Pas divorcit, 37 sms kërcënuese të dashurës dënohet me 8 muaj burg

0
172

Elton Qyno

mesazheMario Doçi përndiqte ish-bashkëjetuesen e tij dhe e kërcënonte me vdekje

 

Një 29-vjeçar është dënuar me 8 muaj burg, për shkak se ka përndjekur sistematikisht dhe ka kërcënuar me jetë një vajzë të quajtur O. Memlika. Mario Doçi dhe e dëmtuara kanë pasur njohje me njëri-tjetrin dhe kanë bashkëjetuar për disa muaj me radhë, por më pas marrëdhënia e tyre është ndërprerë. Për pasojë, 29-vjeçari ka filluar ta kërcënojë me jetë dhe t’i bëjë presion psikologjik shtetases O. Memlika, duke e përndjekur këtë të fundit dhe për pasojë e reja është ndier në gjendje ankthi dhe pasigurie për jetën e saj. Një gjë e tillë ka arritur kulmin, kur brenda një dite ish-i dashuri i saj, shtetasi Mario Doçi, i ka dërguar në adresë të numrit të saj plot 37 mesazhe kërcënuese me jetë dhe ofendime të ndryshme. E ndodhur në këto kushte, shtetasja O. Memlika ka vendosur ta denoncojë në polici rastin në fjalë, duke bërë që çështja të marrë karakter penal. Pas këtij kallëzimi në muajin shkurt është vendosur arrestimi i 29-vjeçarit, ndërkohë që më pas prokuroria ka vendosur dërgimin e dosjes në gjykatë, ku togat e zeza kanë vendosur dënimin me 8 muaj burg për akuzën e “Përndjekjes” shtetasin 29-vjeçar Mario Doçi.

Kallëzimi në polici

I pandehuri Mario Doçi është me banim në qytetin e Tiranës. Njëkohësisht edhe e dëmtuara nga vepra penale për të cilën akuzohet i pandehuri Mario Doçi, shtetasja O. Memlika është me banim në qytetin e Tiranës. Ndërmjet shtetasve O. Memlika dhe të pandehurit Mario Doçi kanë ekzistuar marrëdhënie bashkëjetese, pasi kanë bashkëjetuar në vitin 2012 për rreth tetë muaj. Më pas, shtetasit O. Memlika dhe i pandehuri Mario Doçi i kanë ndërprerë marrëdhëniet e tyre. Një gjë e tillë ka ndodhur me datë 20.1.2013. Por, ndërprerja e kësaj marrëdhënieje ka shkaktuar pakënaqësi tek i pandehuri Mario Doçi. Këtë pakënaqësi i pandehuri Mario Doçi ka filluar ta shprehë ndaj shtetases O. Memlika, duke ushtruar në disa raste presion psikologjik. I pandehuri Mario Doçi në periudha dhe kohë të ndryshme ka kërcënuar dhe ngacmuar shtetasen O. Memlika, duke i shkaktuar kësaj të fundit gjendje ankthi dhe frike për sigurinë e jetës vetjake. Këto kërcënime dhe ngacmime janë realizuar si gjatë takimeve të përbashkëta të tyre, si dhe nëpërmjet mesazheve të dërguara në numrin telefonik celular që disponon shtetasja O. Memlika.

Masazhet kërcënuese

Shtetasja O. Memlika disponon numrin telefonik celular 0697286xxx, ndërsa i pandehuri Mario Doçi disponon numrin telefonik celular 0697480xxx. Në kuadër të veprimeve hetimore që ka bërë organi i akuzës ka rezultuar se nëpërmjet procesverbalit të këqyrjes së aparatit telefonik që disponon shtetasja O. Memlika, datë 4 prill 2013, rezulton se i pandehuri Mario Doçi i ka dërguar shtetases O. Memlika mesazhe me datë 25 janar 2013 si dhe me datë 3 shkurt 2013. Vetëm me datë 3 shkurt 2013, i pandehuri Mario Doçi, nëpërmjet numrit të tij telefonik celular, duke filluar nga ora 16:18 deri në ora 22:03, i ka dërguar gjithsej 37 mesazhe. Përmbajtja e këtyre mesazheve me fjalë ofenduese, fluksi i madh i këtyre mesazheve i kanë krijuar një gjendje pasigurie për jetën shtetases O. Memlika, e cila me datë 4 shkurt 2013 ka paraqitur dhe kallëzim përkatës.

 

 

Dekorohen punonjësit e rendit dhe SHIK-ut

Me dhjetëra punonjës të rendit dhe SHIK-ut kanë marrë dekorata mirënjohjeje nga Sindikata e Pavarur e Punonjësve Civilë të Rendit dhe SHIK-ut. I pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili u shpreh se procesi i demontimit të armëve ka përfunduar, ndërsa pjesa që ka mbetur do të tentohet të shitet. “Gjatë këtyre viteve në të tria uzinat tona kushtet teknike kanë qenë shumë të mira dhe nuk kemi pasur asnjë incident. Demontimi ka mbaruar. Ajo pjesë që ka mbetur po e mbajmë dhe presin që ta shesim që të kursejmë më shumë, se duke shitur fitojmë më shumë si shtet, por duke demontuar kërkon shpenzime të tjera. Shumë shpejt do të vijë një ekip italian i Ministrisë së Mbrojtjes që të shqyrtojnë mundësinë që materialet që kemi për të demontuar të bëjmë me mbështetjen e një vendi mik dhe anëtar i NATO”, – deklaroi ministri. Mirënjohje mori edhe vetë Imami, me motivacionin “Mirënjohje për liderin e lëvizjes së dhjetorit dhe mbështetjen e sindikalistëve të ushtrisë”.

