Parti -o- mania shqiptare dhe rreziku i koalicioneve të gjera

0
128

Nga Gjergji Mima   

 

 

kualicioneKoalicionet parazgjedhore janë zyrtarizuar dhe regjistruar tashmë në KQZ, por ajo që është shpallur si fitorja e parë e opozitës, një koalicion me më shumë parti sesa ai i mazhorancës, rrezikon të jetë pengesë për të.

Në zgjedhjet e 23 qershorit pritet të kandidojnë rreth 70 parti, ndërkohë që vetëm 6 prej tyre janë parti parlamentare. Dyfishimi i partive politike nga 35 në vitin 2009 në 70 këtë vit, bën që elektorati shqiptar të fragmentarizohet, por ky fragmentarizim nuk do të thotë se do të jetë i reflektuar në fragmentarizim të Kuvendit. Kjo, pasi sistemi zgjedhor e bën mjaft të vështirë marrjen e mandateve nga parti që nuk perceptohen në shkallë të gjerë nga elektorati. Në këto 70 parti ka shumë prej tyre, emri i të cilave ose lidhet vetëm me të kaluarën politike të kryetarit të tyre, ose dëgjohet nga votuesit vetëm në raste zgjedhjesh, ose nuk kanë ekzistuar si parti vetëm pak muaj më parë dhe janë ende të paprovuara në elektorat.

Në vitin 2009, partitë garuese ishin vetëm 35, ndërsa këtë vit, vetëm koalicioni i majtë ka 38 parti, ndërsa i djathti ka 26, plus dhe 5 parti të tjera që do të garojnë jashtë koalicioneve të mëdha. Është e vërtetë që në vitin 2009 koalicion fitues rezultoi i djathti, që kishte brenda vetes 10 parti politike, ndërsa koalicioni i PS-së kishte vetëm 5 parti dhe koalicioni i LSI-së kishte 6 parti. Gjithashtu ekzistonte edhe një koalicion tjetër mes partive të qendrës dhe të djathta “Poli i Lirisë” që kishte 6 parti. Por fitorja e së djathtës nuk mund t’i atribuohet koalicionit të gjerë të saj, por maksimalizimit të votës.

Në zgjedhjet e 23 qershorit këto 4 koalicione janë bashkuar me njëra – tjetrën, duke formuar dy grupimet më të mëdha politike, të majtët dhe të djathtët. Por ajo që vihet re në këtë situatë parazgjedhore është tejfryrja me parti politike, pa asnjë të kaluar elektorale dhe politike të disa partive të koalicioneve të mëdha. Rreziku këtu është se duke marrë parti të formuara vetëm në dy vitet e fundit, të mos krijohet efekti i maksimalizimit të votës, që siç u pa në vitin 2009 rezultoi arma fituese e së djathtës, por të krijohet copëzimi i votës brenda të njëjtit koalicion. Rezulton që parti të vogla brenda koalicioneve, të cilat e kanë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur që të marrin kandidatë në Kuvend, t’i marrin vota të vlefshme partive kryesore në koalicion, të cilat janë të të njëjtit krahu politik.

Duke u nisur dhe nga ndarja e kampeve në të majtë dhe në të djathtë, pa një kauzë tjetër politike, por thjesht largimi i rivalit politik, edhe votuesit e dinë se brenda kujt koalicioni do ta hedhin votën dhe në këtë rast pasja e shumë partive politike brenda të njëjtit koalicion mund të sjellë një numër më të madh votash në rang kombëtar, por mund të rezultojë fatale në ndarjen e mandateve. Sistemi zgjedhor në Shqipëri tregoi në vitin 2009 se ndihmon shumë partitë që e kanë elektoratin të përqendruar në një zonë të caktuar, në një qark të caktuar. Efekti i kundërt vjen në rast se partitë brenda koalicionit e kanë elektoratin e shpërndarë në të gjithë territorin e vendit. Shembulli tipik në këtë rast janë PSD dhe PDI, të cilat megjithëse morën në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës respektivisht rreth 26 000 dhe 14 000 vota në rang kombëtar, të përkthyera në mandate ishin 0 me 1 (PDI në qarkun e Vlorës). Kjo bëri që koalicioni i atëhershëm i PS-së të humbiste vetëm prej PSD-së 26 mijë vota, duke mos arritur të maksimalizohej vota e së majtës.

I njëjti efekt mund të ndodhë edhe këtë herë, kur një votues i së majtës shqiptare do të vihet përpara zgjedhjes së 38 partive në të njëjtin koalicion apo ai i së djathtës përpara 26 partive. Po të bëhet një llogari e thjeshtë dhe sikur çdo parti e majtë (përveç PS, LSI dhe PBDNJ, parti që kanë treguar se mund ta marrin një mandat), të marrë vetëm 1000 vota në rang kombëtar, i bie që koalicioni i majtë dhe e majta shqiptare në tërësi të humbasë 35 mijë vota, të cilat llogariten në rang kombëtar, por që në fakt nuk prodhojnë asnjë mandat në Kuvend.

Prandaj marrja në koalicion të partive pa asnjë të kaluar politike, të cilat nuk kanë një elektorat të përqendruar në një qark të caktuar, ku të mund ta mbështesin fushatën e tyre politike, bën që këto parti në vend që të jenë ndihmesë për partitë e mëdha në koalicion, të kthehen në rrezikun e tyre kryesor, duke i djegur vota të vlefshme brenda vetë krahut politik. Prandaj përpara se të trumbetohet si arritje futja e sa më shumë partive në koalicion, duhet llogaritur më parë sesa këto parti mund të jenë të dobishme me votat e tyre për t’i kthyer në mandate parlamentare dhe jo për t’i djegur votat e një krahu politik.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency