1.61% ndaj një viti më parë, pas një zgjerimi me 1.96% në tremujorin e tretë të vitit. Në fund të tremujorit të katërt 2012, norma e ponderuar e interesit për kredi për blerje pasurie të paluajtshme ka shfaqur një rritje prej 0.52 pikësh përqindje në terma vjetorë. Kostoja21 relative e pagesës së kredisë për blerje pasurie të paluajtshme ka shënuar gjithashtu një rritje në tremujorin e fundit të vitit me 2.58 pikë përqindje në terma vjetorë, por kjo ka qenë më e ulët se rritja prej 4.86 pikësh përqindje në tremujorin e tretë të vitit. Në kushtet kur norma mesatare e interesit të kredisë për blerje pasurish të patundshme është rritur vetëm me 0.52 pikë përqindje gjatë vitit 2012, rënia e treguesit të kostos relative reflekton kryesisht zvogëlimin më të madh të normës së rritjes së çmimit të banesave gjatë vitit të kaluar, ku kontributin kryesor e jep tremujori i fundit. Nëse kjo ecuri do të përsëritet në vitin 2013, ky do të jetë një tregues i hyrjes së tregut të banesave në një proces më të qëndrueshëm të korrektimit (rënies) të çmimit të banesave.

Pavarësisht standardeve të shtrënguara të kreditimit nga ana e huadhënësve, kredia për blerje pronash të patundshme ka pësuar një përmirësim gjatë tremujorit të tretë dhe të katërt në terma vjetorë dhe tremujorë. Kërkesa për mbulim me kolateral të kredisë në raport me madhësinë e saj është rritur për bizneset dhe individët. Bankat gjithashtu raportojnë që standardet e kredisë për blerje banese kanë mbetur të pandryshuara për individët dhe sugjerojnë për një lehtësim të tyre në tremujorin e parë të vitit 2013. Lidhur me cilësinë e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme, vërehet një përmirësim i tij në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2012. Kështu, raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të patundshme ndaj tepricës së kredisë për këtë qëllim është 12.88%, krahasuar me 13.9% në fund të muajit qershor 2012. Në këtë nivel, ky tregues është më i lartë por pranë vlerës së treguesit për fundin e vitit 2011, prej 12.55%. Cilësia e kësaj pjese të kredisë, mbetet gjithsesi më e mirë se cilësia e portofolit total të kredisë, ku objekti i kredisë dhe lloji i kolateralit diktojnë një sjellje të kujdesshme si nga bankat ashtu edhe nga kredimarrësit.

 

 

Sezoni turistik, pesë rrugë të reja drejt plazheve në Durrës

 Rrugët nacionale të qarkut të Durrësit po lidhen intensivisht me zonat bregdetare, duke u kthyer në një burim zhvillimi turistik për bashkitë dhe komunat me dalje në det. Plazhi tradicional nga ura e Dajlanit deri në përroin e Agait, atje ku ndahen rrethi i Durrësit dhe i Kavajës, tani “konkurrohet” nga plazhet e tjerë që shtrihen kryesisht në bregdetin prej 25 km në Gjirin detar të Lalzit dhe ku ndodhen fshatrat e komunave të Katundit të Ri dhe Ishmit si dhe ato të bashkisë së Sukthit.

Burime zyrtare nga këshilli e qarkut, bënë të se tashmë kanë hyrë plotesisht në funksionim pesë rrugë të rindërtuara që nga autostrada Tiranë-Durrës dhe Vorë – Fushë Krujë i drejtohen plazheve të rinj. Këto rrugë përveçse shkurtojnë kohën dhe përmirësojnë kushtet e udhëtimit nga qendrat e banuara drejt plazheve të panjohura në veri të qarkut, u japin vlerën e merituar trojeve dhe tokave bujqësore në komunat e Katundit të Ri dhe Ishmit, dy nga pesë njësitë administrative me dalje në bregdet. Sipas burimeve, rruga me gjatësi 10.5 km me gjerësi 7 metra që lidh autostradën Durrës-Tiranë me fshatin bregdetar të Fllakës, 16 km në veri të Durrësit u ndërtua me një financim të përbashkët prej 2.7 milion euro nga buxheti i Qarkut, qeveria shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Kjo rrugë i është shtuar listës së segmenteve rrugorë që janë vënë në shfrytëzim gjatë pesë viteve të fundit Spitallë – Shën Vlash – fshati Rinia, Maminas – Gjiri detar i Lalzit dhe Manëz – Hamallaj.
Ndërkaq, një tjetër segment i rëndësishëm ka lidhur Bubqin, 3 km larg Fushë Krujës me Ishmin-shtuan burimet. Vlera e këtij investimi që ndjek rrugën kodrinore nëpërmes fshatrave Gjuricaj, Kapidanaj e Shkafane deri në zonën turistike të Shën Pjetrit në pjesën veriore të Gjirit të Lalzit arrin në 2.7 milion euro. Një financim tjetër i qeverisë shqiptare dhe i FSHZH-së i është adresuar një zone gati të panjohur për pushuesit dhe admiruesit e historisë sonë: Kepi i Rodonit. Rruga e re nga fshati Draç në Rodon me investim 287 milion leke ka nisur të shfrytëzohet në shtator të vitit të kaluar dhe me siguri do të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve vendas dhe të huaj.
Me përfundimin e këtyre rrugëve është krijuar mundësia që turistët dhe pushuesit të zgjedhin plazhet e tjera të qarkut, duke shfrytëzuar një infrastrukturë krejt të re. Qarku i Durrësit ka 61.8 kilometra vijë bregdetare nga kepi i Rodonit në veri e deri tek “Përroi i Agait” në jug. Vetëm gjatë verës së kaluar në plazhet e tij të reja në Shën Pjetër, fshatin Rinia, Hamallaj, Rrushkull dhe në grykëderdhjen e Erzenit llogariten mesatarisht rreth 25 mijë pushues në ditë. Gjatë pesë viteve të fundit investimet në rrugët që i drejtohen detit kalojnë shifrën prej 23 milion euro.

 

 

INSTAT: Inflacioni në prill 2.3 për qind

INSTAT njoftoi të hënën se çmimet e konsumit në muajin prill shënuan një ulje prej 0.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, kryesisht si rrjedhojë e ushqimeve më të lira. Rritja e çmimeve me bazë vjetore është më e lartë krahasuar me një vit më parë, por gjithsesi duke mbetur pranë intervalit minimal të objektivit të Bankës së Shqipërisë, prej 2-4%. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor i indeksit në muajin prill (prill 2013/prill 2012) është 2.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 1.6 për qind.

Krahasuar me muajin e mëparshëm indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 0.4 për qind. Ulja më e madhe prej 2.4 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Ulje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim uljet në nëngrupin “Qumësht, djathë e vezë” me 0.3 për qind, “Vajra dhe yndyrna” me 0.3   grupi çmimet shënuan rritje ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet ”fruta” me 1.7 për qind, “Kafe, çaj e kakao” me 0.4 për qind etj.

Indeksi i grupit ”Pije alkoolike dhe duhan” ka shënuar një ulje 0.1 për qind, ulje kjo që ka ardhur si rezultat i uljes së çmimit të pijeve alkoolike me 0.3 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Transporti” ka shënuar një rritje prej 0.4 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.5 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Hotele, kafene dhe restorante” ka shënuar një rritje prej 0.1 për qind, rritje kjo që ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve në nëngrupin “Shërbime akomodimi dhe “Kafe – restorante” me 0.1 për qind.

 

 

Comments are closed.