 

Grabitësit e argjendarisë në Fier

gjykata vendos t’i lërë në arrest me burg

Gjykata e Fierit ka lënë në burg tre autorët e dyshuar për grabitje me dhunë të një argjendarie në lagjen “Apolonia” të Fierit. Gjykata dha masën e sigurisë “Burg pa afat” për Niku Dolvën, Morin Rrokajn dhe Naim Dyrmishin. Ngjarja u shënua më 28 prill të këtij viti në argjendarinë në pronësi të Maksim Gjergjit, i cili pasi u përlesh me autorët e grabitjes, u qëllua në kokë me tytën e armës, duke e lënë atë të plagosur. Autorët kanë marrë më pas një sasi floriri dhe parash e më pas janë larguar me shpejtësi. Gjatë seancës, autorët e dyshuar nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre. Babai i njërit prej të arrestuarve, thotë se djali i tij, Naim Dyrmishi, ka qenë në punë në momentin e ngjarjes. Të arrestuarit akuzohen për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje. Nën operacionin e koduar “Unaza” tri ditë më parë, policia sekuestroi një pistoletë, 7 fishekë, dy automjete që përdoreshin nga autorët, dorashka, maska, ora dore dhe 700 mijë lekë të vjetra. Blutë e Fierit thanë se 3 të arrestuarit dyshohet se janë autorë edhe të një tjetër vjedhjeje me dhunë në rrethin e Fierit.

 

Aksidentuan policin, kapet personi i dytë

Selman Lena ndodhej në makinë me shtetasin Edmir Koleci

Policia: Lena ndihmoi drejtuesin e mjetit për t’u larguar

Aksidenti i dy policëve, të shtunën afër mesnatës, pranë Kamzës, ku njëri humbi jetën dhe kolegu i tij është në gjendje të rëndë, i ka kushtuar jo pak edhe një pasagjeri që ndodhej në makinë. Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka arrestuar dje Shkëlzen Sylajn, në lidhje me aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në qendër të Kamzës. Në aksident gjeti vdekjen inspektori i policisë Selman Lena, ndërsa u plagos rëndë kolegu i tij P. Lleshi. Sipas Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në pranga ka përfunduar i riu Shkëlzen Sylaj, i cili akuzohet se ka përkrahur Edmir Kolecin, duke ndihmuar të fshihej pas krimit. Një makinë tip “BMW X6” me ngjyrë të bardhë dhe targa angleze, përplasi dy efektivë të Policisë Rrugore të komisariatit numër 5 të Tiranës, të cilët ndodheshin në një postbllok në rrethrrotullimin e Bathores, mbrëmjen e së shtunës, më 4 maj, në orën 23:30 minuta. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:30, ndërsa autori u arrestua vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës. Selman Lena dhe P. Lleshi ndodheshin në një postbllok në rrethrrotullimin e Bathores, kur i kanë bërë shenjë Edmir Kolecit të ndalte makinën, pasi po ecte me shpejtësi. Ky i fundit nuk i është bindur urdhrit, por ka përplasur dy policët dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Dy policët janë dërguar menjëherë në spital, por Selman Lena nuk ka mundur të mbijetojë nga plagët e rënda. Ndërkohë, që polici rrugor, Lleshi, ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë dhe mushkëri dhe po mbahet nën kontroll të vazhdueshëm nga bluzat e bardha të Spitalit Ushtarak. Madje, burime nga ky institucion, por edhe nga Ministria e Brendshme, kanë pohuar dje se po shikohet mundësia e dërgimit të tij në ndonjë spital jashtë Shqipërisë, nëse gjendja e tij përkeqësohet.
Arrestimi i 37-vjeçarit Koleci u bë në afërsi të Katër Rrugëve të Shijakut në Durrës, ndërsa policia, një natë më parë, kishte vënë në dispozicion 1 milion lekë shpërblim për këdo që jepte informata për vendndodhjen e tij. Ndërsa dje, u vu në pranga dhe Shkëlzen Sylaj, i cili sipas të njëjtave burime, ka qenë në të njëjtën makinë dhe ka inkurajuar shoferin që të largohej nga vendngjarja e të fshiheshin në Durrës. Shoferi që shkaktoi aksidentin, i ka deklaruar policisë se ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk i ka parë policët në postbllok. Ndërkohë, lidhur me këtë çështje tashmë ka nisur hetimi dhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, ku po verifikohet pozicioni i dy efektivëve të policisë, lidhur me masat e marra për ngritjen e postbllokut policor.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency