Merkato, Mavraj është në dilemë: Ndihem mirë tek Fyrti, edhe pse…

0
138

 Altin Vorpsi

mergim mavrajQendërmbrojtësi do t’i qëndrojë besnik skuadrës bavareze, edhe pse kjo e fundit këtë vit ka rënë një kategori më poshtë.

 

 

Edhe pse ka një mori ofertash dhe skuadra e tij ka zbritur një kategori më poshtë, përsëri Mërgim Mavraj nuk dorëzohet. Qendërmbrojtësi i përfaqësueses sonë nuk dëshiron të flasë për merkato, pasi në të tilla momente kur Fyrti po zbret në Bundesligën e 2-të nuk është e drejtë të bëhet diçka e tillë.

 

Deklarata

Vetë lojtari ka pohuar dje në një intervistë të publikuar në faqen zyrtare të Bundesligës se nuk është “momenti i duhur për të folur për një largim të mundshëm. Unë e kam thënë gjithmonë se ndihem shumë mirë këtu dhe i kam vënë vetes disa detyra”.

 

Vendimi

Vetëm pak ditë pasi ra matematikisht nga kategoria, Grojter Fyrti po merr masa që tani për rikompozim të skuadrës me terma financiarë shumë herë më të ulët, pasi për 2013-2014 do të luajnë në Bundesligën 2. Kështu që, i pari që largohet është kapiteni Mërgim Mavraj. Në garë aktualisht për të janë Majnci e Shtutgarti në Gjermani, por edhe Lacioja në Itali.

 

 

Azi

Salihi “dëshpëron” Lipin

Shkodranët po spikasin në kampionatet e huaja, ku luajnë. Pas Xhevahir Sukajt, që të dielën shënoi një gol me peshë në finalen e Kupës së Iranit, e fituar nga Sepehani, i vjen radha Hamdi Salihit ta dëshmojë potencialin e vet ofensiv. Ai ka qenë pjesë e rëndësishme e fitores së skuadrës së tij, Jiangsu Sainty, në ndeshjen e luajtur me Guangzhou. Kjo e fundit drejtohet nga italiani Marçelo Lipi dhe mban vendin e parë në renditje, ndërsa prej tetë javësh kampionat nuk kishte njohur humbje. Humbja e parë i vjen nga Jiangsu i Hamdi Salihit. Shkodrani ka zhbllokuar shifrat në minutën e 11-të të ndeshjes. Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat. Në 45 minutat e dyta Jiangsu ka shënuar edhe një gol tjetër, në minutën e 75-të. Me rezultatin 2-0 është mbyllur krejt ndeshja. Salihi bëhet golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij, me tre gola të realizuar deri më tani.

 

Vlerësimi

Dalipi: Dinamo meriton Kategorinë e Parë

Një pikë e fituar në Fushë-Krujë me Ilirinë në javën e parafundit të Kategorisë së Parë e shpëtoi Dinamon nga rënia nga kategoria. Bluve të kryeqytetit gjithsesi u nevojitet fitorja në takimin përmbyllës të sezonit me Pogradecin për ta siguruar matematikisht mbijetesën. Trajneri Edmond Dalipi përgëzon të gjithë futbollistët e tij për sakrificën dhe përkushtimin ndaj Ilirisë, duke shtuar se për nga cilësia Dinamo nuk duhet ta diskutonte qëndrimin në të parën. 40-vjeçari përgëzon Partizanin për lojën e ndershme që zhvilloi javën e fundit, por nga ana tjetër siguroi se futbollistët dinamovitë i varën shpresat vetëm te këmbët e tyre. Sa i përket së ardhmes, Dalipi theksoi se do të ulët të bisedojë me drejtuesit pasi të festohet mbijetesa.

 

Merkato

Hamburgu këmbëngul për Canën

Pas një fillimi të vështirë, Lorik Cana dalëngadalë është përshtatur në skemat e trajnerit të Lacios, Vladimir Petkoviç. Madje, duke fituar dhe vendin e titullarit. Megjithatë, qëndrimi i tij në Romë, te bardhekaltrit nuk është i sigurt. Emri i tij qarkullon në listat e merkatos dhe sinjalet më të shumta kanë ardhur nga Gjermania. Hamburgu vazhdon të jetë skuadra më e interesuar për të siguruar shërbimet e kapitenit shqiptar. Skuadra veriore po kërkon që të përforcohet për sezonin 2013/14 dhe 29-vjeçari shihet si një alternativë për prapavijën e Hamburgut.

 

Norvegjia

Rise lë kombëtaren

Kombëtarja norvegjeze nuk do të mund të mbështetet më në shërbimet e mbrojtësit të majtë, Xhon Arne Rise. Mbrojtësi ka vendosur të hënën që t’i jap fund eksperiencës së tij me përfaqësuesen nordike.

Norvegjia është e katërta në grupin E të eliminatoreve për Botërorin 2014, pjesë e të cilit është edhe kombëtarja shqiptare me të cilën do të ndeshet në Tiranë me 7 qershor. “E kam menduar mirë, kam vendosur të mos vazhdoj më me futbollin ndërkombëtar. Po shkoj drejt përfundimit të karrierës dhe jam në një moshë kur duhet ta marr një vendim definitiv, nëse dua ta arrij synimin tim, të luaj edhe 4-5 vjet në Evropë”, – deklaroi ish-futbollisti i Liverpulit për mediat nordike. Ai deri tani ka zhvilluar 110 ndeshje me Norvegjinë, ndërsa kishte debutuar me Islandën në vitin 2000. Ai e kishte fituar Ligën e Kampionëve me Liverpulin tetë vjet më parë, derisa është pjesë e Fulhamit qe dy sezone. Komisari teknik i Norvegjisë, Egil Olsen, e respekton vendimin e Rises dhe e ka falënderuar për kontributin dhe përkushtimin që kishte gjatë kohës sa e veshi fanellën e vendit të tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency